As vogël moj as e madhe, politika vazhdon. Çfarë po ndodh? Çfarë nuk po ndodh? Luftë këndej, luftë andej. Përmenden qytetërime dhe plazheve rrihen mileti për të drejta pronësie. Nuk di as nga ti bie.
Por...
Më herët ra shi. Ra mali e mori rrugën me vete, zv-Kr mbetet nën hetim intensiv, por partia i rri pas, në politikë të jashtme pati ndryshime. Ministri i ri megjithëse në detyrë ende nuk ka lëshuar zë po Rama lufton.
Pastaj u rizgjodh Sali Berisha në krye të partisë së vet, pa gjet asnjë që ti dalë përballë. Erdhi një tetë nga Kruja dhe i thanë, - ik mo,j se nuk ke lidhje me këtë muhabet!, - ajo si nuk tha, - po unë kujtova se më thërriti dikush. Salianji u largua që në fillim, pa arritur ta përcillte asnjë mesazh. Nuk doli as te protesta e ditëve të sotme për të parë nëse dikush e zgjidhte nga turma që t'ia jepte mikrofonin e ta ftonte.
Në Kosovë votohet të dielën sot. Kurti si Çezari po vret mendjen sa herë duhet ta refuzojë kurorën që turma me dorë të Mark Antonit ja zgjat. Si i majtë që është llogarit diku te 2865 herë dhe 3112 herë. Unë numrin fiks nuk e mbaj mend, por ai po numëron.
Por, Rama në furtunë, shtyn gjithkënd, si në një kërcim të ndonjërit prej atyre të rinjve që i nxit muzikë shumë dalldisëse të përplasen me shokët në koncert.
Dashka i dhëndri i Kushnerit të ndërtojë kompleks banesash me qera të lartë që do përdoret si hotel, në një zonë që vetë Rama, në ato shtyrjet e mëhershme ku edhe mësoi kaq mirë kërcimin e caktuar, e kishte shpallur të mbrojtur se kështu i dilte zot Karavastasë ku rri një pelikan i kuq me këmbë të gjata që ha gjallesa të ujit të cekët, jo aq të ëmbël që e thërrasin flamingo e që shërbente si shkop kriketi në duar të Lizës, që në Botën e Çudirave luante kundër mbretëreshës që e tërbuar thërriste, - Pritjani kokën!
Rama e kish shpallur të mbrojtur se ekosistemi është i shëndetshëm, ka gjallesa interesante dhe po të qasesh avash shkrihesh me natyrën, shërohesh prej saj dhe ha edhe një drekë, e ikën qetësisht e i le zogjtë të flejnë siç fle edhe vetë dhe siç rekomandohet në dokumentacionin e Bashkimit Europian që i qaset këtyre gjërave me dokumentacion të detajuar deri në ngjyrë të gozhdës. Aty edhe ndonjë katunar i zonës kur ta korri barin duhet të mos këndojë me vete me zë jo të lartë se tremb zogjtë e lodhur.
Edhe, pastaj, po qe mundësia, komuniteti lokal, sipas organizimit administrativ merret me mundësinë e nxjerrjes së ndonjë përfitimi të përbashkët, që bëhet shkolla përkujdes për vete e për të gjithë. Edhe kjo sqarohet në detaj. Por jo.
Por jo, tani, një pronë që e ka kolektivisht një popull në terma të organizimit të vet të kohës pushimit, kultivimit të marrëdhënies së vet me natyrën, me veten, me edukimin, me fëmijët e vet, me burimet ujore, e ofertën për peizazh frymëzimi për poetë figurativë, etj, etj., kalon në pronësi të njërit që do bëj aty ca saraje madhështore. Aty do vijnë, të luajnë shah me kuaj prej vërteti dhe do i bijnë rrugëve përqark me shpejtësi marramendëse në sfera qelqi që janë ekran që gjithashtu nuk i shqetësojnë zogjtë.
Në kat të fundit do flenë vetëm sheikët dhe miliarderët kinezë. Poshtë janë amerikanët, kurse pak më poshtë nga Greqia, Italia dhe Gjermania. Të gjithë miliarderë. Ata kur ti hapin sferat e qelqit e të shohin jashtë do i hedhin popullit rubinë e margaritarë sa një vezë struci që nuk i mbante dot as xhindi i Aladinit.
Për më tepër, - thotë Rama. - atë do ta rrethojnë me gardh dhe do ta mbrojnë nga një katunar i zonës këtu, që e ka kërcënuar a korruptuar dikë në gjykatë këtu e atje te kadastra që është lëmsh dhe që po nuk e pati të vetën i hedh plehra e i bën mutin në disa kuptime të shprehjes. (me një shkallë të besueshme vërtetësie, këtu.)
Por kjo ka ndezur protesta. Me gjithë ngjyrimet e shumta mendoj se konflikti që çon në përplasje zhvillohet për frymën që duhet të mbajë gjallë e çojë përpara një komb në këtë kohë rreziqesh në rritje dhe ndryshimesh që nisin me gjeopolitikën, zhvillimet vendore e vazhdojnë me klimë. Protesta mburret me faktin që është jopolitike. Në fakt zëdhënësit mbeten një grupim që në media rastësore përfaqësohet me njerëz të pa pozicionuar nëpër të.
Jam dakord është vetëm një hap i parë e populli duhet të ofrojë shenja që tregojnë se mund të jepet besim për mbështetje e mbrojtje, e ndjekje. Nga karriera dikush mund të tentojë të katapultohet në afërsi parie partiake, por përgjithësisht me sukses të pakët deri tani. Këtë herë na duhet një lider që të mobilizojë një rrjet të njohurish për të mbushur rradhët e njerëzve që besojnë e përpiqen për një kauz.
Nga ana tjetër marrja e këtij besimi kërkon kohë. Serbët akoma nuk kanë një lidership në protestat e tyre anti-korruptive nacionalsportive, megjithëse janë më afër hungarezëve që me protestat e tyre kundër tolerancës ndaj pedofilisë në sistemin e drejtësisë nën diellin e padrejtësisë lindën një pasardhës për Orbanin[1] e madh nëpër proces zgjedhor.
(Na duhet të përshëndesim këtu atë personazhin që vajti e kaloi gardhin e telit dhe e rrëmbyen aty ca të policisë private të njërit dhe një tjetër ja futi në grusht krejt papritur kur dy të tjerë e mbanin dhe ai humbi ndjenjat. Ende nuk dihet fati i tij, se nuk i ka ardhur radha për intervistë të shkretit, ndoshta. Po ai truproja që ja futi me grusht atij burrit që kaloi gardhin, a e kishte gjë atë çunin që ja futi me grusht atij simpatizantit të PD-së, që po i thoshte Ramës “ik” nga shkallët e turizmit në Elbasan, kur ky po ecte bulevardit, para ca kohësh? Shyqyr që nuk e pa Rama se do kishte protestuar edhe vetë, po ata çunat dinin si bëhen këto gjëra.)
Por Rama vazhdon, - Unë e mbrojta sa munda, por tani me leverdi të madhe do ja japim dhëndrit të Trumpit, që edhe unë vetë e di që është pak marrok, por ai dhe izraelitët dhe arabët janë e ardhmja e sigurisë dhe begatisë tonë. Izraelitët po i përmendim thjeshtë si dekor, madje ata as nuk duan as që të sjellin palestinezët e Gazës, që do zhvendosin prej andej siç është edhe e përcaktuar në Torën me 1090 faqe. (Një skenar interesant që vjen i përmendur vetëm prej Ramës. Shpresojmë nuk është duke familjarizuar opinionin me lajmet e së ardhmes.)
Pastaj thotë se në fakt Bashkimi Evropian që na ka shpallur zanë të pyllit e do na pranojë në gjirin e vet që vitin pas vitit tjetër, është e ardhmja, jo tamam këta, por edhe këta janë disi bashkë me ata pavarësisht se bëjnë sikur po zihen. Madje edhe serbët. Por jo grekët që shohin tek ky investim një rival në industri të turizmit. Grekët me ishujt e shumtë, me qejf do t’ia kishin dhënë një ishull gruas së Kushnerit, që mban mbiemrin e vjehrrit. Një ishull që duhet pastruar prej refugjatësh që lundrojnë nëpër det si ai populli i detit që përflitet se tronditi mikenasit e etruskë në antikitetin e hershëm. Megjithëse, ndoshta, jo.
Nga ana tjetër Bashkimi Evropian nuk e mbështet projektin. I tërhoqi vëmendje vendit të respektojë legjislacion për të cilin është marrë vesh në lidhje me ekosistemet e njëfarë rëndësie që shkon deri mbi-vendore. Vizita e Kostas u sfumua në maksimum dhe në konferencën për shtyp ai ishte një hije në murin ku Rama skaliste kërcënimin “sa të jem unë, me projektin do të vazhdohet!”
Jehona e zhvillimeve në media evropiane ka qenë e shpejtë dhe e bollshme.
Rama zgjodhi krah e kjo ka kohë që zhvillohet. Rama u pozicionua në tematika si Gjykata Ndërkombëtare, Bordi i Paqes apo shpotitje finoke për sisteme vlerash. Në këtë kontekst Shqipëria i qaset Bashkimit Evropian si pjesë e Ballkanit Perëndimor, me Serbinë që ka një epje kah Rusia e Kina dhe me Malin e Zi e Maqedoninë e e Veriut ku një shpirt sllav fle e zgjohet me shqiptarë përbri dhe me Kosovën.
Kancelari gjerman Merz me komunikimet e tij të fundit publike për këtë temë propozoi që anëtarësimi të përparojë jo unitarisht, por me tematika e grup vende. Takimi i përbashkët i Tivarit e kishte emrin “Ndajmë bashkë prosperitetin dhe stabilitetin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”. Titull më të qartë nuk ka. Ndajmë bashkë.
Niveli i lojalitetit dhe gatishmërisë së kërkuar për tu përfshirë në politika të përbashkëta dhe vendimmarrje tashmë është rritur dhe BE do të duhet të rivlerësojë unitetin e vet të brendshëm. Përçarja e Natos dhe nevoja e një angazhimi në tematika të sigurisë me një ngut të shtuar bëjnë që vetot apo devijimet heroike të mos jenë aq të mirëpritura. Por harta mbetet. A do të testojë BE kapacitetet e veta të sigurisë dhe angazhimit të vet për të imponuar vullnet në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është vendi i duhur për t'ia filluar. Një protestë është në dispozicion. Hungaria nisi një trend. Edhe një mesazh për amerikanin, edhe një shembull në rajon, edhe një dorë për të mbajtur gjallë ëndrrën e zgjerimit janë aty. Interesat ruse janë më pak të zëshme se ndonjëherë, edhe amerikanët e kanë mendjen në Hormuz, dhe pavarësisht hijes së rëndë mund të mendojnë dy herë për agravime te mëtejshme në kohën që edhe politika e brendshme Amerikane do të rikthehet në vëmendje.
Rama mund dhe duhet të largohet, po kush? Unë më herët kam vënë shpresat në një përçarje të socialistëve, por ...
[1] https://www.oltionkadaifciu.com/media-nderkombetare



RSS Feed