EQUUS: Ç’E GJETI KALIN QË U BË ZOT DHE NDODHI TË TJERA
Equus, vepra e mirënjohur e autorit britanik Petre Shaffer, pati premierën në skenën e teatrit kombëtar mbrëmjen e tretë pas ditës së verës në vitin e shtatëmbëdhjetë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë. Ngjitja në skenë udhëhiqej prej regjisorit boshnjak Dino Mustafiç.
Siç shpallte personazhi kryesor në një gjysmë dialog me njerëz të tjerë, që do ti përflasim më vonë, dy pyetje kanë vërtetë rëndësi në gjetje të ndonjëfarë kuptimi nëpër jetën individuale. Dhe këto janë pse unë e pse ky. Pse unë? E pse ky? Pyetje që duket se nënkuptojnë të pasurin e një fati të caktuar, një aftësie për përjetim, një aftësie për të shtyrë e kaluar kufinj të qenies e egzistencës.
Dhe këtë e shpallte një psikiatër që lakmonte çmendinë e pacientit të vet adoleshent. Shiko si ishte çmenduria e tij. I mbrujtur me nevojën akute për një zot tek ai diçka merr rrokullimën kur këtij i heqin nga muri një pikturë, një skenë të llahtarisur të jezu krishtit me kryqin e ngarkuar në qafë, tek i ngjitet malit i gjakosur, dhe i vendosin portretin me afërsi të tepruar të një kali. Dhe ky kal bëhet zoti i tij. (Edhe Kaligula që ishte perandor nuk e bëri kalin e tij më shumë se senator.) Madje gjithë kuajt. Dhe fundjavat i kalon duke u afruar me këta zotër të cilët i kalëron netëve, ndoshta në ekstazë, lakuriq. Por, kur ai dyshon se ka bërë mëkatin e madh, për zotin e vet kal, duke shkuar me një çupë të re që i jepet nëpër natë rinisë së tij djaloshare, (nëpër kashtën që mbushte sallën dhe që nuk mund të mos e falenderojmë, direkt, për aromën e bollshme e të shëndetshme që na ofroi) i verbon të gjashtë kuajt që mundi të arrinte e që disi mund të kenë ndjerë mëkatin e tij. Një blasfemi kriminale e ekzekutuar me një akt kriminal. Autori Shaffer është referuar në ngjarje të vërtetë për të krijuar një rikrijim të ngjajrjeve në kujtesë të protagonistëve e ndërveprim në bashkëkohësi. Prej unit psikiatër.
Pse ky tani? Adoleshenti Strang referohet nga kryetarja e gjykatës tek psikiatri shef, zoti Dysard. Ky ishte biri i socialistit ateist post-proletar shtypshkrues që ish martuar me të krishterën e vendosur post-borgjeze dhe që ishte e ëma e këtij. Dhe këta kishin krijuar rrethanat që rrokullima e tij në përmbushjen e nevojës për zot përfundon duke verbuar gjashtë kuaj të të zotit të fermës ku punonte.
Dhe ky në fëmijërinë e hershme kishte njohur kalërimin nga një kalorës i panjohur dhe guximtar teksa kalamendej në plazh. Kish provuar realizimin e dashurisë me një vajzë. Kish kryer një vizitë të parë në kinemanë ku jepen filma porno dhe ku takon të atin.
Dhe pse unë? Psikiatri e lakmonte sepse në fakt ai mezi gjente ndonjë kuptim nëpër jetën e vet dhe besonte se ekstremi ishte i vetmi vend ku mund të kishte mbetur fshehur kuptimi. Në një martesë të palumtur ku mezi qihej një herë në dekadë. Dhe ëndrrat i kishte me sakrifikim foshnjash në rituale të paganizmit gjaksor. Adhuronte artin e Greqisë së Lashtë.
Psikiatri është narratori dominantiunuminus. Një fill interesant e i plotë i ngjarjes. Timo Flloko në rrëfim. Ai heton. Fton njerëz, rikrijon situata, na prezantohet, shëron, hipnotizon, eksperimenton, flirton, ndoshta dashuron. Një mjek pasionat e qëllimhumbur. Ky bosht i ngjarjes, kur gjithçka tjetër ka gjithë irracionalitetin e mundshëm për të korrur për qëllime të veta, mbetet në pozita të parehatshme. Siç e dimë Timo Flloko nuk e le rehat atë muhabet, por prap reflektimi i tij i brendshëm e zëlartë e ka rrezikun për çngjyrosje nënkuptimesh. Aq shumë reflektim.
Strangu dhe Dysardi. Dy emra që edhe vetë përcjellin karakteristikën themelore të personazheve.
Infermierja, kryegjykatësja, djali i fandaksur, e ëma, i ati, kalorësi, vajza. Dhe kuajt! (Dhe një pushim i pakuruar në një si stacion komplet kthjellues për dalldinë teatrore.)
Skena ndjehej e ngushtë. Gjithë ata aktorë e gjithë ai aktrim. Kërcim. Mbivendosje e aktit si pa të keq. Kërcim, e fjalë. Një kalë. Tre kuaj dhe dy daulle të mëdhaja, ndriçim, shkallë e kor që bën muzikë. Nuk e kuptoj pse nuk rrotullohet më skena e teatrit kombëtar. Lëvizje në lakurëqësi të shtuar prej përmbajtjes së lëvizjes. Kush e dinte që dinte me këndu gjithë ai aktor. Secili me tikun e vet psikomotor që është si një identitet nervozizmi shtuar secilit. Gjestikulacione sa me furnizu një aeroplanmbajtëse me shenja për një muaj.
Personalisht nuk preferoj premierat, por kjo u desh.
E përfolura lakuriqësi vërtetë ndodhi. Protagonisti që siç thamë kalëronte nëpër natë e bënte këtë lakuriq. Dhe ky na ishte Igli Zarka, që me koqe e me mollaqe na i shtoi sensasionalitetin gjithë asaj ngjarje dhe mbajti të pranishëm atë element seksualiteti që ndoshta rikthen gjithçka te fetë e ndjekura gjerësisht e që shtojnë seksualitetin ndër mëkatet e krimbura në fajësi e që mund të na qorrollepsin nëpër skajet e skëterrës së përjetshme. Edhe gjinj femërorë u shquan në ato thellësi të paskashtës në skenën e ngushtë.
Zarka duhej të lëvizte largë nëpër kohë me personazhin e tij. Atij i duhej të ishte i pranishëm si vetja e vet në çmenduri, në fëmijëri dhe pastaj nëpër zbulime të rinisë. Atij ju desh të këndonte frikën e pasçmendjes, ju desh të bënte e shpallte zbulimin e madh “Babi im ka kar!”, të zhvirgjërohej si dhe ti bënte si nervoz e marrok dhe ti fliste e bindej psikiatrit, mamit e babit.
Në kapjen e ngjyrimeve moshore, në çmendurinë e drojtur, në këngë e kalërim Zarka meriton lëvdata.
Në interpretim të Ema Andreas dhe Arben Derhemit, vinte çifti prindëror. Një duet plot reflekse e fort i spikatur. Pa rezerva në përfshirje. Një mirëkuptim gjithandej. U bënë personazhe të plota me një grusht baltë. Andrea e plotë e tërheqëse si mama besimtare, pak e fiksuar, me diskursin e zakonshëm të asaj që duhet të humbë klasë për tu martuar, angleze. Me tikun psikomotor si vallëzim kontempran, gjithashtu. Ky post-proletari i penduar për një martesë kaq të lodhshme e i zënë me punë e seksualisht i frustruar i Derhemit gjithashtu mbresëlënës e i plotë. Edhe Andrea edhe Derhemi me përdorim të mirë të plastikës e përqëndrim të lartë. Të natyrshëm në gjithë atë mori situatash ku u përfshinë. Shuplakat e zonjës Ema janë maah. Në fakt ajo si e ëma i thotë psikiatrit që ti hiqet qafe dhe përpiqet ta kthjellojë përmes ndëshkimit birin e vet që kishte humbur nëpër ëndrra.
Kalërimet pastaj janë një goxha arritje. Si e zotit Gjergj Prevazi si e kërcimtarëve që gjithashtu janë fort të zhdërvjellët e në dispozicion të rolit. Skena e verbimit për shembull ishte një kulmim prej tërbimit e frikës, prej sytherjes brutale e tashmë të pësuar. Gjithandej përpjekja për të ndjekur një lëvizje kalërore ishte e këndëshme. Edhe ai kalorësi misterioz i plazhit, që thamë dhe që herë pas here u angazhua në përsëritje të tingujve kalëror dhe të njëfarë vrulli të tërbuar mbi kalë ishte shumë mirë. Edhe Zarka edhe Ermir Jonka i shtojnë një imagjinatë menduar e realizuar këndshëm të kalërimit.
Ena tjetër nga lëviz aksioni teatror udhëhiqet nga e reja Krist Lleshi. Këtu të gjithë kanë për detyrë që veç të tjerash të përcjellin një koment të aktualitetit dhe kjo i bën bashkë. E dashura e djalit na fton të qeshim e ti gëzohemi jetës. Bile edhe na gjurmon nëpër turmë. Infermierja, tregon eksperiencën e vet. Po kështu edhe kryegjykatësja edhe pronari i fermës ku ndodhi masakra. Të tre këta personazhe zhvillohen edhe brenda rrjedhës së ngjarjeve, por pastaj edhe dalin nga roli primar e ekzekutojnë llojin e caktuar të abstragimit moralo-estetik për gjendjen e dhënë njerëzore. Këtu sic e dini rreziku për të përfunduar gjatë është i madh. Me i fol drejtëpërsëdrejti publikut është e vështirë. (Na përmendën edhe reformën në drejtësi!!! Po pse o popull nuk reformohesh??!!!!?apo po reformohesh?apo jo më fal se ti nuk je ai.) Kjo e ekzekutuar shumë mirë jam dakort dhe gjetja fort e spikatur me një gjakpirje për njëri-tjetrin përmes tubash që montohen në krah jam dakort, por.
Por përndryshe, edhe e dashura (Lleshi), edhe gjykatësja (Luli Bitri), edhe infermierja (Erjona Kakeli), edhe biznesmeni (Lulzim Zeqja) janë simpatikë dhe të përmbushur në secilën linjë të personazheve të veta.
Duhet thënë se në këtë mori zhvillimesh ajo që përballon kostot dihet që është fjala. Një kosto që i duhet ta përballë Flloko i pari e pastaj të gjithë me rradhë. Në fakt, megjithëse kumtet e tij, e të të gjithëve, janë shpirti poetik që gjallon nëpër gjithandej prap humbja e kuptimeve andej këndej nuk shqetëson. Sikur vetë Mustafiçi e gjithë ekipi të mos i blatonin kaq përkushtim mesazhit shfaqja do të lehtohej nga një ngarkesë shtesë.
Regjizori Dino Mustafiç është vërtetë përgjegjës për një zhvillim me rëndësi në jetën tonë teatrore.