Disa mendime mbi mësime që mund të nxirren prej Netëve të Dramës Shqipe
Netët e leximit të dramës shqipe patën nëntë pjesë. Në fakt tetë, sepse Mihal Luarasi me pjesën “Kolltuku magjik” qenka tërheq. Ou, po nga ku u tërhoq shoku Luarasi se pjesa u lexua? Ai e hoqi atë xhevahir nga duart tona dhe do ta gëlltisi prap. Dorë kishte heq edhe Stefan Capaliku, pjesa e të cilit “Prova të një vdekje të paralajmëruar” ishte përzgjedh po nuk u lexua. Ruzhdi Pulaha kishte qenë në Amerikë. Kjo e bëri paksa të komplikuar këtë mekanizmin e përzgjedhjes. Dramatugu duhet ti bjeri mbrapa pjesës që ta cojë në lexim, apo në momentin kur ajo evidentohet për vlera përcillet te publiku. Në vend të tyre u lexuan “Shtëpia pa dritare” e Sajmir Gongos dhe “Misto” nga Naun Shundi.
Nga netët nuk lindi ndonjë kryevepër, megjithëse 44 pjesë u paraqitën. Bollik i madh. Spektatorët ishin më të pakët dhe kishte një mesatare prej 60 vetash, me një prani serioze prej spektatorësh të interesuar përkohësisht për artin. Nga teatro të tjerë qytetesh e periferishë nuk erdhi njeri, dramaturgë a si a qysh nuk kishte hic. Dy tre kritikë dhe staf i teatrit kombëtar dhe familjarë e dashamirës. Ndonjë producent që nuhat leverdi nuk mblodhi njerëzit nëpër grupe që të qeshin me zë të lartë dhe pastaj të gëzuar ti shkojnë pijetores. Ai mund të mos ishte aty.
Përshtatja e gjuhës me kontekstin social-kulturor është problematike gjithandej. Realizimi i nuancave që e shfaqin kohën e frymën kur jeton gjuha e përdorur për shkrimin e veprës plotësohet me tematikë që i bën sa më shumë thirrje përvojës moralo-estetike që kalitet përditë.
Vetvrasje në grup, individualo-racionale, që shmanget, na ofron Mustafa Tukja, nëpër intervista televizive, tek “Të ftuarit.” Pesë a gjashtë veta. “Kolltuku magjik” na lexoi 84 faqe gazetash me lajme nga vendi për një orë e pak. “Misteri i trekëndëshit të Bermudave” kishte një artikulim transhendental të një takimi përfituesish organesh trupore si zemra, veshka shtylla kurrizore, mushkëria, etj prej trupit të djalit të vdekur të një nëne që edhe vetë kishte vdekur vjet dhe organizonte gjithçka. Në kurrkundin e largët të fundit të botës. Odise Plaku kishte një vepër për emigrantë ndoshta shqiptarë e familjarë të vendit pritës që përçahen nën peshën modernitetit urban e individualist. Tematika nuk është problematike, por realizimi çalon ndjeshëm. Zgjidhja e pjesës është e paqartë marrëdhëniet prezantojnë shumë njerëz nga pak, ngjarjet nuk justifikojnë ndjenjat që krijohen. “Misto” nga Naun Shundi ishte një antologji e humorit replikor prej tavolinave artistiko-gurmazhapura të një moshe të caktuar, “Horoskopi babilonas” një farsë reale batutash prej autori të padistancuar prej subjektit të vet. Saimir Gongo me “Shtëpinë pa dritare” mblodhi njëfarë simpatie megjithëse pjesa i përket një zhanri me lehtësi të tepruar .
Pirro Mani dhe Arta Arifi kishin përzgjedh qasje të ngjashme për nga thirrja që ato paraqesin për publikun: periudhën e komunizmit dhe urbanizimin familjar. I pari me një komedi kurse tjetra me një tragjedi. Edhe në këtë rast, si në veprat e tjera ka tepri në përpjekjen për fitimin e pëlqimit me strategjinë e coptimit të subjektit të ngjarjes në shumë copa, interesi për të cilat hamendësohet i garantuar. Informacion mbushës plot, edhe ky nga menuja e interesit ditor.
Në botën e medias virtuale njihet e pranohet nevoja për ritëm të lartë dhe ndryshime të shumta të bartësit vizualo-gjuhësor të mesazhit dhe vetë mesazhit. Vëmendja mbahet me ndryshim, përndryshe ajo që zëvendësohet je ti. Prania e kësaj në teatër, tek ne, ndikohet edhe prej faktit se nuk ka shumë informacion mbi spektatorin, madje ai mungon. Interesi i publikut hamendësohet përmes sterotipesh që sillen prej situatash jashtë frymëzimit artistik.
Realizmi kolektiv e etiketova unë frymën që karakterizoi pjesën në këto netë të leximit. Kolektiv në kuptimin që autori e kërkon subjektin e vet tek interesat e kolektivit, që nga ana e vet ka një nivel më të lartë mobilizimi se komuniteti apo individi. Kolektivi komunikon me parrulla e kategorizime.
Kolektivi mbetet përcjellës i frymës idealiste dhe pritës i vullnetit për mbushje dhe përmbushje prej kapitalizmit. Kolektivi është ulur, pranë natës së vonë, përbri autorit që po shkruan.
Por është realizëm. Vetvrasja, familja që po cahet, korrupsioni, harbutëria e kryenecësia, marrokëria janë prej realiteti. Tematikat vuajnë familjaritet të tepërt. Gjithçka është e dëgjuar nëpër prralla, lajme, biseda nëpër tavolina, nëpër shpi a rrugë.
Teknika që duhet ta dobësonte ndjesinë se tashmë gjithcka është thënë e dëgjuar është kaq e vështirë dhe e patentuar.
Centralizimi ishte një shteg që mbrëmjet duhet ta kishin ëndërruar më qartë se ku kalonte. Por kjo nuk ndodhi. Centralizimi i teatrit në Shqipëri po vjen si një domosdoshmëri. Strukturat kombëtare për teatrin duhet të garantojnë një lëvizshmëri më të madh për vepra e aktorë në territorin e vendit. Fitimi të ndiqet më me kujdes dhe vëmendja më e madhe ndaj burimeve. Duhet të rirekrutohet spektatori. Dhe kjo ka nevojë për burime e energji që vetëm padishahu i shpërndan.
Teatri shqiptar është një aktor që duhet të kontribujë në përcaktimin e ca kufijve të brendshëm dhe kanaleve të komunikimit tek komuniteti shqiptar.
Nuk mund të mbesë më teatri nën kujdes të vetëqeverisjes vendore. Reforma territorjale do ta zhysë në hutim teatrin bashkiak të anemizuar gjithandej. Qytetet janë rritur, mirëqenia është rritur, kultivimi është rritur, dhe teatri nuk ka vëmendje të shtuar.
Edhe në qendër ka nevojë për rritje të ambicjeve, konkurencës së vërtetë dhe dëshirës që gjërat të shkojnë mirë që të ketë ndriçim të spektatorit e fitim ekonomik.
Një katërvirat i akademisë (universiteti,) teatrit, ministrisë dhe politikanit pranë thesit buxhetor, ose personal, duhet të mendojë një plan biznesi për rrjetin në gjithë degët e veta. Shfrytëzim më i mirë i kafeneve në ato ambjente dhe kthimi i tyre në pole për qytetin, shfrytëzim sa më efikas të buxheteve të njësive të qeverisjes vendore, pjesët që shihet se tërheqin interes diku ta kenë më të lehtë arritjen e audiencave tjetërkund dhe ti vjelin ato pare e ta pasurojnë jetën shoqërore jashtë metropolit. Le të jetë më e hapur dhe më pranë mundësia e atyre që tentojnë karrierën në qendër të vijnë prej qyteteve të tjera.
Le të emërohen drejtorët e teatrove si dikur prej qendrës. Ai që bind qendrën disi më të ngopur dhe kultivuar le të provojë në rreth. Është plot me artistë që do donin me shku diku me ba diçka me ca lekë.
Shkolla publike e private të ftohen ti marrin me qera ambjentet për aktivitete të tyre dhe tu shitet asistencë artistike. Kurse private për aktrim. Agresivitet dhe kultivim në gjurmimin dhe sigurimin e mbështetjes prej donatorë të huaj apo vendas. Dihet që fillimi do jetë i vështirë, po marrëdhënia me median është e mirë dhe si thamë kushtet të favorshme.
Kjo në rrafshin menaxherial. Në atë artistik duhet ti mësohet njëfarë njerzillëku artistit. Nivele të tilla ekscentrizmi që hasen ndër artistë janë normale për aktorë të një talenti të veçantë që u është pranuar nga publiku masiv ose për njerëz me forma të lehta cregullimi në komunikimin social por normali nuk ka pse të jetë shpërfillës në këto masa, të paktën jo brenda llojit dhe jo nën lëkura të tjera veç personales. Një kritikë e vazhdueshme dhe me popullaritet duhet kultivu.
Këta njerëz si rëndom ndër ne nuk e marrin shumë seriozisht detyrën. Lexohet pak, komunikimi për vepra e art duket i mangët. Administratori është i frymëzuar dhe krijuesi apo interpretuesi llogaribërës. Shfrytëzimi i bahces tej limitit e erodon gjithë kodrën ku është shtëpia prandaj ka nevojë për rritje të unitetit të brendshëm. Jam dakort këto janë fenomene që janë kudo në rrafshin personal, por organizimi kolektiv, ku këto hasen ndër artistët tanë, është marrë i gjithi me ba “realizmin kolektiv” në vepër.
Nata e nëntë
Arta Arifaj na sillte prej popullit vëlla të Kosovës pjesën “Gruaja në Dritare”. Kjo tematika e prurjes në skenë të dramës së shkruajtur prej të vetmes autore dhe autori që mori pjesë në aktitivitet nga Kosova fitoi një emocion të veçantë. Një takim mes dy populli të përmalluar. Diskutimi për dramën u vesh me këtë triko leshi që na thur përmallimi.
Marrëdhëniet mes dy popullit tonë nuk shquhen për afërsi të tepërt, por fakti është që duhet të udhëtosh. Me punë e familje e kalamaj udhëtimi do nge. Gjithsesi lajmet që vijnë prej Prishtinës e Pejës ngjajnë me ato të Korcës apo Vlorës së largët, megjithëse prania e këtyre të fundit është shumë më masive. Po në rrafshin personal takimi është i zakonshmi. Pra më shumë se një ngjarje popullish. Është një situatë dramatike në marrëdhëniet që karakterizojnë komunikimin ndër njerëz të artit në shqiptari andej e këndej.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Culi tha se ishte shprehur një farë bojkoti prej autorëve të teatrit të Kosovës, por kjo fatmirësisht nuk kishte të bënte me teatrin tonë kombëtar, ishte një zgjedhje e tyre.
Në fakt teatri ynë kombëtar, siç quhet edhe çdo teatër komunal në Kosovë (teatri Kombëtar i Gjilanit, Teatri Kombëtar i Gjakovës, Prishtinës e kështu me radhë. Një ide jo aq e keqe), deshi ta shpallte një centralizim të teatrit që u kontestua me nervozizëm edhe prej vetë teatrit tonë kombëtar. Pronësia mbi aktivitetin që u shpall që prej krijimit të bordit përzgjedhës, rolit të spikatur të drejtorit si mikpritës e zot shpie, peshës qëndrore që aktorët e Teatrit Kombëtar patën në krijimin e kuorumit spektatorial, etj, i dhanë karakter të theksuar të një aktiviteti brenda institucional gjithë aktivitetit që në qëllime e tituj shpallte gjithpërfshije e kombëtari të përgjithshme.
Arta Arifi kishte sjellë një pjesë të shquar ndër prurjet e Netëve të Leximit të Dramës Shqipe. Me këtë rast vetë salla e teatrit tonë kombëtar, që ofron një ndjesi më ndryshe prej asaj të teatrit eksperimental ku zakonisht u kryen leximet, llamburiste. Plot me vajza që parfumosin vëmendjen dhe meshkuj që kujtojnë korrektësi. Skena e teatrit tonë kombëtar ka një lartësi dominante mbi sallën. Numri absolutisht më i madh i spektatorëve për shfaqjen.
Ngjarja
Në një familje kishte ndodh një tragjedi. Një vlla kishte ik një ditë dhe kishte humb. Pastaj nuk kishin ngju ma për te. Kishin prit, kishin prit dhe e ama kishte thanë ai do ketë vdekë, tani ti vllai tjetër, Gjin Berisha, martohu me grun e atij dhe gjithçka tjetër e tij të kalon ty. Gruja e atij kishte qëllu e bukur po e dhanme mbas rehatisë dhe qejfit dhe kishte përça familjen.
Deri sa vdiq nana, me atë jetoi një motër e pamartuar e familjes. Mara. Ajo vazhdon të jetë në pronat e vëllait të zhdukur Markut që i ka bashkë me Gjinin. Në fakt Gjini i ka marrë ca bagëti me vete kur mori ment e grus dhe u zhvendos në qytet. Ai është i papunë. Kishte intervista. Gruja shet shalle në treg. Drejtori i burgut, mjeku i spitalit dhe një tjetër duan që ta qijnë. Gjini inatoset me këtë fakt dhe ka shumë qejfë që ta qijë vetë. Vjen edhe një gjerman bashkë me avokatin e vet.
Në fakt këta të dy e hapin pjesën dhe shtjellojnë gjithë komplotin e shfaqjes, blerjen e pronës së familjes Berisha. Ky avokati kishte qenë edhe partneri i vet dhe kishte qenë homoseksual dhe vallëzojnë të dy një muzikë klasike që në fillim. Hansi dhe Johani. Ata na tregojnë si do jenë Gjini dhe gruja e tij Djana.
Pastaj hyn Mara. Ajo prezantohet në komunikim me Agronin. Një bashkëfshatar që donte ta bënte Marën për vete duke i dal për zot në marrëdhënien me vëllain. Ai e shoqëron atë në rrugën drejt qytetit, duke i thënë që bashkë do ishin më mirë, ajo e lejon të rrijë, por e mban largë.
Mara na con te shtëpia e vllait në qytet. Të dy kanë një marrëdhënie inati e përkujdesi të ndërsjellë veçanërisht nga ana e motrës. Prezantojnë gjithë problemet. Braktisjen e familjes prej vëllait, rendjen pas ëndrrave të kota të gruas, dobësinë e tij në shfrytëzimin e gruas që lejon tradita, braktisjen e punës dhe pronës dhe ftesën për një përkujtimore atë natë për vëllain e humbur, që sec kishte një sebep.
Pastaj ikën Mara dhe vjen Djana që kishte përgju dhe nuk po flinte deri vonë siç kishte thënë Gjini duke acaru Marën. Mara ka sjellë mollë, pastërma, arra dhe bukë. Po Djana i shan të gjitha megjithëse do ti hajë dikur, madje ka filluar ti hajë tashmë.
Marrëdhënia tyre prezantohet, intrigat, ëndrrat, kujtimi i dashurisë dhe mirëkuptimit është i gjallë. Edhe informacione të tjera për punën e Djanës,papunësinë e Gjinit, pabesinë e dyshuar të saj, ëndrrën për një. Ata kanë gjetur një ekuilibër në acarimin e vet dhe konflikti mes tyre, megjithëse për tematika të mprehta si tradhëtia dhe nxitja për konfliktim me njerëz të afërt, mbahet brenda njerzillëkut dhe simpatisë reciproke.
Flasin për gjermanët dhe marrim vesh që këta kanë bërë pazar për pronat, sic na kishin thënë edhe vetë gjermanët. Vjen avokati dhe plotëson këtë diskutimin për pazarin që kishin çelur Gjini dhe e shoqja. Ai e zgjeron ofertën mbi gjithë pronat, shtëpinë e ç’ka ku ka.
Ky gjermani, Hansi ishte misterioz. Këtë, megjithëse shumë donin ta shihnin e takonin, nuk e shihte e takonte njeri. Edhe Gjini në një skenë të shkurtër shpreh me forcë se dëshiron për ta taku pronarin e vërtetë. Prishen e acarohen në pazar, por që të gjithë e dinë se ai muhabet nuk mori fund.Gjini e ka shpall tashmë lëkundshmërinë e fjalës së vet.
Prezantohet pushka e Marës në një tjetër komunikim me Agronin. Agroni ve zogj të vdekur ndër njoftimet për shitjen e pronës që Gjini ka nxjerrë dhe i tremb blerësit. Ai është fshatar i fortë dhe agresiv po Mara nuk trembet prej tij.
Vëmendja riktheht tek Gjini dhe Djana që plotësojnë tablonë që kishin ngritur në aktin e parë me më shumë detaje. Në një kohë pasuese vjen edhe Mara që e plotëson tërësisht me informacion komunikimin në treshe. Ngjarjet mes tyre zgjaten ndër disa ndërprerje dhe si përfundim Djana ikën prej shpie. Ikën dhe Mara. Vjen Hansi. Ky në fakt ishte Mark Berisha, vllai i Gjinit e Marës. Ky tani ishte kishte ardh që të blinte pronat e veta që tja jepte gjithsesi të motrës, megjithëse më herët kishte thënë se do të ndërtonte një fabrikë ose këtë maskim e përdori për të mos u zbuluar. Kthehet Marku e Gjinji kur janë duke ba muhabet e njeh. Gjini acarohet dhe e fajson për ndikimin që ikja e tij kishte pas në jetën e Gjinit. Në fakt edhe Marku gzohet dhe e përqafon vllain dhe i thotë hajt ti themi të gjithëve që jam kthy dhe të merret vesh e të gzojmë. Gjini i thotë ti ke lujt menc. Njerëzit do thojnë ja kta të dy që kanë një gru. Ky ja zbulon që është homoseksual e Gjini cmendet akoma më keq, por e mban veten dhe e bind që ky mos ta tregojë se asht kthy, po le ti blejë pronat edhe t’ja dhurojë kujt të dojë, po t’kthehet andej nga erdhi. Marku bindet dikur dhe i dha fund pasigurisë së vet e u ba prap një gjerman me hapsirë më të madhe shoqërore për homoseksualitet. Disi merret vesh që blerja kryhet.
Kur shkon Marku nji natë të cmallet me të motrën, duke u afru pa njoftu, kjo kujton se ky asht gjermani që ka ardh t’ja blejë pronën të vëllait dhe e vret. E varros kufomën dhe mbyll kte muhabet. Vjen avokati pastaj dhe i thotë se gjermani asht zhdukë dhe kjo me mjeshtri thur gënjeshtra që ta shmangin prej fajit dhe ofron pronën për shitje, me cmim më të ulët.
Pjesa
Pra dramë ka. Situata plot. Megjithëse ndonjëherë jo me rrjedhshmërinë e nevojshme dhe pak të zgjatura, por jo aq helmuese. Problemi që unë ngrej është që koordinimi i fjalorit gjuhësor me nënshtresën e vet antropologjike pra kulturore, epokalo-historike, gjeografiko-ekonomike-politike dhe të kafkës, që është pjesë e pashmangshme e antropologjisë.
Natyrish një lexim është shumë privues në dhënie të mesazhit dhe mendoj se pjesa do i krijojë bollëk aktorëve në nevojën për plotësimin e secilit personazhit. Dallimi i madh mes aktrimit dhe leximit në këtë pjesë u ndje më qartë se në çdo rast më herët dhe unë mendoj se ky ishte një tregues për tu vlerësuar pozitivsht i pjesës.
Si shtylla mbajtëse, pjesa numëron: një marrëdhënie familjare, ku nuk ka hic mirkuptim mes motrës dhe vëllait. Ai që pas largimit me të shoqen prej nënës dhe motrës kurrë nuk vuri më këmbë në atë shtëpi. Prona dhe zhvendosja nga fshati në qytet janë tematika që gërshëtohen rreth kësaj marrëdhënie dhe nuk e fshehin karakterin social në shtjellim. vëllai tjetër që njëri e bënte të vdekur e tjetra e donte të gjallë, solli larminë e vet duke injoru dinamikat vendore.Në terma të realizimit marrdhënia e Gjinit me të vëllain ka disa siklete. Ajo realizohet në një komunikim të vetëm. Takimi i dy vëllezërve që kanë shumë kohë pa u parë dhe që zbulohen si padashur dhe pastaj flasin është një skenë shumë e vështirë për tu shkrujt. Gjini është i inatosur me ikjen e vëllait për barrën e rëndë dhe përgjegjësinë që i kishte rënë mbi shpatulla, megjithëse faktikisht ai kishte pas një farë leverdie në rënien e një gruaje të bukur dhe ca pronave më shumë. Por ndërgjegjen nuk e kishte të qetë. Kishte lënë nënën e motrë pa martuar e kishte hik mbas grus në qytet. Ky vëllai tjetër duhet të tregojë se është homoseksual dhe të sigurojë pranim për këtë. Pra dialogu përveç se jep një zgjidhje për pyetje që nuk diheshin hic që ishin ngrit, duhet të sjellë dramaticitet e informacion. Aty ka me tepri edhe rrëfime, materiale që ngatërrojnë. Për shembull: Gjini ka tre lugë druri në shpi, që i kishte gdhend gjyshi e ja kishte ba me emra pastaj sikur ka vetëm ato dhe cfarë tregon kjo, aty është një karrige bungu që kolovitet që asht 100 vjec e ma, griset një fotografi, Marku paska ik ditën e dasmës dhe aty zbulohet që djana paska qenë fillimisht gruja e tij dhe ndoshta ndryshja në një marrëdhënie heteroseksuale e çoi Markun në arrati. Më herët gjithcka ishte më normale, të gjithë shihnin dritën e një nevoje për t’ju kundërvënë investitorit të huaj që po blen mbarë c’gjen kur ky ishte vlla.
Shtylla tjetër është një tjetër marrëdhënie familjare, ku burri i papunë dhe i varfër nuk zotëronte dot gruan e vet të bukur që shiste shalle.Drejtorin e burgut, doktorin dhe atë tjetrin ajo i konsderonte miq të tyre, por ai e dinte çfarë donin ata dhe nuk e duronte dot këtë fakt. Ai ishte xheloz me tepri për situata të caktuara por herë pas here e pranonte shoqërinë e zotërinjve të sipërpërmendur në koncertet e baret ku e merrte ajo duke e përmbajtur nevojën për zgjedhje në këtë degëzim të pjesës. Largimi i saj dikur vjen disi i papritur megjithëse pritej. Kamunikimi i tyre vështirësohet në faktin se ai duhet të prezantojë luhatjet e mëdha mes dy stilesh jetësh. Pasuria varfëria e ciftit nuk zbulohet dhe mbetet e paqartë, këta shkonin e bënin qejf në koncerte ku kjo me fustanin e shkurtër ja acaronte nervat Gjinit gjumash dhe zgjonte kureshtjen e drejtorit të burgut doktorit të spitalit dhe atij tjetrit. Ajo e nxiste ti shiste pronat, të blenin shtëpi dhe një dyqan ku kjo do qepte rroba dhe kishte makina qepëse. Në kuadër të kësaj marrëdhënie duhen numëruar edhe dy dialogjet mes dy grave që kanë një marrëdhënie akoma më të komplikuar. Ato zhvillojnë një diskutim shumë më egzistencialist dhe nervoz. Një marrëdhënie kunatash që gjen binjakë të shpeshtë në realitet. Kjo marrëdhënia e tyre mendoj se nuk ishte keq. Dhe në fakt ajo garanton lidhjen mes dy linjave të pjesës, atë vlla e motër e atë vlla e vlla investitor të huaj.
Ky kapërcimi nga urbania në rurale që gjithashtu ishte pjesë e komunikimit të tyre më së shumti lehtësohej prej Agronit i cili pasuron gjithçka me kontekste reale e rurale . Ai godet mësuesin që duket se po i vardiset Marës duke rrëfy një skenë të pranueshme rrahje te kroi me justifikimin se po pinte ujin e krojit që është i tij ose të paktë komunitetit të tij. Edhe guximi kur i afrohej Marës ishte burrëror. Ai nuk i trembet pushkës dhe nëse Mara do ai bën shumë më shumë. Ruralja nuk kishte përfaqësues të tjerë të denjë. Gjini, Mara e Diana ishin prej fshati por kjo nuk ndjehej. Në personazhet e tyre ka limonti borgjeze, familjo-centrizëm. Ndoshta interpretimi, dialekti dhe kostumet do ti ndihmojnë aktorët të identifikohen më qartë por ruraliteti i tyre do jetë deficitar prej tekstit. Unë e ngrita kte si cështje por vetë kuratorja tha se unë po paragjykoja njerëzit që jetonin në fshat diku. Phh, ndoshta. Sipas Mark Tuejnit, rrëfimi prej së vërtetës ndryshon vetëm prej nevojës që ka për tu duk i besueshëm.
Ka qetësi që ti e kupton se është disi e tepërt në situata. Dhe kjo qetësi injektohet me qëllim që të krijohet hapsirë që të futen sa më shumë tematika me ndjeshmëri të lartë që të jetë e mundur. Çështja e homoseksualitetit dhe stigmës që e shoqëron, marrëdhëniet burrë grua kur dashuria është e dyshimtë, shthurjes së gërshtetit të familjes së madhe prej proceseve të urbanizimit, lakmia dhe cektësia e individit të ri në pasurimin prej tranzitimit tek Diana, pafuqia njerëzore dhe dëshira tek Gjini, mbërthimi i tepruar pas traditash dhe trungjesh familjar tek Mara, ca pazar dhe nerva, atdheu, fshati, natyra. Me dy personazhe të dytë dhe katër protagonistë pjesa humbet forcë shpuse. Në luftën e një sfurku me një bajonetë fiton plumbi.
Përveç qetësisë ka edhe të tjerë elementë që e rrisin jashtë normales dozën e kultivimit në dialog. Simbolizimi i orendive, shfrytëzimi i ndërveprimit të afërt me shumë drejtëpërdrejtësi etj krijojnë një lehtësi.
Gjithsesi, kritika ka kushte më të favorshme për tu kultivuar dhe nuk dua të tingëlloj fort kritik ndaj pjesës. Rrëfimi që unë kam përdorur në këto shkrime për netët e leximit të dramës shqipe lejon një masë të madhe devijimi brenda së vërtetës, përndryshe nuk merr përsipër ti marrësh mbarë gjithë pjesët që vijnë e prezantohen, se edhe kritika ka nevojë për njëfarë frymëzimi.
Shkrimi është zhanër shumë i vështirë për faktin se ballafaqohet me shije e dije që kultivohen personalisht e grumbullohen shoqërisht nëpër shekuj pa fund. Dhe koordinimi i lëvizjes së tekstit duhet të marri në konsideratë shumë element, e prapë ndonjëri që e ka nda mendjen gjen atë që do me thanë vetë mbi atë që tha ai tjetri.
Pjesa “Gruaja në dritare” pa vrarje ndërgjegjje hic mund të jetë njëra prej pjesëve që duhet të përzgjidhen fituese. Teksti ka masë plot dhe ajo nuk ndjehet e rëndë. Ka rrëfim e vërtetësi për gjëra plot, pavarësisht se mendoj që aty brenda ka më shumë se për një pjesë.
Tjetra ma merr mendja do jetë “Njeriu hibrid” prej Pirro Manit.
Nata e tetë
Nata e tetë e leximit të dramës shqipe solli para spektatorëve ‘Horoskopin Babilonas’ prej Vangjel Kozmait. Një komedi. Një komedi e lehtë e me batuta që bazohej në një histori të vërtetë. Zoti Kozmai bashkë me një mik paskën ngritur ndjeshëm tirazhin e një gazete që botonin ca kohë më herët duke publikuar në faqet e saj një horoskop të veçantë e ironik që e shpiknin duke u tallur.
Pjesa merr përsipër të identifikojë e të japë mend për thuajse çdo problematikë që shqetëson vendin. Analisti politiko-social që përqesh është aty. Pjesa është plotë me autokritikë kombëtare dhe një gjuhë të guximshme në banalitet. Shqiptarët janë më kopilat e të pabesët e botës dhe qeverisen prej horrash e kopilash është mesazhi jo aq i rrallë.
Pjesa vjen e lexuar pesë vjet pas shkrimit të saj dhe ka filluar tashmë ti tregojë shenjat e moshës. Qartësisht janë në të gjurmët e një togu tematikash që shqetësonin një grup intelektualësh e qëndrimesh që ata shprehnin teksa englendiseshin kafeneve të qytetit me njëri tjetrin. Në këtë aspekt vepra mund të ketë njëfarë vlere për atë që ajo vetë është, por ajo që thuhet nuk ka peshën e një qëndrimi të mirëmenduar.
Na duhet të rikthehemi në etiketimin “realizëm kolektiv”. Për hesap të popullit të pakënaqur autori merr përsipër ti demaskojë e ofendojë të gjithë. Akademiku, profesor i universitetit, është një bir kurve, kryeministri dhe qeveria janë të gjithë ‘gishti i mesit’, lexuesi I gazetës është injorant, shtetari është injorant i trashë, burri-baba është impotent që kushedi kush ja la gruan me barrë, gruaja e drejtorit është një mendjelehtë patriote që ka bërë zap burrin, ambasadori iraken është një shejtan budalla, përfaqësuesi i fondacionit fetar është me paftësi fizike që e bëjnë qesharak, por edhe ai shejtan-budalla.
Personazhi është përfaqësues e nuk është i pranishëm si i personazh. Ai vjen aty për batutat qe bëjnë humorin. Secilin prej tyre mund ta heqësh e ta zëvendësosh me një tjetër që me lehtësi ja krijon justifikimin, mjafton që të thotë batutat që kanë humorin. Spektatorët qeshën herë pas here dhe në përfundim falenderuan e përgëzuan.
Ngjarja
Personazhi A është drejtori i gazetës. Ai po shkruan një letër për të treguar arsyet e vetvrasjes që do të bëjë si dhe po rregullon punët për pas vdekjes. Tregon që gazeta ka punuar për ti sjellë të vërtetën popullit, por ky injorant bukshkalë nuk ja di për nder dhe nuk e blen gazetën dhe këta po falimentojnë.
Vjen kryeredaktori që është edhe pronari i vërtetë i pistoletës me të cilën do bëhet vetvrasja dhe i plumbit të saj, edhe ky i thotë mos e bëj, jo mos e bëj. Po pse nuk na shitet gazeta dhe pse shiten gazetat e tjera. Ato kanë horoskop. A ta bëjmë edhe ne një horoskop. Po ta bëjmë. Të bëjmë horoskopin babilonas. E shpikin me shkathtësi një histori për zbulimin arkeologjik dhe pastaj shpikin shenjat dhe fillojnë. E gjitha kjo është e zhytur një humor batutor e informacion politik e moralist. Te kjo historia, del që një arkeolog anglez e zbulon horoskopin dhe ja fal të shoqes, një ish-prostitutë shqiptare që pastaj ja sjell drejtorit dhe kryeredaktorit. Gjehet rasti për të shpotitur edhe prostitutat shqiptare dhe shqiptarët për numrin e madh të kurvave që paskan në gjirin e vet familjar. Hajt, meqenëse autori nuk ka lënë personazh pa shfrytëzuar për të nxjerrë ca grimca humor po e kapërdijmë edhe këtë infantilitet. Shenjat e horoskopit janë leshi sqetullës, zorra e trashë, gishti i mesit, bishti i kalit, etj.
Kjo zgjidhja e pjesës në aktin e parë, me zbulimin e horskopit, është hasur edhe më herët dhe tregon për qasjen disi të lehtë që zgjidhet prej autorëve në tjerrjen e pjesës. Gjithçka merr fund aty dhe pastaj pjesa është vetëm hapsirë për prezantim batutash e fjalish humoristike. Situatat krijohen vetëm në funksion të prezantimit të këtyre batutave dhe personazhet janë sterotipe që i mundësojnë spektatorit referenca sa më të lehta.
Në skenën e dytë, merret vesh se gazeta është shitur e gjitha dhe se edhe pas dhjetfishimit të tirazhit punët vazhdojnë shumë mirë. Një grup i madh njerëzish vijnë ti urojnë. Hyn gruaja e drejtorit si personazh, pastaj vijnë vizitorë përfaqësuesi i qeverisë, drejtori i kabinetit të kryeministrit, ambasadori iraken dhe përkthyesi i tij që përsërit në shqip ato që ambasadori thotë po ashtu në shqip, përfaqësuesi i shoqatave të kishës ortodokse për sunetllik dhe xhamisë ungjillore, një baba që pas dhjetë vjetësh martesë është bërë me binjakë djem dhe gëzohet shumë dhe fakti se këtë ja parashikoi hoskopi
Ambasadori iraken gjeti një tregues për lashtësinë e vlerat e populit të vet dhe ka ardhur gjithashtu ër të uruar. Këtu përcillet sa humor me përsëritjen që i bën fjalëve të ambasadorit përkthyesi i tij, meqenëse ambasadori di shqip dhe flet shqip. Ka humor. Menjëherë pas tij flet ky përfaqësuesi i ortodoksisë për synetllik dhe i xhamive ungjillore. Përfliten financimet që marrin institucionet fetare dhe përdorimi i tyre. Karaketeri agjenturor i institucioneve fetare, etj.
Shtetari rrokëzon fjalën e vet. Ai padashur dëshmon që qeverija ka kontroll mbi gjykatat dhe ka anuluar gjobën që gazeta ka marrë më herët prej shtetit, 500,000 euro. I fton për darkë dhe i jep një letër konfidenciale. Gëzim i madh gjithandej.
Pastaj zhvillohen ca gjëra të tjera dhe si përfundim letra që shtetari kishte sjellë prej kryeministrit ishte një kërkesë për mend prej horoskop-bërësve për hartimin e strategjive zhvillimore të vendit për 10 vitet e ardhshëm. Aty drejtori thotë ta shpallim të vërtetën dhe të tërhiqemi prej kësaj loje qesharake. Kryeredaktori thotë jo. Si përfundim e shpallin të vërtetë. Të gjithë revoltohen. Gruaja e drejtorit, ambasadori, drejtori i kabinetit të kryeministrit, burri briroç e kush ishte tjetër.
Si përfundim shtetari thotë që ky përgënjeshtrim nuk është i vërtetë e se në fakt horoskopi babilonas egziston. Ai I kërkon celsat e kasafortës për të parë terrakotat dhe sheh që kryeredaktori dhe drejtori kishin future brenda në kasafortë një mut. Si duket nuk dilte era nga kasaforta. Gjithsesi një kryeredaktor dhe drejtor gazete që mbajnë një mut në kasafort nuk janë fort të shëndetshëm, mendoj unë.
Si përfundim vjen një grua që thotë se është ish-prostituta dhe thotë që në fakt gjithçka është e vërtetë dhe se ajo i ka ruajtur origjinalët e terrakotave. Drejtori dhe kryeredaktori cuditen se ata e dinë që ajo është e shpikur prej tyre, por tashmë janë të pafuqishëm dhe pjesa mbaron.
Shyqyr.
Ky dyzimi i autorit që nga njëra anë e shqetësojnë çështjet e vatanit dhe do që ta iluminojë popullin e trashë duke e larguar nga nacionalizmat boshe dhe ta pranojë të qenit idiot, spiun, i pabesë dhe maskara, ta pranojë që kurvërimi i vajzave të veta tregon dicka për natyrën e tij; dhe nga ana tjetër nuk i rruhet për asgjë. Autori e tregon gjithçka me një shpërfillje të shkujdesur e humoristike sikur po flet për një tematikë shumë më të lehtë.
A do bëhet bashkimi kombëtar, pyet njëshi, dyshi thotë ky nuk është muhabet për shqiptarët se ambasadorët a të huajt në përgjithësi i marrin qeveritarët shqiptarë dhe ja rrahin byçkat, strategjitë e zhvillimit të vendit janë një muhabet kot, e kështu me radhë.
Po hajt, c’nevojë kemi ti dëgjojmë këto edhe në skenën e teatrit kombëtar.
Pjesës i mungon serioziteti i nevojshëm për të qenë produkt i përpjekjeve të koordinuara të 10 aktorëve të teatrit tonë kombëtar dhe një regjisori. Dakort si një rrëfim gazmor i një njeriu që del në skenë dhe i tollovitur në damarët gazmorë që i dalin rrugës shpotit gjithçka që i del përpara mund të pranohet, por jo si një pjesë teatrore e mirëfilltë.
Ky moral i lirë dhe kjo revoltë përzier me humor që shoqëron kafet dhe teket apo dopjet e qytetarit të zakonshëm në rutinën e vet, prej një kohe të gjatë tashmë, nuk mendoj se gjeti ndonjë risi apo shprehës të artikuluar në pjesën “Horoskopi Babilonas” të Vangjel Kozmait. Një përsëritje. 72 barsaleta, 13 skeçe dhe 10 parrulla moralo-politike në një supë dramatike.
Nata e shtatë
Në netët e leximit të dramës shqipe erdhi nata. Vera njihet për deficitin e vet të natës, për fatlumët e shëndetshëm nga radhët e borgjezisë së re. Dhe deri më tani netët e leximit kanë qenë pasdite të hershme me diell plot, që punonjësin e lodhur e gëzojnë sikur të jetë drekë e vonë. Por këtë herë u bë natë.
Pirro Mani solli numrin më të madh të spektatorëve, përveç ndonjë grupimi jo fort të qartë andej nga fillimi. “Njeriu hibrid” është një titull që thotë shumë, sic u akuzua pjesa se bënte e tëra. Tregon shumë.
Këto pjesët që e zbulojnë shumë karakterin edukativ ta nxisin një vigjilencë që nuk është fort e shëndetshme në marrëdhënien me spektatorin disi të informuar, përveç kësaj shoqërohen me diskutime të gjata.
Skena e parë, për shembull. Piktori i seksionit propogandistik në varësi të komitetit egzekutiv, një farë Milto Toto përpiqej të ndahej prej dashnores që kishte mbetur shtatzënë dhe që ishte pak si qeflie nervoze që kërcënonte me efikasitet. Kjo ishte e deklasur, por akoma e aftë të siguronte të mira materiale dhe para. Kjo do i thoshte të vëllait, përshkrimi i grushtave të të cilit si grushta prej kësaj gocës për shembull ishte i saktë.
Ky donte që muhabeti të ishte sa më i shtruar e racional. Dhe i referohej shumë mikut të tij Diogjenit. Diskutimi rridhte, por kuptohej që nga secila ide që çelte nëpër të ishte marrë më shumë kv për hektar nga sa rekomandohet.
Kta diskutojnë ku mund të ketë ndodhur ngjizja dhe kështu tregojnë se vendet e tyre për seks ishin poshtë skenave, shkallëve të stadiumit, ose te një ferrë që kishte një emër që tregonte dicka, po që nuk po më kujtohet. Ky ndërfutej me një diskutim për ndikim që kishte alkooli në të dhe faktin se kjo përflitej për marrëdhënie qeflillëku të ksaj me ca njerëz. Kjo mbrohej me efikasitet duke mohuar, por jo gjithcka.
Këta gjejnë kohë të flasin për deklasimin në dramën e tyre dashurore. Dhe ne marrim vesh se ajo vinte nga një familje tregtarësh të pasur që vetëm për bahçen kishin pas dhjetë argatë. Një xhaxha ishte vrarë prej italianëve në një kamp përqëndrimi, ndërkohë që komunistat e denonconin për spiun të italianëve. Në një mbledhje lagje ishte vendos që atij ti hiqej titulli dëshmor. Kurse ky po rehatohej me shpejtësi në shkallët e administratës.
Shoku i tij, Diogjeni dinte cdo citim që mund të përdorej dhe e citonte me saktësi. Ky informonte Milton për dashnorët që ajo kishte dhe për vlerën e madhe që kishte ky argument. Ky i thoshte edhe që shoqëria e të dyve nuk mund të vazhdonte e njëjta.
Ngjarja
Kjo ishte një çikë topalle. (Ecja e saj do jetë një pikë problematike në rast të shfaqjes artistike të plotë e jo një leximi.) Ajo ecje do merrte shumë peshë në formimin e atij personazhi, edhe cdo lëvizje tjetër. Këta të dy janë duke ecur e qëndruar nëpër një rrugë diku, në errësirë thuhet, dhe këta bëjnë një muhabet të gjatë ku na informojnë për gjithë jetën. Ca tematika i përmendëm ca më lart, të tjera përfshijnë abortimimin te mami (gjinekolokisht) Parashqevia. Faktin që kjo ka lekë dhe i siguron atij që do hanë darkë te Vollga ditën që do bëjë celebrimin, faktin që ky nuk ka shumë rroba dhe kjo do i blejë kollare e kostum, nevojën që ky të kujtohet për pashaportën. Faktin që kjo do denonconte. Ky i tregonte gjithë ato gjëra për mikun e tij Diogjenin, mundësitë që po ofronte vendi i ri i punës dhe fakti që e kishin me sy të mirë. Kalendarin e punës në javën në vazhdim. Ky kishte aksione nëpër fshatra nja dy ditë, një ditë zbor ndërsa një ditë duhet të përgatiste ca parrulla.
Pavarësisht ngarkesës së madhe leximi rridhte i këndshëm dhe Indrit Cobani dhe Olta Dako ishin shumë të natyrshëm e të këndshëm. (Skena e tretë.) Fakti që edhe sekretari i këshillit ekzekutiv edhe sekretarja e tij dukeshin aq bukur ishte një tjetër pikë problematike. Artan Imami na sillte simpati të tepruar për shokët në postet e larta të komunizmit administrativ shqiptar. Unë nuk e kam mendu fort simpatik në aktrim kte Imamin, por lehtësia në shprehi dhe forma e mirë sportive që kishte nuk lejonin ruajtjen e të njëjtit skepticizëm. Edhe sekretarja e vet ishte yll e bukur dhe e zhdërvjellët e e zgjuar për dreq. Një komplot hollivudian. Burri i ksaj sekretares tani ishte spiun. Agjent i sigurimit të shtetit që duhet të vrojtonte trupën e teatrit në një tur në Kosovë. Njëri kishte thënë që në Jugosllavi shkëlqejnë dritat, kurse këndej nga ne ishte errësirë dhe policët e kufirit kontrallonin pasaportat me llampë me vajguri. I kishin vjedhur dritat pikës së kufirit. Pastaj na thuhet që pistoleta e sigurimsit ishte prishur. Ajo nuk po bënte dot fëmijë, ky i thoshte moj shejtankë sa e mirë që je, po hajt të bëjmë ndonjë punë, pastaj vazhdonte ‘oh, sa po knaqem me këtë bisedë’, kjo nga ana e vet koketohej me një lezet që të gzonte. Kur e shihje.
Shumë mirë, skenë e lehtë e shpejtë, dy njerëz të bukur që e fitojnë totalisht të drejtën për tu kënaqur me njëri tjetrin si t’jua marri mendja. Zoti i faltë. Sigurimsi e kishte ‘pistoletën’ e prishme dhe kjo amnistonte, kjo çupa ishte pak bestyte dhe thoshte lutje e shprehi të tjera fetare që ky i kritikonte ëmbëlsisht dhe kjo vazhdonte koketohej.
Skenën e dytë nuk e harruam. Diogjeni, luajtur nga Mehdi Malkja, dhe Milto vazhdojnë informimin. Diskutimi i tyre është i sinqertë dhe me një frymë të përbashkët gati komplotiste në ndjekjen e rehatisë personale dhe objektivave konkret për rehati. Diogjeni ndërkohë di ku është thënë cdo fjali që mund të citohet si parrullë nga diskutuesit për cështje të socializmës. Lenini në veprën kaq e faqen aq, e rreshtin kaq. Ose Stalini. Dhe vecanërisht shoku Enver.
Ky i tregon ktij për kurvëritë e asaj. Ky i thotë që nuk i ka thënë asgjë, vecse i ka dhënë ca lekë dhe ky ka sjellë ca raki që ishte përmendur edhe në monologun që mbyllte skenën e parë. Diskutojnë për fortësinë e rakisë, diskutimin e ktij me vajzën, frikën që ndjehej, ndikimin që do kishte kjo në përparimin e tij në administratë, e kështu me radhë. Ndërkohë bie edhe zilja e telefonit dhe sekretarja e bukur i ftonte në takim me kryetarin ditën e hënë. Sonte është e enjte. Ndërkohë tregohet se si shokët në komitet ekzekutiv rrijnë në punë deri në ora 11 të natës dhe se si ky do priste të iknin të gjithë pastaj të dilte e të fikte dritën.
Në skenën e katërt zyra ku flisnin kryetari dhe sekretarja mbushet me lloj soj personazhesh. Në dy krahët e kryetarit vihen dy personazhe nga klasa punëtore. Vecanërisht robustë dhe guximtarë.
Kryetari në mënyrë të përsëritur ja ngatërron emrin njërit që në fakt e kishte Isuf. Cufi fillimisht bënte transport me karrocë me kalë. Faktin që ky transportonte mut e marrim vesh vetëm andej nga fundi. Ndërkohë që denonconte shfrytëzimin e tij, karrocieri tha batutën që drejtori i vet ka ngrënë disa fuci mut duke mos i paguar punën shtesë. (Më herët, si nëpër të, dëgjova marmalatë dhe e mora për marmalatë me vërte.)
Ky tjetri ishte murator.
Vjen ky zëvendës drejtori i teatrit të operas dhe baletit dhe ky është një furnitor që ka lëviz ngado. Vjen një kryetare e një kooprative, vjen një shoqe nga rradhët e brenda komitetit që thotë vetëm 'po shef'. Vjen Diogjeni që nuk ka marrë vesh akoma pse e kanë thirrur dhe aktori i teatrit që është shprehur I revoltuar ndaj mungesës së dritave në postën kufitare në anën shqiptare, ndërkohë që kosova jugosllave llamburiste.
Folën të gjithë. Diogjeni citoi shpesh thënie që vinin gjatë bisedës dhe u mor vesh që ishte thërritur vetëm për ta treguar këtë gallatë që kryetarit i pëlqente. Klasa puntore ishte hakërryese, por nën kontrollin qytetar e paksa shpërfillës të kryetarit.
Dalin këta, vjen Milto. Bravo i thotë kryetari që po punon mirë, edhe atë gocën ta marrësh për gru. Po si, po qysh. Hajt ta gzosh. Të trashëgoheni thotë edhe sekretarja.
Del Milto. Takon Dogjenin. Ja jep lajmin. Ta gzosh e të trashëgoheni, i thotë Diogjen, duke i sqaruar se deri sa ta dha vetë partia ajo nuk ka asnjë problem. Vjen edhe kjo goca e merr lajmin. Dhe kjo e fyen si gjys e inatosur duke i thënë po pse na le të na martonte partia more gomar, ose shumë më keq.
Mbaron.
Me citu a jo gjithë diskutimin që pasoi shfaqjen është një diskutim disi më vete. Por u tha që pjesa ka shumë narracion dhe jam dakort. Pak situata. Shkëputja e madhe që ndodh në skenën e tretë dhe të katërt dhe rikthimi në ardhjen e piktorit në zyrën e kryetarit i përcajnë edhe ato pak situata në dy kampe të ndara që e bëjnë gjithcka edhe më narrative. Gjithcka rrëfehet. I gjithë aksioni është nëpër fjalë veçanërisht në tablonë e parë, por edhe në të dytën që në fund të fundit është një mbledhje.
Gjuha dhe fjalori i zbërthimit për humorin janë prej bashkëkohësie. Një zgjidhje problematike. Një zgjedhje që merr sa nga vërtetësia në ngritjen e ngjarjes aq edhe prej situatës konkrete. Kjo ja pakson shanset për të qenë një vepër e rëndësisë së veçantë për trajtimin e së kaluarës komuniste apo njëfarë dëshmie që do mbesi gjithmonë për të njohur të kaluarën.
Tani, çështja e leverdisë së figurës së rëndësishme. Teatri prej ca kohe vuan indiferencë prej publikut, megjithëse ka shfaqje që arrijnë sukses të madh dhe tërheqin numra spektatorësh jashtë normales. Emrat e të përfshirëve janë ndër përcaktuesit e suksesit të shfaqjes, megjithëse kjo do të ketë nevojë ndihmën prej të tjerë elementësh si p.sh. fakti që ka humor apo është tërheqëse në një mënyrë tjetër.
Pirro Mani ka siguruar tashmë statusin e një figure të rëndësishme për teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Shumica e atyre që folën në komentet pas pjesës e kishin pasur si profesor dhe nuk i kursenin lëvdatat për të.
A duhet zbulu dhe demasku ndikimi i emrit të autorit në vlerësimin për veprën, apo fakti që emri do sjellë më shumë vëmendje ndaj dramës dhe teatrit shqiptar duhet shfrytëzu? Unë them ta shfrytëzojmë, duke pas në konsideratë edhe faktin që nuk kemi shumë mundësi për vokalizim thirrjesh të tjera për spektator e më pas vëmendje institucionale.
Nata e gjashtë
Një Uh në Oh maxhor. “Misto” prej Naun Shundit ishte pjesa e gjashtë që ju hodh publikut nga skena e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” për llogari të aktivitetit të leximit të dramës shqipe të Teatrit Kombëtar.
Aktiviteti ka nisur tashmë të shfaqë shenjat e lodhjes. Mbrëmja e së mërkurës kishte numrin më të pakët të spektatorëve,megjithëse Naun Shundi është një emër që tingëllon fort i dëgjuar. Dezertimi ishte veçanërisht i qartë në rradhët e vetë aktorëve e artistëve të tjerë, që përgjithësisht e kanë bërë qokën në leximet e derimëtanishme. Ndoshta edhe gushti me thirrjen e vet për pushime mund të jetë faktor, por vetë drejtori i TK tha se ishte mungesa durimit të artistëve për të parë teatër që ushqente indiferencën. Ajo që u vu re ishte edhe një largim i shpeshtë prej sallës prej spektatorëve artistë që u argëtuan disi me vetë pjesën, por duket se jo prej saj.
Pjesa
Një parodi absurdo-folkloristike që shpresonte ta korrte suksesin me fjali gazmore. (Ndoshta) një ngazëllim i autorit prej një miqësie reale ku shokët i lejojnë vetes, madje kultivojnë, një shkujdesje në shprehi që e has rëndom ndër artistë e njerëz të tjerë.
Tre qytetaro-fshatarë me origjinë të largët jashtëtoksore të emërtuar si njëshi, dyshi edhe treshi angazhohen në dialog pafund që ka për qëllim të krijojë hapsirën për fjalitë gazmore. Një si biçim “Duke pritur Godonë” por e frymëzuar thellësisht prej folklorit e përditshmërisë. Ajo prralla popullore me Qerosin që fiton garën për gënjeshtra me hanxhiun që ja kishte marrë pasurinë dy vëllezërve të mëdhenj, (… kur më lindi babai unë isha në arë, etj, etj,) ishte bërthama e harruar prej nga çeli me 90 e kusur vjet vonesë kjo pjesë.
Tre personazhet vijnë të vendosur në disa mjedise për të përsëritur dialogun e tyre marrok. Herë njihen e herë nuk njihen. Njëshi dhe dyshi, Bujar Asqeriu e Naun Shundi, flasin e shahen në një marrëdhënie që është sa e afërt aq edhe e largët. I urojnë vdekjen njëri tjetrit pastaj tregojnë se pa njëri tjetrin nuk do kishin kuptim. Personazhi i tretë është një femër, Julia Ilirjani. Ajo herë është kamariere e herë shoqe. Herë fyet prej dy personazheve e herë shpallet dashuria. Gjithsesi të tre formojnë njëfarë trinie që shtyhet e tërhiqet me qëllimin e vetëm që të krijojë kohë për prezantimin e fjalive që do sjellin suksesin.
“Nuk dëgjon nga sytë e nuk sheh nga veshët” është një battue tip që përsëritet disa herë, por ajo është e vjetër dhe e shplarë për të shkulur ndonjë buzqeshje. Po kështu edhe me lojra të tjera fjalësh që dëshmojnë për shkathtësi në thurjen e dilogut, por shndërrimi i tyre në një objekt themelor që i jepet lexuesit prezantohet disi problematik.
Mungesa e subjektit në një vepër ka reshtur së qeni risi prej kohësh ndaj përdorimi i kësaj qasje në kohët tona ka nevojë të shoqërohet me shpallje më të thekshme se sa një zinxhir i gjatë e i ndryshkur batutash pa përmbajtje.
Përsëritja është një mjet që autori i kishte dhënë për detyrë të mbante goxha peshë në vepër e në fakt nuk ishte fort problematike, por ndoshta ritmi i lartë i leximit dhe ajo breshëri e pashkëputur batutash ta lodhnin kokën për tu marrë me ato gjetje që jam i sigurtë se i kanë shijuar fort autorit në netët e skalitjes.
Nganjëherë të dukej se pjesa ndoshta kishte mesazhe me rëndësi për marrëdhëniet njerëzore, ato mes miqsh, a ndoshta për pozitën e gruas në shoqëri. Por të fshehura po aq thellë sa bizelja në dyshekë te përralla e Andersenit, që ishte edhe dyshek për një copë të bollshme trialogu në shfaqe, ato nuk i ndjeje.
Një skenë me njëfarë suksesi i kishte të tre personazhet në përpjekje për të bërtitur a ulëritur, por që për çudi nuk i dilte hiç tingull nga goja. Kjo ndoshta tregon për situatën e njeriut në shoqërinë tonë që nuk ka forcën të protestojë ndaj padrejtësive që vuan. Njerëz që duhen e rrinë bashkë shfryjnë e i urojnë të keqen njëri tjetrit pa pushim.
Ndoshta një realitet.
Ngjarja
Në një kafaz a diçka, personazhet Një dhe Dy fillojnë e diskutojnë, meqenëse të dy po presin dikë. Kë dikë? Jo askënd, po si, e di ti, po kush është ai, jo ka ardh, jo nuk ka ardh asnjëherë. Shtohet edhe personazhi tre me të njëjtat batuta. Tërr tërr tërr dhe ti pret që të mbarojë pjesa sepse u mor vesh e gjitha.
Por, pjesa nuk mbaron. Skena e dytë. Prap njëshi dhe dyshi prezantohen jo të njoh jo nuk të njoh. Ulu mos u ul. Një debat i nxehtë për marrëdhënien personale me rakinë dhe shërbimin në lokal. Ma pive ta piva. Aty del edhe Misto. Një personazh që përmendet për faktin që ka vdekur ose nuk ka vdekur dhe që vjen prap e prap gjatë gjithë shfaqjes, herë i njohur e herë i panjohur për personazhet. Ai ja jep emrin veprës.
Aty shkëmbejnë edhe batuta me kamarieren që i shërben e nuk i shërben. Diskutohet helmimi me raki.
Pastaj skena e tretë. Të tre në një stacion autobuzi që nuk merret vesh a është a nuk është stacion autobuzi. Presin e presin. Dhe flasin për kte muhabet. Aty personazhet fillojnë e prezantohen ca më shumë. Femra paska një dashnor të madh. Personazhi Nji ka një gjysh kovaç që merrej me gjeologji që paska gjetur vetëm dy gurë të zinj që ka kërkuar tja vejnë të varri, por që nuk ka vdekur akoma, dhe personazhi Dy ka gjunjët të vrarë, si dhe disa gjepura të tjera.
Por pjesa nuk mbaron. Në skenën e radhës të tre vendosin të ikin dhe do festojnë ikjen prej diku për diku përflitet një festë. E kështu me radhë.
Kur ndodhi mbyllja unë duhet të kem qenë pa ndjenja se nuk di t’jua tregoj.
Aktorët mendoj se ishin mirë. Bujar Asqeriu nuk u kursye dhe ishte një risi ta shihje në një rol largë të zakonshmit. Vetë Naun Shundi ishte në gamën e roleve të veta përveç faktit që pjesa për të duhej të ishte goxha personale. Edhe Julia Ilirjani ju përgjigj me sukses kërkesave të pakta të këtij leximi.
Kritika
Në përfundim të leximit në disa raste njerëzit janë ngritur e kanë diskutuar dhe gjithnjë ka pasur një ftesë e një hapsirë për ta bërë diçka të tillë. Në këtë rast heshtja e krijuar përcolli mesazhe (si gjithmonë).
Pjesa ishte e dobët. Teknika e thurjes së tekstit është e njohur në shumë pjesë të tjera të mëhershme me e pa subjekt. Në fakt mungesa e subjektit apo ngjarjes e përfshinte pjesën në një pemë gjenealogjike ku ka stërgjyshër heroikë me shumicë dhe ku ky stërnip modest ka vlerë vetëm për prindin e vet.
Ps.
Ca ditë më herët e hasa të parën kritikë për këtë aktivitet. Në gazetën “Standard” aktori Dritan Boriçi botoi një artikull me titullin “Mbi teatrin e lexuar”. Artikulli u shpërnda për lexues edhe prej faqes së Teatrit Kombëtar në facebook, (që mesa di është edhe mjeti kryesor i komunikimit publik për këtë institucion.) Autori mendoj se ngre shumë çështje që vërtetë janë thelb të problematikave dhe indiferencës së spektatorit që po shoqëron teatrin shqiptar. Me një gjuhë të ashpër e të mprehtë, shpatë, fshikullon gjithkënd e askënd njëkohësisht.
Fillimisht duket se ka një kritikë ndaj kërkesave insituese për ti krijuar hapsirë dramës shqipe në skenën e teatrit kombëtar. Duket se qëndrimi, deri diku i arsyeshëm që qëndron prapa kësaj kritike është që: “nuk ka dramaturgji shqipe, mirë. Nuk kemi pse sakrifikojmë teatrin dhe kapacitetet e veta artistike për shkak të një shterpësie të përkohshme në sektorin e krijimit të veprave”.
Por jo. Pak radhë më poshtë, zoti Boriçi shkruan: “Shumë kërkonin që drama shqipe të përzgjidhej përsëri si më parë brenda bordeve artistike apo komisioneve, a thua nuk kishin qenë këto borde artistike apo komisione që për shkak të interesave të tyre vulgare kishin detyruar aktorë, regjisorë, skenografë, buxhete të tëra të inskenonin paçavuret e miqve të tyre, të cilët dështonin “me sukses” duke na dhënë një hartë të deformuar të krijimtarisë dramatike në Shqipëri.”
Pastaj thotë që: “Netët e leximit të dramës shqipe” i kanë bërë tashmë skanerin një pjese të mirë të dramaturgjisë bashkohore shqiptare. Zoti Boriçi duhet të na tregojë se pse ky bord ishte ndryshe nga të tjerët. Jam dakort numri i pjesëve që mundën ti adresohen publikut ishte më i madh tetë a nëntë përflitet (gjashtë deri tani), por pjesët e paraqitura ishin 44. (të mbahet gjithnjë në vëmendje që unë kam interesin personal për këtë çështje meqenëse paraqita dy pjesë në konkurs)
Bordi nuk ka qenë hic pjesë e një komunikimi me publikun. Unë kam ndjekur të gjitha netët e leximit dhe nuk e kam ndjerë hiç rolin e këtij organizmi. Ndriçim Xhepa, anëtar i bordit, ishte i pranishëm vetëm në pjesën “Misteri i trekëndëshit të Bermudave”dhe iku nga salla pa e fshehur hiç bezdisjen nga ajo pjesë që na bezdisi të gjithëve, (e ndoshta zotin Boriçi ca më tepër meqenëse po lexonte.) Asnjë anëtar bordi nuk ka komentuar gjatë netëve të leximit, veç zonjës Sesilia Plasari që në përfundim të pjesës “Shtëpia pa dritare” na tha se në rastin e autorit Sajmir Gongo ndoshta ishim të pranishëm në lindjen e një dramaturgu. Pjesa ndërkohë ishte “me rëndësi prioritare e rangut të dytë,” sipas njoftimit të faqes së TK në Facebook.
Ky gjithkushi e askushi që sulmon zoti Boriçi duket sikur zbulohet disi kur ai thotë: “Ata që deri tani kanë përfaqësuar dramën shqipe në skenën e Teatrit Kombëtar, që s’kanë lënë vend e kuvend duke kërkuar të drejta që vetëm atyre nuk u janë mohuar, kanë qenë më të dobtit, më anakronikët, denigruesit e dramës shqipe deri në nivelet e huazimit dhe stërzgjatjes së një skeçi të tejkaluar estrade.”
Por ne të jashtmit as nuk e kemi idenë fare për kë e ka fjalën.
Në përfundim na thuhet: “Megjithatë është bukur të ndjesh se si në këto netë vere, prej vitesh të zbrazëta në Teatrin Kombëtar, jo vetëm ata që punojnë me teatrin, por edhe spektatorë vijnë e ndjekin leximet, sesi në disa nga netët dëgjojmë dhe vepra vërtet të mira në strukturë, karaktere, gjuhë skenike, vepra që me dashamirësi dhe bashkëpunim artistik do ta meritonin investimin njerëzor dhe financiar të Teatrit Kombëtar kaq e kaq herë i shpërdoruar për “Xhemalët dhe kunetërit e shokut Xhemal.”
Për cilat vepra e ke fjalën tamam, tamam, zoti Boriçi.
Shpata që i vret të gjithë dhe askënd nuk është tamam shpatë, ajo është disi e lugët dhe ngaqë gjen përdorim edhe në përmbushjen e nevojave të tjera i prishet tehu.
Nata e pestë
Oh. Një tragjedi. Një tragjedi e madhe. Katër njerëz pa dit se si e se pse arrijnë në një stacion treni në fund a fillim të botës. Një polic a fatorino ish (?), pyet veten a është ky stacion në fund të botës apo në fillim? Dhe pastaj një breshëri pyetjesh të tilla vinë të shtëna tek e tek ose në breshëri. Gjithcka mbetet një mister. Kush, pse, pse ne, po ku jemi. Po ai kush ishte? Ata kanë udhëtuar deri në fund të botës. Po pse? Kjo zgjat një goxha orë. Vepra ka një prozë poetike për rrëfim të skenës që aman o zot. Zgjat e zgjat.
Në përfundim është vdekja e një biri në aksident me tren në Spanjë. Organet e tij dhurohen dhe i marrin njerëz kudo nëpër botë. Një zemër i shkoi një bashkëatdhetarit tonë, të tjerat nuk dihet se ku. Nga vende të ndryshme të botës thuhej.
Në fakt kishim një profesor letërsie. Ky kishte marrë veshkën (ky merr edhe një përqafim apo xhest të veçantë dashurie prej birit të vdekur që ishte i pranishëm në pjesë vetëm për nënën dhe mikun e familjes që ishte edhe si biçim maxhordomi për zonjën. Nuk u mor vesh pse.) Marrja e veshkës prej tij nuk shpallej me aq forcë dhe ndonjëherë sikur humbte nëpër dialog.
Pastaj ishte një vajzë. Kjo kishte marrë palcën e shtyllës kurrizore. Mah!? Kishte trashëguar edhe dashurin për pianon prej djalit të zonjës që vente e vinte nëpër skenë si një fantazmë. Strehohej edhe te pasqyra, ku nuk merrej më vesh kush e shihte e kush jo. Kjo vajza tregoi dhe historinë e trishtë të nënës prostitutë dhe babait që nuk e njihte. Kjo, më herët, teksa aludonin për si-pse-qysh-tekun mendonte se krejt papritur këta mund të ishin familja e saj. Një dramaticitet i qullur e patetik.
Pastaj ishte rioshi shqiptar që kishte marrë zemrën. Ky kishte edhe pasion të njihte sa më qartë misterin e trekëndësisht të Bermudës që është një trekëndësh imagjinar diku në Atlantikun e largët. Njësoj si biri i vdekur. Harta e thesarit me rrethin e kuq diku nëpër të intrigonte.
Pastaj ishte edhe një pronar i një fabrike këpucësh me 300 punëtorë. Ky ka marrë mushkëritë dhe herë pas here shokët e grupit ose zonja e akuzojnë se i është bërë zakon të flas me autoritet prepotent ngaqë i është bërë zakon. Personazhi mban goxha peshë në tensionim e agresivitet megjithëse mbetet disi i pazëshëm.
Në fakt, në fund, merret vesh që edhe nëna bashkë me mikun maxhordom kishte humbur një vit më herët në një zhdukje të avionit pikërisht mbi Bermuda, ku këto zhdukje rastis që ndodhin dhe shkaktojnë humbje të madhe.
Sic ju thashë, një tragjedi. Një tragjedi që zgjaste si tragjedi. Gati dy orë, mundim. Llokma të mëdha teksti. Simbolizëm që të quk te hunda. Nga brenda. Por, pastaj, vdekja e një biri është një gjë e llahtarshme. Gjithsesi në një botë ku vdekja është kaq e pranishme, kaq përditë, të englendisesh me një dramë ku përsëritet gjithcka e përsëritur kaq herë është një mundim i kotë i nderuar. Mikroborgjezira me shëllirë. Kjo tragjedi e këtillë i është rikthyer personales shumë kohë më herët. Personalja respektohet si e tillë dhe ngjall gjithë keqardhjen e mirkuptimin e nevojshëm, por drama nuk e kishte një gjetje gjëkundi.
Në tekstet e zgjatura mes skenave të ndryshme ka plot ngarkesë emocionale dhe materiale. Vënia në skenë e një pjese të tillë duket tejet e komplikuar nga pikpamja teknike.
Megjithese pjesa eshte kompakte dhe tensioni vjen i pashkëputur ka plot detaje që janë aty vetëm për hir të simbolizmës që mbartin. Puthja disi intime e profesorit të letërsisë me djaloshin e vdekur katër vite më herët në tren nuk merret vesh a kërkon të sjellë për herë të parë në skenën shqiptare një puthje homoseksuale duke shqyer kufijtë kulturor të shqiptarëve apo thjeshtë dëshiron të sjellë në vëmendje të spektatorit dashurinë e djaloshit për letërsinë, apo? Por shyqyr gjithë kjo na vjen vetëm përmes leximit të shpjegimeve për pjesën nga Erion Kame, që ishte kuratori, se mendoj që aktorët do dëshironin një mbështetje më të mirë artistike nga gjithë pjesa për realizimin e një skene të tillë.
Në një moment të kartër personazhet e humbur e të gjetur strehohen bashkë brenda pasqyrës. rrinë aty e presin verdiktin e zonjës dhe maxhordomit të saj. A ëndërr a gjëndër ish?
Në përfundim pjesa ishte një sallatë me nga teatro të andej këndejit, ndoshta absurd e ndoshta realist e ndoshta ndonjë kujtesë tregimesh me pasqyra magjike.
Nata e katërt
Nata e katërt e leximit të dramës shqipe solli pa diskutim prurjen më të mirëpranuar prej publikut deri më tani. Shfaqja ishte e thjeshtë, i referohej eksperiencës së qytetarit të zakonshëm e të ndershëm dhe tematika ruante ndrojtjen që është e nevojshme në rastet kur i referohesh një eksperience kaq të njohur.
Pjesa “Një shtëpi pa dritare’ prej autorit Saimir Gongo tregon për anëtarin e shoqërisë që vendos të respektojë ligjin. Një shofer ambulance i pushuar nga puna, për mendimin e tij, me të padrejtë, ka ndërtuar një shtesë me leje, por meqenëse ligji ja ndalon të shkelë fushpamjen e fqinjëve, e ndërton pa dritare. Do kompensojë pensionin me qeranë e shtesës. Te rruga ‘Myslym Shyri’, diku nëpër lagje e kishte shtëpinë. Një polic e shqetëson fillimisht, sa për të na dhënë detajet. E kush e bën këtë më mirë se një polic. Shoferi shpreson ta japë me qera, por pa dritare, kush do ta marrë? Polici prezantohet si i korruptueshëm dhe me shokë të korruptueshëm dhe merr përsipër ti nxjerrë vetë lejen për të hapur dritaret.
Ikën ky vjen gruja që na njeh me sekrete edhe më të fshehta. Edhe ajo e specializuar për të nxjerrë këto lloj sekretesh. Kredia është e rrezikshme ai duhet të paguajë këstin, e po vonon. Çarku u ngrit, dhe aq lehtësisht sa nuk ta merrte mendja. Kur kupton ca më vonë që kjo paska qenë shtylla, tashmë gjithcka ka ndodhur.
Qeraxhiu që e pëlqen shtëpinë ishte një shpërndarës droge. Po goxha i kultivuar. Ky mendonte se droga nuk është vecse një përmirësues a nxitës kreativo-emocional. (Një batutë e gjetur që korri sukses.) Pjesa ku relativizohet përdorimi i drogës duke ju referuar vendeve apo kohëve të tjera gjithashtu shpërndan gëzim nëpër spektatorë. Pastaj ndodhin gjëra e qeradhënësi e kupton që shpërndarësi i drogës është shpërndarës droge dhë kërkon ta nxjerrë, por ky i jep më shumë para po qe se ky kthen mendje. Vjen dhe banka e i thotë se do ja shesi shtëpinë nëse nuk paguan në kohë. Dhe ky nuk e ruan dot integritetin moral që i detyrohet shoqërisë, por që vetë shoqëria nuk e ka.
Disa situata të këndshme pasojnë njëra tjetrën. Humor. Leximi më i çlirët i derimëtanishëm me shumë pak aktrim, por pjesa nuk e ka masën përfundimtare. Kjo ishte kritika serioze që mori në komentime dhe që edhe unë e mendoj. Pjesa ishte e gjatë sa duhet. Njëtrajtshëmri normale. Një djalë që vinte të kërkonte drogë kur shpërndarësi nuk ishte në shtëpi dhe krijonte ca situata të këndshme realizonte ca ngritje që dilnin prej rrjedhës normale të dramës.
Të tillë humor sjellin edhe dy punonjësit e bankës që vijnë të njoftojnë për rrezikun e sekuestrimit të shtëpisë dhe më pas për sekuestrimin e saj.
Ndoshta leximi, ndoshta vetë teksti, japin ndjesinë e një kalimtarie të shpejtë dhe pako ekuivokesh që çorodisin. Për shembull, shoferi është i vendosur në respektimin e ligjit dhe mos pranimin e ndërhyrjes së policit pranë institucioneve përkatëse për të hapur dritare, por në momentin që është duke negociuar me qeramarrësin për dhënien e shtëpisë, ai i kërkon gruas që ta telefojnë e të duket sikur është një tjetër qiramarrës që interesohet për banesën. Një teknikë jo fort e sinqertë prej më të moralshmit të shfaqjes. Natyrisht ky detaj nuk ka ndonjë peshë kushedi sa të rëndësishme për skicimin e personazhit, por gjithsesi mund të jetë një gjurmë e dobishme për zbulimin e strukturës e pjesës.
Komedia i le shumë hapësirë miniskenave.
Leximi është shumë i mirë. Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Neritan Licaj, Genci Fuga, Gert Ferra, Indrit Çobani e Visjan Ukcenaj janë që të gjithë me thjeshtësinë e nevojshme e aktrimin e nevojshëm për ta bërë pjesën të këndshme.
Nata e tretë
Vepra e radhës ishte “Ngjyrat e këngës” ose “Kënga e ngjyrave”, e mbaj mend shumë mirë që nuk e mbaj mend. Komenti i radhës ka edhe përzjerje me diskutimet që pasuan shfaqjen, po më mirë, se vetë do ta kisha të vështirë të gjeja fjalë sa duheshin për këtë shënim.
Autori i pjesës zoti Odise Plaku u gjet krejt papritur nën komentime për pjesën që mund ta lëndojnë një shpirt me pretendime për më shumë vëmendje nga cka tolloni kolektiv për qytetarin e vet të zakonshëm. Po mirë. Kam përshtypjen se ai nuk e priste shumë, po mirë.
Pjesa
Në një shtëpi në jashtështetit, një familje ishte krisur nga mosbesimi dhe dashakeqësia. Një nënë dhe bija urreheshin. Nëna Danielë dhe vajza Kris po ja shqyenin zemrën babait, zoti Stresio. Ishte nëna Danielë e liga. E bija mendonte se ajo e kishte parë atë të ishte duke vdekur nën një helmim a drogim të tepruar dhe ishte larguar. Daniela vec një nëne e gruaje të keqe ishte edhe shprehëse e gjuhës politike të radikales së djathtë evropiane. Ajo kishte lidhje edhe me krimin dhe me policinë. Ajo nuk e kishte për gjë ta tradhtonte zotin Stresio.
Dy emigrantë shqiptarë, Feksi dhe Albulena vuajnë tërbimin racial. Të huajt është një fjalë që shfaqet me insistim. Por dashuria e sinqertë e zotit Stresio dhe vajzës së tij që sapo kishte hyrë në moshën e rinisë marroke i shpëtoi të dy nga sikleti në dhe të huaj dhe i integroi. Albulena mori një rol në teatër, meqenëse dhe zoti Stresio ishte aktor. Ndërsa Feksi ishte doktor, por i ndershëm, dhe i duroi me trimëri joshjes së Danielës, që pati fatin e keq ta ketë në qafë e dashura jonë Eva Alikaj.
Kritika mbrapa
Kolektivi. Zoti Odise Plaku ishte ndër autorët e parë që kaloi nëpër gjykimin e kolektivit në këto netë të leximit të dramës shqipe edhe i thanë, “faleminderit”, “a, ja ke fut kot”, “komplet kot”, “megjithëse jo jo se mirë e ke”, “po aty si e ke rregullu ti atë muhabet?”
Publiku prap ishte i bollshëm. Nja 60 a 70 veta mendoj se numërova, (i pasigurtë.) Unë për vete ngaqë doja ta shkruaja opinionin tim (me besimin e patundur se kështu mund të shitet për një cmim më të mirë) desha të përzieja sa më pak gjykimet e mija me ato të kolektivit, por u kuptua në kohë se ky është një besim i gabuar, dhe u shmang.
U tha se gjithë materiali i tekstit stisej me ca si pak lëng për ta qullur në një të vetëm atë tymnajë fjalësh që është një tekst teatror.
Jo i tha autori, po mi kanë heq ca pjesë edhe prandaj nuk është arrit nomolitja fitimtare. (Deshi me vu dorë edhe mi të dashurën tonë dhe shokët e saj.)
Në një pyetje mbi nga i erdhi frymëzimi për pjesën, shoku Plaku tha se kjo ishte një shtrydhje eksperiencash prej kohësh të largëta emigrimi në një ishull grek ku kishte pasur rastin të njihte nga afër edhe eksperiencat e dy artisteve ruse që gjithashtu jetonin emigrimin në të njëjtin vend.
Ngjarja
Dy rreshta katrorësh prej duralumini të bardhë e të mëdhenj të varur për të krijuar një trekendësh që kulmonte andej nga fundi bënin një prapaskenë aktive për skenën ku kishte një karrike të zezë prej zyrash të mira, një kolltuk dysh disi antik dhe një kolltuk akoma më të pispillosur, tek, rreth një tryeze nga këto mesit, të ulta.
Aktorët rrinin të pranishëm në skenën e largët gjatë gjithë shfaqjes, megjithëse të kthyer në kurriz kur nuk ishin pjesë e veprimit. Një gjetje e mirë regjisoriale se sikur e shprehte vërtetë atë praninë e përhershme që ka njeriu në të tilla situata.
Fillimisht Daniela dhe Krisi nisin e sulmohen me njëra tjetrën duke shprehur qartë dashakaqësinë. Zoti Stresio që vjen aty e përpiqet ti ndalojë nuk ja del dot. Por del fitimitar për të qenë protagonist me hungërrimën e vet angullitëse prej zoti shpie që derdh rezervat e fundit në shpallje të zotërimit.
Ai i trembet gruas, por fillimisht donte që ato të ndjeheshin si nënë e bijë, ajo ka një rrjet njerëzish për ta kontrolluar, që e ka paguar me paratë e tij. Ai tërbohet nga kjo. Unë mendova direkt për njerkën shpirtkazëm, por nëpër tekst dhe muhabetin prapa leximit merret vesh se nëna mund të jetë biologjike dhe në fakt ndarja ka ndodhur në fëmijërinë e hershme Krisin e rriste një dado. Më pas u mor vesh se zoti Stresio paska kaluar edhe një tjetër eksperiencë që ja ka dobsuar pozitat, ai mund të ketë qenë në burg.
Zoti Stresio ishte gjithë kohën i mërzitur për pasojat e këtij akti. Gjatë këtij debati fillestar Daniela tregon se pjesë e fajit janë dy emigrantët, që në vazhdimin e pjesës me sjelljen e tyre tregojnë se janë zemërmirë e të zellshëm. Më vonë në monologun që mbyll shfaqjen ajo tregon se ata ishin fajtorë që ja kishin hapur sytë Zotit Stresio dhe Krisit, sepse ajo ja kishte mbyllur. Megjithëse duhet pranuar që Krisi ishte luftarake gjatë gjithë kohës.
Daniela bën dy provokime që shënojnë dy kulme, por për to kalimi nga njëri episod në tjetrin ishte problematik dhe pavarësia e tepërt prej së tërës e skenave të ndryshme u theksua edhe në kritika. Fillimisht ajo kërcënon dhe abuzon Albulenën, të cilës i kërkon ti veshë këpucët dhe e akuzon padrejtësisht për vjedhje. Pastaj josh me tepri Feksuesin tonë të dashur që reziston, sic i rezistonte edhe kontrollove nga një komisar policie me të cilin Daniela kushedi ca lidhje kishte.
Këto ndodhin përgjatë një rrjedhje ngjarjesh ku shprehet dashuria e Krisit dhe zotit Stresio për emigrantët që në fakt edhe kanë marrë me qera katin e parë të vilës edhe ndihmojnë e shërbejnë tek familja e aktorit që fton Albuelën në një rol në teatër. E rregullon ai si muhabet.
Feksi, po, i bën të gjitha. Feksi kishte gishtërinj të plasaritur prej kallosh që Daniela ëndërronte ti gërvishtin lëkurën gjatë provokimeve të saj të liga. Era e tij, po, ishte shumë e mirë. Albulena e dashuronte me forcë të madhe.
Në përfundim të joshjes Krisit i shkon mendja sikur Feksi kishte pranuar të kënaqte dëshirat e veta dhe të Danielës. Por ajo ishte gabuar sepse ajo nuk e pa atë që ne të tjerët e pamë. Feksi qëndroi si burrë dhe i tha jo teksa i tërhiqej sulmit të saj seksualo-racist.
Pati një krizë të vogël besimi që Krisi e mbajti për vete, megjithëse dyshonte se duhet ti tregonte babait, që ai të reagonte. Por sesi ndodh dhe babë e bijë vijnë në shtëpinë e të huajve (që jetonin në katin e parë të vilës së tyre) edhe kanë zbuluar që nuk kishte ndodh asgjë e keqe dhe të gjithë marrim vesh se dashuria e tyre për emigrantët e dashur vetëm ishte rritur.
Një pjesë e informacionit për zhvillimet u mundësua na biseda pas pjesës, meqenëse shkurtimet kishin qenë disi të ngutura.
Mendoj se ‘realizmi kolektiv’ vazhdon të jetë etiketimi i duhur për këtë natyrë shfaqjesh.
Individi dhe konteksti ku ai vepron janë trajtuar, në vazhdimësi të gjata, prej autorësh e kritikësh si njësi më vete që rivalizojnë për të njëjtën ngastër vëmendje. Hapsira që autori i jep njërit apo tjetrës njësi është nga mjetet e rëndësishme që ai ka në dispozicion për të gdhendur skeletin e veprës.
Kolektiviteti i tepërt që trashëguam prej regjimit komunist patjetër që nxit përulësi dhe mirëkuptim që autori ynë bashkëkohor nuk di si ta shmangë vecse duke kërkuar akte ekstreme që në përfundim rrezikojnë t’ja kompromentojnë racionalitetin. Kur aktet nuk janë 'ekstreme' është e vështirë të shmangësh familjaritetin mes pjesës e spektatorit, aq të dëmshëm.
Përfytyrimi i theksuar i spektatorit si pjesë e një kolektiv kompakt, përfytyrim ky që ndikon në përzgjedhjen e subjektit, ekuilibrat etiko-estetik dhe fjalorin që ndërton veprë, që mendoj se është një burim për vepra të këtij ‘realizmi kolektiv’ mund të jenë pasojë e shumë tipareve individuale e shoqërore të autorëve, por pastaj rrezikojmë të ngatërrohemi shumë. Gjithsesi spektatori është para së gjithash individ dhe zbulimi e shënjestrimi i të përbashktave nëpër larminë e individualiteteve spektatoriale është një hall i artistit që krijon edhe mundësirat për tu shqu.
Vepra për shkak të varësisë që ka prej këtij kolektiviteti risjell një distancë e afrimitet me realitetin që është i njohur, (të paktën kolektivisht.) Dakort, emra të tjerë, ngjarje të tjera, fjalë të tjera, por marrëdhënia është e njohur në një tipar që paraprin ndjesitë e tjera që sjell dialogu.
Pra të njohurit që shërbejnë diku nëpër vështirësi nuk mungojnë. Afrimiteti e këndi i vështrimit që ofron pjesa janë të zakonshmit dhe ti ja përjeton familjaritetin.
Ky lloj skepticizmi mund të harbojë e ti dalë përpara cdo vepre, jam dakort, por një normalitet i tepruar e nxit armiqësinë.
Jam dakort me kritikën e shokëve nga takimi se ngjarjet e tepërta e bëjnë veprën ti vejë pranë mosngopjes dhe rrjedhimisht pakënaqësisë. Megjithatë personalisht dëshmoj se u ngopa. Vepra e bënte shumë të pranishme masën e vet. Zgjaste dhe lodhte.
Autori në zbatimin e njërës prej taktikave të tij mbrojtëse gjatë kritikave që u artikuluan pas shfaqjes tha se shpesh në dramaturgjinë shqiptare haseshin shpesh fjalë të pandërpra të një aktori të vetëm që zgjateshin në kohëzgjatjen një minutë e gjysëm – dy. Që qenka shumë. Faktikisht i thonë 120 sekonda, që në një numërim të bezdisin. Edhe unë e ndaj shqetësimin e tij. Dhe mendoj se vepra nuk e vuante një problem të tillë. Vetë diskutimi kishte ritëm. Ngjarjet ishin të rrëmbyera dhe plot pasjon. Një gjë që nuk duhet të mbesë e pavlerësuar. Por veç një lum që derdhej në tuba të mbyllur e të stërgjatë me furi të filtruar.
Vangjel Toce ja hoqi frenat mushkërive të veta dhe u identifikua mirë me rolin, aq sa pa një aktore të mirë nga pas do ishte rrëzuar diku, por shpëtoi vetëm me ca gërvishtje të lehta. Për aktorët duhet të themi se zelli i Eva Alikajt është një ndodhi e mirë për teatrin nëse nuk ndodh ndonjë qamet në kolektivin punonjës dhe nëse ruan përmbajtje.
Ky Gert Ferra aq mirë i ka përvetësu këto rolet si cun gangster sa gati të ngatërrohet. Predominimi i kinematografikes në imazhin referent për personashin e keq dhe fizik e bën të rrezikshëm këtë rol por unë mendoj se ai ka gjithë teatralitetin e nevojshëm. Shpresojmë që ai ti ketë ca role më të plota.
Në përfundim drejtori Çuli për ta lehtësuar disi Plakun tha se miletit nuk ja kishte mbajt të vërshonte me këtë lukuni kritikash edhe ndaj shokut Mihal Luarasi në një shfaqje më herët. Por unë mendoj që shumë mirë e bënë. Bah, është sport i vështirë me dal aty përpara dhe me rujt narcizizmin e shtrenjtë nga një sulm që mund të jetë i drejtë. Ose jo.
Nata e dytë
Mihal Luarasi, edhe kur nuk ja ke shumë idenë kontributit dhe peripecive të tij nëpër historinë moderne e artistike të shoqërisë sonë, është një emër që ngjall reagime që nuk mund të jenë aq lehtë kritiko-cinike, sic e kërkon edhe orientimi kulturoro-individual. (Megjithëse fara është e shëndetshme, aty.) Unë personalisht gjurmën e parë në kujtesë prej tij e kam nga parja në rrugë si burri i Edi Luarasit, që më ka lënë mbresë në rolin e bukur të zonjës plakë në ‘Vizita e zonjës plakë’. Emrin e kisha dëgjuar më herët, por nuk dija.
Unë i përkas një brezi dhe periferije ku nuk merresh me emra regjizorësh teatri po nuk ta deshi puna. Për më tepër, zoti Luarasi e ka pas kontributin e tij të rëndësishëm në fillim vitet gjashtëdhjetë deri në fillim vitet shtatëdhjetë kur guximi i tij intelektual e përplasi me diktaturën që e burgosi për tetë vjet dhe pastaj e detyroi të punonte si bojaxhi. Veprat e tij pas viteve 90-të nuk kam pasur rastin ti shoh.
Pra zotin Mihal Luarasi e njoh kryesisht përmes tregimesh mediatike dhe pak nga puna e tij.
U nisa pra.
Në fillim mu desh të vishesha. Dhe kushëriri im i dashur që e takova rrugës dhe i tregova për qëllimet e daljes sime më tha se për të shkuar në teatër, në praktikën e njohur e ndjekur prej tij qysh në rini, ti zgjedh më të mirat e rrobave, ndërkohë që unë kisha pakujdesi të tepruar. Kritika mu duk me vend. Edhe vetë e kisha dyshuar, veshja shprehte qëndrime që nuk i kisha. Ose i kisha, nuk e di?
Pra, kostumografia për të cilën bëmë si të velur në diskutimin për natën e parë ndoshta nuk ishte kaq e tepruar. Tani që e mendoj edhe aktrimi, që unë herën tjetër e denoncova si i tepërt për një aktivitet që e ka emrin lexim, është një lluks që ti bësh naze sic i bëra unë nuk shpreh vecse tekanjozitet. Një ngopje e kotë, sepse me aktrim si më kollaj kapërdihen të gjithë të (pa)priturat e një teksti. Një aktrim padyshim që është më i mirë se një lexim, megjithëse mund të hutojë gjykimin për tekstin. Barra është për aktorët.
Ngjarja
Në zyrën e ministrisë një punonjës i thjeshtë administrate që merrej me menaxhim, vret miza. Ky punonjësi i administratës zgjedh kush e takon e kush nuk e takon zëvendësministrin dhe referentin e inovacionit.
Fillimisht vjen portieri, i biri i portieres që është pak debil, por edhe shejtan në cështje politiko-filozofike. Ai ka ca batuta që ta humbasin përqëndrimin por mund edhe të qeshësh nëse ta ka qejfi. Ai thotë se nuk gënjen. Një ndershmëri e shtresave të ulta paksa rutinore në lëm të letërsisë.
Pastaj vjen Gjeniu, shkenctar në kërkim të mbështetjes. Ai korrupton punonjësin dhe e huton atë për të futur brenda në zyrë një kolltuk magjik, që gjoja e ka porositur zëvendësministri e që i vuri edhe emrin pjesës.
Gjeniu ishte një personazh i dyzuar. Fillimisht ai tregohet qesharak duke përmendur si shpikje të vetat një projekt për ndërtimin e ndonjë lloj traktori si dhe të makinës me ujë. Për këtë të fundit nuk e kishin mbështetur meqenëse ministri kishte monopolin e importit të naftës.
Në një skenë andej nga fundi roli i Gjeniut fitimtar fiton një seriozitet që vetë zëvendësministri ja pohon. Ai projekti i traktorit të paktën kishte qenë serioz. Gjeniu ishte në fakt përfaqësues i inovacionit vendas që mbytet nën interesat personale e korruptive të zyrtarëve.
Edhe vetë kolltuku tregon për gjenialitetin e inovacionit vendas.
Referenti i inovacionit që ulet i pari në konlltukun magjik e ka emrin Kelli ose ndonjë gjë të tillë. Referent. Një ofiq që unë nuk e mbaj mend ta njoh në njohjet që kam për administratën. Ndoshta një post nga e kaluara komuniste.
Ky përgjithësisht bënte fjalimet e ministrit. Ulet i pari në kolltuk dhe i thotë zëvendësministrit që është hajvan dhe i korruptuar. E përzen zëvendësministri nga zyra.
Pastaj këtë të fundit e merr në telefon ministri dhe ky ulet vet në kolltuk dhe ja thotë të njëjtat gjëra ministrit.
Pastaj vjen aty gazetari. Fillimisht reciton poezi për qiej trashendental pastaj ulet dhe ai në kolltuk. Edhe ai tregon pafytyrësi në gatishmërinë për të raportuar jondershmërisht në këmbim të fitimit si dhe denoncon korrupsion.
Pastaj vjen aty ministri i alarmuar nga denoncimi i zëvendësministrit në telefon. Ulet ministri aty edhe i këkon gazetarit ti rregullojë ndonjë vajzë. Fyen plakush kryetarin e partisë, që është edhe gomar. Pastaj shan zëvendësministrin si dhe veten e vet. Rrëfen afera korruptive me miliona euro si dhe tregon për pleqtë që rrjedhin nga plakja dhe si hyjnë në punë njeriu.
Ikën ministri.
Vjen aty gruaja e zëvendësministrit. Kjo me poetin ishin dashnorë. Flet mbi kolltuk për tegelat që ja bënte gazetari-poet. Kolltuku magjik ja nxori sekretin por zëvendësministri, që kërcënonte me një pistoletë në dorë, nuk i ndëshkoi dot.
Vjen mjeku ta ndihmojë zëmendësministrin që po luante mendësh dhe ka shqetësime të tjera, dhe ky tregon se barërat që do i japë zëvendësministrit janë kot, madje rrezikojnë ta përkeqësojnë atë. Por ai ja jep gjithsesi.
Mbetet vetëm zevendësministri.
Pastaj vjen Gjeniu që triumfon mbi zëvendësministrin që ëndërron të bëhet i gjithpushtetshëm duke shfrytëzuar kolltukun. Por Gjeniu lehtësisht shkul mekanizmin elektronik që i duhej ngjitur kolltukut për ta kry funksionin magjik dhe e shkatërron atë në ca shkelje për interpretimin e të cilave aktori nuk duhet të ndjehet hic krenar. Ose t’kishe marr një cop kaucuk te lagjja e ta thyje ose ta kishe lënë fare atë muhabet. Ca përpëlitje pa vetbesim të tijat, me të dyja këmbët për shkatërrimin e çyçyveles ishin një farë baleti kontemporan miniminimalist që njollos.
Pra aktorët rrezikojnë. Aktorët nuk janë objektiv i këtij shënimi por ata marrin vëmendje, pavarësisht se askush nuk solli ndonjë risi në repertorin e vet loja ishte e mire. Për një lexim duhet thënë që puna ishte më shumë se shumë e mirë.
Pjesa
Në zyrën e një zëvendësministri të një ministrie të rëndësishme Gjeniu fut një kolltuk që ka shpikur e që të nxiste të ishe i sinqertë deri në fund. Në gjendje të pavetëdijshme.
Në të ministri tregon se në vend të punës ëndërron të ishte duke ja hipur ndonjë belholle. Madje kishte pasur edhe një sekretare që ishte shumë e mirë. Pastaj në të me rradhë personazhet tregojnë për korrupsione në projekte që i shkojnë afër realitetit, mungesë besnikërie, hipokrizi, indiferencë, etj.
Zgjedhja e projekteve për denoncim mu duk me një guxim të tepruar prej zotit autor, por ndoshta se ka menduar gjatë. Se përndryshe denoncime kaq konkrete e sjellin dramaturgjinë në nivele shumë konkrete. Megjithëse ka që mendojnë se pikërisht ky ishte edhe një prej qëllimeve kryesore të teatrit. Fundja pse ti ikësh realitetit?
Por kjo ngjan si një zgjidhje shumë e lehtë. Një përtesë për të shpikur dicka. Copa skenari që tirren nga përpunimi i titujve të gazetave ditore mund të tregojnë për një shkujdes të tepruar apo besim të tepruar në korrjen e fitores.
Mendoj se edhe në tematika të tjera zgjedhja është shumë e shkujdesur, duke nisur me vetë strukturën e pjesës. Një hyrje e shpejtë me rojtarin, dy pare muhabet me gjeniun, dhe kolltuku mbërrin. Një kapërcim drejt e në zgjidhjen e dramës. Gjithcka ngrihet mbi të ashtupërmendurin ‘deus ex machina’, që tradicionalisht lidhet me kulmimin e një ngjarje të ndërtuar mbi dicka tjetër e nuk lihet i vetëm të mbajë gjithë gjullurdinë.
Një reminishencë përrallash e skecesh me fshatarin që ka një qyp me mjaltë që shkakton pordhë, me karriken e pushtetit që egërson gjithkënd, gurësh magjikë apo qilimash fluturues.
Gjithcka kaq lehtësisht e lexueshme. Fjalë të derdhura me etiketë lidhur pas qafe. Tejkalim i nevojës për papritshmëri, tejkalim i nevojës për kreativitet. Realitet i shtrydhur në rimishërimin e n-të.
Pra realitetit i qasemi prap te niveli sa konkret aq edhe i përgjithshëm. Por ky është refren që masivisht këndohet në tavolina kafenesh, ekrane të mëdhenj e të vegjël, sofra familjare etj, etj.
Për tu njohur pak më shumë me autorin gjeta nëpër youtube edhe pjesën e tij “Gomonia”. Një pjesë plot me aktorë që prap i rri realitetit si pasqyrë e hedhur diku. Trafikanti, gangsteri, viktima e trafikut, i ndershmi, i vuajturi, nevojtari, mmm, personazhet e përditshmërisë jo-personale.
Ky pasion për “realitetin kolektiv” haset dendur ndër letraritet e kohëve të fundit. Natyrisht, është normale që mbresa e ndryshimeve të shpejta e të mëdha shoqërore tek një brez i caktuar të jetë më e thellë. Por kjo magjepsje me krimin e kudogjendshëm sikur tregon që këta vërtetë vijnë nga një botë e tjetërkundit.
Njerëz, si zoti Luarasi, që kanë parë jetën e vet të shkatërrohet nën ligësinë, meskinitetin e brutalitetin e një diktature horre tani çuditenpas kriminelëve që ishin gjithnjë te rruga.
Kjo magjepsje me realitetin e përditshmërisë së sotme sikur thotë se ajo periudhë nën komunizëm paska qenë kaq ndryshe. Dakort egërsia e diktaturës ndrydhte brenda njerëzve shumë gjëra e ata ishin më të vëmendshëm e përkushtuar ndaj kolektives por artisti që lëkundej në erërat e fatit duhej patjetër të kishte shquar nën fytyrat realsocialiste vullnetet e egra dhe imorale për shfrim dhe grumbullim që karakterizojnë njeriun e ri.
Apo ashtu siç e tenton përmes gojës së një ministri vetë autori kjo mund të jetë edhe një çështje moshe. Squllja e muskujve bën çdo shtyrje imorale?
Personazhe pjesa nuk ka. Gjithkush po prezanton dikë, që prezanton disa të tjerë. Dakort nuk jam ndonjë fanatik i idesë se personazhet do ta mbajnë veprën. Edhe idetë apo batutat mund ti vejnë shpatullat barrës së rëndë të nevojës për justifikimin e mundit, sidomos në këtë kohë të komunikimeve intesive virtuale kur vëmendja e spektatorit, (madje më gjerë, e njeriut) për të mbetur e gjallë është në nevojë të kapërcimeve të shpeshta e të shpejta. Por realiteti i do ca burra e gra.
Një protagonist në tentativë është zëvendësministri. Zyra është e tija, kolltuku është i tiji, gruaja është e tija, pistoleta është e tija. Por ai prezantohet pak; sa të tjerët.
Nga kjo anë vepra kishte të mira. Ajo përfundonte shpejt dhe nuk ishte fare barrë e rëndë për tu pare siç duhet të ketë qenë një vepër e lehtë për tu bërë dhe e bërë e e bërë prap e prap.
Nata e parë
Pasi u grumbulluan, lexuan e përzgjodhën filluan ti prezantohen komunitetit, disi më të interesuar, dramat bashkëkohore të shkruara shqip. Aktivitet i Teatrit Kombëtar në sallën e Teatrit Eksperimental "Kujtim Spahivogli". Dëshiroj të them nja dy mendime për eksperiencën e të qenit i pranishëm në shfaqjen teatrore të leximit të pjesës ‘Të ftuarit’ prej autorit Mustafa Tukaj.
Fakti që isha pjesë e të njëjtit konkurs dhe nuk arrita të jem ndër të përzgjedhurit nuk më ndihmon për të qenë bindës, po vallaj nuk e kam me të keq.
Pra. Nëpër shi shkoj unë aty. Shi i rrëmbyer që u pranua bindshëm si një faktor që pengoi shprehjen e interesit akoma më të madh, por që gjithsesi i kënashqëm (interesi).
Ngjarja.
Fillimi. Pesë personazhe do mblidhen pas pak për të parë tu plotësohet dëshira për të vrarë veten. Këta kishin qenë pjesë e një ankete që kishte pyetur njerëzit për gatishmërinë për ta hedhur jetën tutje (kjo shpjegohet më vonë).
Dhe vijnë aty. I pret një aktor disi nevrik dhe shtatlartë. Dhe Marjeta Larja, që unë për shkak të ikjes së parakoshme nuk arrita ta njoh tamam se kush ishte si personazh dhe pse po e bënte atë që po bënte.
Vazhdimi. Dhe vjen aty Mehdi Malkaj një ish-deputet, dicka tjetër dhe aktualisht arshivist në një institucion. E kishin ndarë të dyja gratë me të cilat ishte martuar njëra pas tjetrës dhe tani nuk e kuptonte se pse duhej të jetonte mes asaj pakuptimëaie shoqërore. Pastaj Eva Alikaj ishte një prostitutë që nuk kuptohej se si lidhte zhvirgjërimin gati erotik në një rrëfim me përvuajtjet e padurueshme që sjell të qenit një prostitutë që tashmë nuk vlen as një lek. Dhe që e vogël.
Pastaj një ndërtues që i shijoi të tëra dhe tani nuk gjen dicka për të cilën të lakmojë, pra të sigurojë një mundësi për të justifikuar qënien (të vetmen). Dhe një ish menaxher që dikur kishte mundur të bënte para, por i kishte humbur ngaqë kishte qenë dorëshpuar dhe tashmë nuk e përballonte dot barrën e rëndë të borxhlinjve që e bezdisnin dhe vuajtjeve të tjera që sjell varfëria.
Pastaj një ish-gjykatës i paaftësuar prej sëmundjes a moshës që ruan një egocentrizëm prej gjykatësi dikur plot pushtet, që aq mirë e sjell Bujar Asqeriu. Gjykatës që dikur kishte akuzuar një ministër, që besonte tek drejtësia dhe ashpërsia. Megjithëse ky ndërtuesi që thamë më lartë, prezantuar prej Neritan Licajt, e shante shpesh për faktin që kishte gjykuar, ose dicka tjetër nuk e mora vesh tamam.
Këta pesë veta që u nuk pëlqeka më jeta i kishin mbledh me ftesa në një apartament dhe i thonë mirë se ju vetvrasim neve (zonja Marjeta dhe bashkëpunëtori i saj). Do hani e do pini, ju vetvrasim neve, as nuk do ta merrni vesh hic. Butë butë.
E mirë thonë këta dhe dalin aty dhe tregojnë historitë e veta. Personazhe që herë duken si nga diku në Shqipëri e herë lidhen me njeriun e pasur, të shfrytëzuar, e makut, e ku e di unë. Ritëm i ngadaltë për ti mbuluar difektet që sillte përgjithësimi. Një ritëm që kërkon bashkëveprim, por ky mungon meqenëse personazhet janë secili në hall të vet. Shtigjet e pakta të veprës me pak bashkëveprim janë pushtuar të gjitha dhe celja e tyre kërkon punë të madhe. Personazhe, të shtrydhur prej shumë njerëzish, që thuajse shkarazi pranojnë që tua bëjë dikush vetvrasjen. Të gjithë vuanin një farë vetmie në fakt. Por kishin lindur në të njëjtën datë. Një arsye për ngazëllim.
Fundi. Pastaj unë ika. Ishte shum i gjatë. Kisha punë. Ju kërkoj ndjesë për rrëfimin gjysmak, por ja.
Vënia në skenë
Për të u tha lexim, por në fakt ishte me një këmbë të gjatë në aktrim.
Zonja Marjeta, që i kishte thërrit këta, qëndronte gjithnjë në njërën anë të skenës, të djathtën. Me tekstin shtrirë në një mbajtëse partiturash për violin dhe orkestër. Ajo flet e para dhe i thotë djaloshit, a do vijnë vallë të ftuarit. Ata flasin për një kohë të keqe. Dhe rrezikun e madh që mbrëmja të dështojë. Shkurtimisht.
Pastaj ajo del dhe vijnë personazhet me rradhë. Shkëmbejnë ca batuta të para, jo po koha, jo po si do ikim, pse na bezdisën, e kështu me radhë. Nuk mund ta besoj që erdha, thotë gjykatësi nervoz.
Pastaj, personazhet dalin me rradhë te mbajtësja tjetër e partiturës përkrah asaj të zonjës Marjeta, si në një tribune. Dhe në fakt displina e shpërndarë nëpër aktorë e tepronte në bollëk. Por dialogjet, megjithëse të pakët, zhvillohen edhe mes aktorëve që janë të ulur.
Vepra dukej se kishte edhe kostumografi. Eva Alikaj kishte një veshje që tregonte për guxim në rrafshe të seksuales, por që i ka humbur lajle e lulet, madje edhe ngjyrat. Gjynah se mua ajo Eva Alikaj më gëzon përgjithësisht kur e shikoj. Një gëzim thuajse djallëzor. Pse ta privosh tjetrin nga kënaqësitë e (jo aq të) vogla në një lexim të një pjese me vetvrasje. Neritan Licaj kishte një kostum që ishte pjesë e dialogut. Edhe vënia në karrike e Bujarit tregonte devocion.
Dhe këta recitojnë vendimin pse do vrasin veten nëpër monologje që rreshtojnë steriotipizime të vakta. Aaa, jo kështu shoku Mustafa. (Çfarë mesazhesh shpërndan për brezat, të gjithë me rradhë. Mos u mërzit! Jeta është e bukur kur cdo cast të lumtur ti kërkon ta gjesh kudo. Kjo është këngë që ti e mban mend.)
Kjo zgjaste tepër dhe shkaktonte lodhje. Fjala e një personazhi ishte më e gjatë nga sa lejonte nevoja për ritëm. Nana na na. e squllët fare në ritëm.
Po mirë. Dialogu që në zanafillën e vet nuk e rruante për natyrshmëri, por vetë vepra tentonte të ishte e llojit natyralist-o-passocialist-o-moralist.
Aty duhet të ishe shumë i qetë. Një spektator duhet të ishte i llojit dashamirso-durimplotë që kjo kategori pjesësh të ketë sukses. Unë i humba duartrokitjet, por kisha punë.
Vepra nuk kishte regjisor, por një aktor, Dritan Boriçi, merrte përsipër ca hapsira regjisoriale nën termin ‘mundësim’. Ose ndonjë tjetër, nuk e di.
Një lexim impenjativ që e mban aktorin në kufij të rrezikshëm, sidomos kur gjendet në kushtet e një nevoje për tu shfaqur si profesionist dhe humbet lirshmërinë që ofron leximi, dhe duke vënë të njëjtin kufi edhe për aktrimin.
Jam dakort, leximi s’ka pse të jetë i cunguar në lirshmërinë që kërkon për të qenë i këndshëm, por një marrdhënie më miqsore dhe e barabartë krijon për leximin një rehati që aktrimi nuk e ka. Doza e disiplinës për aktivitetin nuk duhet tepruar. Disiplina e tremb miletin e trembur. (Këtë se kush e ka thanë ndonjë shenjt nga këta më të shenjtët.)
Unë nuhas një komplot kapitalist, por jam shumë dashamirës ndaj kësaj ideje.
Jepini hapsirat e holleve për arredim e menaxhim (nën mbikqyrjen e nevojshme, natyrisht, ose për llogari të teatrit) ndonjë sipërmarrësi të suksesshëm të fushës edhe ndihmoni aty që kush të dojë të sjellë gjëra të reja e të bukura. Suksesi i mbrëmjes së parë tregon që aty mund të shiten ca birra. Me një dritë pak më të mirë në ambjente më miqsore dhe njerëz ca më të rehatuar e shërbyer dhe lexues të natyrshëm e të afërt që sjell vetë ideja e aktivitetit mund të arrihet më shumë. Një lexim (gati aktrim) falas nuk bëhet vetëm se për shoqninë e gjerë që synojmë të na marri në krahët e veta të ngrohta dhe të na kolovisi nëpër re. Prandaj shumëçka është e justifikuar. Kështu edhe ruhet shenjtëria e skenës edhe teatri kombëtar garanton prej themeleve të shëndosha artistiko-morale.
Pra ideja e Mustafait nuk është aq interesante. Më shumë se një vetvrasje për pjesë është një makutëri që sjell autorrënim për veprën. Përvec rasteve kur ndodh masivisht në kushte luftrash gjakatare ose nëpër dashurira shekspirjane, ose diku tjetër, por gjithsesi nën ca rregulla të tjera, vetvrasja nuk rekomandohet të shpërdorohet. Kjo ide megjithëse inovatore është e tejkaluar.
Në pjesët e tjera unë mungova dhe nuk arrita ta ndjek kulmimin dhe pastaj zgjedhjen. Mos vallë lindi dashuria për jetën dhe protagonistët i bënin bisht vdekjes së dëshiruar? Apo vdisnin aty një nga një si heroj? Apo kushedi ca i ka shku mendja autorit, që ka rrugë të pafundme thuajse si Zot.