Heroi fatkeq dhe të tjerë plot tek Heroi i Kryeziut
Filmi i Luan Kryeziut, “Heroi”, e bënte disi të vështirë leximin e opinioneve të veta për spektatorin, (që në rastin konkret jam unë,) se filmi mbështillej, trash fort, me të vërteta.
Gjithçka nis me një episod lufte. Megjithëse jo. Filmi parafillonte me pamjet disi të njohura të ushtarëve serb që djegin e shkrumbojn Kosovën. Shtëpi që digjen e jeta që humb vijnë nga xhirime reale të kohës së luftës prej kameramanësh që ndjekin nga afër ushtrinë serbe, në msymje.
Pastaj, filmi fillon me një grup njerëzish që kanë marrë arratinë nëpër mal e po i ikin të keqes, por shtegu nga po shkojnë do haset prej serbëve, që padyshim do ti dhunojnë. Ata presin ushtri ti mbrojë e andej vjen vetëm një luftëtar i UÇK-së, Heroi. Ky vihet në komandë të dy vullnetarëve nga fshati dhe ja ndal ecjen trupave serbe. Skena e bukur. Xhirimi i bërë me teknikat që e sjellin afër realitetit.
Aty janë edhe dy tre personazhe, burra në ikje që i shmangen luftës. Ata do na shoqërojnë gjatë filmit.Një ngushtim i tepërt i botës ku ndodh filmi nëpër ca personazhe të pakët, si prej një skeme teatrore.
Heroi ishte Arben Bajraktari, që prap na pëlqeu. Eshtakëria e personazhit që sillte, një farë asimetrie në të hapur të syve dhe një racionalitet melankolik ndershmërie që i mvishej përqark, mbajtën barrë të madhe në të pëlqyera të filmit. Na duhet prap me thanë fjalë të mira për te, megjithëse diku aty skenari e regjia e nuk ja lehtësonin punën.
Skenari, që ishte kontributi tjetër i Kryeziut, tregon që autori i vetëm e kishte pas të vështirë të merret me të. Skenari e tepron me plotësinë e kuadrit që na sjell. Një opinion për gjithë realitetet. 8 njerëz që furnizojnë një personazh, ose më shumë. Edhe jo vetëm njërin. Një film artistik që dëshiron me shumë zell me qenë historik e ka këtë rrezik. Dhe filmi ishte lëndu disi prej këtij synimi.
Po kjo është një problematikë jo kaq e madhe sa tingëllon, për një film.
Pastaj, festa e fitores, bubullet tupani e daullja. Një valle që burrat e kishin marrë me seriozitet. Edhe muzikantët. Skenë e bukur. Heroi (që ishte edhe pseudonimi i luftëtarit) pritet si hero. Recitohet një vjershë për një poet të pashkolluar në mal. Një vjershë nga një vajzë që mezi dëgjohet por mund të lexohet përkthimi anglisht.
Të nesërmen, Heroit i ishte djeg shtëpia ose nuk e kishte pas nuk e dimë, po kishte mbet pa shpi. Vijnë shokët e luftës e ndihmojnë ta ngrejë një çadër edhe aty jeton.
Pastaj vijnë ata bashkluftëtarët vullnetarë ta vizitojnë. Prej të cilëve edhe Cun Lajci si një aktor i pjekur e simpatik. Personazhi i tij është dashuria për jetën në film. Me krahun e trashë e vrullin e pafajshëm që mund të jetë edhe kriminal-humoristik, ai është shtylla tjetër ku rri pëlqimi, megjithëse personazhi i tij nuk është fort qendror.
Në ato momente Heroi kishte pushtet por refuzon të përfitojë si për ndërtimin e shpisë a ndonjë gjë tjetër. Dy personazhe të tjerë. Një biznesmen, disi i dyshimtë, i thotë shiko se t’jap unë ca të dush dhe bën fotografi me të, po edhe i kërkon. 'Ndiko ti taksojnë prodhimet e importit', i thotë. Mirë i thotë Heroi, dhe duket se bën diçka. Dhe ndihmësi i ndërkombëtarëve që ka sjellë listat e atyre që do përfitojnë ndihmë për një kontroll te pushteti vendor. Shpaloset ndershmëri.
Heroi është mësues, por vitet kalojnë dhe tjerë që janë nga ai fshat, ku ai është i ardhur, lakmojnë dhe marrin punën e tij. Një djalosh i ri fare reciton keq Migjenin dhe grushtin e tij që i bin malit që s’bzan, teksa msuesi bën detyrën. E thërret drejtori, që rastis të jetë ai i listave të ndihmave. Ky edhe shpall qëndrimin e përhapur se fitorja ishte meritë e NATOs dhe se sakrifica e burrëria e luftëtarit kosovar nuk kishte pse nderohej. Heroi kthehet te lokali i vullnetarit tjetër, luajtur nga Salahudin Bilalit, edhe prezantohet me alkolin.
Papunësia zvarritet dhe në fakt gjithë kjo pjesë e parë e filmit rëndon pak krahasuar me atë pason. Përparimi i tij tërhiqet zvarrë. Heroi i vetëm e me shokë kërkon punë. Linja tjetër në familje. Komunikimi në cift, një linjë e gjatë, nuk është shumë i shkathët në skenar. Edhe aktrimi nuk kap ndonjë kulm. Komunikimi i tij me të birin është i pakët në fjalë, por ajo distancë mes tyre është gatitur mirë dhe mendoj se është nga linjat e forta të filmit por jo pë realizimin sa për një realitet moskomunikimi që duket se e kërkon burrnia e personazhit. Një simptomë shoqërore e rëndë, që prezantohet.
Pastaj të gjitha me radhë. Ky shkon ngado, asnjë s'e afron. Ai biznesmeni, që ky e ndihmoi dhe që bëri foto me të e i ofroi çdo ndihmë, tani vetëm e hoqi qafe madje edhe miku i tij biznesmeni nga Shqipëria, megjithëse nuk e njihte fare, i tha se edhe ai vetë duhej të bënte diçka e jo të priste ndihmë. Doli edhe sekretarja e bukur dhe e zbërthyer.
Po punë hiç. Kështu një kalvar i gjatë që herë e sillte më pranë gotës dhe miqve të tij e herë në gjirin e familjes ku skamja kërcënonte vitaliten rinor të një familje me dashuri.
Ky i dhuron djalit një pulë që dikur humb dhe merr me vete fatin e familjes. Djali alergjik ka nevojë për mjekim, luftëtari vetë sfilitet. Kërkon gjithandej, topitet. Shfaqet një vjerr që sjell ndihma, po që jetën e ka të vështirë dhe i duhet me ba llogari.
Pastaj riciklohet një nga ata të kërcënuarit prej rrezikut, që i bëri bisht luftës, në fillim dhe vjen me punë në ministri. Emigracioni një fatalitet që tundon. Megjithë rezistencën e vet Heroi sheh parakalimin e fajdexhiut të keq, hajdutit, qytetarit të ndershëm, kuckës së tërbuar, elektricistit të kek-ut, gruas së dëshmorit e të bijës së saj. Mirë se vijnë, por të gjithëve u jepet mundësia për një portret. Filmi përdor edhe televizorin si lajmëtar për të shtuar personazhe dhe informacion. Në TV plotësohet përndjekja prej kek-ut, aty tregohet se luftëtarët vuajnë pasoja të shëndetit mendor. Aty ai frikacaku përfitues mban fjalim për heroizmin e luftëtarëve. Aty heroi mëson për mundësinë që të shesë gjak për ti sjellë ushqim familjes, dhe ca gjëra të tjera.
Heroi është fjalë pakë dhe duron si shkëmb, që është edhe emri i tij i vërtetë. Pastaj Shkëmbi kthen. Vjedh një pulë që i biri e kërkonte me ngulm e duket si një simptomë e herët e një sëmundje psikologjike nëpër komunikimin e pakët. Grabit një autobus.
Filmi krijon një atmosferë mbytëse që e rendit në të mirët, edhe fotografia nuk është keq megjithëse luhatet. Muzika e mirë. Këngët, si ato të pijes si ajo e emigracionit, që sjellin shokët nuk janë keq, pavarësisht ekspozimit të ngutur e ngjeshur. Kënga prej Elina Dunit ka një alamet daullje sa megjithëse është këngë dashnie i bën mirë kolonën zanore të grabitjes që Shkëmbibën me siguru paret që të iki në emigracion. Gruja kishte shku te baba i vet, me djalin.
Filmi është i mirë, po si ç’po bie rëndom rasti në krijime të tilla këto kohë gjithë damari i mineralit që ushqen subjektin, që e mban miniera shoqërore, i shkulet me një të vetme tërheqje vigane dheut që e mban. Të tilla galeri ndodhirash e fatkeqësishë i nevojiten më tepër komedive ku është lidhja mes situatës dhe skenarit ajo që mban kuptimin e jo në filma të tillë që i qasen ndjesive më të qëndrueshme dhe sjellin një mesazh. Por, megjithë laryshinë e madhe të ngjarjeve, personazheve, situatave filmi e ka një ngadalësi që e përcjell ndjenjën dhe lejon përthithjen e saj. Regjisori, nuk di si ia ka dalë, por ka hedhur në film masën e duhur të boshësisë dhe megjithëse fjalitë kritike gjihen lehtësisht, emocioni i del në mbrojtje filmit. Prej Kryeziut do kemi gjëra më të mira, me siguri.