Opinione mbi natyrën e dasive politike në Shqipëri
Kriza ekonomike, që ka marrë rolin e përcaktuesit të zhvillimeve politike në botën perëndimore të kohëve të fundit, prej një sërë autorësh të shkencave politike e sociale po trajtohet si një simptomë e marrëdhënies së kapitalizmit me demokracinë. Marrëdhënia mes ekonomisë dhe politikës gjithnjë ka qenë e rëndësishme për të kuptuar rrjedhat e ndryshimit shoqëror, por një periudhë e gjatë përparimi ekonomik, krijoi për politikanët evropianë konditat që të mos i kushtojnë vëmendjen e duhur ekonomisë e të përqendrohen në aktivitete politike, me të cilat gjatë kësaj eseje përcillet ideja e komunikimit mes elektoratit dhe elitave qeverisëse e jo në ushtrimit ekzekutiv të pushtetit apo përpjekjet për ndikimin e tij. Në ç’masë kjo hapsirë e komunikimit mes elitave politike dhe elektoratit mund të shquhet si një entitet më vete e në ç’masë ajo përzjehet me të tjera dimensione të veprimtarisë shoqërore, kolektive e individuale, është një pyetje që prej kohësh është zëvendësuar prej morisë së pyetjeve më konkrete që e pasojnë. Gjithësesi, fakti se hapësira që publiku krijon për vete në vendimmarrje, në regjimet demokratike, është lehtësisht e penetrueshme prej perceptimesh e ndjesish që mund të mospërputhen me realitetin dhe të jenë të painjorueshme, mjafton që ajo të merret në shqyrtim si një njësi më vete.
Një fakt i tillë rikthen në qendër vëmendjes së studiuesve të politikës organizmat më konkretë të saj, partitë politike. Pas një periudhe kur u duk se se identiteti partiak ishte duke përjetuar një rënie të rëndësisë së vet për të t’ja lënë vendin formave më pak të qarta politikisht e më shumë teknike, situata përmbyset sërish. Potenciali politik i krijuar prej protestave kundër shtrëngimeve ekonomike në disa vende të Evropës padyshim që nuk do të lihet të shkojë dëm. Është e natyrshme që ko energji të shfrytëzohet meqenëse, partitë kanë një funksion shprehës, ato zhvillojnë një retorikë për përkthimin e dallimeve në strukturën sociale dhe kulturore në kërkesa dhe presione për veprim apo mosveprim. Por ato kanë gjithashtu funksione instrumentale dhe përfaqësuese: ato detyrojnë zëdhënësin të kërkojë marrëveshje për intersa dhe këndvështrime kundërshtuese, të avancojë kërkesat dhe agregojë presionet[1].
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ashtuquajtura “lëvizje e çajit” prej krahut republikan dhe së fundi lëvizja për “pushtimin e Ëall Street” kanë materializuar tashmë tendencat për qartësim të qëndrimeve politike ndërkohë që edhe në Evropë është rigjallëruar diskutimi në terma ideologjikë (qeveritë teknike ngritur për menaxhimin e krizave në disa vende nuk mund të shërbejnë si kundër-argument në këtë kontekst, meqenëse egzistenca e tyre lidhet me problematika tejet specifike). Këto zhvillime rikthejnë nevojën për të përfshirë eksperiencat e reja në kontekstin e gjerë të njohjeve mbi politikën.
Pyetja që përpiqet të ngrejë dhe ti përgjigjet kjo ese ka lidhje me masën në të cilën realiteti politik shqiptar është pjesë e këtyre zhvillimeve që kanë një karakter ‘qytetërimor’, (nëse mund të përdorim këtë koncept) dhe me masën në të cilën ai i nënshtrohet karakteristikave të veta specifike trashëguar prej një të kaluare individuale.
Në analizimin e realitetit politik bashkëkohor në varësi të profilizimeve e bindjeve studiues të ndryshëm zgjedhin të nisin kërkimet e tyre në degëzime nga më të ndryshmet, që mund të burojnë prej mendimit të lashtësisë greko-romake, zhvillimeve shkencore e ekonomike mesjetare, apo nëse janë marksistë prej konfliktit klasor të pranishëm gjatë gjithë historisë së pandërprerë të njerëzimit, etj. Me kalimin e kohës, rëndësia e teorive të ndryshme që ofrojnë shpjegime për zhvillimet në realitetin politik ndryshon. Kjo rëndësi nuk ndryshon vetëm në varësi të kohës por edhe të vendit duke ritheksuar në shencat politike relativitetin aq bezdisës të shkencave sociale.
Qëllimi i kësaj eseje është të përpiqet të shqyrtojë disa rrjedha në realitetin politik shqiptar përmes aparatit metodologjik krijuar prej autorëve Seymor Martin Lippset dhe Stein Rookan, dhe disa studiuesve që u morën me zhvillimet në Evropën Lindore e Qendrore pas rënies së komunizmit, si Herbert Kitschelt dhe Mitchell Orenstein.
Lipset dhe Rookan në fillim të viteve 70-të artikuluan një teori mbi dasitë politikë që u bë paradigmë në fushë të shkencave politike dhe përcaktoi në masë të madhe përmbajtjen e teorive që i pasuan. Këta autorë duke marrë si pikënisje revoucionin industrial dhe atë që ata e quajtën revolucion kombëtar (procesi i krijimit dhe konsolidimit të shteteve kombe) identifikuan karakteristikat e funksionimit shoqëror që më pas do të përcaktonin llojin dhe natyrën e përfshirjes së qytetarëve në politikë. Këta autorë ndoqën zhvillimet në sferën shoqërore dhe mënyrën se si ato u reflektuan në proceset politike deri në mesin e shekullit të XX-të për veçuar disa rregulla të qëndrueshme në pozicionimin politik.
Kitschelt, një ndër profesorët e shquar të politikës në Universitetin Duke të Kalifornisë së Veriut, në veprimtarinë e vet i ka kushtuar vëmendje hapsirës së rivalitet ndërpartiak në Evropën Perëndimore, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në zhvillimin e sistemeve partiake në pjesën e Evropës që kaloi nëpër eksperiencën totalitare.
Vetë përzgjedhja e këtij këndvështrimi për të hulumtuar zhvillimin e jetës politike në Shqipëri bazuar në etapa të tilla kohore ngre një çështje që ka nevojë për sqarim paraprak. Ndikimi real i një të kaluare para 20-vjeçare në përcaktimin e zhvillimeve në ditët e sotme, kur një numër emrash e ngjarjesh janë duke përcaktuar ndjesi, qëndrime dhe veprime aktuale, nuk është i lehtë për tu gjykuar në përmasën e vet, ndaj nëse nuk ka një prani të rëndësishme krahasuar me tematikat e tjera duhet lënë në duart e historisë. Studimet në shkencat politike merren, kryesisht, me atë që duket se është e rëndësishme për zhvillimet në vazhdim. Objektivi i integrimit evropian, interesat gjeopolitikë, interesat e grupeve të biznesit, nevoja imediate e fitimit të zgjedhjeve, etj., prodhojnë informacionin e nevojshëm për të shpjeguar shumicën e fenomeneve që paraqiten për trajtim. Për më tepër, 20 vitet e deritanishëm të tranzicionit patën ndryshime të përmasave jonatyrale në organizim politik, në organizim ekonomik, në strukturë shoqërore e familjare e në mbivendosje të shtuar brezash luftarakë. Ndryshimi i mëhershëm, i ndodhur gjatë ardhjes së regjimit komunist në 1945, nuk kishte qenë kaq dramatik qoftë edhe për shkak të niveleve të ulta të komunikimit dhe zhvillimit urban në shoqërinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që ndikimi i një periudhe në atë pasardhësen nuk është veçse një konvencion në të shprehur dhe periudhat vazhdojnë gjithmonë nëpër njerëz me të cilët shpërfillen reciprokisht.
Por, nga ana tjetër, ndikimi i periudhës, që nis me daljen e Shqipërisë prej Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon me përpjekjet për ndërtimin e një organizmi politiko-ekonomik sipas modelit marksist – leninist, për të përfunduar me rrëzimin e plotë të ngrehinës, është i rëndësishëm për një sërë faktorësh: së pari, për faktin se kjo periudhë solli ndryshime të rëndësishme edhe në nivel rajonal, evropian e botëror. Kur flasim për të kaluarën komuniste duhet pasur në vëmendje, njëkohësisht, që jemi duke folur për një periudhë që megjithë totalitarizmin e sistemit qeverisës pati dimensionet e reales për jetën e gjithë njerëzve që jetuan nëpër të, pra nuk mund të jetë thjeshtë politiko-ekonomike. Përvojat nëpër të cilat u kalua domosdo që përcaktuan funksionimin në aktivitete politike e ekonomike, por ato shtrihen më gjerë, meqenëse nëpër to familja, edukimi, shoqëria e fqinjësia, teknologjia dhe informacioni dhanë kontributin e vet dhe sëbashku përcaktojnë funksionimin në, thuajse, çdo aktivitet.
Së dyti, kjo periudhë për Shqipërinë përkoi edhe me një industrializim të shpejtë të vendit dhe hedhjen e themeleve për një vazhdimësi urbane të tij. Përkrah eksperiencës së rekrutimit nevojtar në Partinë e Punës, qytetari shqiptar, në masë të madhe prezantohej me angazhimin në një aktivitet kolektiv që nuk kishte karakter thjeshtë fisnor, lokal, apo pune. Dhe së treti, në shoqërinë paskomuniste realiteti politik ka për aktorë njerëz që drejtëpërdrejtë janë formuar apo motivuar prej eksperiencave të kësaj periudhe.
Në vazhdim do të prezantohet shkurtimisht modeli i Lipset dhe Rokkan për të shpjeguar faktorët që kanë formësuar orientimet politike të qytetarëve dhe partive politike, në vendet e Evropës Perëndimore. Në nëndarjen vijuese do të hidhet një vështrim i shkurtër mbi mënyrën se si ky model u përdor prej disa prej autorëve që shqyrtuan tematikat e përkatësisë politike në vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore që dolën prej regjimeve komuniste. Bazuar në këtë aparat teorik do të përfundohet me disa reflektime mbi realitetin shqiptar.
Si shoqërorja bëhet politike?
Lipset dhe Rokkan në punimet e tyre mbi dasitë në aktivitetin politik, kryesisht atë partiak, nisin hulumtimet në periudhën kur nisi krijimi i shtetit-komb dhe u zhvillua revolucioni industrial. Besimi i tyre është se dasitë e krijuara në këtë periudhë vazhduan në një formë apo në një tjetër të ishin të pranishme deri në në mesin e shekullit të XX-të, apo krijuan në vendet e ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara, trasetë nëpër të cilat do të vazhdonte rreshtimi politik i qytetarëve.
Ata dallojnë katër boshte që formojnë hapsirën për krjimin e dallimeve të karakterit politik. Këto boshte kanë në skajet e veta qëndrimet rivalizuese të:
1. qendrës dhe periferisë
Autorët në këtë kundërshti prezantojnë dallime dhe rivalitete etnike, gjuhësore dhe fetare për të kontrolluar kulturën dhe moralitetin (që lidhen edhe me formimin e shteteve kombe). Ngritja e një burokracie kombëtare, përpjekjet për themelimin e një sistemi edukimi kombëtar nën kontrollin e centralizuar të shtetit, dhe reagimi i njësive më të vogla e periferike me dallime etnike, fetare apo shtresore ishin shfaqjet që nxorrën pah këtë rivalitet.
2. kishës dhe shtetit
Beteja mes shtetit dhe kishës për kontrollin mbi moralin dhe normat që rregullojnë veprimtarinë e individit kryesisht zhvillohet duke patur në mendje nevojën e një mobilizimi masiv të qytetarëve. Kontrolli mbi sistemin e edukimit, kontrolli mbi pasuritë e institucioneve fetare, megjithëse jo qëndror, kontrolli mbi disa parime themelore të moralit si solemnizimi i martesës dhe pranimi i divorcit, mbështetja e një qasje religjoze apo mjeksore, organizimi i bamirësisë dhe trajtimi i shkelësve të normave, kanë qenë disa ndër fushat ku është zhvilluar ky rivaliteti.
3. urbanes dhe rurales:
Një rivalitet ky që ruajti qëndrueshmërinë deri vonë në politikën evropiane dhe që u përqendrua përgjithësisht në rivalitete mbi strukturën e pronësisë në fshat dhe mbi masën e pasurisë dhe kontrollit politik që duhej të përqendrohej në qendrat urbane. Diskutime mbi shpërndarjen e barrës fiskale, shpërndarjen e investimeve, ishin thelemelore në këtë ndarje, por pa përjashtuar edhe rivalitete të karakterit kulturor.
4. klasore mes punëtorëve e kapitalistëve.
Konfliktet mes punëtortëve dhe punëdhënësve kryesisht tregojnë për një negocim mbi çështje ekonomike por edhe injektime ideologjike dhe dallime mbi trajtime të tematikave kulturore bëhen pjesë e këtij rivaliteti. Ndryshimet në strukturën e shoqërisë që dobësuan riuvalitete si ai mes urbanes dhe rurales apo shtetit dhe kishës nuk bënë tjetër veçse akumuluan energjinë në konfliktin klasor duke e bërë atë më të larmishëm dhe rëndësishëm.
Këto katër dallime janë identifikuar, prej autorëve, si të rëndësishme në momentin e parë të angazhimit masiv politik të qytetarëve në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe SHBA-ve, (megjithëse forma të ndryshuara të tyre vazhdojnë të jenë në bazë të), ndërkohë që për shoqëritë ku është arritur një fazë e avancuar e mobilizimit për funksionimin dhe rreshtimin politik të qytetarëve ata i japin një rëndësi të madhe edhe vazhës që vetë praktika e angazhimit ka krijuar. Në këtë vazhdimësi praktikash që janë të rëndësishme ata veçojnë: a) traditat e vendimmarrjes, b) kanalet për shprehjen dhe mobilizimin e qëndrimeve kundër, c) mundësitë, avantazhet dhe kostot e krijimit të aleancave, d) mundësitë, implikimet dhe kufizimet që ka qeverisja e shumicës brenda sistemit. Bazuar mbi këto praktika ata identifikojnë katër ndryshore (legjitimi, përfshirja apo inkorporimi, përfaqësimi dhe pushteti i mazhorancës,) mbi të cilën mbështesin kategorizimin e sistemeve politike të vendeve të ndryshme. Në varësi të shkallës (e lartë, e mesme apo e ulët) me të cilën ndeshim brenda një sistemi politik secilën prej ndryshoreve të sipërpërmendura mund të kategorizojmë llojin e sistemit politik që kultivohet në atë shoqëri.
Veç burimeve parësore të dallimeve politike, qendër – periferi, kishë – shtet, urbane – rurale dhe dallimeve klasore si dhe vazhdës së zhvillimeve politike për Lipset e Rokkan një vëmendje të veçantë meriton edhe dinamika e funksionimit të partive politike, të cilat pas krijimit të tyre themelojnë praktika që i japin karakteristikat e veta sistemit politik.
Kombinimi i këtyre elementëve është vendimtar në përcaktimin e karakteristikave të sistemit politik. Kështu në rast se partitë që marrin pjesë në jetën politike të vendit janë krijuar para se dasitë që përmendëm më lartë të kenë kaluar nëpër procesin që do ti bënte ato domethënëse një fakt i tillë do të reflektohej në zhvillimin afatgjatë të sistemit politik, ndërkohë që nëse dallimet e përmendura do të forconin shumë ndikimin e tyre në krijimin e identitetit politik të qytetarëve atëherë do të haseshin vështirësi të mëdha në krijimin e partive, ndërkohë që përpjekjet për tejkaluar vështirësitë që lindin prej këtyre zhvillimeve në vend që të çojnë në krijimin e strukturave që rrisin përfaqësimin zakonisht çojnë në rindarje dhe formime partishë të reja.
Interpretime për tranzicionin
Skema e krijuar prej Lipset dhe Rokkan ka shërbyer si model për analiza prej një sërë autorësh të tjerë që janë angazhuar në interpretimin e sistemeve politike ndër në vende të ndryshme. Skema e tyre ka qenë pikënisje edhe për reflektime mbi sistemet politike të krijuara në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore që dolën prej regjimeve të diktaturës komuniste në fillim të viteve 90-të. E kaluara komuniste është parë prej shumë teoricienësh si një element përcaktues për shoqëritë pas-komuniste. Edhe në rastet kur e kaluara para komuniste bëhet e pranishme, ndikimi i saj vjen i ndërmjetësuar prej institucionesh e praktikash të regjimeve komuniste, megjithëse disa autorë mendojnë se e kaluara parakomuniste ka qenë vendimtare në format e shfaqura pas rënies së tij.
Herbert Kitschelt dhe kolegët e tij, Zdenka Mansfeldova, Radoslav Markoëski e Gabor Toka në veprën e tyre “Sistemet partiake pas-komuniste” modifikojnë skemën e Lipset dhe Rokkan për artikulimin e dasive politike dhe materializimin e tyre në aktivitet politik dhe për t’ja përshtatur atë një realiteti të ri në një periudhë tejet të ndryshme të zhvillimit historik prej asaj të pas revolucionit të krijimit të shteteve kombe dhe atij ndustrial.
Dallimet në qëndrime ekonomike që i hasim në boshtet e rivalitetit qendër dhe periferi dhe në atë klasor, ata i shkrijnë në një të vetëm të cilin e formulojnë si dallimi mes “proteksionistëve socialë, që përkrahin një ndarje politike të të mirave materiale në shoqëri dhe rrjedhave ‘liberale’ që bëjnë thirrje për shpërndarje të të mirave në varësi të vullnetit spontan të tregut[2]”. Ata vazhdojnë më tej me adaptimin e skemës së Lipsetit dhe Rokkanit duke përgjithësuar rivalitetet në boshtin shtet – institucione fetare në një konflikt mbi mënyrat socio-kulturore të kontrollit, të normave dhe mekanizmave të vendimarrjes. Duke dalluar një këndvështrim më “libertarian” që mbron një autonomi individuale në zgjedhjen e stilit të jetesës dhe normave dhe pjesmarrje demokratike në vendime kolektive, prej një këndvështrimi më “autoritar” që mbështet norma imponuese kolektive dhe një strukturë hierakike në vendimarrje më të qartë[3]. Kitshelt dhe kolegët nuk mungojnë të ridizenjojnë edhe konfliktin qendër – periferi ku ata tashmë identifikojnë dy konflikte: një përplasje mes mbylljes kombëtare dhe hapjes kozmopolitane dhe së dyti një përlasje mes grupeve etnike në shoqëritë e ndara socio-kulturalisht. Skemës së tyre për vendet pas-komuniste ata i shtojnë edhe ndarjen mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të regjimit të vjetër komunist.
Duke analizuar mbi skemën e rikrijuar dhe duke zhvilluar një punë të detajuar krahasuese këta autorë identifikojnë dy karakteristika që përcaktojnë në masë të madhe regjimet pas-komuniste dhe që kanë ndikim në tranzicionin drejt demokracisë dhe cilësinë e tyre.
Së pari, ata veçojnë modelin e aparatit shtetëror gjatë regjimit komunist si një përcaktues i rëndësishëm për llojin e sistemit politik që do të formohet.
Modeli burokratik formalo-racional që përjashton korrupsionin dhe klientelizmin si dhe administrata ‘trashëgimore’ që bazohet në rrjetet personale të besnikërisë, kujdestarisë, korrupsionit dhe nepotizmit.
Faktorët që përcaktojnë se cili prej këtyre modeleve u zhvillua në vendet komuniste varet prej së kaluarës parakomuniste dhe prej rrjedhave të mëhershme të shtetformimit të tilla si zhvillimi ekonomik apo kapaciteti për mobilizim politik. Atje ku ekonomitë kapitaliste të tregut kishin filluar të zhvilloheshin para ardhjes së komunizmit, ku mund të gjeheshin tradita të shtetformimit dhe mobilizim politik i shtuar, probabiliteti për të pasur një aparat shtetëror me karakteristika të një modeli burokratik është më i madh. Për më tepër, në vendet me ekonomi industriale më të zhvilluar ishte i mundur një distancim më i madh mes aparatit shtetëror dhe partive komuniste apo socialiste. Për të mbërritur në këto gjetje, Kitcshelt dhe kolegët e tij kanë studiuar në mënyrë të krahasuar të dhëna prej të tre periudhave në Poloni, Hungari, Çeki dhe Sllovaki, etj.
Dimensioni i dytë ku mund të vërehen dallime me pasoja për periudhën pas-komuniste, mes regjimeve komuniste ka të bëjë me mekanizmat e përdorur prej partive komuniste për të siguruar aprovimin e bashkëpunimin e popullatës. Sipas Kitscheltit dhe kolegëve të tij masa në të cilën udhëheqësit komunistë, pas vdekjes së Stalinit, toleruan një masë pluralizmi në organizimin ekonomik dhe atë politik, (megjithëse nën tutelën komuniste) është i rëndësishëm për periudhën e tranzicionit.
Këtu sërish lind nevoja për të shkuar në periudhën para komuniste për të shpjeguar karakteristikat e regjimit komunist. Niveli i organzimit dhe i anëtarësisë në partitë komuniste dhe opozitat e tyre borgjeze përcakton në një farë mase kombinimin e shtypjes, adaptimit dhe tolerimit të pakënaqësisë.
Trashëgimia politike në tranzicionin e Shqipërisë
Skema e Lipset dhe Rokkan, megjithëse ofron mundësi të shumta për analizimin e marrëdhënieve mes elektoratit dhe elitave politike, në rastin e shoqërive që dolën prej regjimeve komuniste ka nevojë për modifikime të rëndësishme. Ndëkohë që specifikat që paraqet secili vend e bëjnë akoma të vështirë kategorizimin. Duke interpretuar realitetin shqiptar me aparatin analitik të krijuar prej Kitsheltit dhe kolegëve të tij mund të thuhet se Shqipëria duhet të konsiderohet si një vend që gjatë regjimit komunist ka zhvilluar një administratë trashëgueshmërie. Në periudhën parakomuniste ekonomia e vendit ishte thuajse tërësisht agrare me pak sipërmarrje industriale në qytetet kryesore. Klasa punëtore ishte tejet e kufizuar në numër dhe jo-aktive politikisht, ndërkohë që një pasivitet edhe më i madh hasej në popullsinë rurale. Karakteristikat kulturore të shoqërisë shqiptare gjatë kësaj periudhe përfshijnë një rol të rëndësishëm të lidhjeve familjare në jetën kolektive ndërkohë që haset edhe një tendencë e fortë rajonalizmi, apo lokalizmi, çka u reflektua edhe në mendësinë që udhëhoqi liderët komunistë në krijimin e aparatit shtetëror.
Shqipëria parakomuniste njohu një zhvillim politik tejet të cunguar që u ndërpre prej pushtimit të vendit më 1939-ën. Për këtë arsye ajo mund të përfshihen në grupin e vendeve ku, sipas Kitcsheltit et al, “e majta komunisto-socialiste si dhe organizata politike borgjezë ishin të dobta dhe vetëm agrarët ishin në gjendje të mobilizonin masat rreth shoqatave civile”. Në këto vende ajo që është karakteristike në periudhën komuniste është përdorimi prej udhëheqësve komunistë i shtypjes së ashpër dhe nxitjes për adaptim, ndërkohë që pakënaqësia nuk tolerohej aspak[i].
Duke e parë në vazhdën e këtyre dy dimensioneve, qeverisja burokratiko formale dhe ekuilibrat e pushtetit mes komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre në periudhën parakomuniste, Shqipëria pa hezitim mund të renditet ndër vendet e komunizmit ‘trashëgimor’. Dy modelet e tjera që Kitcshelti dhe kolegët kanë identifikuar si alternative ndaj modelit komunisto trashëgimor janë komunizmi komb-akomodues, ku mund të gjehen forma më të zhvilluara të qeverisjes burokratike formalo-racionale që ulin në një masë më të madhe ndikimin e partisë në administrimin teknik të shtetit; si dhe komunizmin burokratiko-autoritarsit, me një kontroll strikt të partisë mbi aparatin burokratik, por me një nivel më të lartë profesionalizmi se në komunizmin trashëgimor. Në përkufizimin e këtij të fundit, Kitcshelt dhe kolegët e tij shkruajnë: “komunizmi trashëgimor mbështet në zinxhirë varësishë personale mes liderëve të aparatit shtetëror dhe partiak dhe shpurave të tyre, i lehtësuar prej rrjetesh të gjera patronazhi dhe klientelizmi. Në kulmimin e regjimeve trashëgimore, pushteti politik përqendrohet rreth një klike të vogël ose një individi të adhuruar prej një kulti personaliteti. Niveli i institucionalizimit racionalo-burokratik në shtet dhe parti mbetet i ulët meqenëse klika qeverisëse penetron aparatin përmes emërimeve nepotike. Ndërkohë që në një sistem monolitik qytetarët nuk janë të motivuar të bëjnë dallimin mes sistemit dhe personave në detyrë[4].
Në rastet ekstreme këto regjime i japin jetë formave ‘sulltanore’ të qeverisjes (siç janë përkufizuar regjimet e ngjashme prej Linz dhe Stepan). Në sistemet trashëgimore ushëheqësi me vendosmëri shtyp çdo lëvizje opozitare që kërkon të drejta për pjesëmarrje ose rehatojnë sfiduesit e mundshëm përmes nxitësve selektivë (emërime, privilegje materiale)’[ii].
Dasitë politike në Shqipëri
Linz dhe Stepan në veprën e tyre mbi konsolidimin e demokracive shkruajnë se ka nevojë që të garantohet funksionimi i mirë i pesë institucioneve për të pasur një demokraci të konsoliduar. Që të arrihet kjo ka nevojë që të krijohet liria e nevojshme për zhvillimin e shoqërisë civile, të krijohen parti politike autonome dhe të vlerësuara, të mbisundojë ligji, të ketë një burokraci funksionale dhe të zhvillohet një shoqëri ekonomike e institucionalizuar që të ndërmjetësojë mes shtetit dhe tregut[5]. Në ç’masë është e nevojshme prania e një demokracie të konsoliduar për të garantuar një pozicionim të qartë dhe racional të qytetarëve brenda sistemit politik?, është një pyetje e vështirë për tu adresuar. Sistemet jo-demokratike shpesh kanë arritur nivele të larta mobilizimi, çka nënkupton një pozicionim të qytetarëve, ndërkohë që pas rënies së komunizmit nuk ishin të paktë teoricienët dhe politikanët që mbështetën një avacim të reformave ndërkohë që ndjeshmëria e opinonit publik ishte ende ca e mpirë prej ritmeve të larta të ndryshimit që sillte tranzicioni.
Mitchell Orenstein në veprën e tij “Dalë prej së kuqes[6]” shkruan se vendet e Evropës Qendrore e Lindore në fillim të përpjekjeve për ndërtimin e ekonomisë kapitaliste dhe institucioneve politike u ballafaquan me pyetjet në vijim:
“A do të ishin demokracitë e reja të afta të gjeneronin autoritetin politik për të vënë në zbatim ndryshime ekonomike radikale ndaj protestave të interesave të fuqishëm dhe humbësve të pakënaqur të tranzicionit? Çfarë do të bënin reformatorët në rast se forca politike madhore do ti kundërviheshin revolucionit të tregut? Disa u shqetësuan se mos reformatorët e zellshëm mund të përmbysnin demokracinë në mënyrë që të vazhdonin me tranzicionin. A nuk do të ishte ky një reagim i arsyeshëm kundrejt rrezikut të një demokracie populiste? Përndryshe, nëse reformat ekonomike do të pasuronin një elitë të vogël ‘fitimtarësh’ a rrezikonte kjo elitë të zhvlerësonte demokracinë për të ruajtur avantazhet e veta? A do të mundeshin institucionet e reja politike demokratike të shmangnin vërshimin e forcave të çliruara të ekonomisë së tregut’[iii]
Tashmë, rreth 20-vjet më mbrapa disa nga këto pyetje kanë marrë përgjigje, por ajo që mund të vihet re në to është se gjerësisht egzistojnë pritshmëri që nga një elitë politike të merren vendime që mund të anashkalojnë nevojën për përfaqësim. Ndërmarrja e reformave radikale për rivitalizimin e ekonomisë, që u ndërmorrën në shumicën e vendeve që dolën prej regjimeve diktatoriale, ishte një dëshmi e qartë e situatës ku elektorati nga njëra ana nuk merr informacionin e mjaftueshëm për të zgjedhur pozicionin e tij në sistemin politik dhe nga ana tjetër nuk egzistojnë institucionet e nevojshme për të artikulimin e këtij pozicioni.
Transferimi i skemës për krijimin dhe konsolidimin e dasive politike nga Lipset e Rokkan tek Kitschelt dhe kolegët e tij shfaq një seri vështirësish. Ritmet e larta të zhvillimeve dhe problematikat jo normale që karakterizojnë periudhën e tranzicionit luajnë ro
lin e vet. Pra veç pozicionit te qytetarëve në hartën e angazhimit politik vetë sistemi politik është duke u reformuar.
Lipset dhe Rokkan në veprën e tyre e patën identifikuar dhe njohur rolin që ka praktika e krijuar prej partive në artikulimin dhe funksionimin e dallimeve politike. Natyrisht në këtë kontekst vazhdojnë të jenë të rëndësishme dallimet që shquajnë si të rëndësishme Kitschelt dhe kolegët e tij:
- mes proteksionistëve socialë, që përkrahin një ndarje politike të të mirave materiale në shoqëri dhe rrjedhave ‘liberale’ që bëjnë thirrje për shpërndarje të të mirave në varësi të vullnetit spontan të tregut
- mes libertarianëve që mbrojnë një autonomi individuale në zgjedhjen e stilit të jetesës dhe normave dhe pjesmarrje demokratike në vendime kolektive, prej këndvështrimit “autoritar” që mbështet norma imponuese kolektive dhe një strukturë hierakike në vendimarrje më të qartë
- mes mbylljes kombëtare dhe hapjes kozmopolitane
- mes grupeve etnike në shoqëritë e ndara socio-kulturalisht.
Këto dallime pavarësisht qëndrueshmërisë që ruajnë në vazhdimësinë e organizimit politik shfaqin problematika të veçanta në rastet specifike. Disa ndër këto problematika që do të vlenin të merren në konsideratë do të ishin:
Ideja se votuesit kanë një ide pak a shumë të qartë në lidhje me mënyrën se si ata do të ballafaqohen me kushtet e ekonomisë së tregut merret si një e dhënë e mirëqenë në skemën e Kitscheltit për pozicionimin e qytetarëve në hartën e sistemit politik. Siç e përshkruajnë, “në terma të përgjithshëm, ata që presin tëhumbasin prej ekonomisë së tregut tentojnë të kundërshtojnë reformat ekonomike dhe të mbështesin mbrojtjen sociale, ekonominë e ndërmjetësuar administrativisht, ndërkohë që fituesit e liberalizimit të tregut e mbështesin atë[iv]”. Të qenit i ri, i edukuar, mashkull dhe me lidhje të shumta sociale në shtresën e profesionalo-manaxheriale bëjnë dikë të simpatizojë reformat ndërkohë që e kundërta ndodh për pensionistët dhe gratë e moshuara, që nuk kanë ç’presin prej reformave. E një rëndësie të veçantë në këtë kontekst është marrëdhënia me pronën private. Çështja e pronësisë mbi tokën është identifikuar nga Artan Fuga si përcaktuese në rezultatet e zgjedhjeve të para në Shqipëri, ku një pjesë e madhe e popullësisë rurale vendosi të votonte për të mbështetur forcën politike që garantonte një frnim të përpjekjeve për rikthim të tokës tek pronarët e vjetër. Ndërkohë që, pronarët e vjetër të tokave vendosën të simpatizojnë forca politike që jepnin përshtypjen se do të avanconin rikthimin e pronës.
Dallimi mes libertarianëve që mbrojnë një autonomi individuale në zgjedhjen e stilit të jetesës dhe normave dhe pjesmarrje demokratike në vendime kolektive, prej këndvështrimit “autoritar” që mbështet norma imponuese kolektive dhe një strukturë hierakike në vendimarrje më të qartë gjithashtu është jo fort i qartë për shkak të pozicionimit disi periferik të problematikave të tilla në artikulimin politik gjatë tranzicionit dhe nga ana tjetër për shkak të paqartësive në këtë kontekst. Në shumicën e rasteve qëndrime të tilla prezantohen si qëndrime personale ndaj sjelljeve të rivalit politik e jo si qëndrime që shprehin mbështetje për një moral të qartë që duhet të mbizotërojë brenda shoqërisë.
Mbyllja kombëtare dhe hapja kozmopolitane gjithashtu nuk ka krijuar mundësi për ndryshime të qarta mes partive të mëdha. Integrimi evropian dhe mbështetja e gjerë që ka për të në opinion publik shqiptar ka nxitur partitë politike të maten vetëm në angazhimin e tyre se kush do të mundësojë më shpejt hapjen dhe integrimin.
Ndikimi i përkatësisë në grupe etnike gjithashtu është një tematikë dinamika e së cilës ka pësuar ndryshime gjatë viteve të tranzicionit. Shqipëria në retorikën e drejtuesve politikë është trajtuar si një vend me homogjenitet të lartë në të cilën dallimet etnike nuk luajnë ndonjë rol në politikbërje. Për më tepër kompromisi i përfshirjes së përfaqësuesve të komunitetit grek, e vetmja pakicë me pretendime për ndonjëfarë protagonizmi politik, në thuajse çdo qeveri pavarësisht orientimit politik të saj ka siguruar zhvlerësimin e peshës politike që do të kishte poziocionimi i partive të mëdha ndaj minoritetit. Në fillim të viteve 90-të nën qeverisjen e Partisë Demokratike një qëndrim i qartë u artikulua duke nxjerrë jashtë ligji organizatën e minoritetit grek dhe gjykimin e disa anëtarëve të saj. Gjithësesi krijimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe përfshirja e saj në koalicionet qeverisë të Partisë Socialiste pas 1997-ës dhe më pas në koalicionin e PD-së siguroi përjashtim të kësaj tematike prej rivalitetit të partive të mëdha.
Në vazhdë të këtyre argumentave me interes shfaqet edhe rivaliteti mes jugut dhe veriut në Shqipëri. Ky rivalitet që kulminacionin e vet e arriti me thirrjet për “pajtim kombëtar” që u artikuluan gjatë krizës së vitit 1997, por që duket se ka qenë i pranishëm në mendimin politik të shqiptarëve prej shumë kohësh. Këto dy rajone patën marrëdhënie të pabarabartë me regjimin komunist, që u amplifikuan edhe prej strukturës sociale të shoqërisë shqiptare. Jugu me përfshirjen e vet më të madhe në rezistencën e e udhëhequr prej komunistëve kundër pushtuesit të huaj siguroi një përfaqësim më të madh në administratën shtetërore dhe më tej ishte më i favorizuar në investime apo përfaqësim. Udhëheqja e partisë ishte e dominuar prej anëtarësh me origjinë nga jugu i vendit. Edhe në kongresin e 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, kongres ky që përcaktoi dhe shndërrimin e emrit në Parti Socialiste dhe modifikoi programin e partisë, dominimi i antarëve prej jugut ishte i qartë, sipas studiuesit Artan Fuga[7]. Gjithësesi rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë dhënë ndonjëherë provat e qarta për një ndikim të rëndësishëm të origjinës gjeografike dhe pozicionimit politik.
Argumenti gjen përdorim herë pas here dhe në fushatat elektorale në veriun e Shqipërisë herë pas here premtohet për angazhime që do të riparojnë dëmin e neglizhimit të veriut për një kohë të gjatë, por pesha e tij mbetet e paqartë.
Argumentat e mësipërm u përpoqën të tregojnë se dallimet në strukturën e organizimit shoqëror që kanë një impakt në pozicionimin e qytetarëve në hapsirën politike, në një situatë ndryshimesh të vrullshme, humbin pjesë nga rëndësia vet dhe lejnë mundëinë që të tjerë faktorë të bëhen dominues. Në këtë kontekst, dimensioni tjetër që merret në konsideratë në pozicionimin e qytetarëve në hapsirën e sistemit politik ka të të bëjë me atë që ofrojnë partitë politike. Sërish sipas Kitsheltit dhe kolegëve, kur votuesit zgjedhin një parti të re, një ndër këto tre konsiderata është vendimtarja: simpatia me personalitetin e kandidatëve të partisë, pritshmëria për avantazhe personale të drejtpërdrejta ose jo nga fitorja e njërës forcë politike ose një tjetre, ose garantimi i avantazheve në formën e të mirave për kolektivin. Ç’ka çon në ravijëzimin e një skeme ku dallojmë tre lloje partish: karizmatike, klienteliste dhe programatike[v]. Në realitet ne ndeshim përzjerje mjaft komplekse të këtyre modeleve por gjithësesi një kategorizim i partive sipas këtyre modeleve nuk është i pamundur.
Partitë karizmatike kanë kosto të ulta organizimi dhe arritjeje të konsensusit meqenëse ato kryesisht janë një masë e pastrukturuar njerëzish që mblidhen rrotull një lideri. Autoriteti karizmatik është jo fort i qëndrueshëm meqenëse ai qëndron dhe bie me një njeri të vetëm, por edhe sepse udhëheqësit shpejt do të jenë të detyruar të sigurojnë përfitime të konsiderueshme për mbështetësit e vet. Në këtë fazë ata janë të detyruar të angazhohen në ngritjen e organizatave dhe të fillojnë të prodhojnë nxitës të veçantë ose kolektivë që e shndërrojnë këtë parti në klienteliste ose programatike. Liderët karizmatikë me vetëdije bëjnë të paqarta angazhimet e tyre politike për të shmangur largime apo reagime të elektoratit. Pasuesit frymëzohen përmes nxitjeve si të qenit fizikisht pranë liderit që mbart cilësi dhe tipare të veçanta. Marrëdhëniet mes liderit dhe pasuesit janë të shenjuara prej asimetrisë, drejtëpërdrejtësisë dhe pasionit të madh të pasuesit. Në partitë karizmatike marrëdhënia me qyetarët krijojnë imazhin e një demokracie deleguese në të cilën drejtuesit kërkojnë mandatin politik por nuk ka llogaridhënie dhe ndjshmëri ndaj preferencave politike dhe kërkesave materiale të votuesve.
Partitë klienteliste i kushtojnë mjaft rëndësi strukturës organizative dhe duhet të ofrojnë një rrjedhje të vazhdueshme burimesh për pasuesit e tyre, por investimi në procedurat e arritjes së konsesusit brenda partisë është i vogël. Avantazhe materiale, ose të ndonjë forme tjetër, direkte për ata që mbështesin partinë janë mënyra se si këto parti ruajnë mbështetjen e elektoratit të tyre. Në varësi të kontekstit social-kulturor, klientelizmi bazohet në lidhje hierarkike personale mes politikanëve dhe klientëve ose në shkëmbime të organizuara me mekanizmin politik, çka njihet edhe si klientelizëm instrumental. Partitë klienteliste i heqin votuesve kontrollin mbi zgjedhjet e politikanëve për politika publike duke e zëvendësuar atë me përfitime të prekshme dhe të drejtëpërdrejta. Investimi I poltikanëve në kapacitet organizacionale të partisë kryesisht qëndron në kapacitetin për të siguruar burime prej klientëve dhe pastaj për ti rishpërndarë ato.
Partitë programatike duhet të investojnë në organizimin administrativo-infrastrukturor dhe në procedurat për arritjen e konsensusit. Këto parti kompensojnë votuesit e tyre jo-drejtëpërdrejtë përmes paketave të politikave që politikanët premtojnë të venë në jetë në rast se zgjidhen. Partitë e bazuara në programe kanë kostot më të larta në koordinimin mes mbështetësve të partisë dhe drejtuesve të saj dhe kanë nevojë për informim dhe aftësive njëhëse të larta ndër votuesit, në mënyrë që të arrihet një zgjedhje inteligjente mes alternativave konkuruese. Këto parti tentojnë të ndërtojnë një strukturë organizative për prezantimin e ideve të tyre mbi mënyrën se si duhet të funksionojë shoqëria dhe të mirat kolektive që ata do të arrijnë si dhe për të tërhequr aktivistë dhe lidera që do të promovojnë dhe venë në zbatim këto ide.
Partitë karizmatike dhe klienteliste kanë tendencën të bëjnë konkurrimin demokratik të duket i pavend dhe i paarsyeshëm në këndvështrimin e votuesve të painteresuar. Ato nxisin cinizëm ndër votues, veçanërisht ndër rradhët e elektoratit të edukuar. Nëse konkurrimi partiak bazohet në karizmën e politikanëve të veçantë votuesit i japin një “çek të bardhë” udhëheqësve që kanë mundësi të bëjnë çfarë tu pëlqejë pasi të zgjidhen. Votuesit nuk mund të llogarisin bazuar mbi arsye pasojat e politikave që ata zgjedhin dhe mund të shohin që interesat e tyre nuk janë duke u mbrojtur[8].
Përfundime
20 vjet pas fillimit të tranzicionit, drejt një organizimi tjetër politik e ekonomik, shoqëria shqiptare nuk e ka të lehtë të kuptojë nëse ka hyrë në një fazë tjetër të zhvillimit ku aktiviteti politik ka rregulluar shtratin e vet dhe nevoja për ndryshime të rëndësishme është më e rrallë dhe e mirëpeshuar.
Partitë politike si një institucion i rëndësishëm i funksionimit të shoqërisë manifestojnë një sërë karakteristikash që i mbledhin prej prurjesh individuale e shoqërore si dhe prej vetë organizimit e vazhdimësisë së tyre. Karizma, klientelizmi dhe nxitja programatike janë mekanizma tejet aktive në rekrutimin e qytetarëve në pozicione politike sa edhe perceptimi i tyre për identitetin e vet social-politik. Në këtë kontekst bëhet e nevojshme mbajtja gjallë e një niveli të lartë konfliktualiteti ndërpartiak i cili kontrollon deri diku lëvizjen e aktivistëve nga njëra forcë tek tjetra dhe njëkohësisht ndihmon qytetarët që të vendosin për pozicionim. Mendoj se në këtë kontekst duhen parë shumë prej lëvizjeve që demostrojnë vullnet dhe energji, por që në përfundim treten nëpër marrëveshje të pavlera që nuk funksionojnë e që japin bazë për demostrime të reja konfliktualiteti.
Bibliografi
H. Kitschelt, Zdenka Manfeldova, Radoslaë Markoëski, Gabor Toka. Post-Communist Party Systems Cambridge University Press 1999
Kitschelt p 449 Party cleavages in post-communist democracies Party politics Vol. 1. No. 4 Sage publications 1995
Lipset S., Rokkan, S. ed., Cleavage structures, party systems and voter alignment, New York, The Free Prees, 1967
Linz J. Juan and Stephan Alfred, Toward consolidated democracies, http://dev.ulb.ac.be/sciencespo/dossiers_supports/linz-et-stepan1.pdf
Orenstein Mitchell, Out of the Red, University of Michigan Press, Miçigan, 2001
Fuga Artan, ‘Majtas jo djathtas’ Tiranë, Ora, 2003
[1] Lipset S., Rokkan, S. ed., Cleavage structures, party systems and voter alignment, 1967, New York, The Free Prees, p.5
[2] Ibid 64
[3] Ibid 64
[4] Ibid fq.4
[5] Linz J. Juan and Stephan Alfred, Toward consolidated democracies, http://dev.ulb.ac.be/sciencespo/dossiers_supports/linz-et-stepan1.pdf
[6] Orenstein Mitchell, Out of the Red, 2001, University of Michigan Press, Miçigan
[7] Fuga Artan, ‘Majtas jo djathtas’ Tiranë, Ora, 2003 fq. 103
[8] H. Kitschelt, Zdenka Manfeldova, Radoslaw Markowski, Gabor Toka. Post-Communist Party Systems Cambridge University Press 1999, p. 450