“1001 net” plot përralla të paprera, iu deshën mbretit Shehrijar, t’i ikte zakonit të keq për të vrarë çdo femër me të cilën e quante natën të mbyllur. Në fund të njëmijë e një netëve, kur Sheherezadja mbaroi gjithë përrallat që dinte, ky sadist i çmendur e fal Sheherezaden tonë aq të dijshme e të këndume, sa mos me ta marrë mendja, dhe fal edhe veten e vet, dhe e fal edhe Allahu i madhërishëm që gjithsesi i fal të gjithë. Dhe dënon pamëshirshëm të tjerët, si gjithë zotat e tjerë pak a shumë. Njëmijë e një net pagjumësi, Gilgameshi nuk i kishte menduar kurrë të përballueshme, por mbreti Shehríjar i duroi pa problem, madje me dëshirën e vet, e vetëm falë përrallave (megjithëse mund të bëhet fjalë edhe për novelëza gazmore madje edhe ndonjë roman).
Njëmijë e një net mbushur plot me dashuriçka që dalldisin princër e mbretër dhe plot verë ngjyrë rubinësh që gëzon shpirtrat, me xhinde të tërbuar që kalojnë një vit shkretëtirë për një ditë e plotësojnë dëshira duke shfrytëzuar thesarin e madh të së nëndheshmes, dhe luftra, dhe ngjyra e poezi dhe dëshira… E histori nga një këndvështrim kaq tjetër… “1001 net”, dikur njomzakëve të prerjes sime i vinte nëpërmjet një libri që kish një dorë të mirë përrallash të lavdishme, mes të cilave të vijnë përnjëherë në mendje: Sinbad Detari, Aladini, Ali Baba me dyzet hajdutë, ajo princesha që kishte pushtet në disa botë, ai kali fluturues që ishte që në kopertinë e disa lloje qeniesh. Dhe ndonjë xhind.
Por përrallat për të cilat flas këtu nuk janë ato. Bëhet fjalë për një vepër tjetër që nuk i përmban e përmbahet në to; veç pak përjashtimeve. Sërish është Sheherezadja që tregon, por përrallat e saj janë më të shumta dhe përmbajtja e tyre fiton një larmi të re: ato janë për të rritur. Ishte praktikë e mbretërve nëpër “Një mijë e një net” të mbledhin histori të cilat i bëjnë të shkruhen me ar nëpër kartëra me përmbatje ari që i depozitonin në thesar mes mijëra arturinave që do t’i trashëgonin brezat. Disa histori ia vlenin që të shkruhej në kënde të syve me shkronja të arta.
Një histori plot histori. Se “Njëmijë e një net” ofrojnë këndvështrim me vlerë për histori e etnografi, antropologji e sociologji, psikologji e kështu me radhë. Në fillimet e “1001 e një netëve” thuhet “jeta e brezave që shkuan është një mësim për brezat që vijnë; se njeriu, duke dëgjuar ç’u ka ngjarë të tjerëve, mbledh mendjen e i vë fre vetes. Lëvduar qoft’ Ay i cili urdhëroi që historia e brezave të vjetra të jetë mësim për brezat e pastajme.”
Aty mësojmë se atëherë “kish asi monedhash të arta aq të zbukuruara me lule të gdhendura anash”, që qarkullonin vetëm në pallatin e Kalifit. Aty ka një dorë fabula, ndër të cilat edhe ajo e zotriut që mëson gjuhën e kafshëve dhe e gomarit që mëson kaun të gënjejë, e të tjera me kafshë që ia hedhin njëra tjetrës tamam si tek Ezopi a La Fonteni.
Aty është një copë historie për luftën e lavdishme kundër Kostandinopojës, apo si po i thonin El Kostatinijes. Aty mund të njihemi me heroinën më të lavdishme të bizantinëve, plakaruqen Zat-ad-Davahinë, shtriga që i pëlqente të fërkohej me vajza të reja e që hiqej si një e devotshme; që i ishte përkushtuar Allahut e që bënte si gati hyjnore.
Pa të, Kostandinopoja do të kishte rënë të paktën dy-treqind vjet më herët, kurse ne besonim se ishte meritë e kryqëzatave. Ajo propogandon kryengritje, thur aleanca, keqinformon në betejë… Aty luftojnë burrat me heshtë kundër njëmijë kalorësve herë bashkë e herë tek e tek; një mbret tjetër do ishte vrarë te tre të parët, por ai jo. Por, i gjori Shar-Kan edhe si tigër tek Kiplingu nuk pati ndonjë fat të mirë, se Zat-ad-Davahija arrin të infiltrohet në çadrën e princit Shar-Kan dhe t’ia presë kokën nëpër gjumë.
Aty mbreti i madhërishëm, Harun al Rashid pikëllohet deri në alivani kronike prej vdekjes së të dashurës së tij më të pëlqyer ndër gjithë dhjetëra të dashurat e tij në harem. Si ai edhe lloj-lloj heroj ia fut të qames pa ta prit mendja fare. Del burri i huaj në mëngjes pret dy-tre qind kokë njerëzish e kthehet në darkë e ofshan nga dy tre mijë ‘oh’-e për një herë se sheh një qëndisje e bie në dashuri.
Aty është historia e një këpucari që kërkon të ikë prej gruas së keqe që e shfrytëzon i ndihmuar nga një ifrit që i dhimbset. E te ky vendi i huaj gjen një ish-fqinj që e kish pasur shok që i thotë të hiqet sikur është një tregtar i madh e të fillojë të fitojë duke qarkulluar mallra nëpër tregun e brendshëm. Dhe ky tregtari foli mirë për të dhe i dha mall nga i veti ta shiste te thoshte se kish shumë po ky aq u dashurua me këte ide sa nisi një fushatë për të shpërndarë lëmoshë sa i çuditi të gjithë. Shpërndau lëmoshë në shumën fantastike të 60000 derhemëve.
Ky edhe mbretit ja mori e ja theu një gur të çmuar me vlerë dhjetë mijë derhem dhe ia mori vajzën për grua, pa pasur një derhem, duke qenë thjesht një këpucar i arratisur nga gruaja që mbeti e keqe deri në fund, (por që shyqyr i biri me gruan e dytë ia vrau me shpatë ). Po shyqyr, gjeti një unazë me xhind e i shpëtoi të gjitha. Për mosha të rritura, përrallat kanë fatin e keq që të jenë ngatërruar ndër profesionalizma që ta ndalin vrullin personal, por fatmirësisht ato ruajnë edhe format e tyre të lehta ku kridhesh si ta ka qejfi. Por, edhe nëse nuk gjendet simpatia për përrallat, atëherë ne kemi shqipen tonë të dashur që na e bën gjithçka interesante.
I dashuri i ynë i urtë, Faik Konica, që më 1943-in, u mor e na solli prej anglishtes një dorë përrallash nën titullin “Nën hijen e hurmave”. Jo dhe aq shumë; disa dhjetëra faqe. Përrallat janë të hequra prej veprës e të përmbledhura fort në një dialekt të përmbajtur të tij prej shqiptarit të jugut, që paraprin letraren me “ë” të shpërndarë shkujdesur (sipas besimtarëve të misioneve të ndryshme të gjuhës).
Pastaj ca më vonë një përpjekje tjetër është bërë nga Mustafa Greblleshi. Një figurë që e duam fort, sidomos pas publikimit të veprës së tij “Kujtime, 1939 – 1944”. Përkthimi i tij në botimin që zotëroj unë është i 1993, pra pas vdekjes së tij dhe i referohet si origjinal përkthimit francez me titull “Les mille et une nuits”. Unë kam parë vetëm tre vëllimet e para, diku tek nja dyqind e ca netët e para dhe nuk kam bërë ndonjë kërkim nëpër biblioteka për të ditur nëse ai e kreu të gjithë veprën.
Janë dhe “Një mijë e një netët” e Hilmi Aganit, që ma së pari meritojnë përshëndetje e përfillje: në shqip janë sjellë nga serbo-kroatishtja si një vepër e plotë, botuar prej Rilindjes së Prishtinës, në harkun kohor 1965-1985, (sipas botimeve që zotëroj unë.) Agani, është pak i njohur ndër ne, por si zakonisht në lëmë të një padije të përgjithshme e aspak të qëllimshme.
Gjuha e tij është e pastër me një qëndrim që i qaset sipërmarrjes shkencore. Tri parathëniet që e paraprijnë veprën janë fort të informuara: njëra është nga Gorki, tjetra është nga njëfarë Sergej Oldenburg (fort interesante për t’u gjurmuar nëpër internet) dhe një tjetër pa autorësi. Për më tepër është e pajisur me shënime kaq të larmishme që lejojnë shije e informacion të bollshëm e mund të lexohen në pavarësi.
Tre vëllimet e para janë të ilustruara aq hijshëm e mund të themi që është një zbulim revolucionar. Puna e Hilmi Aganit dallon prej kolegëve të tij Konica e Greblleshi, më së pari, pse ajo është më e madhe: tetë vëllime nga ku më i vogli katërqind e ca faqe, të mëdhenjtë mbi pesëqind. Unë zotëroj shtatë ndër tetë vëllimet. Bëhet fjalë për rreth 2500 faqe, por jo vetëm kaq.
Shqipja e tij është më pranë asaj kulture ku njëmijë e një netët kalojnë. Megjithëse bëhet fjalë për përkthim prej serbo-kroatishtes, përqafimi i zotit Agani është në shqipe. Dakord tek ai, numri i fjalëve prej qytetërimit arab është më i madh, por kryesisht ato janë fjalë që i nderuari Tahir Dizdari i ka identifikuar në fjalorin e tij të orientalizmave, ndaj nuk kemi pse shqetësohemi për përdorimin e tyre. Të paktën jo në terma të gjuhës. Më së pari puna e Aganit krijon epërsinë e saj në terma të përmasës dhe larmisë.
Ja për shembull, një rast nga tregimi për hamallin dhe vajzat, që mund ta gjejmë edhe tek Greblleshi.
Historia shkon pak a shumë e tillë. Një grua e bukur shumë, merr një hamall ta shoqërojë në Pazar, ku blejnë: “një shishe me ngjyrë ullinit tek një i krishtenë; tek një shitore pemësh blejnë: molla siriane, ftoj turq, pjeshkaomani, lëkoj damasku, kastraveca vjeshte, limona egjipti, portokaj sulltanije, mirta të ershme, dhe hena, kamomile dhe anemone, edhe shega, e drandafille t’ershme; pastaj 10 ritalë mish që u mbështoll me gjethe banane, pastaj në bakallhane bleu groshë të qërueme dhe rrush të terun t’tihamit dhe bajame të qërueme, në ambëltore bleu nji babake në të cilën qiti pasta të thuruna, fërgesa të mbushuna me moshus, pasta prej pemëvet e pasta mjalti me limon, marsipan dhe zejnab-biskvita, kuleç “kadiu”, pastaj dhjetë lloje erzash, pastaj lëngje, copa kemi dhe aloj, edhe ambër edhe moshus, edhe qirij aleksandrinë.”
Te Greblleshi ku gjejmë hapësirën për këto krahasime (se Konica nuk është marrë me këtë përrallë), kjo listë pazari është e tillë: “në një dyqan ku shiteshin pemë dhe lule: zgjodhi shumë soje mollësh, kajsish, pjeshkësh, ftonjsh, limonësh, qitrosh, portokajsh, mërsinë, borzilok, zambakë, jaseminë dhe disa lloje të tjera lulesh e bimësh që kanë erë të mirë, pesë kile mish nga më i miri, kopërr zaranë, kastravecë të vegjël, lule-nishte perime të tjera dhe uthull, fëstëk, arra lajthi boça pishe, bajame dhe pemë të tjera, të gjitha llojet e ëmbëlsirave të gatuara me brumë bajamesh. .. të gjitha llojet e kolonjave, me rrënjë karafili, arra mysku, piper të zi, me një copë të madhe ambare dhe me shumë soje të tjera erërash të këndshme e mallrash të Hindit.”
Agani përmend 33 produkte të blera e Greblleshi 29 dhe prapë larmia është më e madhe nga sa duket. Greblleshi është në kërkim të së njohurës për lexuesin, ai më së shumti përdor të përgjithshmen, sojet. Ëmbëlsirat i ka të gjitha të gatuara me brumë bajamesh. Por dallimet në përkthime e tejkalojnë fjalën. Konica, për shembull, e heq thuajse çdo referencë të Allahut. Në “Nën hijen e hurmave”, ai ka perëndinë. Madje edhe Muhameti aty referohet si “apostulli i perëndisë”.
Tek Agani vepra nis me fjalët “Lavdi pastë Allahu, zoti i botnave, selam dhe uratë pastë ma i zgjedhuni i pejgamerëvet, i pari dhe sundimtari ynë Muhamedi, Zoti e bekoftë dhe e uroftë me uratën e përjetshme që zgjat deri në ditën e kjametit.” Kurse Greblleshi veç Allahut, edhe perëndisë ia fshin gjurmët sa mundet; por aty ku nuk mund të shmanget, Zoti është. Gjithashtu, historinë e parë të “Njëmijë e një netëve” me Shehríjarin e tmerrshëm që ia dridhte gruaja me një zezak, e heq.
Në botimin e shtëpisë botuese Naim Frashëri të 1993, nis rrëfimin me përrallën me titull “Mbreti grek dhe mjeku Duban”. Ja si nis Greblleshi rrëfimet e veta: “Në vendin e Zumanit në Persi, na ishte një mbret, shtetasit e të cilit ishin me origjinë greke. Ky mbret ishte prekur nga sëmundja e leprës dhe mjekët e tij të cilët s’kishin lanë barna pa përdorur për ta shëruar, meqë s’dinin ç’të bënin më tej kishin hequr dorë. Ndërkohë, një mjek shumë i zoti i quajtur Duban ia behu në oborrin e mbretit.”
Tek Agani, kjo histori titullohet “Historija e vezirit të mbretit Junan” dhe është kështu: “Mëso, o ifrit, – tha peshkatari, – se në kohë të moçme dhe në shekujt e qindvjetshat e kaluem, në qytetin e Persijanëvet dhe në tokën e Rumanëvet, jetonte një mbret që quhej Junan. Dhe ishte i pasun e i madh dhe kishte ushtri e lloj lloj rojesh të tija, por vuente nga lepra, dhe dijetarët dhe mjekët nuk mund e shërojshin. Dhe mbreti pinte barna e pluhna dhe lyhej me melheme, por pa kurrfarë dobije.”
Kurse Konica e nis kështu versionin e tij: “Mëso, o Efrit, se ka qenë në kohë të vjetëra, në Persi, një urdhëronjës i quajtur Mbreti Junan, i cili kish thesare të mbëdha edhe ushtri të shumë e trime, me lloi-lloi ushtarësh; po e pësonte nga lepra, dhe as mjekë as të urtë nuk arrijin ta shërojin; as të pirat, as tozet, as melhemet e tyre nuk bëjin punë; dhe asnjë nga mjekët s’ish i zoti ta shpëtojë.”
Si përfundim, Junani i manipuluar nga një vezir i tij, ia preu kokën Dubanit, që e shëroi.
Konica jep vetëm Persinë, ndërsa Greblleshi ka edhe shtetas me origjinë greke, kurse Agani ka persijanë në tokë të Rumanëve që padyshim duket si më afër këndvështrimit arab. Por të mos ngatërrohemi, grekja është e pranishme edhe tek Agani në mënyrë fort dinjitoze. Ja ç’thuhet për shembull te ftesa për luftë kundër Kasarijes, për mbretin e madh Omar ibn an Numan prej mbretit Afridun të al-Konstantinijes, mësojmë se mbreti i Kasarijes plaçkiti anijet me të cilat Afriduni i sillte Omar ibn al Numani, dhurata ndër të cilat “kishin qenë edhe tre margaritarë të rrumbullakët të mëdhej si veja e struthit, ku ishin skalitë me gërma greke gjana misterioze, e secili prej tyre kishte cilësi e karakteristika të dobishme…” p.sh. po ta mbante në qafë fëmija nuk sëmurej, “madje as do të gjimonte ndonjiherë, as që do ta mirrshin ethet”.
Ndërkohë ajo që mungon tek Konica e Greblleshi është edhe seksualiteti. Ky element kaq kollonor i narrativës njëmijëenjënetëshepërjashtohet. Si lihen “Njëmijë e një net” pa seks?! Edhe para se të fillojnë parrallat e njëmijë e një netëve, mbreti Shehrijar ia merr virgjërinë Sheherezades, ndërkohë që e motra rrinte skaj krevatit e priste momentin që t’i thoshte të motrës “a na thu një përrallë”!
Sërish na duhet të shfajësojmë fajtorët:
Konicën pse ai është Konica e ai i ka gjithë Efritët nën urdhra e nuk guxon kush t’ia lëshojë synin në sy, e për më tepër ka përkthyer aq sa i lejonin një mijë gjërat e tjera që duhet të bënte prej vullneti hyjnor. Dhe për më tepër, ai u përball me nevoja të ngutshme të rezistencës ndaj asimilimit.
Greblleshi, që në kohën kur përkthente ishte punësuar si bojaxhi i mureve të shtëpive prej pushtetit popullor, kishte njohur edhe ditë më të zeza e nuk kishte ku t’i shtrinte krahët në këtë drejtim, ndaj rreshtohet në seksualitet të pakët. E për më tepër edhe frëngjishtja mund të ketë ndalur fllade. Po pse rusishtja dhe pastaj serbokroatishtja e pastaj shqipja i rrikërkan mirë muhabetit? Prej shqipes? Apo edhe vetë serbokroatishtja është familjare e pastaj edhe vetë rusishtja është po aq familjare, mos më shumë? Natyrisht kjo është e pranueshme, por ne dimë vetëm shqipen për rastin në fjalë dhe kjo na e mpak guximin. Gjithsesi, duke ndjekur fillet e tij, ja se çfarë hijeshish mund të na dalin përballë. Ja për shembull një prej çikërimave që gërmon ky artikull: Shehríjari dhe vëllai i tij Shazemani, pasi kanë zbuluar secili tradhti prej gruas me skllevër të zinj, marrin arratinë prej mbretërive të veta dhe në një breg u del Ifriti dhe një “grua e re dhe e bukur, e çkëlqyer si drita e diellit… dhe kur shtiri sytë mbi të ifriti …”.
Kurse tek Agani kemi: “një grue e e re dhe e bukur, që shkëlqente si drita e diellit”, siç pat thanë, dhe pat thanë për mrekulli, vjershëtori Atia:
Në errësirë ajo shndërriti – shkëlqeu dita
Edhe drita u ra degëvet e ndriti.
Asht e zdritshme porsi dielli n’t’perënduem;
Me shkëlqim i verbon yjt kur asht pa vel.
Gjithë krijesat para saj përulen, shtrohen,
Porsa duket e prej tyne heq mbulojën.
Po vetoi me sy, idhnueshëm, si me rrfé,
Rrjedhin lotët, pa pushue, porsi rrké.
Dhe xhindi shikoi gruen …”
Dhe fjeti.
Kjo i kërkoi që të bënin seks bashkë, po këta hezituan nga frika e xhindit. Atëherë ajo i kërcënoi e i “bindi”.
Dhe te Konica: “Të trembur ata zbritnë edhe iu qasnë; dhe si mbaruan punë me të aq herë sa ajo deshi, nxori nga xhepi një qese edhe kreu andej një gjalmë ku kish shkuar nëndëdhjet’ e tetë unaza; edhe u tha të dy Mbretërve, “A dini se ç’janë këto?” U përgjigjnë, “S’dimë.”- Të zotërit e këtyre unazave u puthnë me mua si u puthët ju.”
Edhe tek Agani, burrat thojnë “kryem atë punë” e gratë “u puthmë”, por kemi fillimisht një skenë ku dy vëllezërit fillojnë e i bëjnë bisht detyrës me shkelje syri, por pastaj “nga frika e Xhindit , të dy vëllazënit e pushtuem dhe mbasi kryen punë gruja tha: – qetësohuni – edhe hoq nga nënsjetulla nji qese, edhe nxuerr prej saj nji gjerdan me pesqind e shtatëdhetë unaza. Të zotët e tyre u puthën me mua ashtu siç u puthët edhe ju….”
Seksualiteti tek Agani është ngado. Edhe hamalli që përmendën më lart ka goxha fat, ai “mbërrin te shpija ku del gruaja e dytë që ishte shtat-hedhun , me krahnor të gufuem, e mrekullueshme, tërheqse, e shkëlqyshme dhe e përsosun, me ball të ndritshëm, e faqe të kuqe, me sy që të kujtojnë sorkadhet dhe gazelat dhe me vetulla si harku i hanës në muejin shaban. Faqet i kishte anemone, gojën si vula e Sollomonit, buzët të kuqe si koral, dhambët të vogjël si margaritarë të radhitun bukur, apo si lulet e kamomilit, qafën e kishte si gazelë dhe gjoksin si luginë mermeri me cica si dy shega, kishte bark shumë të bukur dhe kërthizën në të cilën mund të qitej një uncë voj arre. Kurse motra tjetër kishte shtat si shkronja alif.” Dhe pasi hanë e pinë, ja lojë e tyre: “vazhduen pa da me pi dhe hamalli filloi me i ngucë vajzat, edhe i puthte sa mundte, i kafshonte, i përëdhelte e i limonte, i pickonte e i shtrëngonte, dhe s’rrinte urtë aspak...”
Gjithsesi, marrëdhënia që gjuha e Aganit krijon me veprën më duket më e ngushtë, më intime, më e vërtetë. Puna e Aganit është një kontribut kaq i rëndësishëm që na mëson për të kaluara që na rritën. Qe fat që puna e tij nisi para drejtshkrimit të ri e vendosi të mos bindet në rekomandime të Kongresit, që i preu me kënde gurët e rinj të shqipes dhe e forcoi murin.
Zhvillimi i shqipes i ndjekur nëpër këto përkthime është interesant, për gjithë ç’ofron. Dhe sërish për dinamikat tona, pasi kultura e gjuha janë një. Unë them se përkthimi i Aganit meriton respekt të madh. Ai ngërthen fort mirë një kohë, një frymë një epje të shqipes që ia la vendin një tjetër zhvillimi në shqipe; letrares së shekullarizuar, të gdhendur për teknikë e disipline, një letrare e këtillë që ish te Konica e pastaj merr një kthesë të hezituar tek Greblleshi. Shqipja e Aganit është një gur i madh, që e kemi për t’ju ngjit sipër e parë përqark, për hije, për mbrojtje, mu atje buzë rrugës kah shkojmë. Urgjentisht e nderuara Rilindje prej Prishtine të na riprodhojë sa kopje të kërkohen. Ndoshta me abonime paraprake, për mos me humbë kjo punë kaq e mirë, që me siguri do të shijohet dhe gëzojë siç ka ba jetë e mot.