Koriolani ne ere dhe kete hereKoriolani; në fakt unë në fillim dëgjova “Kai Marci, Kai Marci.” Fap i ngrita veshët, po thërret Karl Marksin? Por, jo. Siç Shekspiri e mori vesh prej Plutarkut të lashtë, ishte Kai Marci, romaku që luftonte si i tërbuar. Ishte rritur pa të atinpa Marci, në kohët kur romakët e lashtë sa po zbulonin aftësinë e tyre për dominim pas një kohe të gjatë luftërash barazie me fqinjë, ndër to edhe me Volshët, që më pas ndoshta fituan edhe të drejta qytetarie në Romë, kur aleanca ndërfisnore e latinëve qeveriste troje nga ku i thonin detit Mesdhe - “mare nostrum”.
Kai Marci siç e thamë është një luftëtar i ndërkryer e i pafre në guxim e forcë. Volshët dhe romakët ishin mbledhur në një fushë ku do luftonin e po prisnin orët e para të mëngjesit siç ka qenë zakoni për këto punë, por kur po mbaronte pasditja Kai Marci mori një grup të madh shokësh dhe ia mësyu qytetit, që si thotë përkthyesi i Homerit kish ‘ledhe guri të larta’, vrau garnizonin e pakët që ish lënë i shkujdesur të mbronte qytetin e që priste t’i bashkohej betejës atje poshtë. Plaçkit qytetin shpejt e shpejt, vret e djeg dhe ngre në alarm te ushtria volshe që rri poshtë e merr vrapin të shpëtojë familjet e veta. Kominiusi gjenerali romak kur e pa ushtrinë e volshve që u nisën me mbrojt qytetin e i kthyen kurrizin ia mësyu me vrull nga pas dhe fati i betejës qe tragjik. Marci pas mbaroi punë me qytetin u lëshua malit teposhtë dhe bëri batërdi prap mbi një ushtri sulmuar prej anësh. Fitorja qe e lavdishme. Merr ça të duash ndër plaçk i thanë, jo tha ky, do bëjmë si jemi marrë vesh më përpara sekush sa mundi. Atëherë e nderuan me emrin Koriolan, meqenëse e pushtoi atë qytet. Nder i madh, turma e burrave të armatosur e të përgjakur nga beteja ja brohiste emrin e ri. Në Romë, nga fitorja mëma fluturonte nga krenaria. Trimëria e mëmave të trimave. E priste me urata që ia kërkonte zotave me besim që ia kish plotësuar në vargje me rimë vetë Shekspiri. Kai Marci bindet që duhet të marrë një vend në senat e ndonjë konsullship dinjitoz. Ky vinte prej familje fisnike apo si i thonin romakët e lashtë Patricë. Që nga kohët e Kai Marcit, romakët masivisht hanin grurin që luftëtarët mblidhnin andej-këndej bashkë me ç’tu tekej, më vonë rastiste që perandori i qeraste me cirqe makabër e luftëra gladiatorësh. Në këtë qerthull përzihet Koriolani dhe thotë se, plebejtë nuk vlejnë një lek. Luftojnë pak dhe në përtaci rrinë rrugëve dhe përzihen me politikë të aplikuar. Mblidhen shesheve dhe në muhabet e sipër mund ta shpojnë me kama ndonjërin. Kjo qe një luftë e vërtetë civile që mbahet ndër shkatërrimtaret e Romës së lashtë, vetë Çezarin hyjnor e vranë me 10 a 12 kama të mprehta në krahahor, edhe Bruti, shoku i tij nuk përtoi dhe ia nguli një thikë për ruajtjen e barazisë përmes Patricëve luftëtarë e jo një perandori që ndër duar bëhet gjithnjë e më lunatike, por ky qe një kurban i kotë se më vonë prap mbi patricët sundoi perandori, i pëlqyeri i ushtrisë, që filloi të shitej e blehej me paratë e romakët i qarkullonin nga Britania e egër ku mbroheshin prej irlandezëve me një mur të gjatë e deri në shkretëtirat e arabëve dhe afrikanëve. Koriolani shkon te sheshi ku ky popull i gjerë, që nuk është aq jo-domethënës sa krijohet përshtypja nga më lartë dhe kërkon ta mbëjnë për konsull në senat të tyrin. Plebejtë që më herët kanë siguruar të drejtën të përfaqësohen në senat prej dy patricëve të nderuar ja kujtojnë koriolanit përbuzjen e tij dhe i thonë çfarë senati thua ti more tradhëtar ti do që të na skllavërosh në luftra e punë. O ik prej këndej o të vramë! Ou, tha Koriolani i mbuluar prej shenjash lufte dhe nervozizmi të kalitur në shumë beteja. Po iki pra. Dhe i shkon ato net në shtëpi fisnikut udhëheqës të volshëve Tullus Aufidiusit. Jam idhnu në t’mi thotë dhe po du me i ba dam, a mundem me ndihmu diqysh? Po, i thotë ky dhe e ban komandat të ushtrisë s’vet dhe ja lshon Romës. E koriolani pa kalu ora i lëshohet qyteteve që kanë pranuar dominimin e Romës e janë në aleanca me të. Duke i gjet papërgatit e me ushtri të ndame dysh ky i afrohet romës dhe ve në alarm qytetin që ka një shumicë patricës që edhe mund të japin aleancë për Volshët që udhëheq Koriolani, e dami i bahet i madh vendit. Na ato kohra Roma ishte e harrueshme. E i vejnë romakët sira sira e i thojnë, - Koriolan të hymë në hak, po mos na digj, aman! Kam për t’ju djeg mër, - i thotë Koriolani, po ikni prej këtej. Vetëm kur i shkon e ëma e qan nër kom bindet ky e thotë, hajt se po bajmë një marrëveshje e s’po ju djeg, por qytetin Koriolan do t’ja kthejmë Volshve. Ç’er të dush ti vetëm mos na digj. Mori kartë ky, i vulosi e i firmosi e ja dha ta çojnë në Romë me daulle. Vetë shkoi te Volshët me u taku me Tullus Aufidiusin. Kur u takuan në kamp të volshëve, Tullusi foli edhe tha ‘Ky djali i lotëve e la pa marrë qytetin tonë, Romën për ca kokra kripe,’ u çun kto e e vranë. |
Këtë e shkroi Shekspiri pasi lexoi Plutarkun, dhe e tha një repart jo i vogël aktorësh nën drejtim e Altin Bashës në sallën e ngrohur plot të Turbinës së artit. Një vepër energjike. Edhe nëpër youtube Koriolani flitet si më politikja pjesë e Shekspirit. Ajo që dominoi jetën politike të Romës dhe që deri sot ringjallet frikshëm është aftësia për të gjetur një fitore e për të rendur pas saj. Komandanti fitimtar është i vetmi burim legjitimiteti për zhvillime historike. “Historia është varreza e fitimtarëve,” – thoshte Benedeto Kroçe, dhe personazhet historikë të gjithë i janë qasur ndonjë fitoreje me insistim. Çfarë të mendojmë për këtë trim? A ka tradhëti dhe a legjitimohet ajo? Nga ana tjetër: A meriton shumësia të drejta që nuk i ka prej punës e luftës së vet?
Ky ishte produksioni i vitit për Teatrin Kombëtar. Tre skena lufte. Gjashtëdhjetë aktorë. Ik një miting e hajt një miting. Vetë Koriolani para se të vdiste vrau tre të tjerë. Dy kampe, dy qytete, dy ushtri. Dy hyrje për në shtëpi. Tinguj e gjallëri plot. Një duartrokitje për zotin Basha. Skenat e luftës janë një arritje e re Teatrit Kombëtar. Unë nuk mbaj mënd të kem parë ndonjëherë një gjallëri lufte të tillë në akt skenik. Edhe hakërrimi i turmës për t’u dalluar. Vepra ka fjalë e veprim intensiv e nuk është se mund të shqetësohemi për mungesë vëmendjeje nga publiku, që në fakt është sy e veshë sepse puna është e madhe. Gjitha ata njerëz. Një përfaqësim i mirë i elitës së aktorëve të teatrit në Shqipëri. Gazmend Gjoka, që gjejmë rastin t’i tërheqim veshin dhe t’i themi se nuk është i lejuar t’i mungojë skenës me të tilla intervale, ishte Koriolani. Për këtë rol të tijin Gjokës mund t’i themi vetëm se ai është një aktor i aftë t’i kryejë të gjitha detyrat. Por ka një largim të tij prej Kai Marcius. Një largim gati fizik në sytë e veshët e mi. Një qasje që nuk është vetëm e aktorit, por edhe e filozofisë së vënies në skenë. Madje edhe e përshtatjes me skenën. Mpakja e fjalës nëpër korridore e vibracione ajri që grisin diku para se të na mbërrijnë. Edhe skenografia nuk e ndihmonte akustikën as dhe ndonjë konstekstualizim të veprimit. Në skenë janë shtatë çifte portikësh kënddrejtë ndoshta 4 metra vendosur në bartëse ngritur në 4- 5 shkallë, që bëjnë udhë e strehim, tribunë e radhë ulësesh. Sa për një ngacmim të vogël skena hapet e mbyllet nga ushtarë me uniformë si të gardës sonë me pushkë bajonetë mbërthyer, që pastaj ja lënë vendin këtyre njerëzve nga imagjinata jonë e kostumeve në mesjetën e vonë diku nga otomanët e deri tek polakët me kostum vere, jo në periudhë mobilizimi. Qasja ka pak ndërprerje me bashkëkohësinë duke pasur në kosinderatë, politizimin e lartë që lejon dhe jetën e politizuar që jetojmë. Helidon Fino është Tullus Aufidius, ai ka një tension më të lartë, por është edhe ai vuan një largim me zemërimin e vet. Atij i ka rënë një burrë që na vjen me një dozë të lartë dinakërie, megjithëse trim e fuqishëm. Viktor Zhusti e Luiza Xhuvani e plot emra të tjerë pasuronin këtë vepër që gjithashtu kishte kompozitor e organizues të zërave të shumtë tek Trimor Dhomo dhe koreograf tek Robert Nuha, madje edhe specialist të dyluftimeve me shpata prej Italie, zotin Roboli. Zonja Ilirjana Loxha Basha mendoj se, duhet të kish shfrytëzuar gjithë pushtetin për t’i lejuar vetes novatorizma estetike që do ta tërhiqnin edhe pjesë në kohë e hapësira më konkrete e të bukura se vizioni i Bashës që ka referenca mediatike në imagjinatën e vet fotografike që i zgjojnë . Referenca që mund ti ekzaltonte ose hiqte qafe me shumë leverdi, por që ai ja lejoi një mëvetësi të padobishme. Pjesa zgjat thuajse dy orë. |