Sokoli
Oltion Kadaifciu
Personazhet
Tahiri Babai i Sokolit, ish oficer i ushtrisë, që punon në një dyqan veglash pune. Pas të 50-tave.
Ilia Shoku i Tahirit. Bashkëmoshatar. Menaxhojnë bashkë dyqanin.
Zana E shoqja e Tahirit
Drita E shoqja e Ilias
Sokoli Djali i Tahirit, rreth 18 vjeç
Sonila Vajza e Ilias, rreth 18 vjeç
Shokë të Sokolit, personazhe të tjerë
Pamja e brendshme e një dhome të madhe ndenje. Në anën e majtë të skenës është tavolina e ngrënies e shtëpisë, në të djathën ajo e dyqanit. Më në qendër një divan i kthyer për nga spektatorët.
Muri i dhomës, përballë spektatorëve, në anën e djathtë ka fasadën e një dyqani veglash pune në një qytet shqiptar të viteve 90-të. Një tavolinë është e vendosur para dyqanit. Në disa raste bëhet edhe orendi e dhomës së ndenjes.
Paraskena është pamje e një rruge në të majtë të së cilës është e vendosur një bordurë.
Loja me drita përcakton sheshin e zhvillimit të situatave.
Në dhomë, Sokoli, vetëm.
Sokoli. Kjo me siguri është haram, po pse? Këtu asgjë nuk thuhet kundër zotit. Eh. Babi mendon që kjo është prapambetje, por ai e ka gabim. Njeriu pa besim është i humbur.
Tahiri. Sokol. Nuk ke fjetur bir?
Sokoli. Ja tani. (Ngrihet të ikë.)
Tahiri. Rri pak.
Sokoli. Hë?
Tahiri. Vendose?
Sokoli. Nuk e di.
Tahiri. Po, pse jo mor babë? Ça të duhet ty myslimanizmi? Ti je i ri mor babë. Ke gjithë ato mundësi.
Sokoli. Po kështu më është mbush mendja mua tani.
Tahiri. Tani? Po këto dhjetë vjet janë mor gomar. Pastaj do pishë adelat si baba. Bëhu pastaj mysliman ti. Gjithë mileti mbi 50 vjeç fillojnë e besojnë, mor babë. Ç’është kjo? As 20 vjeç ti do besosh? Ne për ju po përpiqemi. Unë gjithçka për ty dhe Benin e bëj.
Sokoli. Edhe?
Tahiri. Po ti je i ri mor babë, gëzoje jetën. Unë në moshë tënde...
Sokoli. Ehu.
Tahiri. Dil, bëj qejf. Qi mor babë ndonjë gjë, mos u bëj gomar.
Sokoli. Si the?
Tahiri. Hajde tani, ti flasim si burri burrit. Po çfarë të them unë ty. Nuk e sheh ti se ç’po bën. Ti je gomar.
Sokoli. Kjo është haram.
Tahiri. Të tha baba, ti je gomar.
Sokoli. Po të ishte goca jote?
Tahiri. Të tha baba, ti je gomar.
Sokoli. Ehu. (Bën të ikë) Po ti ç’ke mor ti që i fut hundët kaq shumë. Sikur të kërkoi njeri ty.
Tahiri. Po unë për ty bëhem copash.
Sokoli. Prandaj thu gjithë kohën do të bëj copash.
Tahiri. Po mirë ushtarak kam qenë unë, ti e di. Im atë. Unë i mbaj mend shumicën e herëve që kam fol me tim atë.
Sokoli. Po po.
Tahiri. Gjithsesi ik një herë jashtë për studime, është fat i madh ky mor ti.
Sokoli. Jam shumë mirë.
Tahiri. Benit po i vejnë mirë punët. E kishin ngrit prap në detyrë.
Sokoli. Po unë nuk dua.
Tahiri. Po ik mor gomar (dalin).
Ndërron drita. Tahiri vete vendoset pranë Ilias. Vazhdon një lojë tavëll.
Ilia. (Çohet rrufeshëm.) Tre herë rresht xhihari se. Çfarë mut zari. Si nuk ra një shesh besh?
Tahiri. (Qesh.) Mos e shaj zarin! Mos e shaj zarin. Hajde, hajde.
Ilia. Po ik e se na cau bythën. Lojë është kjo?
Sokoli. (I ulur në bordurë në skajin e majtë, në shoqërinë e një shoku. Sikur ndjekin kalimtarët. Batutat që shkëputen janë pjesë e diskutimit të tyre) Tobestakfullah.
Ndriçimi kalon tek tryeza në mes të skenës.
Drita. Po Sokoli djal i shkathët, nga i gjeti këto budallallëqe?
Zana. Se ku është mpleks aty te lagjja me ato çunat e Xhevdetit, atij shoferit që e ka shtëpinë në kat të dytë te pallati ynë dhe mbeti në xhami. Verës iku edhe në kamp. Tahiri desh më vrau. Po ai erdhi paradite, po iki tha dhe iku.
Drita. E mirë mos e prish gjakun se edhe ajo goca e Sadetit u bë evangjeliste a ku e di unë? Ndenji nja dy a tre vjet edhe e la. Ja sa të fillojë këto muhabetet e dashurisë.
Sokoli. U shihe, shihe.
Shoku. Marshallah.
Zana. Janë ndryshe këta po rri ti, se për evangjelist nuk e kisha problem unë. Mësonte edhe ca anglisht. Pse nuk ishte goca e Tarit, tim vëllai te katolikët, ndenji nja tre vjet,vajtën nja dy a tre herë andej nga Franca. U kënaq goca.
Drita. Po e pra, prandaj të them edhe unë.
Zana. Janë ndryshe këta. Ka rënë komplet nga mësimet. Shkon falet, tre herë në ditë. Kam qarë gjithë natën. Tahiri, e rrahu.
Drita. Pse e rrahu, eee?
Zana. Po nuk po dëgjon. Ne po i bëjmë presion të madh. Po nuk po bën më punë.
Drita. Po çojeni jasht.
Zana. Po e mendojmë.
Drita. Sa mirë.
Zana. Do e çojmë në Amerikë, te çuni i tezes së Tahirit.
Drita. Ai i gjati?
Zana. Po, po. Ka 7 vjet atje, janë rregulluar mirë.
Drita. Eee, e mbaj mend.
Zana. Do e çosh edhe ti Sonilën?
Drita. Sonilën?
Zana. I sistemojmë që këtu. Se janë shumë më mirë ashtu, kanë njëri tjetrin.
Drita. Po ku të pyesin këta të rinjtë. Megjithëse, unë dakort jam.
Zana. Edhe ju sikur po keni probleme me të, apo jo?
Drita. Po e moj, e ngacmon ai i tmerrshmi te Instituti. Nuk po e ndalojmë dot. Edhe kur e çon Ilia në shkollë ai i del përpara. Kam hall se do i ndodhë ndonjë gjë edhe Ilias.
Zana. Pupu. Çojeni me Sokolin.
Drita. Po Sokoli mos është i fiksuar me këto muhabetet jo po virgjëria, jo po jovirgjëria. Se kjo mosha e këtyre. Plus mysliman.
Sokoli. Tobestakfullah.
Shoku. Mazallah.
Ndriçimi kalon tek Tahiri dhe Ilia.
Tahiri. Po jo mo s’ma merr mendja. Ti e shef se ça po bëhet?
Ilia. Jo nuk e shof, pse ça po bëhet?
Tahiri. Te kjo liria ta kam fjalën. Këto kanë dashnor që 15 vjeç, mor ti.
Ilia. Jo mo se nuk janë të gjitha ashtu, apo jo?
Tahiri. Po patjetër që nuk janë të gjitha.
Ilia. Në kohë tonë sikur ishim më të zotët, më duket?
Tahiri. E mo po këta i kanë të gjitha kushtet. Është bërë kollaj fare. Ne duhet të vërshëllenim nëpër lagje gjithë natën.
Vërshellejnë të dy melodi të ndryshme që përdoren si sinjale. Qeshin.
Tahiri. Sheshi xhihar
Ilia. Po xhiharin, ku do e çosh xhiharin?
Tahiri. (Ndërsa lëviz gurët.) Ç’na gjeti belaja me at çun.
Ilia (hedh zarët.) Penxhi se. Phu të dhjefsha rracën, zar është ky?
Sokoli. Halabilimilima. Hartapullulla, sefekihardim. Asreti kimeti nexhimfalla, jalakubula.
Ndryshon sërish ndricimi.
Drita. Mua më pëlqen si ide se Sokoli është djalë i mirë, ne jemi miq e njihemi prej kohësh. Po kanë ardh kohë të tjera tani.
Zana. Sokoli është shumë i zgjuar, po nuk punon. Me drejtimin e duhur mund të jetë i suksesshëm.
Drita. Të bëjnë shkollën?
Zana. Sokoli edhe do punojë ca, po Sonila le ti përkushtohet shkollës.
Drita. Mirë. Ajo për këto lëndët egzakte është e mirë.
Zana. Shumë mirë. Po e bëjmë këtë muhabet atëherë?
Drita. Mirë, unë po e flas me Sonilën sot. Në darkë flas edhe me Ilian.
Zana. Me Ilian do fliste edhe Tahiri.
Drita. Po mos e ka shumë seriozisht e mi vë gocës ferexhe? Ne jemi të krishterë, ti e di.
Sokoli. Trisimilah dadarradum gabakan.
Drita kalon te Tahiri dhe Ilia.
Tahiri. (Hedh zaret) Qi bir. Po kush po e len ate? Se e vras me këto duar. Pastaj në Amerikë do jenë të sigurtë. Titi ka dy çuna moshatarë me këta. Sonila dhe Sokoli do marrin apartament me qera aty afër se ja gjen Titi, se me kështu merret ai. Menaxhon një pallat.
Ilia. Të bëjnë shkollën eee?
Tahiri. Po tani, Sokoli edhe do punojë ca, po Sonila le ti përkushtohet shkollës.
Ilia. Dor xhihar. Mirë, ajo për këto lëndët egzakte kështu është e mirë. Në Amerikë ee?
Tahiri. Shumë mirë. Po e bëjmë kte muhabet atëherë?
Ilia. Ti ke fol me Sokolin?
Tahiri. Besh dort. Jo, por fol ti një herë me Dritën dhe Sonilën dhe këtij ja bëjmë fakt të kryer, e nisim direkt. Se po e le gjatë, nuk bindet. Ta vejmë pak në siklet. I paketojmë për një vit në Detroit. Pastaj le të bëjnë çfarë të duan.
Ilia. Prit një herë.
Tahiri. Gëzuar.
Ndriçimi kalon ne paraskenë ku hyn Sonila. Takohet me Sokolin.
Sokoli. Haram, babalam bam.
Sonila. Sokol ... ( i ve dorën në sup. Ai shmanget rrufeshëm.)
Sokoli. Sonila.
Sonila. (E ofenduar) Ti më duket se ke rrëshkit pak.
Sokoli. Ohu.
Sonila. Si je veshur kështu?
Sokoli. Të kam thënë një herë.
Sonila. Kujtova se do kërcenim bashkë.
Sokoli. Unë nuk do vi.
Sonila. Pse?
Sokoli. Muzika ëshë haram.
Sonila. Ti më duket se tallesh.
Sokoli. Nuk e kuptoj pse duhet të bësh gjithmonë këtë muhabet.
Sonila. Shoqet e mia thonin se ti ishe simpatik.
Sokoli. Bukuria nuk ka simpati.
Sonila. Mendova se ne të dy.
Sokoli. Ka thellësi.
Sonila. Unë kam menduar se ne...
Sokoli. Shko ti shko.
Ndryshon ndriçimi.
Tahiri. Tre herë dopjo shesh. Kjo është e padrejtë.
Ilia. Shiko se nuk ka ndonjë problem. Se një brez janë këta, ja do bëhen nga 50 – 60 vjeç e do i bjeri takati dhe do e lejnë këtë muhabet. Se këta këtu e kanë gjithë suksesin, te kjo energjia, te ky rreziku që i shoqëron. Një të ikur djalëria, ikën këta, s’kanë për të lënë gjë prapa. Kur nuk lamë ne, imagjino ti tani. Pse cfarë do bëjnë?
Tahiri. Po ça thua aman?
Ilia. Ne ishim të gjithë, shiko ti si u shkërmoqëm. As nuk mban mend njeri kush ishim dhe që jemi akoma. Çi thua ti kësaj?
Tahiri. Po pse more më plasi bytha për brezat mua? Unë i them po m’bëhet djali islamist, ky më bën si filozof. Një brez janë, thotë. Po unë, sa breza jam unë? Merr vesh ti që unë rri 15 orë në ditë në treg duke shit bishta lopate për lloj lloj katunari aty, ky më tregon mua brezat.
Ilia. E mirë dreq, se nuk të thashë gjë. Po ta kisha fjalën që...
Tahiri. Aman. Dopje shesh.
Ndërron drita.
Drita. Unë po iki se duhet të gatuaj.
Zana. Çfarë ke gatuar ti.
Drita. Asgjë s’kam bërë. Kam marrë spinaq.
Zana. Unë dje bëra spinaq.
Drita. Unë dje i kisha këta jashtë, nuk gatova.
Ndërron drita.
Tahiri. Prap xhihari se.
Ilia. E mban mend që kapëm atëherë atë bariun që po ndizte zjarr në pyll? Sa u tremb katunari shkret? Që i çove ti atë ushtarin, që i morëm at kecin. E mban mend?
(Qeshin.)
Tahiri. Ai ishte ushtari yt.
Ilia. Në fakt ti në atë kohë nuk kishe ushtarë, apo e kam gabim?
Tahiri. Ty të donte më shumë partia. Ju kaurrët ju kap më mirë dielli se jeni më në perëndim ju. E ka thënë edhe Naim Frashëri. (Reciton me patos) O diell që lind andej nga perëndon.
Ilia. Shesh, prap. Phu te marrte dreqi. Ai ishte diell nga lindja? Naimi ka qenë me turqit, apo jo?
Tahiri. Lindja e perëndimit ka qenë gjithmonë.
Ilia. Ashtu eee?
Tahiri. Pse ju ka dash më fort ju kaurrët.
Ilia. Jugu, jugu. Se ishte si më ngrohtë, po për kaurrë e myslimanë nuk kishte dallim, mos ja fut kot. Apo jo?
Tahiri. Po jugu pra.
Ilia Po ti thua perëndimi.
Tahiri. Jugu i perëndimit ka qenë gjithmonë.
Ilia. Jo e jo. Po turqit?
Tahiri. Po ce lesh turqish, ikën turqit.
Ilia. Ashtu eee?
Tahiri. Këta që shkon Sokoli nuk janë as turq. Janë arabë komplet.
Ilia. Ashtu eee?
Tahiri. Turku na ka dash fort. Kshu ka thënë edhe shoku, si e kishte emrin ai? Ai i shkurtri që ka qenë në komitet qendror.
Ilia. U po. Ai që... (qesh.) Ishe ti?
Tahiri. Kam qenë, si jo. E moriSyrjai atë natë e bëri tapë shokun e nderuar dhe ai në nxehtësi e sipër e lshoi gojën.
Ilia. E, e mbaj mend. Po unë nuk isha.
Tahiri. E bëri tapë komplet Syrjai atë nate. Desh ngeci nëpër kto muhabetet me turq e me grekë, e me amerikanë. Se këta me siguri që ja nxorrën.
Ilia. Eee. E mbaj mend diçka. Po nuk pësoi gjë?
Tahiri. Se ku u kap shkërdhata. Desh e hëngri Syrjai. Edhe unë u tremba.
Illia. Pra, dielli po perëndon, apo jo?
Tahiri. Jo në fakt po lind andej nga perëndon.
Ilia. Drita ime nuk e di këtë vjershën. As unë nuk e di tamam në fakt
Tahiri dhe Zana dhe Ilia e Drita ulur në anë të ndryshme të skenës.Ndriçim diagonal i skenës bashkon Zanën e Tahirin dhe Ilian me Dritën.(Komunikim i kryqëzuar)
Drita. Po lekët?
Tahiri. Do shesim shtëpinë.
Ilia. Ça thua ti?
Zana. Sokoli është djalë shumë i zgjuar, na dhimbset. Plus që mami im është vetëm. Vëllai mbeti në Itali.
Ilia. Po goca është në vit të tretë tani, ajo për një vit mbaron. Ja vlen?
Zana. Po horri?
Tahiri. Le ta bëjnë more shkollën në Amerikë.
Drita. Ta flasim.
Tahiri. Me 30 mijë dollarë e kryejmë këtë punë.
Ilia. Si thua ti?
Tahiri. I paguaj të gjitha unë.
Ilia. I ke parë syzet e mia?
Zana. Hajt ikim të flejmë.
Ilia. Hë moj, i ke parë?
Tahiri. Phu të dhjefsha rracën.
Darkë e përbashkët e dy familjeve. Shtëpia e Tahirit.
Drita dhe Zana në tryezë. Tahiri dhe Ilia zejnë vend në divan. Sokoli dhe Sonila afrohen për nga divani.
Sokoli. (Flet si më vete) Kur hyhet në banjo duhet të hyhet me këmbën e majtë dhe dilet me të djathtën. Duhet kujdes se bën haram.
Ilia. Në banjo do shkojmë më vonë, apo jo Tahir?
Tahiri. Pusho mor gomar mos na dërdëllit gomarllëqe.
Ilia. E mir mos i bërtit çunit se i ri është. (ngrihet nga divani.) Ku e lashë xhaketën?
Tahiri. E dëgjon ti do na mësojë si bëhet shurra. Ta thyej në mes qelbsirën.
Zana e shqetësuar rregullon tavolinën. Sonila u çon nga një gotë burrave.
Sonila. Po ti, vërtetë e ke mendjen aty kur hyn në banjo?
Sokoli. Nuk e di.
Sonila. Edhe unë e kam bërë, po vetëm në një provim.
Ilia. Ndarja është klasore mendonim ne. Njeriu i ndriçuar e di se gjithë lezeti ishte te ndarja e të mirave. Kjo nuk diskutohej, apo jo Tahir?
Tahiri. Si për së gjati ashtu edhe për së gjeri.
Ilia. Ti Sokol si u gjete në këtë besimin e prapambetur fetar? E di ti që yt atë ka shembur kisha e xhamia me normë.
Sokoli. Nga frika.
Tahiri. Po ç’frikë more? Feja është opium për popullin.
Ilia. Këta nuk e mendojnë aq të keq opiumin.
Ilia. Njërit aty te lagjja jonë i iku goja atëherë. Menduan se do i kishin bërë magji ata të kishës. Haha, e ëma mbeti nëpër këto vendet e shenjta për vite me radhë. Akoma ashtu është. Çi thua ti?
Tahiri. Po çfarë magjie.
Ilia. Edhe unë ashtu mendoj. Prap si cudi është, jo?
Tahiri. Alamet aksioni. Më ka dhimbt kurrizi tre muaj rrjesht, mendova se mos po më
dënonte zoti.
Ilia. Unë fatmirësisht vrava gishtin që në fillim. E mban mend?
Tahiri. Njëzet e shtatë dekorata “sulmues” kisha mbledh atëherë.
Ilia. Ato nuk ishin dekorata. Stema, stema quheshin. I ke akoma?
Tahiri. Me kazëm, bam. Pu pu çfarë gomari. Jo more, ku i kam.
Ilia. Populli.
Tahiri. Populli, po po, populli. Duhet të këndojmë patjetër.
Ilia fillon një këngë.
Ndër ara fabrika, kantjere
Vlon puna dhe kënga ushton
Atdheu si lule pranvere,
cdo ditë më i bukur lulzon.
Qeshin.
Ilia. Çfarë mendon ti Sokol për të ik me paret e babit bashkë me Sonilën në Amerikë dhe atje kujdeseni për njëri tjetrin?
Tahiri. Si mendon Sokol?
Sokoli. Të flasi Sonila një herë.
Tahiri. Sonila flet kur ta pyesin. Edhe mblidhi ment e mos mu përgjigj si kalama se e ke parsysh.
Sokoli. Por unë nuk do ta braktis Allahun.
Ilia. Ik i qetë, atje ka vllezër e motra plot. Apo ?
Tahiri. Nga gjithë bota. Nga Pakistani, Azerbajxhani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Çeçenia.
Ilia. Dhe provinca Qing andej nga Kina, më duket. Myslimanë janë ata?
Tahiri. Faktikisht ne jemi bektashinj, nga Irani i kemi këta të ngjashmit tanë.
Sokoli. Kjo nuk është e vërtetë. Më ka thënë halla mua.
Drita. Vërtet si është halla?
Zana. Mirë faleminderit.
Tahiri. Çfarë mendon Sokol?
Sokoli. Jo mua halla më ka thënë se...
Tahiri. (e ndërpret) Iku halla. Te ti jemi.
Sokoli. Do mendohem.
Tahiri. E pirdh pirdh. Njerëzit janë këtu, hajt bëje gëzuar tani se nuk do harxhojë pare prap baba se po shet shpinë. (i zgjat një gotë)
Sokoli. Do shisni shtëpinë? Jo, jo, nuk jam dakort. Do mbaroj shkollën.
Zana. Te nëna do ikim po ai flet kot. Ti e di që ajo po na lutet.
Tahiri. Po atë e di shumë mirë ai se është goxha djalë. Po ato lekë janë prap se prap. Se ka edhe vëllain edhe shkollën e ndriti, edhe rrugën e humbi.
Sokoli. Unë rrugën time e gjeta.
Tahiri. E gjeti rrugën ky.
Sokoli. Mos blasfemo.
Tahiri. Kujdes se t’gjun me gurë ky.
Sokoli. Nuk e kuptoj pse duhet të insistosh kështu si idiot.
Tahiri. Si the, si the? (tërbohet.)
Zana dhe Ilia përpiqen që ta përmbajnë.
Tahiri. Si më tha ky mua, idiot.
Ilia. Po mirë se edhe ti idiot u bëre po rri rehat tani për çfarë jemi mbledh ne e ku na nxjerr ti.
Zana. Mirë të thotë.
Tahiri. Pusho ti. Edhe tani nuk i thokëm dot çunit tim që këto janë budallallëqe. Se më thotë idiot. Mor Ilia, merr vesh ti, po unë e ther me durët e mija.
Ilia. Qetësohu.
Tahiri. (I hakërrehet.) ta marr shpirtin.
Ilia. Hajt nuk ke nevojë.
Zana. Tahir kemi njerëz, çbën kështu. Lëre djalin rehat.
Hyn me rrëmbim Beni.
Beni. Babi flasim pak.
Tahiri. Hajde tako miqtë një herë.
Beni. Mirëmbrëma.
Zana. Çfarë ka ndodhur?
Beni. Babi.
Tahiri. Erdha, erdha.
Shkëputen të dy drejt paraskenës.
Beni. Vrava një njeri.
Tahiri. Çfarë?
Beni. Më duket se vrava një njeri.
Tahiri. Çfarë?
Beni. Me makinë. Nuk e pashë fare. Se nga erdhi. E fluturova lartë.
Tahiri. Mos more? Obobo çmë the. Ishe shumë shpejt? Vdiq?
Beni. Isha shpejt dhe më çmendi fare ky tipi’që kisha mbrapa. Ishte ca errët.
Tahiri. Të panë?
Beni. Kishte njerëz plot. Ma merr mendja që po, se unë edhe ndalova. Por kur e pashë që nuk lëvizi ika.
Tahiri. Bobo.
Zana. Tahir, ç’ka ndodhur?
Tahiri. (I drejtohet Benit.) Ilias mund ti tregojmë se ka edhe një kunat në polici dhe mund të na ndihmojë, po ti je komplet kafshë. Je idiot. Kriminel. (Kthehet në tryezë tek tëtjerët.) Beni ka bërë një aksident.
Ilia. Ashtu? U prish shumë makina?
Tahiri. Beni ka përplasur një njeri.
Zana (ulet duke qarë) Ç’na gjeti?
Ilia. Shumë?
Drita. Pupu. (shqetësohen të gjithë.)
Tahiri. Nuk ka ndalu. Po aksident i rëndë ka qenë.
Ilia. Mos more. Vdiq?
Tahiri. Si t’ja bëjmë, do vejmë ta takojmë njëherë kunatin tënd të marrim vesh.
Ilia. Po mos e vejmë në siklet, po pat ndodh ndonjë gjë me atë të shkretin?
Drita. Shkoni, shkoni. Ai e njeh Benin.
Tahiri. Po, ai e njeh Benin. (Benit) Je komplet idiot. Edhe atë dite të thashë që je shumë i pakujdesshëm.
Dalin Ilia dhe Tahiri. Anëtarët e tjerë të familjes lëvizin. Kërkojnë lajmin në televizor. Zana i jep diçka për të ngrënë në dorë Benit. Sokoli dhe Sonila flasin bashkë.
Bie drita.
3 muaj më vonë. Tahiri e Ilia ecin në paraskenë. Për vizitë në shtëpinë e viktimës.
Ilia. Iku Beni?
Tahiri. Iku.
Ilia. Te Titi?
Tahiri. Te Titi.
Ilia. Detroit?
Tahiri. Detroit.
Ilia. Po këtu?
Tahiri. Po sikur po arrijmë një marrëveshje. Megjithëse ai plaku vdiq dje.
Ilia. Mos more. Vdiq e?
Tahiri. Po 83 vjeç e burrë.
Ilia. Të jetonim edhe ne aq. Po ne nuk kemi për tja arrit kurrë, apo jo?
Tahiri. Ihaa.
Ilia. Po çfarë po bën atje? Shkollë?
Tahiri. Punë si fillim. Pastaj, avash avash.
Ilia. Po Sokoli?
Tahiri. Sokoli te xhamia. Aq lekë ishin ato. Vettëm viza bëri 15 mijë dollarë. Bileta, ndonjë lek me vete.
Ilia. Ashtu ee?
Tahiri. Çfarë do bëjë? Pa punë, pa gjë.
Ilia. Nuk u bë shkolla ee?
Tahiri. Do ta hapim prap dyqanin? Mbetën ca pare nga shtëpia. Më duhet ta angazhoj Sokolin disi.
Ilia. Po mirë. Te bishtat prap e?
Tahiri. Çfarë të bëjmë. Nga po shkon?
Ilia. Kot.
Tahiri. A vjen me mua për kryeshëndosh te shtëpia e atij? Mos shkoj vetëm.
Ilia. Po më pret Drita.
Tahiri. Hajde mos më ler vetëm.
Ilia. Po mirë.
Nisen. Takohen me Sokolin dhe tre shokë të tij. Duket një grindje mes Tahirit dhe Sokolit,
Tahiri. Po ju?
Sokoli. Do vimë me ju. Më tregoi mami që ishe nisur për këtu.
Tahiri. Po këta?
Sokoli. Janë shokët e mi.
Tahiri. Edhe?
Sokoli. Do vinë me ne, për cdo rast.
Ilia. Për çfarë rasti?
Sokoli. Do vimë. Ata, atë ditë te spitali, u treguan të këqinj.
Shoku. Mos kini merak.
Të ndjekur prej të rinjve Tahiri dhe Ilia hyjnë në shtëpinë e viktimës. Dy burra janë të ulur nëpër karrige.
Tahiri. Ngushëllime.
Kushëriri 1. Faleminderit.
Ilia. Ngushëllime.
Kushëriri 1. Faleminderit.
Shoku1. Selam alejkum.
Kushëriri 1. Mirë faleminderit.
Shoku 1 Qoftë i xhenetit
Kushëriri 1. Faleminderit.
Shoku 2. Selam alejkum.
Kushëriri 1. Mirë faleminderit.
Shoku 2. Qoftë i xhenetit
Kushëriri 1. Faleminderit.
Shoku 3. Selam alejkum.
Kushëriri 1. Mirë faleminderit.
Shoku 3. Qoftë i xhenetit
Kushëriri 1. Faleminderit.
Ulen. Qëndrojnë të heshtur për pak çaste.
Ilia. Duhet të bëheni të fortë.
Kushëriri 1. Më falni po ju kush jeni?
Ilia. Ilia Prifti, jam shoku i Tahirit, babai i atij djalit që shkaktoi aksidentin. (prezanton Tahirin.) Ai e ndjen shumë dhimbjen tuaj. Dhe është i gatshëm të kontribuojë për ta lehtësuar dhimbjen tuaj.
Kushëriri 1. Mua nuk më ka tregu njeri këtë muhabet, prandaj tjetërkund duhet me fol.
Shoku 1. Hylym hyla, sa vjeç ishte i ndjeri?
Kushëriri 1. 83.
Shoku 2. Marshallah.
Shoku 1. Lemenim lamala, në ditë të gjykimit mosha nuk do ketë rëndësi.
Ilia. Shyqyr, paska pas kohë me e pa jetën.
Tahiri. Të dhimbset e shkreta.
Shoku 3. Nusrutullahu ka thënë se kjo jetë nuk vlen se jeta pastaj është e vërteta.
Kushëriri 2. Po pse kështu? Vuajti tre muaj. Theu njëzet e një kocka.
Shoku 1. Allahu ja hoqi mbrojtjen.
Shoku 2. Ishte gjynah.
Shoku 3. Nusrutullullah Hallallalalani ka thënë se gjynahu është sevap.
Tahiri. Na ka ardhë jashtëzakonisht keq.
Ilia. Këto gjëra nganjëherë të vijnë nga nuk e pret. Apo jo?
Kushëriri 1. Faleminderit, por ju nuk kishit nevojë me ardh, të paktën jo që tani.
Tahiri. Unë jam babai i shkaktarit, unë jam këtu për çdo nevojë që të ketë.
Kushëriri 1. Nuk ka asnjë nevojë, faleminderit.
Ilia. Gjithsesi na takon ta shprehim keqardhjen tonë, por ne po deshët ju edhe ikim.
Kushëriri 2. Jo jo shumë faleminderit.
Shoku 3. Po ju si e keni emrin.
Tahiri. Na ka ardh shumë keq.
Kushëriri 1. Do t’ju njoftojmë vetë.
Shoku 1. Allahu e fal gabimin për atë që zemrën e ka në tjetër vend.
Shoku 2. Një herë një gru e shenjtë kishte pa në ëndërr një njeri që po qante. Edhe kishte njoft nji selvi që ishte te varrezat e filan fshati. Kishte shku atje dhe kishte ndez një qiri. Dhe pastaj ishte zgju dhe kishte shku te ai fshat dhe te ajo selvi.
Kushëriri 1. (e ndërpret) Ne do t’ju sjellim vetë lajm kur ta gjykojmë.
Tahiri. Na falni.
Hyn krejt papritur Kushëriri 3 dhe zë vend me agresivitet.
Kushëriri 3. Po ju keni ardh të bëni presion.
Tahiri. Absolutisht.
Ilia. Janë shokët e Sokolit i takuam jashtë nuk e dinim që do vinin.
Kushëriri 3. Ju nuk e dini me kë jeni ngatërru.
Kushëriri 2. Nuk ka nevojë, ik ti ik.
Kushëriri 3. Unë të qi robt.
Kushëriri 2. Ik andej Fatos. Mos u ngatërro tani se kemi njerëz.
Kushëriri 3 ikën
Sokoli. Foli keq.
Shoku 1. Foli shumë keq.
Shoku 2. Ne nuk lejojmë.
Kushëriri 1. Na falni. Ai ngutet pak.
Shoku 3. Në shtëpi tuaj. Ju nuk e dini ca po thoni.
Sokoli. Se po të jetë për të qi robt.
Kushëriri 1. Prandaj ju thashë, ju duhet të kishit njoftuar. Ai ka qenë shumë i lidhur me gjyshin. Ai tjetri e vret me makinë.
Ilia. Këto gjëra nganjëherë të vijnë nga nuk e pret.
Shoku 2. Një djalë kishte qenë duke ik me makinë dhe e ëma i kishte thënë allahu qoftë me ju. Ky kishte thanë, nuk kemi vend veçse në bagazh. Pastaj, tuj shku rrugës makina ishte përplas e ishte shkatërru krejt, veç bagazhit, ku kishin qenë ca vezë.
Shoku 1. Se flasim edhe ndryshe.
Kushëriri 2. Ne jemi njerëz seriozë.
Shoku 3. Edhe ne. Shkojmë bashkë te xhamia e Ferudes. Do shkojmë bashkë për studime.
Ilia. Shumë mirë.
Tahiri. (I drejtohet kushëririt) Keni shumë të drejtë por ne menduam t’ju japim ngushëllimin tonë. Na erdhi shumë keq. Sidomos për faktin që e bëri djali ynë.
Kushëriri 2. Faleminderit por këto janë punë për drejtësinë.
Tahiri. Patjetër. Ai të përgjigjet deri më një.
Ilia. Patjetër. Apo jo?
Shoku 2. Nuk duhet me u tall me Allahun.
Ilia. Nuk tallet njeri me Allahun. Ç’hyn kjo?
Shoku 2. Ishte gjynah.
Shoku 3. Imam Kalabubullahu ka thënë...
Tahiri. (e ndërpret) Çuna, mos na lodhni shumë se kemi hall.
Shoku 1. Hoxh Ylli do vinte vetë, por do vijë ca më vonë. Për ceremoninë a keni fol me ndonjë hoxhë?
Kushëriri 1. Këtë punë e dimë vetë.
Kushëriri 2. Ne jemi ortodoksë. (Tahirit) Ju?
Tahiri. Ne jemi ateistë.
Shoku 1. Sokoli beson në zot ju nuk mund t’ja mohoni këtë.
Tahiri. Po po Sokoli po. Çuna kemi tjetër bisedë, na lejoni pak.
Shoku 2. Lutja në varrim është detyrim. Njerëzit i kanë shpëtuar xhenemit prej faljes.
Kushëriri 1. Ne jemi ortodoksë.
Tahiri. Pushoni tani.
Ilia. Pupu, ç’qe kjo?
Kushëriri 1. (i acaruar) Si ç’qe kjo? Unë të pyes ty, ç’qe kjo?
Ilia. Këto janë të shkruara.
Shoku 1. Edhe Nusrutullah halalelevi ka thënë…
Ilia. (E ndërpret.) Pse nuk na prisni përjashta? Ja erdhëm.
Tahiri. Policia ka qenë e mendimit që edhe xhaja mund të ketë pirë pak,
Kushëriri 2. Hajdeni një herë tjetër. Të jenë edhe të bijtë. Unë jam dhëndri i mbesës. Ky është dhëndri i mbesës tjetër. Do vijnë ata, për vit të ri i keni këtu.
Shoku 1. Jo e jo. Pse kishte pirë?
Shoku 2. Haram është.
Shoku 1. Nusrutullahu ka thënë që ai që pi do shkojë drejt e në xhehnem.
Shoku 3. Kockat do i bëhen pluhur e ka për tu dhi me siklet.
Shoku 1. Tobestakfullah.
Kushëriri 1. Ju po e teproni.
Tahiri. Mua nuk po më vjen rradha me fol. Unë kisha ardh për tjetër muhabet. Po këta nuk po ikin. Na fal se nuk e dinim që do Çimin, i takuam te dera.
Kushëriri 1. Po ky është biri juaj.
Tahiri. Ky është një gomar që nuk e dallon babain.
Kushëriri 1. Në fakt, gomerët edhe unë mezi i dalloj.
Ilia. Unë i dalloj menjëherë.
Kushëriri 1. Si lum ju.
Ilia. Jo, si lum ju. Ju duhet ta ndjeni veten me fat që nuk jua kanë stërvitur shikimin, apo jo?
Tahiri. Eh fati.
Shoku 3. Allahu na ka në dorë.
Shoku 2. Shyqyr o zot.
Ilia. Për denoncimin desha unë të flisnim. Ai është çun i mirë, aksident ishte. Si mendoni?
Kushëriri 1. Ne nuk kemi bërë denoncim.
Ilia. Po me e heq gjithsesi. Si thoni?
Kushëriri 1. Çfarë me heq?
Ilia. Të bëni një deklaratë. Ju e dini si janë këto punë?
Kushëriri 1. Po ik tani se nuk kam punë unë me këto gjëra.
Ilia. Gjynah se ai është kalama. I ri fare. Ti e di si janë këta të rinjtë sot.
Kushëriri 1. Si keni guxim që Çimi tani këtu, dil përjashta. E di që e zgjidhim edhe ndryshe këtë muhabet.
Shoku 1. Është e drejta juaj të jeni të mërzitur, por dhuna është gjynah.
Shoku 2. Tobestakfullah.
Shoku 3. Jazik, shejtan, aman.
Shoku 1. Jazik, jazik.
Tahiri dhe Ilia çohen.
Tahiri. Na falni, ne pyetëm. Por ndoshta jo njeriun e duhur. Ngushëllime.
Ilia. Ngushëllime.
Shoku1. Qoftë i xhenetit
Shoku 2. Qoftë i xhenetit
Shoku 3. Qoftë i xhenetit
Sokoli. Qoftë i xhenetit.
Një takim ngushëllimi që i ngjason takimeve në përfundim të ceremonive mortore. Njerëz të ndryshëm bashkë me personazhet, kush të mundet takojnë duart me njëri tjetrin. Edhe spektatorët inkurajohen përmes artistësh të ulur në publik ose familjarësh kurajozë për tu ngjitur në skenë e për të shtrënguar duart. Ngrihen dhe përshëndesin njëri tjetrin duke shtrënguar duart.
Drita. E për çfarë ishte ky filmi?
Zana. Me dashni aman nuk e di ti?
Drita. Po ai sikur ishte me murgj?
Zana. Po e mi. Ishte për dashuri murgjish.
Drita. Me njëri tjetrin?
Zana. Jo mi jo. Me një vajzë aty te fshati.
Drita. Se më ngrive gjakun. Ça nuk po na dëgjojnë veshët tani.
Zana. E mi se film është.
Drita. Po mi po. Hë mi trego pak më shumë.
Zana. Po ja ky fshihet për ti ik hasmit. Por në fakt ky do vetëm të fshihet. Kur ata e kuptojnë dhe nuk e lejn t’iki. Pastaj vjen njëra e shpëton.
Drita. Me kalë?
Zana. Jo me anije.
Sokoli. Marshallah.
Drita. Edhe dashurohet mbas këtij ajo.
Zana. Jo ajo. E motra.
Drita. Po pastaj.
Zana. Pastaj e vret hasmi.
Drita. A sa keq.
Zana. Edhe kjo ja merr hakun.
Drita. A, pse vazhdon?
Zana. Vazhdon. Se ky filmi është për këta të tjerët. Pastaj ky kryemurgu vret këtë motrën e ksaj. Kjo motra tjetër I vret të gjitha pastaj. Nëpërmjet të shoqit që kishte qenë kryepirat.
Sokoli. Marshallah.
Zana. (Vazhdon.)Po unë nuk e kam parë filmin se nuk e kanë bërë akoma.
Drita. Kështu me seri është ky?
Zana Me një a me dy. Nuk e di.
Drita. Ti shumë dike. E, po Sokoli moj? Ç’po bën Sokoli.
Zana. Tahiri, do që ta çojmë ushtar.
Drita. Qyqa.
Zana. Ka një shok aty do ta fusë ushtar.
Drita. Sokolin? Po ka ushtri tani.
Zana. Ka moj, dhe me rrogë.
Drita. Çfarë tha Sokoli?
Zana. Nuk do.
Sokoli. Tobestakfurllah.
Shoku. Mazallah.
Drita. Po ti je dakort me të ik çuni?
Zana. Po mirë mi, pse jo? Tahiri ushtarak ka qenë, gjithë shokët ushtarakë i ka. Edhe ti gru ushtaraku je.Drita. Oficeri.
Zana. Aman vetë të gjej një gjë. Kur e shoh ashtu me atë mjekër. Me kë do martohet. Unë do kaloja pleqërinë me të. Beni iku.
Drita. Po mirë moj se te Beni je më mirë gjithsesi.
Zana. Beni shiku kur të martohet me amerikane, çfarë thua ti. Kush të mban? Sokoli ishte këtu, shtëpia të gjitha.
Ilia dhe Tahiri luajnë tavëll
Tahiri. Hep jek
Ilia. Sheshi jek
Tahiri. Penxhi jek
Ilia. Xhihari jek
Tahiri. Eu. Katër jek rradhë.
Ilia. Po këta me vërte i dinë këto fjalët, apo ja mbysin kot?
Tahiri. Ku e di unë, po do dinë ndonjë gjë.
Ilia. Sikur tallen. Po s’ma merr mendja. Apo jo?
Tahiri. Nuk e di.
Ilia. Sokoli studion kështu arabisht e kështu?
Tahiri. Jo mo. Po kuran ka, e shoh që e lexon.
Ilia. Interesant. Thojnë që është libër i mirë. Apo jo?
Tahiri. E c’hyn libri këtu?
Ilia. Po po jam dakort.
Tahiri. Dopje jek.
Ilia. Çfarë fati që ke mor ti?
Tahiri. Ça ti bëj atij Sokolit? S’po di ku ta çoj, po më luan mendja. Se kapi prap atë mut konkursi për shkollë të lartë.
Ilia. Po nuk dhatë ndonjë lek?
Tahiri. Do juridik. Një qerre me lekë. Te agronomia e kisha fut se ka Zana gocën e tezes.
Ilia. Kryevepër. S’do?
Tahiri. Nuk do.
Ilia. Po pse?
Tahiri. Nuk do. Më duket se do me ik në shkollë andej nga Siria.
Ilia. Po atje si kur është shumë vapë?
Tahiri. A ti je koqe, me kë flas edhe unë.
Mbërrin regjisori.
Regjisori. Ilia. Po ku je mor burrë.
Ilia. Petrit! O çfarë kënaqësie. Po ku je mor djalë. (përqafohen) Si janë të gjithë nga shtëpia mirë. Kalamajt. Vetë?
Regjisori. Mirë, Mirë, të gjithë mirë.edhe më tha Vaso kur u nisa, tako Ilian tha.
Ilia. Si është Vaso mirë?
Regjisori, Po mirë, babi mirë. Si mosha e ke parasysh.
Ilia. Po po. Ky është shoku im, Tahiri. Kemi qenë bashkë në repartin e Vasos. (Tahirit) Petriti është djali i komandant Vasos, është regjisor. Nuk e njeh?
Takohen Tahiri me Petritin.
Tahiri. Ashtu eee? Gëzohem shumë. Vaso është burrë i veçantë. Kemi qenë shumë mirë bashkë.
Ilia. Po hajde ulu. Do rrish pak?
Ulen të tre.
Regjisori. Pak do rri. Po shoku im ka një shoqe që duhet ta takonte. Po kthehemi nga manastiri.
Ilia. Po ç’ne atje?
Regjisori. Po bëjmë një film atje.
Ilia. Po ne na merr ne. Hahaha. E mban mend Tahir atehere qe vajtëm e u bëmë gjermanë te ai filmi, si e kishte ai?
Tahiri. (Qesh.) Ilia me mitraloz aty majë makinës, vritej gjithmonë para se të fillonin krismat. Pesë herë na ktheu skenën, Vasos i iku mendja se ishin ditët që kishe lindur ti e donte të ikte.
Ilia. (Qesh) Desh më vrau me vërte. Tre vjet ma nxiu jetën. Se ç’pati?
Tahiri. Shyqyr që e trasferuan. Sa i rreptë ishte.
Ilia. Po mirë, ai na tërhoqi në Durrës pastaj. Sa mirë ja kaluam eee?
Tahiri. Në Durrës njeri tjetër.
Regjisori. Hahaha. Ju kisha marr te filmi se me duhen njerëz, po duhen mjekrroshë se po bëjmë një film për murgjër.
Ilia. Sokoli.
Tahiri. Sokoli.
Regjisori. Si?
Ilia. Djali i këtij Sokoli. Është bërë mysliman dhe ka rrit një alamet mjekre tamam murg ortodoks. Bën punë?
Tahiri. Na shkatërroi. Na bën një nder që ç’të të them.
Regjisori. Po shiko se kemi gjet këto personazhet, pastaj ti e di këto mjekrat nuk janë problem sot.
Tahiri. Aman merre, ja paguaj unë çdo shpenzim, vetëm të shkëputet disi prej kësaj rutinës e jetës këtu. Jepi një rol koti, pastaj në montazh hiqe ti. Sa të bëj.
Regjisori. Shiko se nuk bëhen kështu këto punë.
Ilia. Hajt ta pimë një birrë aty dhe flasim pastaj. Do rrini?
Tahiri. Do vini për drekë nga unë, nuk diskutohet.
Regjisori. Me gjithë qejf po një herë tjetër, më pret edhe im bir.
Tahiri. Ta marrim edhe atë. Marrim nja dy pula fshati këtu, ja i them unë këtij mikut tim të na i rrjepi tani. Do kënaqemi. Kam një raki kumbulle.
Regjisori. Po rri tani vazhdo lojën një herë.
Tahiri. Po ça loje. (Ngrihet del.)
Ilia. I bën shumë punë. Janë njerëz të mrekullueshëm. Ja pyete Vason. Nëse mundesh ndihmoji se nuk ta len pa shpërblyer ai. Bëhet?
Regjisori. Po ne nuk dimë, a ka ndonjë cikë aftësi për aktrim e kështu gjërash.
Ilia. Po mirë ai të tha edhe vetë po nuk bëri mos e fut hic. Vetëm merre mbaje nja dy tre muaj andej, të rri me njerëz të hajrit. Ishallah i krijohet ndonjë mundësi andej, se gjynah. Si thua?
Regjisori. Po mirë ta shohim.
Çimi. Tito do ikim?
Regjisori. Jo po rrimë për drekë këtu te një miku im. Ja shkoi me marr nja dy pula dhe ikim në shtëpinë e tij.
Çimi. E mirë. (Takohet me Ilian.)
Vjen Tahiri. Takohet me Titin.
Tahiri. Ja ti mbyllim këto e ikim.
Ilia. Unë duhet me prit pak sa të vijë njëri që do më sjellë një gjë nga Tirana. Ju arrij atje. Nuk ka problem, apo jo?
Tahiri. Hajde se sjellim Sokolin.
Tavolina kthehet në pjesë te dhomës, ndërron ndriçmi. Vazhdon dreka. Tahiri duke mbushur gotat.
Çimi. Boll,boll, se unë jam në timon.
Tahiri. Ju jeni si në shpi tuaj. Futini një sy gjumë pastaj ikni. Apo do rrini këtu sonte?
Regjisori. Jo jo, duhet të ikim patjetër.
Tahiri. Mirë, mirë, si t’ju bëhet mirë. Hajt gëzuar.
Regjisori. Gëzuar.
(Të gjithë, gëzuar)
Ilia. Nuk po kthehet Sokoli?
Tahiri. Hajt se vjen.
Çimi. Po gjithë ai çun me mjekër ashtu. Ma hoqi mendjen.
Tahiri. Po hë mor ti. Po sa djalë i mirë që është. Punëtor, pa fjalë fare, se nga u ngatërru, na shkatërroi. E ëma nuk bëhet më njeri.
Çimi. Papapa. Po merr ndonjë lek atje te xhamija? Apo kot.
Ilia. Si lek, çfarë leku?
Çimi. Po këta sikur marrin ndonjë gjë. Pse e la gjithë atë mjekër ky?
Tahiri. Po çfarë leku? Po lëre.
Çimi. Po jo more, se kam qenë unë me një kishë amerikane po kur vinte viti i ri e ngarkonim kamionin plot. E mban mend Tito.
Regjisori. Herët shumë, po nuk ka lidhje.
Çimi. E mirë, mirë.
Ilia. Si thua, a bëhet gjë për Sokolin?
Çimi. Pse ça do bëjë Sokoli?
Tahiri. Ja me e përfshi te ky filmi në manastir.
Çimi. Prej mjekrës thu? Po vjen ky?
Tahiri. Do vijë se s’bën.
Ilia. Po, ja do i themi, besoj që po. Si thua Tahir?
Tahiri. Hajde gëzuar.
(Gëzuar të gjithë.)
Çimi. Për rolin e atij murgut të ri, që iku ai çuni.
Regjisori. Ta shikojmë.
Çimi. E mirë, hajt gëzuar.
Tahiri. Ja marrim një kënge? (Ja mban menjëherë Ilia.)
Dritës tate xhevahir
S’ka njeri ti vej kimet
Si Jusufi në Misir
Prej Bukurisë u ba mbret ....
Tahiri. Zana. Po hë moj.
Zana. Ja erdha, erdha. (sjell gjëra të tjera në tryezë.
Regjisori. Po çi keni gjithë këto, po hajde ulu tani.
Zana. Kjo nuk është asgjë ju lutem.
Çimi. Mos ke nji kola?
Tahiri. Na sill, na sill ca atë gjizën me speca.
Regjisori. Po sa vjec është djali?
Tahiri. 18.
Çimi. Shumë mirë qenka.
Regjisori. Këto pulat sa të mira. Kisha kohë pa ngrënë pula fshati.
Tahiri. Nja dy ti porosita ti marrësh me vete, ja tani i sjell Sokoli. I marr te një miku im. Nga fshati.
Regjisori. Rrofsh rrofsh.
Nisin një këngë tjetër.
Karajfilat që ka Shkodra
Medet sa të bukra janë.
Gonxhe të mëdhaja
Gonxhe të vogla,
Me erë mbushin dynjanë, aman aman.
Ilia. Gëzuar.
Të gjithë. Gëzuar
Vjen Sokoli.
Regjisori. Hajde ulu këtu, hajde.
Tahiri. Hajde babë. Zana silli një gotë djalit.
Sokoli. Ti e di që unë nuk pi. (Zana sjell një gotë dhe ulet edhe ajo)
Tahiri. Hajt mor mbaje aty sa me ba gëzuar. Na kanë ardh njerëz.
Regjisori. Gëzuar.
Të gjithë gëzuar.
Tahiri. (Sokolit) Ngrije, ngrije.
Sokoli. Po, po.
Regjisori. Nuk e di a të tregoi babi, po ne po xhirojmë një film për një kuvend murgjërish.
Çimi. Manastir.
Regjisori. Eee. Po kërkojmë ca aktorë të rinj, ti me këtë mjekrën dhe pamjen je fiks. Ta ka qejfi. Filmi është eksperiencë e veçantë.
Çimi. Apo nuk janë ca goca. Ajo tipja, çfarë buzësh mor ti?
Regjisori. Po më çan bythën. Më falni (drejtohet nga Zana)
Tahiri. Po mirë more se nuk the ndonjë gjë. Hajt gëzuar.
Çimi. Gëzuar.
Regjisori. Si thua?
Sokoli. Të luaj në një film? Po ça roli?
Regjisori. Po murg pra.
Çimi. Hehehe, ca murgu se?
Ilia. Po interesant ky filmi. Cfarëa ëndrre të bëhesh aktor. Ne atëherë, nuk na dukej fytyra fare dhe nuk kemi fjet dy netë nga qejfi që do dilnim në film. E mban mend Tahir?
Tahiri. Po e mo. Nuk fjetëm fare atë nate. Edhe që ishim gjermanë.
Ilia. Haha, tani do shkojmë te ambasada gjermane mos na japin ndonjë vizë. Kemi qenë gjermanë ti themi. Na e japin?
Çimi. Haha, po një shoku që ...
Regjisori. (E ndërpret) A ma zgjat pak shishen.
Tahiri. U më fal. (ja zgjat shishen)
Ilia. Me mik dola unë te mitralozi atëherë po prap nuk dukesha. Ti vriteshe aty te kanali, ti dukeshe një çikë më mirë, më duket?
Zana. Sa herë e shikonim atë filmin na mbante gjithë familjen në tension 10 minuta para. E mban mend që erdhe atëherë nga shtëpia ime. Ky duke bërtit, “ja ku jam, ja ku jam”. U çudit im atë. Ky vinte për herë të parë, u marros fare.
Ilia. (Qesh) Nuk më ke treguar. Pa hë?
Tahiri. Ti nga emocioni rrëzoheshe para se të qëllonin partizanët, po rri tani.
Qeshin bëjnë gëzuar.
Regjisori. Si thua Sokol?
Sokoli. Po mirë.
Regjisori. Vetëm se duhet të vish me ne. Do rrimë nja dy muaj në Manastir për xhirime.
Sokoli. Ta mendoj.
Regjisori. Për rolin duhet të vendosim se nuk e dimë akoma se si je ti në aktrim. Po kemi të lira edhe role të rëndësishme. Edhe protagonistin po e kërkojmë akoma.
Sokoli. Ashtu?
Regjisori. Do të lej tekstin unë ty sot, edhe do kalojmë ne nga java tjetër. Ti zgjidh një personazh që të pëlqen dhe mësoje kur të vi unë prap do bëjmë një provë. Edhe protagonistin po deshe. Hë si thua?
Sokoli. Duhet ta flas.
Tahiri. Me kë ta flasësh me mu do ta flasësh. Kjo është punë. Edhe ti do ta bësh. Se unë të mbaj me bukë.
Regjizori Pse mirë është. Nuk paguhet keq. Edhe ti zotit je duke ju lutur gjithë kohën, gjithsesi. Ashtu do vazhdosh. Çfarë ke?
Tahiri. Shumë mirë të thotë.
Zana. Shumë mirë thotë të keqen mami.
Ilia. Shumë mirë të thotë.
Sokoli. Po mirë.
(Vazhdon biseda. Pijnë, bëjnë gëzuar)
Titi Shiko. Ja provoje një herë mbas meje.
Për mëkatet tona le ti lutemi zotit. Mëshiro o zot, mëshiro o zot, mëshiro o zot.
Sokoli. Jo.
Tahiri. E mirë lëre se acarohet kot. Hajde gëzuar. Të gjithë gëzuar.
Bie drita, dëgjohet zhurmë e madhe. Dëgjohen ulërima njerëzish.
Tahiri i trembur prej dikujt që i vrapon pas ka rënë në pusetë dhe ka vdekur. Në shtëpinë e Tahirit priten vizitat e ngushëllimit.
Sokoli. Faleminderit për gjithçka. Allahu do t’jua shpërblejë.
Ilia. Faleminderit, faleminderit. Si ke qenë ti?
Sokoli. Po mirë. Mami është keq,që kur vdiq babi, nuk po e gjen dot më veten.
Ilia. Po kshu e ka kjo mosha jonë tani. Duhet ti rrishë afër. Po ti vazhdon akoma me kto muhabete, jo po allahu, jo po pejgameri?
Sokoli. Më vjen keq që po flet, kështu.
Ilia. Po çfarë po të flas kështu tani edhe ti. Ti e kupton që ju nuk jeni nga ajo familje. E kupton?
Sokoli. Nga cila familje?
Ilia. Yt atë ka qenë komunist i vendosur. Edhe gjyshi yt ka qenë komunist.
Yt atë ta tha disa herë. Kur u bëre ti mysliman?
Sokoli. Këto janë vendime personale.
Ilia. E kishte me hall të madh këtë muhabetin tënd. E mban mend? Nuk e zinte gjumi.
Sokoli. E di, e di.
Ilia. Tani që vdiq Tahiri i shkret të takon ty të kujdesesh për gjërat, për mamin. E di?
Sokoli. Patjetër që do kujdesem.
Ilia. Po si do kujdesesh, do i kërkosh sat’ëme të verë ferexhe?
Sokoli. Dëgjo se nuk është vendi për këto muhabete.
Ilia. E di e di. Më fal, po ngaqë të dua të mirë. Ti e di?
Sokoli. Faleminderit, por babi nuk është më tani.
Ilia. Po pra i shkreti. Po u mor vesh ndonjë lajm?
Sokoli. Nuk e di. Nuk na kanë thënë gjë. Një polic që ishte këtu tha që jo, por unë dyshoj.
Ilia. Mos u përzje kot. Tahiri këto kohët e fundit ka qenë paksa i trembur dhe me siguri që është trembur. Ti e mban mend?
Sokoli. Edhe policia kështu tha. Një grua kishte parë që dikush i kishte kaluar nga prapa me vrap dhe ai ishte trembur ose e kishte shtyrë. Kishte rënë në pusetë. Një hekur ja kishte çarë kokën.
Ilia. Po po, edhe unë fola me kunatin, nuk kishte ndonjë lëndim tjetër. Edhe ajo gruaja kishte thënë që ky nuk e kishte prek. Ishte një çun aty i lagjes duke lujt me shokët. E kishin marrë në pyetje.
Sokoli. Prap.
Ilia. Ishte çun i mirë. Me Benin ke fol.
Sokoli. Po të ketë qenë ndonjë prej tyre do t’ja marr hakun.
Ilia. Po po, ti të këput ti. More, me filmin çu bë?
Sokoli. Asgjë. Ai nuk erdhi më, ose nuk do kemi qenë këtu.
Ilia. Do ta telefonoj një herë. Të jatit ja kam numrin.
Del Ilia.
Hyjnë tre personazhe.
P3. Mirëmbrëma.
Sokoli. Mirëmbrëma.
P2. Duhet të prezantohemi.
P1. Si jeni?
Sokoli. Mirë. Po ju?
P3. Sokoli, jeni?
Sokoli. Po.
P1. Ngushëllime.
P.3. Ngushëllime.
Sokoli. Faleminderit.
P3. Kemi ardh për një problem.
Sokoli. Po ju dëgjoj.
P2. Problem! Një diskutim.
P1. Lëre atë muhabet.
P3. Jemi nga familja e atij djalit.
Sokoli. Cilit djalë?
P2. Mmmm.
P3. Atij që trembi babanë tuaj.
P1. Ai nuk e shtyu.
Sokoli. Po edhe?
P3. Në fakt djalin tonë e ka bre ndërgjegja aq shumë sa po tretet.
Hyn Zana.
Zana. Mirëmbrëma.
Sokoli. Mam, janë nga familja e atij djalit që bëri aksidentin e babit.
Zana. Pse kanë ardh?
P3. Ngushëllimet tona zonja.
P2. Na vjen shumë keq.
Zana. Ky ishte një fund kaq pa kuptim.
P3. Eh. Shumë keq.
Zana. Ju duhet të na kishit pyetur nëse donim që të vinit.
P3. Në fakt, ne deshëm vetë. Djali e ka përjetuar shumë keq dhe ne mendojmë që ju të mundoheni ta falni e ta ndihmoni.
P6. Më vjen shumë keq.
Zana. Falje?
P3. (Si duke ja fshehur P6-ës.) Është shumë keq. Po çmëndet.
Sokoli. Sokoli nuk ka dash.
P3. Ai jeton jashtë. Ishte kthyer për pushime.
P6. Në Itali.
Zana. Largohuni ju lutem. Sot kemi njerëz, një ditë tjetër.
P3. Djali ikën në Itali nesër.
Zana. Si lum ai.
P3. Menduam se një bisedë me ju do ta ndihmonte. Atje shkon drejt e në provime.
Zana. Jemi duke ju duruar shumë. Ikni tani! Sokol shoqëroji jashtë njerëzit.
Të shoqëruar nga Sokoli dalin.
Sokoli kthehet.
Zana. Ne nuk do vritemi po edhe miq nuk kemi nevojë të bëhemi.
Sokoli. Sapo kishin hyrë.
Zana. Mirë mirë se nuk po të them ty. Beni telefonoi, do kthehem tha. Kam frikë se do bëjë ndonjë marrëzi.
Sokoli. Marrëzi s’ka ç’bën, por do ta kapin.
Zana. Çfarë viti. Që kur filloi e ndjeva. O zot.
Sokoli. Qarrafam cikilim.
Zana. Sokol, nuk ta kam ngenë hic, mam.
Sokoli. Ky jam unë, tani.
Zana. Tët atë sapo e vranë. E hodhën pusetë.
Sokoli. Nuk dihet akoma asgjë.
Zana. E dëgjove, ai nesër ikte. Kanë dhënë ndonjë lek dhe kaq.
Sokoli. Padashje.
Zana. Padashje? Unë plakem qyqe me djalin që mbeti tek xhamia.
Sokoli. Po ç’lidhje ka kjo tani?
Zana. (Fillon përlotet) më zihet fryma. U bënë tre net që më duket se do vdes. Do vdes.
Sokoli. Po rri tani, mami.
Zana. Tahir, ku më le Tahir?
Sokoli. Mos bëj kështu.
Zana. Fryma. Ujë, ujë.
Sokoli. Ç’të bëj?
Zana. Ç’të bësh? Lidhi një nuskë. Magji bëji.
Sokoli. Nuk po tallem.
Zana del. Sokoli mbetet vetëm.
Sokoli. Hoxhë Brestmahullau ka thanë që vrasja është haram. Hoxhë Brestmahullau ishte prej fshatit të babit tim. Ai ka për të shku në xhenet, inshallah. S’mund ta lej të kalojë kështu, duhet të bëj diçka. Ai e ka shtyrë. Patjetër që e ka shtyrë, se edhe carjen ai e ka në kokë, në anë. Ai po ecte përpara. Tha edhe ajo infermjerja.
Këtë vit do shkoja për haxh. Fola dhe me hoxh Yllin.
Duhet të mos i kisha leju të hynin. Po ku i njihja unë. Mami s’deshi fare. Do ta vras. Do marr bajonetën dhe do ta vras. Që në mëngjes.
(Bie telefoni. Është Beni. Sokoli flet në telefon)
Po, po. Mami mirë.
Jo jo.
Nuk e di.
Po po.
Jo nuk ka nevojë.
Ja të marrim vesh. Do pëpiqem. Ska problem, merrem unë.
Jo, jo.
Po, po.
Duke fol, del nga skena. Mbyllet shfaqja.