Të vrasësh një fëmijë
Stig Dagerman
Është një ditë e paqtë, teksa dielli zë vendin e vet mbi fushat e pllajës. Së shpejti këmbanat do të kumbojnë, sepse sot është e dielë. Mes fushave me thekër, dy fëmijë sapo i janë qepur një shtegu që nuk e kanë marrë kurrë më herët dhe në tre fshatrat përgjatë pllajës kanatet e dritareve rrezellejnë diellin. Burrat rruhen para pasqyrave ngritur mbi tavolina kuzhinash, gratë mërmërisin teksa presin feta prej bukës me kanellë për vaktin e mëngjesit dhe fëmijët ulur në dyshemetë e guzhinës kopsisin bluzat e tyre. Ky është mëngjesi i këndshëm i një dite të keqe, sepse në këtë ditë një fëmijë do të vritet në fshatin e tretë prej një burri të gëzuar. E prap, fëmija rri urtë ulur në dyshemenë e guzhinës duke kopsitur bluzën. Dhe burri që është ende duke u rruajtur flet për ditën që është përpara, për vozitjen që do të bëjnë nëpër rrjedhë. Dhe akoma duke murmuritur gruaja vendos fetët e bukës në një pjatën blu.
Asnjë hije nuk kalon mbi guzhinë dhe burri që do të vrasë një fëmijë është akoma pranë një pike karburanti lyer në të kuqe në fshatin e parë. Ai është një burrë gazmor, që shikon përmes aparatit të vet për të kornizuar foton e një makine të vogël blu dhe të gruas së re që qëndron pranë saj. Ndërsa gruaja qesh dhe burri shkrep për foton, punëtori shtrëngon kapakun e karburatorit. Ai u thotë se duket një ditë e mirë për të ngarë. Gruaja hipën në makinë, dhe burri që do të vrasë një fëmijë nxjerr portofolin. Ai i thotë punëtorit se do të shkojnë drejt detit. I thotë se kur të arrijnë tek deti do të marrin me qera një varkë dhe do të rremojnë largë. Përmes dritares së hapur, gruaja në ndenjësen përpara dëgjon fjalët e tij. Ajo mbështetet e mbyll sytë. Dhe me sytë mbyllur ajo mund të shohë detin dhe burrin e ulur përkrah saj në varkë. Ai nuk është burrë i keq. Ai është i shkujdesur e gazmor. Para se të hipi në makinë ai qëndron për një çast para grilës që reflekton diellin dhe shijon aromat e përzjera të karburantit dhe jargavanëve. Asnjë hije nuk bie para makinës dhe parakolpi plot shkëlqim nuk ka dhëmbë, e as është i kuqur prej gjakut.
Por, teksa burri në fshatin e parë i hipën makinës së vet e mbyll derën, ndërsa zgjatet për të ulur frenin, gruaja në fshatin e tretë hap kapakun e dollapit dhe zbulon se nuk ka sheqer. Fëmija që ka përfunduar kopsitjen e këmishës dhe ka lidhur këpucët, ulet mbi gjunjë në divan dhe sheh përroin tek rrjedh mes verrishtes, imagjinon varkën e zezë të ngritur në barin e lartë të bregut. Burri që do ta humbasë fëmijën ka përfunduar të rruarin dhe po heq prej tavolinës pasqyrën. Filxhanët e kafesë, buka me kanellë, kremi, dhe mizat kanë secili vendin e vet në tryezë. Vetëm sheqeri mungon. Ndaj mamaja i thotë fëmijës të vrapojë tek Larsonët për të huajtur pak. Teksa fëmija hap derën burri e thërret, e nxit që të ngutet, sepse varka po pret për ta në breg të përroit dhe sot kanë shumë për të vozitur, më largë se çdo herë tjetër. Duke vrapuar nëpër oborr, fëmija nuk mendon tjetër veçse për rrjedhën dhe varkën dhe peshkun që hidhet prej ujit. Dhe askush nuk i pëshpërit fëmijës që ai ka vetëm 8 minuta për të jetuar dhe se varka do të dergjet aty ku është sot edhe për shumë ditë të tjera.
Deri tek Larsonët nuk është largë. Janë vetëm matanë rrugës. Dhe ndërsa fëmija ngutet të kalojë atë rrugë, makina e vogël blu po nxiton përmes fshatit të dytë. Është një fshat i vogël me shtëpi të kuqe dhe njerëz të sapozgjuar të ulur nëpër kuzhina me kafe filxhanësh në dorë. Ata shohin përtej gardheve dhe shquajnë makinën blu që kalon nxitimthi, një re e madhe pluhuri i ngrihet pas. Makina lëviz shpejt, dhe përtej timonit burri kap imazhe fluturake të pemëve të mollës dhe shtyllave të lyera rishtazi që rrëshkasin pas si hije gri. Vera frymon përmes dritares së hapur ndërsa ata nxitojnë përmes fshatit të dytë dhe makina përqafon rrugën duke ngarë e sigurtë, mespërmes. Ata janë të vetëm në këtë rrugë, deri më tani. Është diçka e paqtë të ngasësh tërësisht vetëm në një rrugë të gjerë, e ndërsa lëvizin në fushën e hapur ajo ndjesi paqje ngulitet edhe më thellë. Burri është i fortë e i kënaqur e me bërrylin e djathtë ai mund të ndjejë trupin e gruas. Ai nuk është burrë i keq. Ai është me nxitim për të arritur në det. Ai nuk do të lëndonte as krijesën më të thjeshtë, dhe prap, së shpejti ai do të vrasë një fëmijë. Ndërsa nxitojnë drejt fshatit të tretë, gruaja prap i mbyll sytë, duke pretenduar se ata sy nuk do të hapen më deri sa të munden të shohin detin. Në të njëjtën kohë me përkundjet e lehta të makinës ajo ëndërron për të qetën, kapushtuesen, të paqtën, të pasqyruarën sipërfaqe të ujit.
Meqenëse jeta është e ndërtuar në të tillë stil të pamëshirshëm, edhe një minutë më parë se një burrë i gëzuar të vrasë një fëmijë ai ndjehet plotësisht i lehtë, dhe në minutë të fundit të jetës së atij fëmije prindërit mund të ulen në guzhinë të presin për sheqerin duke folur pa mendje për dhëmbët e bardhë të fëmijës dhe udhëtimin që kanë planifikuar në varkën me rrema, dhe vetë ai fëmijë mund të mbyllë portën e të fillojë kalimin e rrugës duke mbajtur në dorën e djathtë pak kubë shqeri të mbështjellë me letër të bardhë dhe për gjithë atë minutë ai nuk sheh gjë tjetër veç një rrjedhë të pastër mbushur me peshq të mëdhenj e një varkë me fundin e bardhë e pllaqurima të mbytyra.
Më pas çdo gjë është shumë e vonuar. Më pas një makinë blu ka ndalur në anë të rrugës dhe një grua ulëritëse heq dorën nga goja dhe është e skuqur me gjak. Më pas një burrë hap derën e makinës dhe përpiqet të qëndrojë mbi këmbët e veta megjithëse brenda tij është çelur një galeri tmerri. Më pas pak kuba sheqeri janë shpërndarë kuptimhumbura nëpër gjak e guralecë dhe një fëmijë dergjet i palëvizshëm mbi stomak, me fytyrën ngjeshur fort mbi rrugë. Më pas dy njerëz të zbehtë që ende nuk kanë pirë kafen vrapojnë përmes një porte për të parë një pamje që nuk do ta harrojnë kurrë. Sepse nuk është e vërtetë që koha shëron çdo plagë. Koha nuk e shëron plagën e një fëmije të vdekur, dhe shëron shumë pak dhimbjen e një nëne që harroi të blejë sheqer dhe dërgoi fëmijën matanë rrugës për të huajtur ca. Dhe ajo po aq pak kuron vuajtjen e një njeriu dikur të gëzuar që ka vrarë një fëmijë.
Meqenëse burri që ka vrarë një fëmijë nuk shkon në det. Burri që ka vrarë një fëmijë nget ngadalë drejt shtëpisë. Dhe përkrah tij ulet një grua e pagojë dhe dorë të fashuar. Dhe ndërsa udhëtojnë, pas, mes fshatrave, nuk shohin as edhe një fytyrë miqsore, vetëm hije, kudo, shumë të errta. Dhe kur ikin e bëjnë në heshtje të thellë. Dhe burri që ka vrarë një fëmijë e di se kjo heshtje është armiku i tij, dhe se do ti duhen vite të tëra të jetës së vet për ta pushtuar atë duke klithur që nuk ishte faji i tij. Por ai di gjithashtu që kjo është një gënjeshtër. Dhe në ëndrrat e trazuara të netëve të veta do të përpiqet të fitojë vetëm një minutë prej jetë së vet, që të bëjë të ndryshme qoftë edhe një minutë të vetme.
Por jeta është kaq e pamëshirshme për burrin që ka vrarë një fëmijë sa çdo gjë më pas është shumë e vonuar.
Shënim:
Shkrimtari suedez Stig Dagerman (1923–1954) shkroi pjesën “Të vrasësh një fëmijë” me porosi prej Shoqatës Kombëtare të Sigurisë Rrugore si një rrëfim kujdesngjizës, pjesë e një fushate për të bërë ngarësit suedezë të automjeteve të ngadalsojnë nëpër rrugë kur shpejtësia u bë një problem social me pasoja serioze për sigurinë publike. Por ajo që pritej të ishte një pjesëz e vogël në shërbim publik u bë një ndër tregimet e shkurtër më të njohur të prozës së shkurtër suedeze.
Pjesa është përkthyer prej përkthimit anglisht të Steven Hartman. Të drejtat e autorit as nuk i kam çu hiç nëpër men. (http://www.nybooks.com/blogs/nyrblog/2014/jan/31/to-kill-a-child/?insrc=hpbl)