Medea për të shpëtuar arratisjen e heronjve grekë prej tokës barbare vrau edhe vëllanë e ja shpërndau copat e trupit nëpër det që të ndalej prej ndjekjes babai i tërbuar. Por në këtë tragjedinë e Medeas, Jasoni i tha se kjo mizori nuk kish qenë kushdi ç’sakrificë, se në fund të fundit ai e solli në Eladhën e bekuar, ku ligji e jo forca, sundon, e ku kish sy për të parë e veshë për të dëgjuar një histori për të qenë, e jo ndër ato gërxhe barbarësh ku ajo kish qenë duke jetuar në Kolkidën e largët. Por ja çe gjeti. E pësoi dhe mbreti i Korintit me të bijën, që u zunë në pëlhurën magjike që ajo kishte helmuar për ta.
Medea nuk e çonte kurrë nëpër mend këtë braktisje nga njeriu për dashurinë e të cilit kish bërë kaq shumë. Ajo për interesat e tij i vuri vajzat e Peleut ta zjenin babanë e gjorë me demek për ripërtëritje. Si shkon dhe e ndan ky një grua të tillë? Sado heroik të jesh. Një grua e tillë. Motra e Circes që mbante Odiseun peng nëpër skuta të një ishulli. Mbesa e diellit. Vetë dielli ja afroi karrocën e pasulmueshme të rrezeve të veta për ta shpënë në Athinë.
Se kjo thotë edhe që në fakt ky është fati i gruas në përgjithsi. Vetë Medea diku në fillim thotë se flet për të gjitha gratë. Në fjalë të parë ajo thotë se burrin duhet ta paguash shumë vetëm për tu bërë ytzot.
Medea pastaj bëhet e shoqja e mbretit të Athinës, që me betim i kish siguruar mikpritje e mbrojtje, fara e të cilit nuk kish ngjizur gjer aherë. Por ajo do ta bënte. Mos i bëj fëmijët shumë të mirë se ti kanë zili tha për të parët që kish me Jasonin dhe i vrau. Zot i madh.
Regjisori Dimitris Mylonas kryeson sipërmarrjen i ndjekur nga pranë prej aktores Luiza Xhuvani që luante edhe rolin e Medeas dhe Alfred Trebickës si Jasoni. Pjesën e hap Roza Anagnosti si mëndesha e Medeas, që na tregon gjithë ç’duhet të dimë për rrjedhat e ngjarjes. Mbreti i Korintit, Viktor Zhusti. Dhe lajmësi Kristian Korovshi. Edhe kujdestari i djemve Ahmet Pasha.
Xhuvani në ndjenjë e forcë është pranë Medeas, por mësymja e saj në pasion e delir bëhet nga vise racionaliteti e përkushtimi, për më tepër edhe zëri i saj gjithmonë e ka pasur një ngjyrim të brendshëm e të shqueshëm, që përcjell ndjeshmërinë si karakteristikë më vete, e që pastaj i përzjehet ndjenjës që ajo përcjell dhe e bën më të përkorë, pavarësisht nga gjithçka. E ajo është tehu.
Por ka edhe një kor. Një kor fort i rëndësishëm për shfaqjen. Një kor gjithmonë i pranishëm. Kërcimtar e këngëtar. Një kor me shtatë vajza që ka hisen e vet të vëmendjes në secilën skenë. Një kor për ta ndryshuar ritmin e shfaqjes sipas dëshirës së regjizorit. Një kor që krijon hapsirë për kolegët që ti mëshonin më shumë fjalës. Kori ishte ngarku fort. Ai duhet të na lehtojë barrën që na ve Medea. Ai na udhëheq emocionalisht duke na marrë për dore herë pas here. Ai kujdeset për rrjedhën e larmisë zbavitëse, megjithëse nga ana tjetër krijon një vazhdimësi që shkrin shijet në një unitet. Një qasje që nuk është e re dhe që na lejon të bëhemi shijehollë fort, me mundësitë e përsëritura për gjykim që na ofron. E kjo na forcon për goditjen që shfaqja dëshiron të na japë.
Trebicka si Jasoni dhe Zhusti si Kreoni janë aty burrërorë dhe me detyra të qarta, po ashtu edhe Koroveshi që mori duartrokitje të personalizuara nga publiku pas dëshmisë plot emocion për vdekjen e nuses së re dhe mbretit Kreon.
Gjithçka në vend, dhe duartrokitjet e stuhishme të premierës me siguri shpërblyen emocionet e derdhura prej artistëve në shfaqje, por për gërnjarët si puna ime duket se cilësia më e mirë trasmetimit ishte një gjysëm vale më andej, ose këndej.
Muzika ndonjëherë kishte tingujt e ëmbël korrekt e familjar të socrealizmit tonë, e herë atë klasiken, e herë drithëruese me një notë çdo të dytin hap të sekondës, por një muzikë në hije, në përpjekje për të ndërtuar një humor të caktuar tek spektatori më shumë se një muzikë që flet për vete.
Kostumet na vendosin në një kohë që më shumë i pasqyrojnë fundvitet 800 të mijëvjeçarit të kaluar se atë të para dymijë e tre-katërqind vjetëve më herët. Fustane e kostume, që shtrëngojnë dhe i ndihmojë aktorët ti rrijnë pranë personazheve të veta dhe ja skicojnë fort karakterin e vet perëndimor. Për koreografinë është kujdesur Gjergj Prevazi që i duhet të lëvrojë kufirin ndarës mes profesionalizmës e amatorizmës që ofron trupa.
Pjesa na ofroi edhe larminë e tingullit të gjuhës greke. Të më falet injoranca por nuk e di nëse aktorët po flisnin në greqishte të re a të vjetër. Nëmat e Medeas pas mureve ishin greqisht (dhe e donte një pastrim rruga e zërit deri tek spektatori), por edhe vetë profecia e shortarit të tempullit të Feb Apolonit për Egjeun (Gjergj Mena) , mbretin e Athinës, ku me betim Medea siguroi mikpritje e mbrojtje pas gjëmave të saj, erdhi në greqisht.
Në mes të bisedës që ne e ndjekim prej pak kohe e ku kureshtja mezi rimerr kontrollin e shqipsave pas atij emocionimi, kur fap, pa paralajmërim, profecia kthen në greqisht.
Dhe diskutimet e para, mes Xhuvanit dhe Menës, pas profecisë erdhën gjithashtu greqisht. Heu, pse bre? Dhe ne zhytemi në anglishten virtuale për të marrë vesh ç’i tha. Në fakt orakulli Feb Apoloni i paska thënë diçka si:
“Mos e humb nga sytë bishtin e kacekut!”
Dhe anglishtja si fjalëshumë që është tregon se kacekut i thoka ‘winesack’ apo lëkurë që mban verë. Pra ndoshta ai s’duhet të pijë aq shumë. Për verë bëhet fjalë apo për përbajtje në reagim ndaj ngacmuesit seksual? Meqenëse nëpër internet thojnë që në fakt këmba e kacekut qenka ai miku.
Viktor Zhusti, si përkthyes i veprës, duhet të na tregojë si është tamam ky muhabeti kësaj këmbës a bishtit, që ka kjo gjëja që mban verë. Profecitë dihej që nuk merreshin vesh gjithsesi, ndaj u zgjodh ky si një tekst që mund të shfrytëzohet për të sjellë pak shije nga tingujt e gjuhës që e lidhin pjesën me origjinën e saj? Apo thjeshtë na kursyen ekspozimin ndaj së pahijshmes Euripidiane? Gjithsesi, kjo nuk është fare e rëndësishme.