Në përzgjedhjen e vet komisioni do ti referohet kritereve të përcaktuara në rregulloren e UNMIK-ut me numër 2005/52, që veç parametrave profesional do të kërkojë nga kandidatët edhe integritet të lartë moral. Objektivat kryesore të këtij procesi duket se janë rritja e besueshmërisë ndaj drejtësisë kosovare si dhe e efikasitetit të këtij sistemi që shpesh është ngarkuar me përgjegjësi për probleme të ndryshme që dëmtojnë funksionimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare.
Veç një mundësie të mirë për reformimin e sistemit të drejtësisë procesi i filtrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duket se ka edhe një dimension politik, që lidhet me gjyqtarët e prokurorët e angazhuar për dhënien e vendimeve politike gjatë periudhës kur Kosova ishte pjesë e një shteti tjetër. Një detyrë e tillë i është ngarkuar shumë prej gjyqtarëve në detyrë gjatë asaj periudhe. Shumë prej tyre tani argumentojnë se thjeshtë po zbatonin legjislacionin në fuqi, çka mund edhe të jetë e vërteta. Por, problemi qëndron se ata janë ballafaquar në detyrën e tyre me qytetarë që kanë pasur në objekt të aktivitetit të tyre pikërisht deligjitimimin e legjislacionit që gjyqtarët në fjalë po zbatonin dhe që kanë dhënë përgjegjësi për bindjet e tyre.
Për më tepër, vendi, aktualisht, i gëzohet një lirie që është, të paktën pjesërisht, rezultat i lëvizjeve që legjislacioni i shtetit serb e jugosllav i shtypte rreptësisht. Kjo rezistencë ndaj represionit në të kaluarën përbën edhe asetin kryesor për shumë prej aktorëve aktivë në politikë.
Pjesë të këtij diskutimi nuk janë rastet e gjyqtarëve që për të rrëfyer besnikërinë e tyre ndaj shtetit serb tejkalonin ligjin në persekutimin dhe shtypjen e përpjekjeve të qytetarëve shqiptar për ruajtjen e identitetit dhe të drejtave të veta, për të cilët mund të jetë i nevojshëm një trajtim të mëtejshëm politik e ligjor, por gjithë ata që kanë qenë pjesë e proceseve të tilla në cilëndo periudhë kohore të historisë kosovare të pas luftës së dytë botërore deri në bombardimet e NATO-s.
Në trajtimin e këtij problemi duhet të kihet parasysh se cilat janë kapacitetet e Kosovës për krijimin e një sistemi funksional të drejtësisë. Pra sa janë të zëvendësueshëm gjyqtarët e sipërpërmendur për shkak të përvojës dhe aftësive që kanë përfituar gjatë karrierës.
Përveç të kaluarës edhe e sotmja paraqet mjaft probleme. Një sërë vlerësimesh nga organizma ndërkombëtarë dhe vendorë kanë gjetur tek drejtësia kosovare probleme që më pas i përçohen funksionimit të shtetit dhe shoqërisë kosovare. Organizata Çohu në një studim të vetin të periudhës qershor – nëntor 2008, që mblidhte opinionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të qarqeve dhe komunave në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Prizren dhe Gjakovë, gjeti se situata e drejtësisë në Kosovë ishte larg të qenit e kënaqshme. Mos angazhimi në zgjidhjen e një numri çështjesh të rëndësishme që kanë prekur interesat e shoqërisë kosovare; mungesa e vendosmërisë dhe anshmëria në zbatimin e ligjit; numri i madh i lëndëve, trajtimi i të cilave është shtyrë për një periudhë të gjatë; akuza të shumta për korrupsion e një numër i konsiderueshëm rastesh kur janë identifikuar shkelje dhe janë pezulluar e marrë nën hetim gjyqtarë e prokurorë, kanë qenë disa prej dobësive të identifikuara.
Siç u bë me e ditur më lartë, procesi po drejtohet plotësisht prej ndërkombëtarësh që mund të mos konsiderojnë fort të rëndësishëm dimensionin politik të çështjes, por, gjithsesi, prononcimi i klasës politike kosovare do të ishte i dobishëm për disa arsye, ndër të cilat: për të ndihmuar punën e Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial në marrjen e vendimeve të veta; për të mundësuar rritjen e besueshmërisë dhe mbështetjes ndaj drejtësisë kosovare prej institucioneve të tjera të shtetit dhe opinionit në përgjithësi duke i dhënë legjitimitetin e të zgjedhurve të vet si dhe për të qartësuar qëndrimin e tyre ndaj së kaluarës. Një prononcim i tillë nuk duhet të shihet aspak si përpjekje e politikës për të shtrirë influencën e vet, por si një marrje përgjegjësie politike për zhvillimet që po ndodhin në vend dhe si një hap të parë për vendosjen e një komunikimi të domosdoshëm ndërinstitucional, që deri më tani ka munguar në masë shumë të madhe.
Kohëve të fundit gjithnjë e më shpesh në media po diskutohet për mungesën e identitetit të forcave politikë, ç’ka në njëfarë mase dëshmohet edhe nga lëvizja prej një force politike në tjetrën e personazheve të ndryshëm. Për votuesin kosovar do të duhet të kalojë një kohë e gjatë para se të mund të orientojë preferencat e veta politike duke vlerësuar programet e partive politike në terma e majtë, e djathtë, e qendrës apo diçka tjetër. Tema të tilla si qëndrimi ndaj të kaluarës do të lehtësonin orientimin e elektoratit dhe do të mund të kompensonin atë mungesë të identitetit në politikën kosovare që do ti jepte edhe vetë aktorëve politikë një ndjesi vazhdimësie që do t’i ndihmonte të kuptonin se politika nuk është një videolojë ku reagohet me instinkt ndaj problematikave që dalin papritur ndërkohë që duhet të akumulosh sa më shumë. Krijimi i disa temave që do të mundësonin një pozicionim dhe angazhim afatgjatë ndoshta do mundësonte që politikanët kosovar të kuptonin se profesioni që kanë zgjedhur ka gjithë potencialin për ti mbajtur të punësuar e të paguar për një periudhë të gjatë e nuk ka nevojë që të bësh sa më shumë para për një kohë sa më të shkurtër.
Problemi i të kaluarës është vetëm njëri prej një sërë të tillësh në reformën e drejtësisë që do të ketë nevojë për vëmendjen e opinionit, klasës politike, shoqërisë civile e medias. Aktualisht organizata Çohu është e angazhuar në një projekt që synon të kontribuojë në procesin e reformimit të gjyqësorit duke e sjellë atë në qendër të një debati publik që do të ketë kontributet e politikanëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, shoqatave të ish të burgosurve politikë etj; si dhe duke u përpjekur të kontribuojë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes sigurimit dhe bërjes publike të informacioneve që mund të sigurojë mbi gjyqtarë dhe prokurorë.