Kontrabasi ishte një monodramë nga Patrik Syskind që kremtoi natën prej nga do të gdhinte e nderuara Ditë Ndërkombëtare e Teatrit. Një monodramë fort e gjetur për rastin. Them kështu se një pjesë e lehtë ashtu si gjysëmleksioni, si diskutim, si rrëfim e rrëfim për përjetim. Një tentim për tu familjarizuar me të shumtin. Një kontrabasist në fakt. Një prezantim me instrumentin, dobitë dhe evoluimin e tij, ca histori muzike natyrisht emra vepra anekdoda. I nderuari Syskind, me njohjen e thellë që ka treguar për fantazitë mbi hundën ka shumë gjasa të jetë futur në ndonjë sallë leksionesh për të mbledhur materialin nga do të kondensonte pjesën dramatike. Pastaj, një orkestër. Histori orkestre, përzgjedhje mashkullore dhe klasore, dhe estetike. Me optimizëm që vjen deri në fund falë dashurisë. Në pjesën e dytë duke u ankuar për këtë dreq vegle jashtëzakonisht kaba dhe me ndikim në psikologjinë e njeriut (se gjithë ai hu me bark të madh gjithë ditën sipër kokës të shqetëson disi në fakt.) Se duhen menduar edhe orët e gjata të praktikimit. Lavdinë e pakët dhe lekun e pakët, megjithëse optimist. Me rolin e tij në orkestër, me dirigjentë histerikë në striktësi e shpërdorim të detyrës deri në 60 për qind të notave mos dhe më shumë. Me humbjet në peshë që sjell një shfaqje e ngarkuar me emocion. Me një aktor, brenda Resë që u rrëzua prej qielli e u bë profil i ngatërruar hekuri prej shikimit magjik të asaj gruas me një këmbë që lyp te trotuari përball, një shtunë në darkë. Pra zoti Stefan Çapaliku na zgjedh një pjesë që nuk e ka kurfarrë dëshire të na acarojë nervat e provokojë në zgjim të ndonjë lloji ideologjik a psikologjik dhe na shpërndan një përqafim teatror për hatër të kësaj feste. Kur tu mblodhën aty gjithë ai milet rinor, bulevardi përball ta mban qytetin te syu. Shiu vonoi si për hatër. Pjerin Vlashi ishte ai që solli kontrabasistin personazhin e vetëm të veprës së tij përveç kontrabasit. Detyra edhe për të ngritur shqetësimin në nota të larta të egzistencës (?) edhe në të ulta e të përmbajtura me durim që lartohet me punë të vazhdueshme e këmbëngulëse mbi kontrabasin e madh. Dhe humor të përmbajtur në doza që e marrin fisnikërinë nga vetë ndalimi i tepruarqë zbaton ky heremit i dashuruar e i frustruar në rehati squllëse e të mërzitur muzikore. Zgjati plot dhe nuk pati humbje të vëmendjes. Personalisht nuk i pëlqej veglat-armë që u sollën të pranishme në skenë, por mbajtja e sopatës besoj se ishte zgjatimi i vështirë i rolit që zoti Vlashi diti ta përzjejë në zallamahinë e personazhit të vet. Mendjet e liga do kenë menduar ja kur ta thyejë kontrabasin krejt papritur, por duhej fantazi e madhe. Plus që ishte festë. Pra kjo tendenca për të theksuar dikur ca nota të larta ishte vetëm e një damari anemik apo donte të na sillte në vëmendje brishtësinë e situatës dhe këtu kushedi ça po ndodh. Por ai ta tregon gjithçka dhe siç e thamë damari ishte anemik. Këtu mendoj se kemi një çorientim si të aktorit ashtu edhe të spektatorit me një simbolikë që e bën aktin një delikatesë për tu shijuar nga kuptues të teatrit të një lloji të caktuar, por duke krijuar edhe një kufi të skajshëm për ngjyrimin e caktuar të personazhit që fiton aty direkt aq identitet sa me marr një pashaportë. Ankesa ime është për volumin e muzikës. Reja që bubullin kot e më kot nuk po i jep pak frymëmarrje Vagnerit, Shopenit, Moxart a Bahut a ndoshta atij kompozitorit gati anonim që kishte shkrujt gjysmën e repertorit botëror për pjesët e formatit të gjatë për kontrabas dhe orkestër. Ata që i zuri shiu, në kthim drejt shtëpisë aq largë sa për të mos i bërë bisht disfatës pak a shumë të gjithë do kenë menduar secili nga ne duhet të jetë në gjendje ta kandisë disi një të tillë dramë, por ai gjermani dhe simpatzanti i vet shqiptar mbështetur nga Instituti Gëte e Teatri i Metropolit mbërritën direkt e në skenën Brenda Resë. Po kontrabasi a ishte siguruar mirë kur filloi shiu? Ndërkohë jeta teatrore e qytetit vazhdon me ndodhira shpresëdhënëse sidomos nëse përgojojmë publikun?
0 Comments
Sërish në pranverë, në vazhdë të pandërprerë 55 vjeçare, po kremtojmë Ditën Botërore të Teatrit. Një ditë, që do të thotë 24 orë që nisin pranë teatrit Noh dhe Bunrakut, kalojnë përmes Operas së Pekinit dhe të Kathakalit, që na kalamendin mes Greqisë e Skandinavisë, së Eskilit e Ibsenit, të Sofokliut e Strindbergut, mes Anglisë e Italisë, të Sarah Kejn dhe Pirandelos, e mes të tjerash na sjellin në Francën ku jemi, e në Paris që mes gjithë qyteteve të botës është mikpritës i më shumë trupave teatrore të huaja. E brenda këtyre 24 orëve mund të shkojmë prej Francës në Rusi, prej Racinit e Moljerit tek Çehovi, madje mund të kapërcejmë edhe Atlantikun për të mbërritur në ndonjë universitet kalifornian, ku të rinj ka gjasa të jenë duke rishpikur një teatër të mundshëm. Sepse teatri kështu rilindet prej hirit të vet.Ai s’është tjetër veç një praktikë që hidhet poshtë papushim.Ndaj ruan gjallërinë. Teatri ka një jetë magjepsëse që i shpëton hapsirës e kohës, pjesët më bashkëkohore ushqehen nga shekujt e kaluar, repertoret më klasike bëhen moderne sa herë që vihen në skenë. Ndaj, Dita Botërore e Teatrit nuk është një ditë e zakonshme në kuptimin e jetës së përditshme. Ajo na mundëson të rijetojmë një hapsirë-kohë të pamatë, e për ta qartësuar këtë hapsirë-kohë do të doja ti referohesha një dramaturgu francez, sa gjenial aq edhe diskret, Zhan Tardiës. Po e citoj: “Për hapsirën, na duhet rruga më e gjatë prej një pike tek një tjetër…” Për kohën na sugjeron të matim me të dhjeta të sekondës kohën që na duhet për shqiptuar fjalën “përjetësi”. Për hapsirë-kohën, gjithashtu, ai thotë: “Para se të flini, fiksoni në mendje dy pika çfarëdo të hapsirës pastaj llogarisni sa kohë i duhet ëndrrës për shkuar prej njërës te tjetra.” Është fjala “ëndrrës” që më mbetet në mend. Duket sikur Tardië dhe Bob Uilsoni janë takuar bashkë. Mund ta përmbledhim Ditën Botërore të Teatrit edhe në shprehjen e Samuel Beketit që në stilin e vet të rrufeshëm bën personazhin e tij, Uini-n, të thotë: “Oh ç’ditë e bukur do të kish qenë”. Teksa mendoja për këtë mesazh, me kërkesën për të cilin më nderuan, kujtova gjithë ato ëndrra, gjithë ato skena. Pra nuk kam ardhur e vetme në këtë sallë të UNESKO-s. Gjithë personazhet që kam interpretuar në skenë më shoqërojnë, role që duket se të lejnë kur bie perdja, por që në fakt nisin një jetë të nëndijshme tek ti, të gatshme për të ndihmuar a shkatërruar rolet që pasojnë; Fedra, Araminta, Orlando, Hedda Gebler, Medea, Mertij, Bjanka DyBua…. Më shoqërojnë gjithashtu gjithë personazhet që i desha e i duartrokita si spektatore. E kështu unë i përkas gjithë botës. Unë jam greke, afrikane, sirjane, veneciane, ruse, braziliane, persiane, romane, japoneze, njujorkeze, marsejase, flipine, argjentinase, norvegjeze, koreane, gjermane, austriake, angleze, vërtetë nga gjithë bota. Globalizmi i vërtetë është këtu. Në Ditën Botërore të Teatrit më 1964-ën, Lorenc Oliveri njoftoi se pas më shumë se një shekulli përpjekje një Teatër Kombëtar ishte themeluar nëAngli, një teatër që ai menjëherë desh ta kthente në një Teatër Ndërkombëtar, të paktën në terma të repertorit. Ai e dinte mire se Shekspiri i përkiste botës. Me kënaqësi kujtoj që mesazhi i parë për këtë Ditë Botërore të Teatrit, më 1962-in, ju besua Zhan Koktosë, edhe për faktin se ai ishte autor i librit “Sërish rreth botës për 80-të ditë”, apo jo. Unë i kam rënë rrotull botës në një tjetër mënyrë, unë kam bërë 80 shfaqje apo 80 filma. Them edhe filma sepse unë s’bëj asnjë dallim mes të luajtur në teatër apo film, e di se kjo befason sa herë që e them, por është e vërtetë. Asnjë dallim. Teksa flas këtu nuk jam vetvetja, nuk jam një aktore, jam vetëm një prej atyre shumë njerëzve falë të cilëve teatri vazhdon të egzistojë. Kjo është paksa detyra jonë. Dhe nevoja jonë. Si të thuash: nuk e bëjmë teatrin të egzistojë, por është falë tij që ne jemi. Teatri është shumë i fortë, ai reziston, i mbijeton gjithçkaje, luftrave, çensurimit, mungesës së parave. Mjafton të themi, “një skenë e zhveshur nga një kohë e papërcaktuar” e të ngjisim në të një aktor. Ose aktore. Ç’do të thojnë? Ç’do të bëjnë? Do të flasin? Publiku pret, ai do të dijë, publiku pa të cilin nuk ka teatër, kjo nuk duhet harruar kurrë. Një njeri prej publikut, është një publik. Gjithsësesi le të shpresojmë mos mbesin shumë karrike bosh! Një rrezik që nuk i kanoset Ioneskos … Siç thotë Plaka nga vepra e tij: “Po po, vdesim në lavdi të plotë, …Vdesim për të hyrë në legjendë … Të paktën do të kemi rrugën tonë …” Dita Botërore e Teatrit përkujtohet tashmë prej 55 vjetësh. Në 55 vjet unë jam gruaja e tetë që ftohet të japë një mesazh, megjithëse nuk di nëse fjala mesazh është e duhura. Paraardhësit e mi, (në mashkulloren e imponuar) folën për teatër të imagjinatës, të lirisë, të origjinës, theksuan larminë kulturore, bukurinë, pyetjet pa përgjigje ... Më 2013-ën, vetëm katër vite më herët, Dario Fo tha: “e vetmja zgjedhje për krizën rri në shpresën për një gjueti shtrigash kundër nesh, mbi të gjitha kundër të rinjve që duan të merren me teatër: aty do të lindë një diasporë e re komedianësh që padyshim nga kjo shtrëngesë do të nxjerrin përfitime të paimagjinueshme përmes një prezantimi të ri.” Përfitime të paimagjinueshme është një formulë e bukur e denjë për tu përfshirë në një program politik, jo?... Meqenëse jam në Paris pak para zgjedhjeve presidenciale ju sugjeroj atyre që duket se kanë dëshirë të na qeverisin të jenë të vëmendshëm ndaj përfitimeve të paimagjinueshme që sjell teatri. Por pa gjueti shtrigash! Teatri për mua është tjetri, është dialogu, është mungesa e urrejtjes. Miqësia mes popujve, nuk di mirë çdo të thotë kjo, por unë besoj tek komuniteti, tek miqësia e spektatorëve e e aktorëve, në unitetin e gjithë atyre që teatri i bën bashkë, pra shkrimtarit, atij që përkthen, atij që sqaron, kostumografit, skenografit, atyre që interpretojnë, atyre që e bëjnë e atyre që shkojnë. Teatri na mbron, na strehon … Unë besoj që ai na do ... po aq sa eduam ... Më kujtohet një regjizor i vjetër i kohëve të vjetra që para se të ngrihej perdja, në prapaskenë, do të thërriste me zë të fortë: “Vendi i teatrit!” Kjo është fjala ime e fundit. Faleminderit. Përktheu: Oltion Kadaifçiu https://www.world-theatre-day.org/messageauthor.html Equus, vepra e mirënjohur e autorit britanik Petre Shaffer, pati premierën në skenën e teatrit kombëtar mbrëmjen e tretë pas ditës së verës në vitin e shtatëmbëdhjetë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë. Ngjitja në skenë udhëhiqej prej regjisorit boshnjak Dino Mustafiç. Siç shpallte personazhi kryesor në një gjysmë dialog me njerëz të tjerë, që do ti përflasim më vonë, dy pyetje kanë vërtetë rëndësi në gjetje të ndonjëfarë kuptimi nëpër jetën individuale. Dhe këto janë pse unë e pse ky. Pse unë? E pse ky? Pyetje që duket se nënkuptojnë të pasurin e një fati të caktuar, një aftësie për përjetim, një aftësie për të shtyrë e kaluar kufinj të qenies e egzistencës. Dhe këtë e shpallte një psikiatër që lakmonte çmendinë e pacientit të vet adoleshent. Shiko si ishte çmenduria e tij. I mbrujtur me nevojën akute për një zot tek ai diçka merr rrokullimën kur këtij i heqin nga muri një pikturë, një skenë të llahtarisur të jezu krishtit me kryqin e ngarkuar në qafë, tek i ngjitet malit i gjakosur, dhe i vendosin portretin me afërsi të tepruar të një kali. Dhe ky kal bëhet zoti i tij. (Edhe Kaligula që ishte perandor nuk e bëri kalin e tij më shumë se senator.) Madje gjithë kuajt. Dhe fundjavat i kalon duke u afruar me këta zotër të cilët i kalëron netëve, ndoshta në ekstazë, lakuriq. Por, kur ai dyshon se ka bërë mëkatin e madh, për zotin e vet kal, duke shkuar me një çupë të re që i jepet nëpër natë rinisë së tij djaloshare, (nëpër kashtën që mbushte sallën dhe që nuk mund të mos e falenderojmë, direkt, për aromën e bollshme e të shëndetshme që na ofroi) i verbon të gjashtë kuajt që mundi të arrinte e që disi mund të kenë ndjerë mëkatin e tij. Një blasfemi kriminale e ekzekutuar me një akt kriminal. Autori Shaffer është referuar në ngjarje të vërtetë për të krijuar një rikrijim të ngjajrjeve në kujtesë të protagonistëve e ndërveprim në bashkëkohësi. Prej unit psikiatër. Pse ky tani? Adoleshenti Strang referohet nga kryetarja e gjykatës tek psikiatri shef, zoti Dysard. Ky ishte biri i socialistit ateist post-proletar shtypshkrues që ish martuar me të krishterën e vendosur post-borgjeze dhe që ishte e ëma e këtij. Dhe këta kishin krijuar rrethanat që rrokullima e tij në përmbushjen e nevojës për zot përfundon duke verbuar gjashtë kuaj të të zotit të fermës ku punonte. Dhe ky në fëmijërinë e hershme kishte njohur kalërimin nga një kalorës i panjohur dhe guximtar teksa kalamendej në plazh. Kish provuar realizimin e dashurisë me një vajzë. Kish kryer një vizitë të parë në kinemanë ku jepen filma porno dhe ku takon të atin. Dhe pse unë? Psikiatri e lakmonte sepse në fakt ai mezi gjente ndonjë kuptim nëpër jetën e vet dhe besonte se ekstremi ishte i vetmi vend ku mund të kishte mbetur fshehur kuptimi. Në një martesë të palumtur ku mezi qihej një herë në dekadë. Dhe ëndrrat i kishte me sakrifikim foshnjash në rituale të paganizmit gjaksor. Adhuronte artin e Greqisë së Lashtë. Psikiatri është narratori dominantiunuminus. Një fill interesant e i plotë i ngjarjes. Timo Flloko në rrëfim. Ai heton. Fton njerëz, rikrijon situata, na prezantohet, shëron, hipnotizon, eksperimenton, flirton, ndoshta dashuron. Një mjek pasionat e qëllimhumbur. Ky bosht i ngjarjes, kur gjithçka tjetër ka gjithë irracionalitetin e mundshëm për të korrur për qëllime të veta, mbetet në pozita të parehatshme. Siç e dimë Timo Flloko nuk e le rehat atë muhabet, por prap reflektimi i tij i brendshëm e zëlartë e ka rrezikun për çngjyrosje nënkuptimesh. Aq shumë reflektim. Strangu dhe Dysardi. Dy emra që edhe vetë përcjellin karakteristikën themelore të personazheve. Infermierja, kryegjykatësja, djali i fandaksur, e ëma, i ati, kalorësi, vajza. Dhe kuajt! (Dhe një pushim i pakuruar në një si stacion komplet kthjellues për dalldinë teatrore.) Skena ndjehej e ngushtë. Gjithë ata aktorë e gjithë ai aktrim. Kërcim. Mbivendosje e aktit si pa të keq. Kërcim, e fjalë. Një kalë. Tre kuaj dhe dy daulle të mëdhaja, ndriçim, shkallë e kor që bën muzikë. Nuk e kuptoj pse nuk rrotullohet më skena e teatrit kombëtar. Lëvizje në lakurëqësi të shtuar prej përmbajtjes së lëvizjes. Kush e dinte që dinte me këndu gjithë ai aktor. Secili me tikun e vet psikomotor që është si një identitet nervozizmi shtuar secilit. Gjestikulacione sa me furnizu një aeroplanmbajtëse me shenja për një muaj. Personalisht nuk preferoj premierat, por kjo u desh. E përfolura lakuriqësi vërtetë ndodhi. Protagonisti që siç thamë kalëronte nëpër natë e bënte këtë lakuriq. Dhe ky na ishte Igli Zarka, që me koqe e me mollaqe na i shtoi sensasionalitetin gjithë asaj ngjarje dhe mbajti të pranishëm atë element seksualiteti që ndoshta rikthen gjithçka te fetë e ndjekura gjerësisht e që shtojnë seksualitetin ndër mëkatet e krimbura në fajësi e që mund të na qorrollepsin nëpër skajet e skëterrës së përjetshme. Edhe gjinj femërorë u shquan në ato thellësi të paskashtës në skenën e ngushtë. Zarka duhej të lëvizte largë nëpër kohë me personazhin e tij. Atij i duhej të ishte i pranishëm si vetja e vet në çmenduri, në fëmijëri dhe pastaj nëpër zbulime të rinisë. Atij ju desh të këndonte frikën e pasçmendjes, ju desh të bënte e shpallte zbulimin e madh “Babi im ka kar!”, të zhvirgjërohej si dhe ti bënte si nervoz e marrok dhe ti fliste e bindej psikiatrit, mamit e babit. Në kapjen e ngjyrimeve moshore, në çmendurinë e drojtur, në këngë e kalërim Zarka meriton lëvdata. Në interpretim të Ema Andreas dhe Arben Derhemit, vinte çifti prindëror. Një duet plot reflekse e fort i spikatur. Pa rezerva në përfshirje. Një mirëkuptim gjithandej. U bënë personazhe të plota me një grusht baltë. Andrea e plotë e tërheqëse si mama besimtare, pak e fiksuar, me diskursin e zakonshëm të asaj që duhet të humbë klasë për tu martuar, angleze. Me tikun psikomotor si vallëzim kontempran, gjithashtu. Ky post-proletari i penduar për një martesë kaq të lodhshme e i zënë me punë e seksualisht i frustruar i Derhemit gjithashtu mbresëlënës e i plotë. Edhe Andrea edhe Derhemi me përdorim të mirë të plastikës e përqëndrim të lartë. Të natyrshëm në gjithë atë mori situatash ku u përfshinë. Shuplakat e zonjës Ema janë maah. Në fakt ajo si e ëma i thotë psikiatrit që ti hiqet qafe dhe përpiqet ta kthjellojë përmes ndëshkimit birin e vet që kishte humbur nëpër ëndrra. Kalërimet pastaj janë një goxha arritje. Si e zotit Gjergj Prevazi si e kërcimtarëve që gjithashtu janë fort të zhdërvjellët e në dispozicion të rolit. Skena e verbimit për shembull ishte një kulmim prej tërbimit e frikës, prej sytherjes brutale e tashmë të pësuar. Gjithandej përpjekja për të ndjekur një lëvizje kalërore ishte e këndëshme. Edhe ai kalorësi misterioz i plazhit, që thamë dhe që herë pas here u angazhua në përsëritje të tingujve kalëror dhe të njëfarë vrulli të tërbuar mbi kalë ishte shumë mirë. Edhe Zarka edhe Ermir Jonka i shtojnë një imagjinatë menduar e realizuar këndshëm të kalërimit. Ena tjetër nga lëviz aksioni teatror udhëhiqet nga e reja Krist Lleshi. Këtu të gjithë kanë për detyrë që veç të tjerash të përcjellin një koment të aktualitetit dhe kjo i bën bashkë. E dashura e djalit na fton të qeshim e ti gëzohemi jetës. Bile edhe na gjurmon nëpër turmë. Infermierja, tregon eksperiencën e vet. Po kështu edhe kryegjykatësja edhe pronari i fermës ku ndodhi masakra. Të tre këta personazhe zhvillohen edhe brenda rrjedhës së ngjarjeve, por pastaj edhe dalin nga roli primar e ekzekutojnë llojin e caktuar të abstragimit moralo-estetik për gjendjen e dhënë njerëzore. Këtu sic e dini rreziku për të përfunduar gjatë është i madh. Me i fol drejtëpërsëdrejti publikut është e vështirë. (Na përmendën edhe reformën në drejtësi!!! Po pse o popull nuk reformohesh??!!!!?apo po reformohesh?apo jo më fal se ti nuk je ai.) Kjo e ekzekutuar shumë mirë jam dakort dhe gjetja fort e spikatur me një gjakpirje për njëri-tjetrin përmes tubash që montohen në krah jam dakort, por. Por përndryshe, edhe e dashura (Lleshi), edhe gjykatësja (Luli Bitri), edhe infermierja (Erjona Kakeli), edhe biznesmeni (Lulzim Zeqja) janë simpatikë dhe të përmbushur në secilën linjë të personazheve të veta. Duhet thënë se në këtë mori zhvillimesh ajo që përballon kostot dihet që është fjala. Një kosto që i duhet ta përballë Flloko i pari e pastaj të gjithë me rradhë. Në fakt, megjithëse kumtet e tij, e të të gjithëve, janë shpirti poetik që gjallon nëpër gjithandej prap humbja e kuptimeve andej këndej nuk shqetëson. Sikur vetë Mustafiçi e gjithë ekipi të mos i blatonin kaq përkushtim mesazhit shfaqja do të lehtohej nga një ngarkesë shtesë. Regjizori Dino Mustafiç është vërtetë përgjegjës për një zhvillim me rëndësi në jetën tonë teatrore. “Pasuesi” prej Ismail Kadaresë i sjellë prej trupës së Teatrit Kombëtar të Kosovës me regjisor maqedonin Sllobodan Unkofski ishte ngjarja e ditës së fundit të dimrit të 2016-2017ës në skenën e Teatrit Kombëtar. Pasuesi i Kadaresë, siç jua merr mendja, qenkërkësh shoku Mehmet Shehu, i parapërzgjedhur prej prijësit për t’ja trashëguar detyrën e timonierit kombëtar.
Në fillim na ngrihet kufoma e pasardhësit e na flet për kafkën e përgjysmuar nëpër netë delirantobrutale reale zhvarrosjesh komuniste. Ky pranonte diçka dhe tregonte diçka pa u justifikuar, por edhe i zhgënjyer për këtë fat të keq që i gjeti shumë e sidomos atë. Pjesa vazhdon direkt me çështjen e vetvrasjes apo vrasjes e tij, që janë, siç edhe i dimë, fillet që gjithnjë janë përfolur. Çun Lajçi në këtë rol. Por ai nuk është tamam Mehmeti. Përveç faktit që është vetëm fanepsja e tij e prejandejshme Ai ka një vajzë. Dhe një djalë. Dhe është fejesa e vajzës ajo që i prish që gjithë punët meqenëse u lexua si tentativa e tij për të shpërndarë lajmin se lufta e klasave po zbutet. Për zotin Lajçi më duhet të them se çdo adash profesional do t’ja kisha shpall patetik, por më duhet të pranoj se ngërthimi i tij nëpër ca plastikë e pathos që miksojnë dhembshuri, vllazëri e prindërim patriotik, energjik dhe ndoshta ca i rrëmbyer e i rrezikshëm është i fortë dhe përmban sinqeritet. Nja pesë zonjëza pastaj. Me uniforma ushtarake, narratore, kërcimtare. Gazmore e jopersonale si personazhe (përveç rasteve të veçuara, si ai kur dy prej tyre luajtën role individuale shtesë). Pastaj është zoti Prijës, një arkitekt, ministri i brendshëm që ndoqi fatin e keq pasi kish egzekutuar fatin e keq, një civil policor, një babaxhan ndihmës goxha i moshuar, sekretari i prijësit. E shoqja, i biri i pasardhësit. Dhe e bija e pasardhësit. E bija e pasardhësit një një zonjushkë e bukur u masturbua aty në prag të paraskenës. Një masturbim i përmbajtur e mbi rroba po ajo i shkoi afër një orgazme me frymëmarrje zëlartë. Dhe dashnori i saj nga klasat e deklasuara, natyrisht. E shoqja e pasardhësit përshembull nuk tentonte fare zonjën Fiqirete Shehu që e përflasin si një copë çelik në majën ideoogjike të partisë, ose të paktn në institucionin që merrej me atë muhabet. Ajo ishte si një zonjëzë borgjeze në mesomoshë e lënduar nga ndonjë dramë boorgjezësh në mesomoshë. Po bijëza thuaj, bijëza ishte edhe personazhi që më shumë nga të gjithë na ngacmoi tela që mbajnë era seksualitet. Ajo veshi katër palë brekë, na la më shumë të pllakosnim vështrime gjarpëruese në bluzën që mund të varej, fustanin që mund të hapej, apo ndonjë lëmoshë tjetër e kësaj natyre. Ajo foli për dëshirën për seks. Ajo na tregoi çapkënerinë e natyrshme të kësaj moshe që zien dhe është shumë e bukur. May-Linda Kosumoviç është aktorja që e para ndër shoqe i rri mburojë përqendrimit të pjesës në këto aspekte të kësaj ngjarje. Aty shquhet edhe një korrespondent i huaj me emër jugosllavo perëndimor. Një emër jugosllav, nuk jam shumë i sigurtë nëse e mbaj mend mirë, por një emër tipik si Pedrag Goldsmith. Ky mbajti goxha veprim në pjesën e parë kur u bë rrëfimi i ngjarjeve, pastaj u zbeh natyrshëm për tu rishfaqur prap e për të humbur prap. Edhe ky plot plastikë e natyrshmëri e kuriozitet djaloshar por edhe finok dhe amoral e grykës. Adrian Morina solli këtë personazh të larmishëm e të ngarkuar me sjelljen e botëkuptimeve, interesave e ma e ma. Pastaj prijësi. Prijësi ishte vërtetë i lodhur por me vetbesimin e nevojshëm dhe me qetësi natyrisht. Ai përdor dy herë një reostat të ndriçimit të një salle të brendshme. I pari në Shqipëri. Që ishte instaluar në Shqipëri. Të dyja herët loja e prijësit me ndriçimin u shoqërua me pantonima. Një rol i qetë e i qartë i Bislim Muçajt. Kjo që merrej me magji dhe interpretohej nga Arta Selimi, që ishte gjithashtu pjesë e pesëshes kor. Me një xhubletë të zezë shtrënguar fort ishte halla nga jugu. Ajo për pak bëri këtë mesazhierin e ndërbotshëm që mund të dyshojmë se ka lind që tek Kadareja, ashtu si edhe arkitekti e artisti në përgjithësi që luhej nga zoti Mjaku, që na kujton pak po atë krijesën tjetër të Kadaresë arkitektin me orgjinë shqiptare që dashurohej me mermerin kolonor të kishës së sapo pushtuar të Shën Sofisë dhe që sjell këtë lidhjen tjetër me të përtejmen, atë të së bukurës, parimores, ideales. Poezia përzihet gjithandej. Deri edhe Këngët janë poetike. Nga bitëllsat vjen poetikja “let it be”. Si ta rehatojmë gjithë kte poezi? Kadri Hazbiu ishte ministri i brendshëm? Ai luhej nga aktori Ismet Azemi, por ai nuk tentonte korrespondimin. Po djali? Djali flet dhe do të dijë nëse një mallkim prej atyre që më herët e kishin pasur atë pronë ishte shkaktar i kësaj gjëme. Djali sjell gjithë mëdyshjet etike të shoqërisë që pasoi. Civili policor që folëm ishte gjithashtu interesant. 17 aktorë në skenë për shumicën e kohës. Gjithë ajo skenografi. Kolona të larta. Mozaiku i mirënjohur i Muzeumit Kombëtar në sfond, printuar në format goxha të madh. Shkallë. Muzikëra. Pjesa zgjat tek dy orët dhe kohë ka plot dhe boshti i ngjarjeve është një. Aq shumë pjesëza. Pjesëzat janë të shtrënguara fort, por tendenca e tyre qendërikëse vjen që në monologun e të vdekurit që pret autopsinë. Gjithësesi, kronologjikisht pjesa është shpërbërë butë. Kalimi nga një kohë tek tjetra, megjithëse sa para mbrapa dhe sa më një degë më një tjetër, bëhet mirë. Më herët na është dashur ta përdorim konstatimin e këtij bollëku herë si dobësi e herë si forcë të një shfaqje. Në këtë rast na duhet ta rrudhim gjykimin e saj si dobësi. Vajza po rritet. I dashuri, muzika, babi që ndërhyn. Një vrasës. Kujtime. Një ëndërr. Prijësi. Sekretari. Arkiteti dhe muret e tij dhe njëra që mund të ishte e dashura e tij dhe e këshillonte. Loja me drita e pantonimat. Këngë partizane. Arrestime. Ngadhënjimi dhe rrënimi i ministrit të brendshëm. Hetime për vrasjen. Dy autopsi të të njëjtit personazh (ose tre nuk jam i sigurtë.) Nënë bijë, nënë bir, babë e bir, motër e vëlla. Magjistrica. Baba. Gjimnastika e mëngjesit. Shprehi të gjalla fort. Në fakt pjesë nga ngjarja tregohen dy herë, po unë nuk arrita të depërtoj fort në këtë përdorimin e përsëritjes për të sjellë këndvështrime të ndryshme. Në fakt nuk jam fort i bindur për efikasitetin e përdorimit të disa varianteve për krijimin e një ndjesie të konsoliduar historike që përcillet e që i mban brenda përcjellësit e vet. Në kuptimin e pranisë në rrjedhën e ngjarjeve. Në atmosferën emocionale të kohës së dhënë. Për më tepër, realiteti e trilli përzihen. Pjesa sjell jetët individuale që i mbivedosen dramave kombëtare. Dhe unë jam dakort me këtë qasje në lexim të historisë. Njeriu e pushteti, marrëdhëniet ndërnjerëzore e realpolitika shoviniste, rivalitetet, xhelozirat , egërsia e organizimet fisnore e shoqërore, seksualiteti e ideollogjizma humaniste urbanizuese. (Nuk e di sa i falur jam për faktin që marr guximin e të mos referoj ca veprën e Kadaresë, por nuk e kam lexuar atë por, padyshim do të sjell një shtojcë të këtij artikulli mbi këtë temë sapo të më krijohet mundësia.) Por, diskutimi mbetet në atmosferën emocionale. Çfarë ndodh në atmosferë emocionale? A do të na përfshijë, a do të na informojë? Të dyja? Tek të dyja unë gjej tehun e dëmtuar të shpatës. Tek mbajtja e të dyjave linjave me të njëjtin theks buron butësia, aty përmbahet mbresa dhe kumtet zbuten. Shprehja e prijësit, që mbyll shfaqen, thotë pak a shumë “kur ke fqinj të këqinj nuk ke si shpëton ndryshe,” ndërkohë që më herët pasardhësi kishte paralajmëruar të birin se në rast se në endjen e tyre në botë të përtejme nëse gjehet një vrimë që ti sjelli prap në këtë botën tonë prap do të na pijë e zeza. Një bashkëjetesë e personales dhe kolektives që shtrihet tek secili element i shfaqjes dhe përmban kundërshti. Kjo bashkëjetesë është arritur mirë, por vetë bashkejetesa, që padyshim është e pranishme në realitet, ka ndonjë deformim anatomik. Në qasje regjizoriale nuk mund të themi se ka fort risi. Ky grupi i vajzave, qoftë edhe i përzier ka treguar tashmë që është e vazhdon të jetë një mjet me sukses të farkëtuar që prej dramave të Greqisë së lashtë e deri tek moderniteti postkabareist. Kjo është një fitore produksionale e përsëritur në skenën shqiptare të kohëve të fundit, pavarësisht kontributit të secilës zonjë a zonjushë të nderuar dhe burimit të vet regjizorial. Është hera e dytë që më ndodh me pjesë të teatrit të Kosovës që dal nga salla disi i varur pa ndonjë lëkundje të fortë emocionale o ndonjë gëzim lehtësues, por tani që i kujtoj një mal me miniakte në vetvete të këndshëm, që bashkohen mirë e i vinë qark njëri tjetrit dhe. Finesë, provokim, ngjyrim i personazheve. |
Categories
All
Archives
May 2023
|