të votosh a të mos votosh, kjo është çështja
Partia socialiste vjen në këto zgjedhje me një forcë më të unifikuar. Arrestimi e lënia në ambientet e paraburgimit e kryebashkiakut të Tiranës zotit Erion Veliaj është një zhvillim i rëndësishëm brenda kësaj partie e ky arrestim në prag të zgjedhjeve rastis në një kohë të përshtatshme për të minimizuar humbjet e këtij zhvillimi. Duke menaxhuar qendrën absolutisht më të rëndësishme të zhvillimit në vend zoti Veliaj pati mundësinë të ketë kontroll në burime financiare e njerëzore që e bënin atë një aktor me të cilin duhej negociuar. Megjithëse largë cilësive për të qenë një lider, padyshim një Metë i ri mund të lindte prej tij. Por fati i tij tregon për një realitet të ri politik në vend.
Pas një zhurme fillestare për padrejtësitë e drejtësisë së re, Rama e ka shndërruar në një ndër shtyllat e rëndësishme të fushatës së tij mbështetjen që socialistët i kanë dhënë reformës në drejtësi. “ne ja dhamë shpatën” është refreni i përsëritur prej tij, ndërkohë që Partia përpiqet të lerë në harresë një seri skandalesh të mëdha që edhe të çonin në nxjerrjen jashtë ligji a shpërbërje të një force politike nuk do të ishte ndonjë skandal.
Ndërkohë shtyllë tjetër e rëndësishme e fushatës është integrimi europian. I bekuar prej zhvillimeve gjeopolitike Rama po vjel fruta të një politike të jashtme që përgjithësisht është bazuar në aftësitë e tij për të qenë i këndshëm në tryeza e takime, për të bërë njëfarë lajmi të pa-qeder para mikrofonit dhe për një fragmentizim të aktivitetit diplomatik në atë masë sa mos me u marr vesh hiç se çfarë po bëhet.
Pas një angazhimi kokëfortë në Ballkanin e Hapur, i cili nuk ishte veçanërisht i pëlqyer prej gjermanofonëve që po investoheshin në Procesin e Berlinit dhe për të cilin Berisha angazhohet elektoralisht se do ta varrosë përfundimisht duke i siguruar kështu mbrojtjen e nevojshme fermerëve shqiptarë, Rama përfshihet përkrah Kroacisë e Kosovës në një mirëkuptim për përkrahje në aftësitë mbrojtëse. Vendimi është pak të themi i papritur sepse marrëdhëniet tona me Kosovën kanë qenë disi të ftohta Rama deri vonë këmbëngulte në një rritje të mirëkuptimit prej qeverisë së Kosovës ndaj kauzave të qeverisë Serbe. Ndërkohë që edhe marrëdhëniet tona me kroatët nuk na kanë rënë në sy për ndonjë ngrohtësi të veçantë.
Një zhvillim i tij padyshim është i rekomanduar nga një qendër e rëndësishme e pushtetit gjeopolitik. Por për ne është e vështirë të kuptojmë në këtë moment se ku është kjo qendër.
Është disi e vështirë për ne të shohim Shtetet e Bashkuara si iniciatore të këtij zhvillimi duke pasur parasysh se ameriaknët nën udhëhejen e Trump janë duke përmirësuar marrëdhëniet me Federatën Ruse. Natyrisht nuk është për tu përjashtuar që amerikanët të shohin dobi të kjo marrëveshje, ose thjeshtë reformat që Trump po bën në përfaqësuesit e SHBA nëpër institucionet ndërkombëtare nuk kanë përparuar aq sa të ndikojnë këtë zhvillim, por sipas gjasave një zë më europian brenda NATO-s i ka pëshpëritur miratimet. Përfshirja e Hungarisë në aleancën me serbët që u artikulua si përgjigje ndaj këtij zhvillimi përforcojnë besimin që europianët janë ata që po marrin masat e duhura në këtë rajon ku padyshim së shpejti do të kemi një matje të forcave a negociatë.
Leximi i këtij zhvillimi është me rëndësi për të kuptuar aleancat e Ramës në prag të këtyre zgjedhjeve. Këtu na duhet ti rikthehemi sërish temave si Tik-Tok, denoncimi i Gjykatës Ndërkombëtare, apo shteti Bektashi. Të tre çështje fare të paqena e një shpërdorim energjie i pakuptueshëm, në mungesë të një teorie konspirative për të cilën kemi nevojë për më shumë informacion. Por, që të treja rrëfyese të rëndësishme për të kuptuar shtigjet nga gjarpëron politika jonë e jashtme. Vendimi i djeshëm i Orban për të tërhequr Hungarinë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime (ICJ) me siguri do të verë në lëvizje pozicionime të cilat do të paraqesin vështirësi për zotin Rama. Ndarja e madhe mes SHBA-së dhe BE-së vjen në një moment të papërshtatshëm për të duke pasur në konsideratë se palët do ti kërkojnë të bëjë të qartë se ku qëndrojnë besnikëritë e tij. Secila palë ka potencialin ta dëmtojë fushatën. Amerikanët me ndikimin në SPAK, me informacionet e shumta që duhet të kenë e me rrjetin e shkëlqyer të ushtrimit të ndikimit janë një forcë marrëdhënia me të cilët kurrë nuk është e thjeshtë.
Arritjet në zhvillime infrastrukturore, rritja në turizëm e një diskurs më elegant e tërheqës për të vjelë frutet e zhvillimit teknologjik janë gjithashtu një element i rëndësishëm i fushatës për zotin Rama, por edhe këtu është e lehtë të kujtohet e harrohet ngaqë dikush flet për korrupsion, diku zhvillimi prek vetëm një pjesë të vogël të popullsisë e diku zhvillime e pësime bëhen bëhen bashkë.
Papritur, Partia Demokratike e Shqipërisë duket se është rikthyer në konkurrim. Me një koalicion të gjerë aleatësh të llojllojshëm që herë duket se dëmtojnë e herë sikur ndoshta janë të dobishëm për të mbledhur votat në atë rrjet njerëzish që ata ushqejnë, PD përparon. Shqipëria madhështore.
Por problemet nuk mungojnë. Pak prurje të reja nëpër listat e mbyllura parashikojnë që fushata do të vazhdojë të mbështetet më së shumti në drejtimet e stërshfrytëzuara: karizma e liderit, korrupsioni socialist dhe besnikëritë me karakter krahinor e antikomunizëm familjar.
Ndërkohë karizma e kandidatëve të tjerë le shumë për të dëshiruar. Anëtarë të vjetër të partisë, natyrisht me kontribute, por me pak aftësi për të shfrytëzuar teknologjitë e reja të komunikimit e pak reputacion profesional relevant për zhvillimet ofrojnë pak. Vetëm përfituesit e dikurshëm prej pushtetit të tyre mund të kenë ruajtur mirënjohjen, por një opozitë tashmë 12 vjeçare ka gjasa të ketë holluar lidhjet.
Gjithësesi sigurimi i votës së të ‘tonëve’ mbetet një hap jetik. Partia Demokratike në këtë aspekt është ballfaquar me zgjedhje të vështëria. Debatet lidhur me listat e kandidatëve për zgjedhje kanë qenë një tregues këtij zhvillimi.
Lajmi që udhëheqja e forumit rinor të PD-së në Vlorë ndërroi krahun e u pozicionua përkrah socialistëve, tregon se një fushatë e gjallë joshje e rekrutimi po realizohet prej socialistëve që padyshim kanë në duar mjetet e nevojshme për suksese të vazhdueshme. Me siguri që prurjet e këtilla do të vazhdojnë. Edhe në zgjedhjet e kaluara socialistët shfrytëzuan me sukses këtë taktikë. Besoj gjatë gjysmës së dytë të prillit e javës së parë të majit çdo ditë do të kemi në lajme anëtarë të PD-së që do të zgjohen prej letargjisë e do të shohin se e ardhmja vazhdon nga e kaluara e do gjejnë se parimet e socializmit modern ishin ato që ata besonin që gjithmonë.
Ndërkohë Demokratët kanë lëshuar një sërë premtimesh, përmendim këtu taksën 10%, rrogën e pensionin e lartë. Berisha në vazhdë të qasjes së tij për relativitet të shtuar në fushatë derdh numra pa ndonjë kujdes të veçantë.
Por alternativa qeverisëse mbetet e paqartë dhe lidershipi i partisë vizualizohet vetëm si zgjatje koke pas portretit të kryetarit. Lidershipi i demokrat nuk është ende i dallueshëm në karakteristikat bazë të tij. Nuk dihet ende nëse do të kemi profesionistë a aktivistë, të rinj a të vjetër, besnikë a të pavarur. Partisë i mungon një figurë që do të mund të konsiderohej si i dyti a treti, qoftë edhe i 7-ti a i 17-ti. Në një intervistë të kohëve të fundit Berisha promovoi një urbanist, përmendi edhe të tjerë, por kush është kush nuk dimë.
Nga ana tjetër lideri Berisha është një magnet me të dy polet. Ai mbetet nën hetim a gjykim për një çështje korrupsioni, ka një seri tematikash të dyshimta që do të merren në shqyrtim nga media simpatizuese të qeverisë e që nisin me 11 janarin, Fazlliçin, Gërdecin, 97-ën, Tropojën, etj etj. Në rast të një rreziku real për humbje të pushtetit nuk do të ishte e largë mendsh që Socialistët të luajnë gjithë gurët për të shtuar paraqitjet e Berishës para policit që kontrollon që ai nuk po shkon dikah s’dikah. Me siguri edhe shokë të tjerë të lartë të partisë e kanë ditën për tu paraqitur te SPAK me buzëqeshjen e çalë dhe zjarrin në sy.
Pas zhvillimeve në Amerikën e Trumpit që ushqyen narrativën se Rama kishte manipuluar mbështetjen amerikane (me ndihmën edhe të Sorros) për të kontrolluar drejtësinë dhe siguruar dominimin e jetës politike në vend, Berisha angazhoi një konsulent për zgjedhjet nga fushata e Trump. Por ekspozimi i mëtejshëm i tij duket se po ruhet për javët e mëvonshme të fushatës. Zoti LaCivita po lihet për dihet ku demokratët të fillojnë të shtegtojnë.
Mbërritja e prillit dhe përshkallëzimi i fushatës do të na tregojnë shpejt se si do venë punët.
Ndërkohë janë edhe të vegjlit.
Megjithëse Basha me Euroatlantikët nuk ka gjasa të marrë ndonjë pjesë domethënëse të elektoratit ai ka potencialin të rrëmbejë kohë e vëmendje të vyer mediale, sidomos nëse kihet në konsideratë se mediat në përgjithësi kanë një regji. Ndërkohë Berisha ka edhe një të çarë tek Agron Shehaj, i cili sipas gjasave do të jetë efikas në ato fronte elektorale ku do të angazhohet.
Risi e këtyre zgjedhjeve janë edhe të vegjlit e rinj.
Shabani dhe Lapaj dhe Qorri herë dalin e herë nuk dalin. Për fat të keq këta aktivistë nuk na treguan ende ku buron fuqia e tyre. Hezitimi të treguar rrënjët ka një kosto më të madhe nga sa ata parashohin. Realiteti politik shqiptar nuk është i tillë që një grup të rinjsh me ideale e besim te vetja bëhen bashkë në një tryezë e pastaj valvisin flamurët ku mblidhet polemi e pastaj buron legjitimiteti e energjia për zhvillimin e ndriçim.
Në kontekst të alternativës dhe kërcënimit real që ofrojnë për ekuilibrat e pushtetit politik Qorri, Lapaj e Shabani janë një ushtrim nxemje për çunat që merren me ndërtimtari ose biznese më pak të ligjshme nëpër Europë ose me të dyja bashkë. Zgjedhjet e kaluara nuk janë largë. Mjafton të kujtojmë Elbasanin, atë qytetin simpatik ku ilirët e lashtë të Skampinit që pinin ujë Shkumini lanë pasardhës me bindje të forta. Kur Rama bëri një vizitë para fushate atje, ca demokratë jo aq radikalë hipur në shkallët e hotel Skampës e thirrën “Rama ik!” “!Ik Rama ik!”, por nga shpura e Ramës u lëshuan si sqiftera e s’lanë të koritet miku. Ja thyen nofullat me grushte e nisën në arrati ndjekësit e Bashës, atëbotë berishist. Pastaj kur erdhi ditë e zgjedhjeve një ish-gardist i PD-së u detyrua ta vrasë një mjek psikiatër nga një familje e nderuar e qytetit që rastisi të ishte edhe anëtar i bandës kriminale që menaxhonte fushatën e kishte shpërndarë me terror ata zëmekurit e Skampës, që bezdisën kryeministrin që gjezdiste bulevardin pak metra më tej.
Në përfundim të këtij shkrimi më duhet ti rikthehem mëdyshjes që parashtrova si nëntitull të këtij shkrimi. Të votosh a të mos votosh? Për mendimin tim nuk duhet votuar. Me gjithë entuziazmin që krijon fushata ka pak gjasa që socialistët të humbasin zgjedhjet. Me rrjetin e madh të përfituesve nga qeverisja e tyre dhe bollëkun e burimeve financiare e njerëzore që do të vihen në dispozicion të fushatës, me një kontroll të kënaqshëm mbi mediat dhe me një kundërshtar jo fort të aftë, shanset e tyre janë të mëdha. Por duke pasur parasysh situatën kaq komplekse ndërkombëtare dhe situatën e paqartë e të pakëndshme në vend mendoj se është e nevojshme që çdo fitues i zgjedhjeve të ardhshme të dalë nga zgjedhjet me legjitimitet minimal. Sipas KQZ pjesëmarrës në zgjedhjet e kaluara ishin diku më shumë se 40% e elektoratit që mori pjesë në proces. Në këto zgjedhje e mira do të ishte që kjo shifër të zbresë nën 20. Mos harrojmë që Gjermanët morën pjesë në zgjedhje në masën më shumë se 80% në zgjedhjet e pak javëve më herët. Një pjesëmarrje veçanërisht e ulët do të rriste shanset për krijimin e alternativave të tjera qeverisëse dhe do të mpakte autoritetin për negociata të këtyre aktorëve që vijnë në tryeza ndërkombëtare me barra personale më të rënda nga sa e do interesi i vendit. Dhe natyrisht do të tregonte se këtu ka një popull që ka njëfarë ndjeshmërie e respekton disa standarte demokratike e morale.
Mos votoni mos votoni!