Por jemi te Berisha. Berisha dhe partia e tij demokratike.
Pas një qetësie, që ja turbulloi gjumin të nderuarit lider të opozitës, Basha, u shfaq nevoja për mobilizim të partisë prej atij që mund ta mobilizojë. Konflikti. I humbur në mimikën e vet me rreze të gjatë veprimi, i nderuari Basha u detyrua të ftojë një hundë më të thepisur për ta çarë ajrin. Berisha. E kush e ka një hundë më të thepisur? Është për tu çuditur se çfarë mekanizmash funksionojnë në Partinë Demokratike të Shqipërisë, por me gjithë largimin e kryetarit ai mbetet në kyç dhe as bijëve nuk u ngjallet dëshira edipike. Kjo gjë nuk është fort e zakonshme, pavarësisht shembujve të bollshëm që mund të sjellim për të kundërtën.
Berisha, pavarësisht gjithçkaje, ka qenë një figurë kontroversiale që gjithë popullaritetin e vet e shtrin nëpër rrjetin e vet të gjerë brenda llojit të vet.
Berisha dhe garda e vjetër u ngarkuan me detyrë të organizimit të fushatës së ardhme elektorale? Nuk pati një tjetër KOP. Një kop? Pse jo, një KOP?
Një pleqësi, ndoshta. Tridhjetë e dy kampionët e reflektimit social-ekonomiko- kulturor. Qoftë edhe ndonjë prurje nga shoqëria civile, estrada, kori i grave Voskopojë. Apo do vijnë kur të fillojë me vërte fushata?
Por jo.
Lëngata e opozitës është tematikë nxemje, normalisht. Por, qeverisja na shqetëson. Qeverisja duke përfituar prej një klime të nxehtë në marrëdhënie ndërkombëtare dhe njëfarë çoroditje që shoqëron ndryshimin e ritmit të lartë brenda ka gjasa që nuk merret aq shumë me detaje nëpër gishtërinj që rrëshkasin e ngecin mbi katmonedhat e të gjithëve.
Dhe faktikisht ai muhabet të mërzit. Por, jo të gjithë aty e kanë mendjen.
Faktikisht ka një qendërsi të tepërt të skuadroneve rrugaçërore në vëmendjen tonë. Një prani që edhe ka qenë edhe ka vazhduar, por duhej të ishte mpakur. Disa grupime gangsterësh kanë artikuluar zërin e vet prej sopranoje. Llahtar i madh. Edhe nëpër rrugë ashpërsia është e qartë. Çdo qytetar relativisht i shëndetshëm është një rrugaç potencial. Mos u përplas! Sipërmarrësi, shtetari e e nevojtari energjik sjellin telash. Ky luftarakitet na ngroh zemrën se na ngjall besim se:
Zoti vetë e tha me gojë
Kombet shuhen përmbi dhe
Por Shqipëria do të rrojë
Për të, për të luftojmë ne.
Edhe gjermanët po ankohen për rënie të krenarisë luftarake ndër gjermanë. Thymosi i thojnë ata, për të përdorur një fjalë të greqishtes së vjetër që ne domosdo e lidhim me shqipen tonë që flet për lartësi të tymit të mos thyer të flijës, ndoshta në varrim. “Thymos” grekët e lashtë i paskën thënë diçkaje si me pasë zemër, indinjatë e drejtë,tërbim. Lloj lloj filozofi gjerman po ankohet. Edhe mosha në rritje e popullsisë i nervozon.
Por ne e kemi. E kemi me tipare paksa rrugaçërore, por e kemi. Faktikisht kjo shprehet në rrjete të vogla me karakter banditesk, por ne shpresojmë që kjo të jetë lajmëtare për nivele të larta thymosi ndër të gjithë ne.
Megjithëse mund të jetë edhe egzakësisht e kundërta.
Takimi me Obamën, BE-ja, shkjau, greku e kështu me radhë po e begenisin padishahun e largët, publikimet nëpër media e kështu me radhë.
Reforma në drejtësi. E ku ka si reforma në drejtësi?
Çfarë mund të ketë tjetër?
Plot. Arsimi i lartë u reformua. Reformë territorialo-administrative jashëzakonisht domethënëse. Centralizim për decentralizim. Ndryshim i kursit të investimeve infrastrukturore drejt rivitalizimit ë qendrave urbane. (Një theksim i tepërt i rolit të donatorit-kreditorit dhe karakterit inovator të ndërhyrjes, por kush s’ka fat në para ka fat në dashuri.) Ftesa të thekshme për gjallërim dhe dalje nga dembelija dhe afrim tek sipërmarrësi privat për të gjithë bjerraditësit e shqiptarisë në Shqipëri, po pse jo dhe në Kosovë e Maqedoni bashkë me pakica etnike, është një kamë majëholë në dorë të kalorëzit mbërthyer në prazmore hekuri si një don kisht. O zot. Aftësimi profesional është përmendur, por nuk është se dikemi shumë rreth kësaj tematike.
Por në fakt partia. Partia na intereson mbi të gjitha.
Berisha ky melhem i politikës në vend. Ky është ai klarinetisti që pushon atë fëmijën që ja merr milici zogist gjyshin tek filmi “Gjeneral Gramafoni”. Ky e qan kabanë.
Hiqe kullën i tha Edvinit për t’ju referuar një goxha ndërtese 16 katëshe që do të zbukurojë stadiumin në këndin e vet veriperëndimor. Kulla e turpit i tha ky. Por Edvini i thotë pusho mor dreq se do na hash më sysh.
Ne s’po i hyjmë hiç atij muhabeti se fundja nuk duket ndonjë ide kaq e llahtarshme, një kursim hapsire është, se më keq do të ishte sikur nesër të zhdukej edhe aneksi i stadiumit që është lënë rrezikshëm në harresë. Nga ana tjetër ka edhe zëra që thojnë se stadiumi mund ti lihet në shfrytëzim komunitetit dhe të hapen dyert për shkollat që të bëjnë stërvitjen, vrapuesit të vrapojnë e kalamajt të luajnë. Karshija me ca platforma druri bëhet një kënd i madh lodrash për fëmijë e lloj lloj ëndrre në diell dhe stadiumi i ri i jepte jetë dhe riurbanizonte një nga preferitë e shumta që kanë potencialin të përfitojnë prej një investimi të këtillë dhe rritjes së vëmendjes publike.
Por nuk po merremi më këtë. Klarinetë e parë në shoqëri, partia politike.
Mobilizimi, partia, siç edhe e dimë ka lidhje të ngushta me fitoren, me shpresën për fitore, ose me përballimin e humbjes të paktën.
Dhe kush na qenkërkësh interpretimi politik i situatës? Ivropi krejt papritur shfaqet si e shthurur. Anglezët kanë një nevojë në parlament që flet përmes nesh. E kjo tregon se ata po mendojnë që janë në pozita përparimi në të cilat ndoshta është më mirë të udhëtojnë vetëm. Ose me përshëndetje të përzemërta me gjermanët dhe francezët e fshehur në Champs de Elysee të na harrojnë në stacionin ku po mbërrin hemisfera jugore e botës. E ç’kuptim ka të ndash paratë e tua me fqinj të panjohur dhe dëshirashumë që kanë krijuar shqetësime edhe me kushërinj shumë më të përparuar se ata vetë? Leverdia e bashkimit po vonon.
Dhe ne kemi hallet tona. Partia jonë po çalon. Të djathtët e hapsirës sonë konkrete mbesin në pritje të kalimit të partisë në duar të tjera. Por plani real nuk e ka qit akoma krytin. Po pritet rezultati i zgjedhjeve të ardhshme për tu marrë vesh se kujt po ja trashëgon partinë baca. Lajmi që do vijë do ketë nevojë për kohë me u kapërdi. Nuk ban me e testu që klysh me një palë zgjedhje që gjithsesi do jenë të furtunshme.
Majtas. Majtas na ngrin zemra. Majtas nuk merret vesh. Iir Meta si çdo krijesë mitologjike as është as nuk është, por është dhe konsolidon padyshim rezultatin e vet në heshtje e përgjim buçues. Rama trashëgoi partinë por padyshim duke përshpejtuar procese në terma hovi djaloshar. Baba ishte tek rruza numër 737 kur ky kokrisur vrapoi në ballkon dhe shpalli se tani ishte ai kryetar familje. I cliruar prej pordhës që shkatërroi shtrëngimi baba nuk ngutet, por tespia ka bërë më shumë se një xhiro të plotë.
Reforma territoriale për socialistët çoroditi një mekanizëm të rishpërndarjes së pushtetit pra dhe ruajtjes së lidhjes nëpër terren. Demokratët meqë nuk kanë ende ç’shpërndajnë nuk janë fort të sikletuar.
Por socialistët veç një trasferimi të pjesshëm të komunikimit nëpër linja të reja, tani duhet të përballen edhe me tërheqje të pjesshme pushteti nga territori. Natyrisht kanalet e pushtetit janë të pranishme, se fundja edhe centralizimi ka funksionuar. Ne dikur në të tillë formë kemi funksionuar.
Por mobilizimi i kërkuar është i madh. E si mund të arrihet një mobilizim i madh? Me konflikt të madh. Po sa i madh duhet të jetë ky konflikt?
Berisha e mban gjallë një shpresë konservartore se nga çdo konflikt njëfarë kërkese për kapitalizim politik do mbijë dhe se ajo me kërkesën e vet për legjitimitet do na qetësojë. Por kontrolli i tij mbi bashkëpunëtorë, disi më kokë më vete, duhet ritestuar.