Lukrecia Borxhia. Nga Viktor Hygo. Prej regjisorit francez Eric Vigner. Në TK.
Shfaqja fillon me befasinë e këndshme të një shfrytëzimi pa droje të skenës së Teatrit Kombëtar, që rrallë e kemi parë. Pastaj atje te muri i fundit i skenës a prapaskenës, ishte shfrytëzuar edhe ajo kthina që qënkërkësh. Ajo e para u ofrua me një neon që herë si alarm e herë si pishtar na ftoi në këtë pjesë dhe u mendua se adresoi edhe nevojën për kujtesën e zakonshme për të fikur celularët, që këtë herë u kursye, megjithëse me sukses të pjesshëm. Fustani i zonjës Luiza Xhuvani farfurinte. Më mbetën sytë. Hiq ato tri vijat në pjesën e pasme të tirqeve të heroit të shfaqjes gjithë kostumografia ishte e hijshme, me pelerina e fustanella kombëtare që me të ardh keq që kaloi ajo modë kombëtare. Unë e kisha fut kthimin e asaj mode direkt në objektiv të programit të parë elektoral që do më kishte rënë nëpër duar. Për më tepër, po të isha anëtar i organizatës së veteranëve do të kisha marrë mundimin e të protestoja ndaj një perdeje që krijonte një dhomë të bollëshme në pallatin e Dukës së Ferrarës, aristokratit me famë që ishte edhe i shoqi i zonjës Borxhia, e ku u zhvillua një goxha akt i tretë a i katërt. Pse shenja e shtëpisë së tij, që është një shqiponjë e bardhë me sy të çelët e të gjallë e në shëndet të plotë (sipas wikipedias), megjithëse disi e kryqëzuar, ishte zëvendësuar me tre shqiponja nga shenja e ndonjë simboli të republikës sonë, dhe ajo e mesit e kishte kokën poshtë? Të gjitha në një sfond të errët? Një skenografi me dy të zeza. Me ngjyrime kombëtare? Një mallkim magjik që dikush ka msu nga shamanët e Afrikës së nxehtë dhe do na sjellë errësim kobtar? Allah, Allah. Edhe Xhebraili ishte në gojë të personazhit gati kryesor Xhenaros ( Xhino Musollari), besimplotit në Jezuin e lëvduar dhe kryeëngjëllin e babit të vet, Gabrielin. Një lapsús? Apo si edhe në rastin e shkabave, ishte thjeshtë një ngjyrim i shtuar për birin incestual të Borxhave e që ish rritur prej peshakatarësh në Kalabri, por i shërbente Venedikut me një besë pesëvjeçare. Shyqyr u këndua disa herë edhe ‘Deus Meus’, se kjo hije mallkimi mund të shoqëronte edhe jashtë. Pastaj edhe Borxhia, e përkthimit të pjesës në titullin e promovimit, në skenografi bëhet Borgia, e pastaj kur shembet B mbetet Orgia, që ne në shqip i themi Orgjia. Pas këtyre komenteve përshendetëse, duhet të themi se pjesa ishte dëshmi nervozizmi të madh shoqëror si ai i Italisë në Rilindje. Një butësi në gjeste këtu, një butësi në fjalë atje dhe pjesa zbutet.Zonja Xhuvani me brishtësinë e saj është nga burimet kryesore të kësaj përkorësie. Gjithë dyzimet e Lukrecias sikur shkrihen, ndërkohë që teksti duket se nuk i do të përzjera. Sikur të mos mjaftonte një mal me pozitivitet që zonja Xhuvani mban me vete gjithandej edhe vetë Lukrecia mban një fjalim përpara shërbëtorit të saj në çdo ligësi e vrasje, Kontit që ishte Vasjan Lami. (Për dëshirën e saj për të ndjekur të mirën nëpër jetë.) Mbi burrin herë presion e herë servilizëm dashuror. Si nënë ajo merr një puthje dashurie në buzë prej të birit e pastaj ndër ligjërime dëften se si kjo mëmësi është gjithçka që i jep kuptim jetës së saj. Kjo nënë fatkeqe, megjithëse bën gjithçka të shpëtojë të birin nuk arrin ta kapërdijë fyerjen që shokët e të birit i patën bërë. Ndërkohë që Skënderbeu ynë hyjnor luftonte osmanët e shumtë në dyer të oksidentit, kjo zonjë e madhe, Lukrecia e Borxhiave, bijë e Borxhias famëkeq që ishte papë dhe bashkë më të birin e të bijën bënin kërdi ndër ajkë princërore nëpër harem. Kjo grua e ligë, helmon tre ambasadorë të Venedikut në Ferrara, dhe shoku i tyre, biri i saj i fshehur, që i shoqi kujtonte se ishte dashnori, siç kujtonte edhe i biri i vet, që dikur andej nga fundi e vret. Siç vrau të ëmën, Klitemnestrën, Orioni i biri Agamenonit, por jo për hakun e babës, po për shoqni. Për shokët e tij, me tirqe e fustanella të hijshme e pelerina të bardha jashtë e të zeza brenda, gjithashtu të hijshme. Se në fillim, birit të saj (që nuk e dinte që ishte i biri dhe as kush ishte ajo grua që e ftonte ti rrëfehej e ta dashuronte) shokët i tregojnë për vrasjen e vëllait të Lukrecia prej vëllait tjetër të saj për dashurinë e saj, e trupin ja hodhën në Tiber nëpër natë, e pelerinën e çuan në fund të lumit me gurë të mëdhenj. Musollari ashtu si dhe zonja Xhuvani tenton ti afrojë skajet e personazhit të vet në vend që të kërcejë ndër to. Lami dhe Indrit Çobani janë në tehun prerës të shfaqjes. Lami, me atë makiazh, ndriçim, veshje e personazh, ishte interesant. Ai dhe Çobani rrëfenin gjithë të bërat e të pabërat e zonjës Borxhia. Kanë poetikë në frazë e imagjinatë në fjalë. Ata të dy flasin për vrasje e helmime e helme. Ata krijojnë atmosferën më shumë se gjithkush. Pastaj edhe këta të tjerët ishin dëshmitarë. Të tre shokët, Çobani, Lulzim Zeqja e Genti Deçka flasin me kumte recitative. Gjithkush duket ca më episodik nga sa e lejnë rrethanat. Pastaj vjen edhe burri i Lukrecias, me vrasësin e vet besnik. Pastaj helmet që thamë. E munguar në egërsi kjo kasapanë nuk është se na la pa simpati. Fjala e bukur e Hygoit mund të shijohej dhe gjithë teksti ishte aty i shkoqitur e i kapshëm. Por kamat nuk ishin aq të mprehta. Xhenaro e kishte një shpatë të hekurt, por Alfonso i Esteve (Artan Imami), i biri i Ercole d’Estes kishte vetëm një shkumdet. Me bisht më të mirë jam dakort, por mos qofsha i gabuar ajo ishte shkumdet. Dakort, kjo ka kuptim, biri incestual i Borxhave ka gjetur një hekurishte të mprehtë, siç ka gjetur edhe shoku i tij që i fërkon thikën e shpatën bashkë, herë pas here, si për atmosferë, ndërkohë që duka i d’Estes ishte i detyruar veç të hakmerrej për tradhëtitë e së shoqes ndër dashnorët që arrinte të zinte. Gjithë ai ar e argjend ndër rroba e perde, dhe shpata ishte prej shkumdeti? Ky zogu i artë që mori përsipër të na sillte idenë e asaj orgjisë në pallatin ngjitur me të d’Estes, që në fakt e kishte vetë Lukrecia, por si kontesha Negroni, sikur nuk na magjepsi komplet. Krahë të bukur e të artë, por ... Rrëzimi e helmimi i tyre u njoftua që në fillim të aktit, e vazhdoi si i ndodhur e në pritje për ca kohë. Deçka ishte në dehje të helmuar dhe i gatshëm për tu therur me thika sapo ti jepej mundësia që në fillim të aktit, vdiq, po vdes këtu po vdes aty. Çdo vdekje jepte tre të korra. Por gjithë ky emocion diku rridhte. Perdja e florinjtë për mendimin tim donte një tjetër ndriçim, po muzikë pati plot. Valse e valse remiks. Por sërish na pëlqeni zoti Erik Vigner, ju përcillni ndjesi të mira. Më pak traumatizuese se kaq kjo gjëmë me tre helmime ambasadorësh të Venedikut, një vrasje nëne, një helmim biri, një gjyq dashnorit të pafat që e zu bashkëshort i munduar se përdhosi emrin e së dashurës së tij nënë, nuk mund të vinte në ato lartësi të fshehura të Teatrit Kombëtar.
0 Comments
Tridhjetë e nëntë hapat e Patrick Barlow-t, qënkërkësh historia e demaskimit të një rrjeti spiunazhi ca para Luftës së Dytë Botërore. Zakonisht kur marr guximin e flas për punën e të tjerëve në lëm të teatrit një nga këto problematikat që më shqetëson në një përsëritje jo të mirëpritur është ky i gjetjes së një ekuilibri mes asaj që e përafron me zhanrin disi televiziv e mediash të tjera të varietesë e/apo me idenë e teatrit ku spektatori ka më shumë liri të fabrikojë ndjesi, ide e ndoshta fantazira ilustruese të aplikuara personale. Kjo e Qëndrim Rijanit ishte një shfaqje padyshim në zhanër të teatrit megjithëse me përçues në mendime e ndjenja fjalorin që deri diku kemi fituar në ekspozim ndaj kinematografisë.
Ishte një anglez, tani, deri diku i pamotivuar e me vetvrasjen në listën e zgjidhjeve të mundshme për mërzinë që po e shqetësonte, ish emigrant në Kanada, që kthehet në Londrën e viteve 30 e ca, mos gaboj, dhe takon një agjente sekrete në teatrin e varietesë të cilën e kish ngatërruar plotësisht të shkretën një rrjet spiunazhi, ma merr mendja gjerman, që po vidhte një formulë matematikore për llogaritjen e njëfarë këndi në lëshim të gazrave që e hiqte zhurmën nga avionët e luftës që ishte një mënyrë e përhapur zbulimi për të shkretët. Kjo i ngjitet nga pas si e vetmja rrugdalje e siguri dhe bashkë kthehen në shtëpinë e tij. Aty bën diçka në një hartë e ai fle aty pranë, por agjentët hyjnë dhe e vrasin. Atëherë ai vihet në kërkim të burrit për të cilin ajo i foli dhe ndiqet nga dy vrasësit dhe kërkohet nga policia për vrasjen që thamë. Dhe haset me një çift homoseksualësh në tren, e rrugës i bashkohet një grua, e bashkë me të ose pa të takon njerëz flirton me gruan e katundarit të dhunshëm skocez që pështyn pa pushim mbi një hanxhar. Përpiqen ta vrasin në një sulm me avion policia angleze. Dhe mbi të qëllohet pastaj ai rrëmbehet. Arratisen nëpër baltë e natë.Një çift me harmoni të madhe seksuale por me burrin e pangopur. dhe pastaj heroi ynë triumfon. Gjithçka realizuar me një teknikë që haptas është teatrore. Çuditërisht thyerjet e shumta rrinin bashkë prej vrullit, madje edhe në komente dhe në adresimin e drejtëpërdrejtë të publikut, gjithçka mbeste në skenë, pa e shqetësuar spektatorin individ me përfshirje të pakërkuara. Nëse pjesa do të ishte lehtësuar më tej nga ndonjë prezantim kontekstual si ai personazhit kryesor në fillim e shfaqjes dhe ndonjë zgjatje nëpër ndonjë skenë mendoj se vrulli do kish qenë akoma më i qartë. Këta çunat të gjithë të lirshëm, shprehës e në formë të mirë fizike. U hodh nga ballkoni i katit të dytë Neritan Liçaj (u mbajt te tubi, po u hodh).) Florian Agalliu dhe Donald Shehu ishin shumë në formë fizike. Uh, sa lëvizën që të gjithë. Shfrytëzimi i djersës për ngjallje të simpatisë, ashtu si dhe gjithmonë, edhe këtë herë funksionoi. Një shfrytëzim i teatrit akrobatik në një nivel që nuk ndodh ta shohim shumë ndër tanët. Hyrje daljet nëpër role të ndryshme prej aktorëve një kureshti ushqyese e shtuar. Jonida Vokshi ishte aty bashkë me miklimin e kohën e ngjarjeve nëpër rroba si nja tre katër femra. Skenografia mundësonte lëvizshëmrinë që ishte edhe risia frymëdhënëse. Humori nuk pirdhte për intelektualitet. Edhe Mardit Lleshi në violinçel e kitarë elektrike edhe Amri Hasanlliu në këngë e tinguj ishin një fat për pjesën. Ndoshta me fat për vendin ku isha ulur, por kjo ishte nga herët që ndjesia e skenës së Metropolit tregon për një thuajse monopol në marrëdhënie me llojin e caktuar të teatrit në ofertën më të gjerë kryeqytetase. Nga gëzimi mund të tërhiqem deri në përgjysmin të ballkonit të sipërm të sallës Shekspir, megjithëse nuk duhet harruar që ajo sallë ndjell ndjesi të shtuara pabarazie klasore. Gjithë ai errësim në fakt sjell një zgjim, për revolucionarët e pailuminuar, por gjynah. Fqinja ime, një vajzë e vogël që i ishte ngjitur të atit, të cilin nuk mora guximin ta mbaj nën hetim, (por, kam dyshimin, se ishte jo fort në dijeninë e nevojshme paraprake për shfrytëzimin e rastit të seksualitetit për argëtim teatror) u shkri fare me shfaqjen dhe qeshja e saj edhe gatishmëria për të hyrë në skenë në ndonjëfarë mënyre ishin një energji shumë e mirë përqark. Regjizori Qëndrim Rijani duket se ka përcaktuar ku duhet kufijtë e jashtëm e lirinë e brendshme të shfaqjes. Epërsia e teatrit ndaj ngjarjes, e përfshirjes ndaj reflektimit, na japin gjithë dashamirësinë e nevojshme. |
Categories
All
Archives
August 2023
|