Pjesa është e ashpër. Në gojë të dy kronikanëve poetikë e profetikë me vizione historike lloj lloj hukubeti. Përdhunime e bajoneta. Shterpësi. Kokë të prepra. Gjuhë të kafshura robërish të rinj zënë në një klasë shkolle. Ushtri armike nga hiçi nëpër hiç. Një dalldi nëpër eksod. Ushtri armike që lejnë një vend të shkretuar në duar të pleqsh.
Varje në litar te ajo klasa ku ja kafshuan gjuhën atyre djelmoshave, ishte edhe lloj lloj marke tjetër. Shfrytëzimi seksual i një ushtrie fituese e sadiste e masturbatore. Edhe autonomia ose pavarësia, nuk e dimë tamam, është po aq mizerje. Qeverisja aktuale gjithashtu vjen e pranishme në këtë zallamahi. Politika. Sesi ajo trashëgohet se absurdi e organizon dhe e liga është reale. Sesi e keqja ka triumfuar.
Në gur’t e n’dru! - themi ne nga Elbasani.
A mund të merren kaq shumë kuintal për hektarë nga fjala? Teksti është diku tek 32 faqe në format të vogël proze të dendur. Një fill që prek shqërinë dhe individin, shokun dhe pastaj vazhdimësinë. Nga dëshmi. Nëpër rrëfimtarë prej shumëkuj. Ushtari, vajza, plaka, viktima, e mbijetuara. Viktimat. Herë si pushtues e dhunues e herë në tërheqje e asgjësim vajtonjës nga hiç në hiç e hiç fare. Masakra pa fund që pasoi, ose ishin diku nëpër të, atë mesjetën e mitrës, me gjak.
Personazhet e tij që rrëmbejnë copëra nga një tekst i paprerë i shtrirë në shtratin e një proze n’monologoikëse që ska vend për optimizëm. Të qifsha e të bofsha. O lapere (se atdheu qenka i gjinisë femërore në gjuhën e origjinalit në gjuhën greke.) Mëmëdhe o bushtër kam për t’qi robt vetëm po nuk të zura. Megjithëse jo, prit si e thotë autori:
‘Çdo pore e e saj është një çetë, çdo qoshe e saj një biçk, çdo centimetër, mbushur plot me kurthe morti dhe thika të mprehta burrash vrasës, mashtruesish edhe idiotësh, vendqirësish burracakë dhe trafikantësh njerëzish, që na zhyt kokën në jashtëqitjet e saj, na jep shqelma të harbuara në bole, në tret moj, na spërdredh, na rrënon, na përçan, na mbyt na dënon, na vdes, na vdes, bundër e shitur, e molepsur, morracake, helmonjëse, nëngjarpër, ulkonjë, gabele, inçestare, që gjithë kohën bën si majmune dhe dërdëllit si papagalle, këmbëters, ogurzezë, nurësëze, nuk të duroj dot, e duroj dot... vrasësen, fëmijëvrasësen, dorëtersen, lepracaken, shtrëmbaluqen, qorren, shapkëgrisurën, plakaruqen, plakaruqen që e pastë fatin e keq, nuk duroj më asgjë të sajën, asgjë, asgjë, e urrej, e urrej, ah ah, të urrej, të urrej, të urrej, të urrej, do vdes, përbindësh, dhe do vazhdoj të të urrej, po urrejtja vlon brenda meje, dua të shkruaj për së mbrapthi himnet e shkruara deri tani për të, fjalë për fjalë dua ta pushkatoj dhe ta mbys si qen me duart e mia. ...
Zot i madh.
Mëmëdheu nuk merret kaq seriozisht, e file! Nji orë duke sharë atdheun. Po planetin pse nuk e shan? Fati i njeriut. Vendimet. Skllavëri e mizerje, gjithandej në çdo kohë nuk justifikon. Horoskopi. Lloj lloj zoti në mundësi shfrytëzimi. Atdheu, atdheu. Me i barrë halle mbi kurriz, te atdheu të mbeti mendja. Çi qi t’ëmën atdheut.
Marksi, harroi komplet ta përfshinte në skicat e veta. Ne më poshtë pastaj kemi qenë të gjithë internacionalistë jetë e mot. Pse kjo frymë na i tregon gjithë yjet e qiellit sikur digjen akoma? Nga i gjen ti këta djej të vdekur që ngrohin perime saktate e të kalbura që i hanë skllevërit e nëpërpërdheshëm? A ka dikur më mirë? A ka diku më mirë? Në fakt ka. Ka tek dashuria e furishme për atdheun. Këto ndjenja urrejtje që shprehen nuk fshehin veçse një dashuri fanatike. Një mëmëdheocentrik.
Kjo na kthen tek një pyetje e rëndësishme në qasjen ndaj pjesës e që del që në titull. Një vend? Vend si mëmëdheu? Apo edhe vendi i madh edhe vendi i vogël? Si hapsira te rreshti ku të kanë rreshtuar? Si vendi në tavolinë? Si koordinatat gjeografike ku je, pra gjithkahu nëshpinëmbajtës? Vend si ai në zemrën e asaj a atij? Në këto pyetje, e përgjigjet për to, shtyhen e përqafohen autori e skenikët, këtu shfaqja ka platformën rrotulluese nga ku shënjestrohet spektatori i sallës.
Dhe mëmëdheu, duket se, është vendi. Ai duket të ketë qenë për zotin Dimitraidis, ai padyshim ka qenë edhe për regjizoren dhe trupën. Në fakt detyrë e parë e të rinjve në pjesë është të kujtojnë ngjyrat e atdheut nëpër fustanella e këngë të kujtojnë një moshë të artë të së shkuarës dhe ata nuk ikin nga skena.
Alfred Trebicka, Rozi Kostani dhe Violeta Trebicka nga ana tjetër duhet të zbrazin mbi ne atë agoni që shoqëroka njeriun kur vdes si një vend. Ndaj njeriu pas fjalëve është disi i pakët. Narrativat ngadhënjejnë mbi personazhin e ndërtuar me sy e me vetlla që na lanë të parët. Dakort karakteri universal. Por ...
Për të theksuar mëmëdhesinë e vendit vjen edhe një listë me emra të familjaratiteti prej jetës politike e shoqërore në vend, që vriten e priten mes tyre me furi. Kryemadhi ha kryevoglin. Dhe jam dakort, ti je ngjizur tashmë për pak sportivitet politik se edhe akti politik i ngrënies ka njëfarë sportiviteti edhe vetë emri ka njëfarë ngjashmërie me të madhin që ha të voglin, por, kur, fap, një breshëri aktivistësh politikë me emra deputetësh e emrash e mbiemash me tingullime të njohura e të tjerë që ndoshta ti nuk i pret përziheshin në ndërvrasje e hukubet. Saliu patjetër, e ndonjë tjetër shumë i njohur se kujtesa nuk më lejon shumë siguri. (Urgjentisht të interesoheni të gjithë! Shpresojmë ta ketë miratu kryemistri listën. Se atij vetë sikur nuk i kishte dalë emri?!) (por teatri ) Edhe teksti origjinal në përkthimin e zonjës përmend këtë skenë me emra familjarë në tinguj të shoqërisë greke.
Regjisorja Kostani ka në shfrytëzim një kor që nuk është farkëtuar mirë, por format kanë nevojë vetëm për pak kurim që do të shtojë edhe energjinë edhe unisonin, vetëm se duhet pak vazhdimësi. Trupa sjell reminishenca të reja në Teatër Kombëtar.
Teksti sikur lejon më shumë shpërndarje të qëndrushme të shprehjeve e bashkëbisedimit mes protagonistëve, por ata vetë dhe regjisorja duket se kanë zgjedhur që të mos ketë ligështime të tilla për mesazhin.
Dakort formacioni shtatë, dy, nji, nji, por plot elementë spektakli. Përdorim interesant i skenës. Ekrani ja sillte më pranë kokën aktorëve që ofronin pjesën tjetër të trupit, ose kishte organizime filmike argëtuese.
Rozi Kostani u hodh nëpër ujra të çarë nga një lartësi prej ndoshta dy metrash.
Nuk është se jam kundra më pëlqen disi. Ka zhurmë, gjallëri. Fjalët thuhen shkoqur, megjithëse teksti është një kallëp i stërmadh, i zi, që gjarpëron njëtratshëm. Ruhet interesi për kuptimin e vargut deri gjatë, megjithëse thuhen vetëm hukubete që si ndërpret kush dhe pa ndonjë risi që ushqen kuriozitet. Kjo është një fitore për kushtrimin revolucionar të pjesës.
Por fjala mua gati më argëtoi me atë insistim në gjëmë. Ndonjë lloj çlirimi? Apo vallë vuaj një largësi të madhe prej emocionit që artisti shpreh për të gjithë njerëzinë, e qindra të tjerë që këputen nëpër trillet e fatit në arratira plot dhimbje, meqë hyjnorja na e ka mbajtur largë të keqen.
Gjithsesi ai ekulibri i brishtë sikur ishte gjetur në shfaqje. Të rinjtë shuajnë etjen dhe freskohen këndojnë e kërcejnë. Ndoshta ... recitojnë. I servilosen dhe shtyjnë e tërheqin një priftëreshë të fuqishme. Gjokset e tyre janë mbresëlënës dhe fushtanellat u rrinë mbas shtatit. Ndonjë bark aty këtu, po nuk kemi pse mos jemi pak liberalë. Pra. shfaqja vazhdoi e guximshme.
Në një vënie në skenë në Bruksel më 2008-ën, vepra ka pasur 190 e kusur aktorë për këtë korin shtatësh, që përmendëm, dhe kronikanët nuk kishin pse shkriheshin gjithkah. Ndaj ndoshta nuk është i gjithë faji im për këtë tëhuajësim nga njerëzimi si tërësi dhe kategoritë e tij emocionale. Ndoshta regjizorja duhet ta kishte theksu diçka diku dhe ta kishte zbeh diçka tjetër.
Kostumet të bukura. Muzika me gjetje. Vallet të natyrshme.
Salla ishte plot; duartrokitja në kreshendo të përmbajtur. Se kishte shfaqje të një zhanri disi novator, politike, protestuale, klithmaterike, ndërsa skena është e Teatrit Kombëtar. Me qeverinë e re në krye. Shoku drejtor është në Kinë me një goxha trupë. Në Kinë nuk ndodhin kurrë këto gjëra. Me siguri që as këtu, po ai ushtaraku te dera ta dijë se do japë llogari për këtë pakujdesi që padyshim do të ketë qenë e qëllimshme. Ushtarakët janë gjithmonë fajtorët. Këtë e thotë edhe pjesa.