Përzgjedhja e përmendja në shkrimin tim, në rast se është pjesë e atyre opioneve të shprehura që kanë nxitur zotin Papagjoni të marrë një qëndrim, nuk përbën ndonjë gjykim nga pozita morale. Nuk ka fare shqetësim për prezantim të publikut me ndodhira që teatri i ka të pranishme që prej antikitetit. Por, këto elementë të narrativës teatrore si incesti e derdhja e qumështit nëpër gjinj nuk kanë si lihen pa përmendur, se janë pjesë e punës dhe përkushtimit shumë të lartë ndaj detyrës prej aktorëve e që kanë rezultuar në emocionalitet dhe kjo gjithashtu është pjesë e asaj që tërheq njerëzinë.
Por nga pikpamja regjizoriale ndoshta ishte nevoja për një përkatësi më të qartë të këtyre elementëve në njërën prej hapsirave të zonuara të vetvetedijes. Mbajtja e së pavetëdijshmes si nivel edhe i pranishëm por edhe i zëvendësuar, për mua është ngatërruese. Pra, personazhet duken normalë, funksionojnë në shoqëri. Edhe njëfarë njohje mes tyre egziston. Pse ndodh ky kulmim në këtë moment dhe pse u arrit këtu? nuk e marrim vesh.
Është një zgjedhje regjizoriale, që të mbahen lart tensionet duke dashur të krijojë idenë e gabuar për incestin dhe dhe pirjen e qumshtit nëpër gjinj. Mustafiçi e bën të përgjithshmen e të përveçmen bashkë. Këto elementë mund të prezantohen disi si një botë që zhvillohet në ndonjë prej çrregullimeve që njëri nga personazhet ka. Ose e ka tjetri. Por ai mbetet një simptomë e një çrregullimi të fortë emocional. Incesti është i dënueshëm shoqërisht e ligjërisht.
Edhe brenda një lodhje e tëhuajsimi shoqëror, që përmend zoti Papagjoni, zhvillimi nuk ka pse të jetë kaq dramatik në rutinën e vet. Unë personalisht e mendoj kështu. Njerëzit që ballafqohen me nevojën për këtë zgjedhje nuk janë të paktë. Femra a meshkuj të divorcuar që lejnë një fëmijë me prindërit e zhvendosen diku me synimin e jetës më të mirë nuk janë të pakët dhe kulmimi në incest i marrëdhënies së tyre nuk është rutinor. Në rastin që trajton shfaqja për mendimin tim regjizori nuk na pajis me mjetet e duhura për ta nxjerrë rastin nga përgjithësime të tepërta që na vijnë automatikisht.