Në Prishtinë, të enjten e 24 nëntorit, “Eshtrat që vijnë vonë. Hej zoti i madh. Në ato vise disa mijëra njerëz kanë hallin e disa mijëra njerëzve për të cilët thuhet se janë të zhdukur dhe si dihet hic ku i kanë eshtrat.
Por, asgjë aq serioze. Bëhet fjalë thjeshtë për një rrjedhë patriotike qindra vjeçare që pasurohet. Probleme kritike, padyshim, por që e kanë burimin diku atje, thellë nëpër male. Një kujtesë që mund ta ketë vetëm uji, që po vinte andej për herë jo të parë. Karakteri ynë gjarpërues nëpër identitete otomano islamike a ortodoksi greko-serbe, e kushedi çfarë tjetër, ishte objekt i nëmës së pjesës. Akuto-contemporan, dakort, por i pari që foli ishte ky punëdhënësi i atij çunit të Qyprillinjve në Pallatin e Ëndrrave, të Kadaresë. E ky foli se si nuk duhej të kishte ndikime në punësime me rekomandime, sidomos në këtë fushën e kontrollit mbi ëndrrat. Se institucioni mbi të gjithë, por pastaj dita erdhi dhe një skenë zyre frenetike, bashkëkohore. Me muzikalitet e kakofoni krijuar prej makinave të shkrimit, ziles së telefonit, grisjes së letrës së madhe e pak flirt aty. Tentimi i një vetvrasje shumë reale me hedhje nga punonjësja, që përgjigjej në telefon. Apo këto ishin njëkohësisht? Të paktën pjesërisht. Pastaj punëdhënësi vjen në skenë si beu epror dhe herë është turk e herë shqiptar. Dhe nisi një përsiatje ideologjizuese gjatë së cilës Qyprilliu i ri vijoi shndërrimet nëpër rrjedhat e historisë sonë herë si Abdullah e herë si Mark, e herë si tjetër kush. Dhe ajo zyra i la vend një marrëdhënies nënë e bir, dhe gratë e tjera, dhe burrat e tjerë që janë herë vllam e herë hasëm. Dhe e gjitha kjo në ritme të larta. Mark Alemi herë vjen e flet, e herë vdes, e herë sillet rrotull e mban fjalën, e herë gjithë i derdhet sipër narracionin. E një luftë e një zallamahi aty, me shkopinj e me ujë. Përplasen e pijnë lagen. Egzekutohen me mbytje e mbështillen me një copë të bardhë që bëhet edhe flamur, kurse gratë, edhe me ferexhe edhe luftëtare që vriten, (ajo punonjësja që desh u hodh nga skena në fillim, tani, u vetvar.) Pastaj ringjallen ngadhnjimtarë e hipin mbi skelat me rrota që vijnë e ikin sa para mbrapa. Veshur me fustanella që mund të jetë edhe veshja jonë kombëtare me fustanellë, edhe një fustan i gjatë turqinie, edhe një veshje e re. Valvisin një flamur të bardhë e të gjatë dorëzimi. Një aktivitet zhurmëplotë në skenë. Dhe ndajnë me njëri tjetrin të bëhen myslimanë a ortodoksë, pëmendet dhe venediku. Më shumë identitete të mundshme u përfolën aty, natyrisht, por vllamt kur po luanin e pinin te ato podiumet që thamë. Dhe asnjërën nuk e kishin qejf. Dhe pastaj luftojnë edhe aty. Si biçim monumentesh. Në skenë gjithë ajo lëvizje. Zhurmë. Dhe një këngë goxha e gjatë e ritmike, që tregonte për zombin. Zombi është i gjallë, ndoshta thonte? Kush e di shka osht zombi? Teki Dervishi është autori i pjesës. Megjithëse ndahet fort merita me regjisorin maqedonas Martin Kocovski për shfaqjen kaq fort ritmike e vizualisht intriguese. 9 aktorë, nja gjysma edhe me personazh. Teksti me atë solemnitet konstant sikur bëhet shumë i rrëshkitshëm, shto këto mbytjen nëpër zhurmë e aksion, shto edhe veshin tim në fajmiljarazim e sipër me dialektin dhe gjykimet bëhen të guximshme. Por .... Meqenëse, politika mbetet në dorë të parë me kujdes, për të këtilla çështje, duhet parë ana politike e shfaqjes. Shumë shpejt në fillimin e shfaqjes së rrëmbyer, hidhet një hap i parë, i gjatë, direkt e në fundin e rrugëtimit historik të shoqërisë që po merret në shqyrtim, pra tonës, asaj shqipëtare. Ky Mark Alemi a Gjorgu, na tregon një përgjigje për një pyetje nga ato që e kanë munduar autorin. Në një komunikim me ndoshta vetë zotin, ai i tregon se theksimi i dentitetit fetar fillon më 1992-in me luftën e Bosnjës. Shprehur aq qartë ky besim sa besohet që edhe vetë feja fillon në këtë moment. Pastaj për ta humbur edhe më tej fillin kronologjik përmenden edhe shumë emra domethënës e me meritë në krijim të identitetit kombëtar. Por i gjithë veprimi shkrin gjithë kohët. Rrugëtimi i një rrace përfaqësuar fillimisht prej Qyprillinjve e deri tek konflikti e vllaznimi që kishte qenë dikur e vazhdoi akoma. Të tillë e kanë historinë shumica e kombeve dhe besimi ynë për një vuajtje më të madhe krahasuar me të tjerë kombe nuk qëndron. Kadare me burokratin modern ngatërruar me histori të lavdishme bashkëkombasish të humbur nëpër histori të perandorisë osmane ju afrua sa mundi një realiteti fiks. Por, komunistët shtynin keqazi më një anë e revolta e tij ndaj një ndikimi kaq dramatikisht jetëgjatë të erërave të nxehta të lindjes nga ana tjetër, ndaj ai nuk mund të rrinte në një vend. Këtë lëvizshmëri të veprës Kadarejane, Dervishi e egzalton në ekstrem dhe e bën një atribut themelor të veprës së vet. Masën e saj. Pjesa paskësh fituar një çmim të rëndësishëm në Rumani. Personalisht mbetem ziliqar i asaj energjie aktrimi që ofron skena kosovare. Ueh. Bababum bababam. Vritu pritu. Kaq profesionalë, të çlirët dhe të lirshëm, të pjekur. Nuk e dija hiç që i kisha këto përshtypje kaq të mira, që tani po i shkruaj. Por në fakt më paska pëlqyer. Kohëzgjatja e shfaqjes në kufirin e 50 minutave është në harmoni me ngarkesën që përçon. Gjithësesi, kjo qasje e dramaturgut nuk më entuziazmon fort. Duhet pranuar që nevoja për tu rikthyer tek nevoja për të adresuar këtë pyetje vazhdon prej gjatë. Me dyshim të qartë duhet të pranojmë se shqetësimi ynë për humbjen e bashkëkombasve nëpër kombësi të tjera e nëpër besime fetare që gërryejnë identitetin kombëtar, në terma të estetikës e prodhimit artistik, është i tejkaluar. Ndoshta ky është edhe parakushti fatthënës për këtë dramë kombëtare. Pas luftërash që na shpërngulën masivisht, transformimesh, vuajtjesh e gëzimesh, ne vazhdojmë të thurim gardhin e grigjës kombëtare. Ngjarja është një histori me shumë ngjarje. Ndaj mbajtja e personazhit bëhet shumë vështirë dhe kjo krijon hapsirë për energji por edhe për ca kakofoni. Në fillim një njeri, e shpejt na mbetet vetëm një komb. Një shfaqje.
0 Comments
Don Kishoti. Në morinë e kujtimeve që e shoqërojnë njeriun nëpër jetë me Don Kishotin, po të kesh pak fat, gjen plot. Nga Don Kishoti, njeriu, gjen thashetheme lloj e lloj. Unë kam një kujtim veçanërisht të bezdisshëm të fëmijërisë kur ja plas një të qare teksa isha mik i vogël në shtëpi të hallës në Tiranë, meqenëse televizori i tyre nuk kish mundësi (punw valwsh) të shfaqte Don Kishotin, që shfaqej atë natë. Një prodhim i vjetwr, nga ata që më magjepsnin komplet, pa e pas idenë hiç se çfarë do ishte. Dhe qaja aty në mbrëmje të errur dhe kërkoja që unë patjetër ta kisha mundësinë dhe ndërsa unë ngashëreja hovshëm në nuk di mirë se ç’fëmijëri e hershme, po jo fort i justifikueshëm gjithsesi, mërguam tek fqinji i katit të dytë. Nja katër a pesë anëtarë adultw që ishin duke pa në rehat një film nga Lufta e Dytë Botërore, ndoshta në një kanal jugosllav. Dhe pashë unë aty gjithë Don Kishotin, qw nëpër jerm dalldiste në dritaret e vaposura të vilës në Mançë dhe ku di unë çfarë figurash të ruralitetit të butë e plot me luftëtarë të Spanjës.
Vetë Don Kishotin e kam lexu shumë më vonë dhe çuditem nga kish ardhuar ai nam i pashoq. Pastaj lloj lloj muhabetesh me shqiptime e përkthime e shfrytëzime. Por, padyshim, kwto të gjitha janë një hiç para ndodhive të vetë Don Kishotit. Një delir i gjatë me pretendime për të qenit një themel i degëzimeve të vyera të prozës së modernitetit. Marrosje nëpër libra me kalorës e heroit tonë (një marri që e ndante edhe vetë hanxhiu, faktikisht, megjithëse jo në shfaqje.) Don Kishoti me siguri që përveçse film është opera, teatër, epitet, sinonim, antonim, ajo që mbetet ëndrimtare tek të marrosurit pas ëndrrës së vet, qoftë edhe shpirtigë, dhe plot e pëplot të tjera. Dhe është edhe shfaqja më e fundit që u ekzekutua në skenën e teatrit tonë kombëtar me regji të Klajd Ymerit dhe kalorësin Servantes si të vetmin shënim’mbajtës, por besoj se dramaturgu duhet të jetë vetë regjisori, meqenëse askush tjetër nuk përmendet. Megjithëse patjetër që ka një intervistë diku për tu cituar si ajo te emisioni televiziv i Çanit, për shembull. Por Servantesi shkroi vetëm romanin. Dhe hic nuk e shkroi dramën, më e shumta që ai vajti në këtë lëm ishin kur shkroi ca ndërmjetëse, siç qënkërkën quajtur atëherë ca pjesë që përdoreshin në një pjesë teatrore për ti dhënë pak frymë e ndoshta plotësuar me argëtim e gjallëri. Dhe gatuheshin veçan. Për referencë për ata që nuk e kanë parë ende shfaqjen por janë familjarë me bollëkun e madh të tekstit shfaqja ngihet me një skenë të vogël nga nisja e Don Kishotit për aventurat e veta e pastaj mbërrijnë në han. Një zgjedhje automatikisht e paragjykuar e dramaturgut, për familjaritetin e tepërt të kësaj copëze me një vënie më herët në skenë prej estradës së Tiranës me Agim Bajkon si Don Kishoti i Mançës e Skënder Sallakun si Sanço i Barkut. Apo nuk ka një familjaritet të tillë? Pastaj largësia e shtuar prej tekstit, krahasuar me shfaqjen e vjetër, na ndjell keq. Shfaqja e re ka një mbështetje të pakët në tekst. Gati hic një skelet. Dy tre eferenca të trasha. Nëpër fjalë. Po, ku e ve këmbën është fjala? Por jo këmbën. Por majat e gishtave të dorës në buzën e shkëmbit. Në skematizëm, në famijaritet komik komun, bashkëkohor. Don Kishoti bëhet objekt i lojës aristokrate, shkaktar trazirash e problem familjar por prap intrigimi i regjisoëve shqiptar me skeënën e hanit është interesant. në vesionin shqiptar aty kishte një pozicion të rehatshëm për të demaskuar klerin katolik që ja lypte cupës, po ky pse?.(Shfrytëzohen prodhime të fund-komunizmit për ta shkujdesur më tej tentativën e vet?) Jo shokë, kjo situatë rri e paqetë. Fillimisht, shfaqja mos niste vallë nga i dashuri i punëtores së hanit ku do vente më vonë kalorësi me famë, shfarosësi i dhjetra gjigandëve e magjistarëve, dashnori i fjalës së mirëshprehur kalorsiakisht Don Kishoti? Po. Një riosh spanjoll që jeton rininë epshore me punëtoren e hanit dhe nuk ka frik të jetë qesharak në gjestikuacion na fut në klimën e ngjarjes dhe kohës? Pastaj biseda e cajit në tryezë mes Don Kishotit dhe ndihmësit të tij Sanco Panca sjell një barazi mes fisnikut dhe ndihmësit të vet fshatar që as versioni komunist nuk e kishte. Mbesa e Don Kishotit ngecet në një shaka me një fixhan caji ku ishte hedhur ca ilac gjumi. E gjora vajzë bëri edhe biskota me ilac gjumi, por Don Kishoti nuk i hëngri gjithësesi e na krijoi ngazëllim për ndonjë dhjetë minutësh të mirë me këtë muhabet. Zot i madh. U shkri mileti. Mbas qafe kisha një çupë që qeshte me këtë zhurmën shumë decibelëshe që shkakton habi paspersonale. Unë u lodha direkt. Qeshte gjithë mileti. U sëkëlldisa. Sipas këtyre britanikëve që kanë studiuar Homerin edhe në vepër të tij paska një strukturë që ka ndihmuar memorizimin duke lejuar përsëitjen e formave të të shprehurit. As aty nuk qenka shmangur nevoja për tju referuar vetes në terma të hambarit imagjunesogjuhësor. Pra nuk mund të mungonte këtu.Por një dozë më e vogël është padyshim e preferuar. Një pjesë e lehtë. Një aneks. Me pak muzikal brenda. Ca lëvizje. Një skenë me ca dengje kashte përpara. Pastaj erdhi një mulli ere nëpër drita që u shpërbë në dy lopata kanotazhi me nga një njeri që i rotullon nga prapa. Një kalë e një gomar me një njeri të fshehur brenda. Si kuaj Troje. Gjithë kohën pata frikë se do ta hidhnin maskën tej dhe me shpatë në dorë do thonin – “jo, Don Kishoti qenka shumë i mërzitshëm na duhet Iljada.” Edhe fup si Odiseu me shokë do dilnin nga koka e kalit dhe do bënin luftë si natën kur ra Troja. Por jo. Korrje tokash të kolonizuara më herët. Përmbushja e një pritshmërie është një detyrë që duhet shmangur prej dramës, megjithëse nuk duhet neglizhuar. Romir Zalla dhe Genti Zenelaj, dy delegatë të imazhit skenik dominant që përgjon nga brenda tek regjizori. Pa një personazh real për ta përmbushur ata ndjekin rrjedhën me shprehitë e veta, por fotozhenikë. Edhe pjesa tjetër e skuadrës ndjek qasjen e hedhjes së fishekzjarreve për argalisje të spektatorit. Një y këtu, një mimikë tjetër atje, ca situata. Dakort nuk jemi aspak kundër një shfrytëzimi të vizuales për argëtim teatror, por jo me turp prej letrares së braktisur gjithsesi. Ose të paktën ndërmarrë me dorë të pasigurtë. Me i marr kostumin Don Kishotit që ta përqeshësh në skenë. Nuk bëhet shaka me të çmendurit se është gjynah. Një vizitë te familja Tot. Një vizitë prej oficerit të ushtrive ku militonte si ushtar edhe djali i vetëm Totëve. Duhet të ketë qenë Lufta e Parë Botërore mendoj sepse flitet për një qëndrim të gjatë në front, por jo, lidhja e tij me të Dytën ishte e fortë. Ai vetë kish marrë pjesë në Luftën e Dytë si një hebre në grupet e punës së detyruar, diku thellë në frontin rus, por shyqyr ra në duart e rusëve i plotë dhe ata e mbajtën të plotë deri në fund. Për autorin hungarez Istvan Orkeny e kam fjalën.
Por pjesa na mban brenda, në territore largë frontit dhe majori i vizitës që thamë do mbërrijë për të qetësuar nervat e veta të shkatërruar prej qëndrimit në një front ku qëndrohet prej shumë kohe. Majori duhet të ndihmohet t’ja zerë rrugën çdo mendimi që mund ti lindet e ka ndonjëfarë zierje të llojit etik, meqenëse është në një brishtësi mendore të skajshme, dhe ka një dorë me vese që duhen toleruar, e që e bëjnë jetën jashtëzakonisht të vështirë për mikpritësit e vet. Por ai mund ta shpëtojë prej shfarosjes në të ftohtë djalin e vetëm. Për hatër të birit që mund të trasferohet në zyën e ngrohtë të majorit pranohet në gjirin e familjes një njeri me çrregullim pastraumatik të stresit. Katër personazhe të tjerë me nga një miniskenë të vetme për vete. Ish-avokati që merret me gropa septike, prifti, Zonja e qejfit, fqinja dhe profesor Cipriani që ka specializim në shëndet mendor. Si dhe postieri lajmëtar, që na tregon se ç’ndodh andej këndej madje edhe pa e ditur ata të shtëpisë ose majori, ose çfarëdo pesonazhi tjetër, se ai ka të drejtë të na drejtohet ne si spektatorë. Malli e frika për birin në front krijon bazën mbi të cilën shfaqja mbetet e arsyeshme si dhe shtratin emocional ku rrjedh një prej linjave kryesore të historisë që na tregon pjesa. Linja tjetër është ajo e çrregullimeve të majorit e që mbledh dy ‘përrenj’: çrregullimin e shkaktuar prej jetës në frontin ku vdekja është e zakonshme dhe rrethanat tronditëse në shumicë dhe çrregullimet personale të njeriut major që amplifikohen prej hierarkizmit ekstrem që imponojnë institucionet e tilla si ushtria apo koha e luftës. Ngjarja Pjesa hapet me postierin lajmëtar paksa të shkarë. Ai tregon se është një ish pacient i klinikës psikiatrike, se shpërndan letrat duke ju bindur ndjesive që ka për secilin letërmarrës e na bën gjithashtu një hartë të vogël të fshatit dhe të asaj ç’po ndodh. Po vjen majori që do qetësi dhe është i ndjeshëm për erërat. Pastaj janë Totët, që në përgatitje për të pritur majorin angazhohen të pastrojnë gropën septike, dhe ftojnë një ish avokat që e ka zgjedhur këtë profesion të ri si më të pastër se të parin. Dhe ku ka mut dihet që ka dhe ca humor. Pastaj nisin një fushatë për të siguruar qetësi të plotë duke kërkuar ndalim gromësimash e vajisje dyersh në shtëpitë fqinje duke na sjellë ca më shumë shije prej realitetit social ku jetohet. Një si mbledhje me avokatin, fqinjën dhe priftin. Vjen majori nisin trazirat. I kompleksuar prej shtatlartësisë së vet të ulët, majori nuk duron njeri ta hedhë shikim pas tij dhe detyron zotin Tot të qëndrojë gjatë gjithë kohës me një strehë mbi sy. Pastaj kërkon e kërkon deri sa gjen që për të ndihmuar ekonominë familjare Totët, nganjëherë, merren me palosje kutishë të një kompanie që tregton fasho. Majori dashurohet me mundësinë e të prerë të kartonëve dhe fiksohet gjithë natën me këtë muhabet. Majori tregoi se edhe në ushtri i duhej të vinte ushtaët që mbrëmjeve të këpusnin e pastaj të riqepnin kopsat e xhaketës dhe sfilit familjen mikpritëse nëpër net të gjata deri në agim duke palosur kutitë. Zoti Tot del nga binarët dhe i bën një vizitë priftit që e nxit ti nënshtrohet fatit e të kujdeset për fatin e të birit. Pastaj viziton mjekun Cipriani që i thotë se nuk ka si i shpëton çmendjes së vet, e se këtë mund t’ja konfirmojë deri me shembullin e vet. Fqinja e qejfit që thamë, gjithashtu vjen e kërkon vëmendjen e majorit. Por ai nuk e ka hic mendjen nga ajo anë, çka e dëshmon edhe indiferenca e tij ndaj afrimimitetit të shtuar të vajzës Tot. Benda dy javësh majori imponon një stil jete e një autoritet që mundon familjarët dhe luan menç babain e dhembsur dhe e bën një vrasës hakmarrës që ndan më katërsh majorin. Vetëm për tre ditë më shumë që do rrinte. Shfaqja Regjisorja Andia Xhunga ka pasur detyrën që ti gjejë një shpërndarje të mirë tensionit nëpër rrjedhën dy orë e gjysmëshe të shfaqjes. Regjisori është një përthyes. Në gjuhë, në kohë, në respektim të shprehive të marrjes së infomacionit argëtues prej filanit e fistëkut që janë në sallë dhe po këkojnë mesazhe. Dhe regjizori nganjëherë ndërhyn që copa të grimcohet e nganjëherë të përdridhet si baltë te ajo vegla që rrotullohet ashtu. Ose mish në hell. Natyrisht këto janë mendime të një spektatori që kërkon të argaliset gjithë kohën, po fundja kush nuk është? Mendoj se zoti Orkeny ka bërë një pjesë me njëfarë rrjedhe të ngeshme, pavarësisht aksionit të bollshëm dhe tensionit të lartë. Ky realizmi tragjik që shoqëroi gjithë fatet e prekur prej luftës së dytë botërore jep të drejta të bollshme me i shty kufijtë e mirkuptimit. Po teatri ka pazarin e vet. Mbërritja e majorit vendos pjesën në anormalitetin që prodhon ngjarjen, tensionin, humorin dhe kulmi është arritur. Dhe kjo linjë vazhdon e trazuar veç prej batutash apo gjestikulacioni skenik. Indrit Çobani, majori që zotëron edhe zemrën e regjisores sonë, mban një fill të rëndësishëm, por personazhi i tij është i pasur me mjete shprehëse dhe hapsirë për spikatje. Ai ndjell simpati me atë që ka kaluar dhe çudi me ekscentrizmin e vet. Ai qëlloi me pistoletë. Në ajër. Disa herë. Të qenit protagonist për një kohë aq të gjatë, edhe pa qenë hiç në skenë, domosdo që ka kosto. Bujar Asqeriu me madhësinë e tij fizike dhe aftësinë për kapëcim të lehtë nga tuafllëku në kërcënim urban akut mendoj se krijoi kyezjarrëfikësin fshatar, Tot. Një mesoburrë madhosh që u sfilit më shumë se të gjithë dhe u sfidua kaq fort sa doli menç. Personazhi i Olta Dakut, gruaja e zotit Tot, ishte lidhja më e fortë e ngjarjes me kohën dhe vendin e tekstit. Ajo kishte identitetin më të fortë folklorik në veshje, mendësi, qëndrime e shprehi. Dakort komplet edhe e zonja për batutë edhe shumë aftë në ngadalsim. E bija tani, Adelina Muça. Kjo është fluturake. Si gjithë çupat e kësaj moshe, kjo i di të gjitha gjuhët edhe asnjërën. Zoti Tot takoi doktorin Cipriani. Ndiçim Xhepa, që i tha se nuk kishte asnjë problem që ishte i çmendur se edhe ai vetë ishte i çmendur. Një goxha rol. Një i çmendur guximtar dhe në kontroll. Nuk ja kishim parë të këtillë rol. Zonja fqinjë që thamë ishte Suela Konjari. Komplet dakort bashkë me Xhevahir Zenelin. Postieri i çmendur dhe Prifti janë në skuadrën me nënën nëse do të imagjinonim një të tillë. Ata gardhojnë komunitetin. Hierarki e besnikëri. Fatkeqësisht jo fort të shquar. Postieri i çmendur detyrohet të ndajë veten e vet me djalin ushtar që çon letra. Pra, regjisorja Xhunga me zgjedhjen e saj të një rritje të distancës së pjesës nga realiteti që e prodhoi (Hungari 1943 a 44) rrezikon një realitet shumë më unifom, pra me më pak mjete në dispozicion për të thithur vëmendje. Në kostumografi e skenografi kjo qasje bie në sy që në fillim: streha mbi sy e zotit Tot përmendet si helmenta e një zjarrëfikësi dhe është një strehë portative që mbahet i fiksuar me rripa që ka për detyrë të qetësojë komplekset e shtatultësisë tek majori histerik. Kostumi popullor me një krehje që prezantohet të ketë njëfarë unifomiteti kolektiv i zonjës Tot është vetëm një diversion, ashtu sikurse edhe kostumi i zi i mitologjisë televizive që kishte majori, por që shyqyr e ndërroi. Skenografia me pak orendi e pak identitet. Ato të gjitha kanë simbolikë të shtuar që domosdo ja marrin gjithçkaje. Pjesa tenton një absurd të pakohë e pavend. Ky distancim çngjyros nga pak secilin personazh. Çobani dhe Asqeriu janë të parët që preken. Në këtë qasje mendoj që zonja Xhunga duhet ta kishte krijuar hapsirë për njëfarë rritje (një kreshendo) tek shfaqja. Por kjo nuk ndodh dhe është kjo njëtrajtshmëri e një realiteti të vështirë për të qenë i plotë që shkakton pak lodhje tek spektatori, përndryshe pjesa ka humor, ka thyerje, ka situata, por kohzgjatja tenton ti afrohet dy orëve e gjysëm për pjesën në total. Dakort janë dy javët e qëndrimit që ngjeshen për ti mbushur këto dy orë, por pak të reja shfaqen dhe historia kuptohet shpejt që nuk do të ketë ndonjë rritje pas asaj të fillimit. Sfilitja e personazheve shtohet, por referencat vijnë nga fronti ndaj më e keqja ka kaluar. Edhe lajmi për vdekjen e djalit, që postieri vendos të na e sjellë vetëm ne spektatorëve e ta mbajë jashtë ngjarjes dramatike, për ta lënë në një personazh që komunikon me ne përmes letrave, nuk sjell ndryshim. Gjithësesi, shfaqja qe, pak të thuash, e sukseshme në terma të interesit që zgjoi tek publiku dhe tek profesionalizmi që i nxiti e i mori artistëve të përfshirë. Se vetë i nderuari realizëm socialist do të shfaqej para nesh në këtë vjeshtë reale që solli nëntori fatmadh, ne padyshim nuk e prisnim. Një komedi.
Dionis Bubani e paska imagjinuar për ne një situatë të tillë: Avokati Mentar Mentari ka një gocë pë të martuar, dhe një grua, dhe një qeraxhi. Kunatin, një kushëri të vetin që është si bicim kleptomani batakci dhe tre kandidaturat për martesë që janë fashisti i ri me emrin Benjamin, nazisti shqiptar Zenun Zenuni, dhe agjenti i anglezëve njëkohësisht qeraxhi Eduarti. Dhe një i parë që kish dalë partizan pasi ishte zhdukur prej shtëpisë ku rrinte si qiraxhi, Zafiri, zgjedhja e parë e preferuar prej mamasë. Avokati qenka i vetmi i diplomuar jashtë me medalje të artë në qytet, por edukimi buroi nëpër gjinjtë e gruas dhe ai është qesharak në ambicjen e burrërinë e vet të provincës nëpër dallgët e luftës së dytë botërore. Gruaja që tregon se është martuar kur ka qenë vetëm 15 vjeç dhe ka gjinj sa për të buruar edukimin e burrit. Bija, Flutura e re, por zënë në hall se po mbetet pa martuar ndjek trillet nga e ngatërron babi. Deri sa vjen partizani Zafir që në fakt, nuk do Fluturën por t’ëmën. Hiq këtë gjetjen e fundit, që domosdo shkaktoi humor në sallë e që kemi të gjitha arsyet të mendojmë se e ka shtuar regjisorja Sonila Kapidani në një akt që na troshit pak në rrugëtimin tonë për interpretim, pjesa tjetër është plotësisht konform kallëpit të farkëtuar ideologjikisht të realizmit socialist. Mentari, borgjezi shpirtvogël dhe i paparimtë, që për arrvizmin e vet nuk e ka për gjë ta kolovisë çupën nga të jetë leverdia, ëndërron të zhvendoset në Tiranën fashistonaziste ku mund të shërbejë në gjithçka, nga shërbimi në Ministri të Brendshme e deri ku të jetë. Gruaja dhe vajza, janë llastica interesaxhie, gjysmë injorante e gjysmë viktima të modelit patriarkal që dominon gjithandej. Daj Dudumi çifligar meskin e i pasur që do ta martojë mbesën sipas interesave e bindjeve të veta me nazistin Zenun Zenuni, që është një hajvan fanatik dhe gjakatar. Shkesi Xhevahir, kushëri e makut e kleptoman siç edhe thamë, është gjithashtu i kthjellët dhe spikatës. Benjamini, i biri i ministrit Abdurrahman, është gagaç e ca i leshtë. Anglofili Eduart është më i kthjellti i grupit por edhe ai duket sa si shumë i kthjellët e duargjatë. Personazhi i vejanit të pasur që kërkon gjithashtu ta marrë çupën për nuse dhe që është pjesë e çdo komedie të tillë që mbaj mend, vetëm sa përmendet dhe nuk erdhi. Bubani në prezantimin prej wikipedias (anglisht) cilësohet si një ndër dramaturgët e parë profesionistë në Shqipëri. Dhe nëse marrim në konsideratë se i ati Gjergj Bubani, një publicist Shqiptar që paska nxjerrë më 1930-tat në Bukuresht gazetën Kosova sipas ëikipedias shqip e atë Drita sipas asaj anglisht, qenka nga viktimat e gjyqeve famkeqe të Koçi Xoxes, kuptojmë se çdo të thotë profesionist. Krejt spontanisht shfaqja bëhet pjesë e rigjallërimit të kësaj tematike që vetë Presidenti i Republikës e çeli kur dekoroi një grup luftarak ballistësh që humbi jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nuhatje që artit nuk kemi si ja mohojmë, nëse marrim në konsideratë se përgatitjet për shfaqjen kanë filluar para se presidenti të shpallte vullnetit e vet prej të pari të vendit. Megjithëse na duhet të mendojmë edhe për mëdyshjet e të profesionistit Bubani, për interesimin që fiton kjo pjesëz e krijimtarisë së tij në këtë kontekst të ri social politik në Shqipërinë. Këtu duhet pasur parasysh që pjesa nuk kurrfarë arsye për të spikatur në tollovinë e prurjeve të dramaturgjisë të realsocializmit. Karnavalet e Korçës, të Çomorrës janë një paraardhës i afërt, e të tjerë prodhime të ngjashme të asaj kohe ka plot. Profesionisti Bubani me ëndrrën e ndonjë leje krijuese në kokë dhe frikën e një qarkullimi në zemër mund të ti bënte si kjo, sa të doje, me siguri. Edhe i ka bërë. Shfaqja. Zonja Kapidani duket se është familjare me nevojat e publikut të sotëm, ndaj shfaqja ka ritëm. Zëra të lartë. Të mprehtë. Gjithë kohën. Au iu. Aksion nëpër skenë, megjithëse bëhet fjalë kryesisht për vizita në familje dhe kryerje të një shkesie. Aktorët lëvizin pa pushim. Të rrëmbyer. Gëzim Rudi si Mentari, Pjerin Vlashi si daj Dudumi, Shkëlzen Berisha si Xhevahiri e e gjithë trupa me rradhë i kontribuojnë aksionit. Të tre dhëndurët, të dyja zonjat. Çdo veprim është me ritëm të lartë. Edhe skena është e ngushtë e ngushtë edhe spektatorët janë afër, ndaj dhe gjithçka ndihon këtë intensifikim, megjithëse duhet pranuar se bëhet fjalë për një gjetje regjisoriale disi të shpejtë dhe komune në këto kohë. Konflikti me lopata. Dhe konflikti të krijon hapsirë për humor sa të duash. Mentari dhe daja zihen për rivalitete të karakterit mashkullor me njëri tjetrin. Paratë e Dudumit dhe suksesi profesional i Mentarit i bëjnë rivalë. Të tre dhënurët domosdo që grinden dhe meqenëse nuk kanë ndonjë shtrirje të madhe të rolit lejohen të spikasin fort me cenet, manirat, energjinë e tyre. Femrat e kanë të lehtë se me pak gjuhë trupore dhe fap e bëjnë një personazh të plotë e të plotë, rrumbullak. Një estradë e mirë (siç paska pasur në karakter të vet që në realizimet para-pasdiktatoriale shfaqja). Publiku, relativisht i ri, u shkri së qeshuri. Steriotipet e realizmit socialist që me siguri enden si hije nëpër pavetëdijen estetike të bijve të njeriut të ri socialist garantojnë sukses. Shto këtu edhe ca moskokçarje injorante për debate politike të kësaj natyre ndër popullin tonë gjithmonë të ri dhe duartrokitjet burojnë natyrshëm. Vetë verëbërësi Dionis e di se pastaj ky Mentari, që gjithsesi paska qenë i vetmi jurist me medalje të artë në provincën ku me siguri 90 e kusur përqind e popullsisë ka qenë analfabete, i dorëzoi ata florinjtë e fshehur në oborr, që u përmendën tek shfaqja, pasi e varën prej koqesh prej tavanit për ndonjë javë me radhë dhe pastaj udhëtoi burgjesh e kampesh duke tharë këneta ca muaj e vite. Doli s’doli nuk e dimë. Gruaja e tij me emrin mysliman pasi gëzoi ca ditë partizanin Zafir të gjetjes regjisoriale, shkoi të gëzonte ndonjë brigadier bashkë me të bijën Fluturën, që zor të jetë martuar edhe për ca kohë. Dajë çifligari gjthashtu do t’ja ketë vënë koqet në dorë ndonjë xhahili kurioz, që interesohej për verdhushka të gjakpirësve të popullit dhe kushedi ku do i ketë lënë kockat. Dhëndurët kolaboracionistë po nuk i pati korrur dyfeku partizan që ato ditët e para do kenë vajtur pas Fluturës në ndonjë arë ku mezi nxirreshin 60 kuintal misër për hektar. Nevoja që ka shfaqja për tu hequr prej gjithë konteksteve reale për tu shijuar si komedi na trazon. Ka një mungesë qëndrimi politik dhe thjeshtë një sprovë për një tekst të vjetër në duar të reja siç thotë zoti Josif Papagjoni në kritikën e vet për shfaqjen tek gazeta Shekulli, apo fille të majtizmit shqiptar, që zgjaten të pandërprera që prej luftës partizane për liri e deri tek teatri ynë bashkiak, kërkojnë të tërheqin shikimet nga tablo të caktuara? Dionis Bubani me historinë e vet dhe të babës Gjergj, që i njohu brohoritjet popullore të gjykatës komuniste me veshë të vet, i shtohet komedisë së vet. Në këtë aspekt kjo lehtësi në rrokjen e një teksti të vjetër për një engledisje bashkëkohore nuk na rrëshket kollaj nëpër gurmaz. Një estradë dakort, por përfshirja në një debat kaq të mprehtë social e historik, (dakort të deformuar prej nevojash ditore të një politike të paskrupullt,) prej një mediumi kaq ekskluziv e lluksoz sa teatri prej një pozite që refuzon të angazhohet me domethëniet aktuale të pjesës nuk na entuziazmon. Apo jo? Ka angazhim dhe në fakt ky humori i fundit, që thamë, me partizanin Zafir që në vend të vajzës Flutur dëshiron mami Sanien nuk na qorrolleps komplet, por na tregon shtegun e kuptmeve politiko-filozofike të qasjes regjisoriale? Me prurjen e saj regjizorja Kapidani dëshiron që edhe partizani Zafir të zbresë në një nivel me dhëndurët e tjerë, apo do të na qerthullojë me një metaforë që medemek ai do ti qijë t’ëmën asaj dhe ndoshta të gjithëve ku janë e ku s’janë? Nuk e mora vesh. Po çi qi t’ëmën. |
Categories
All
Archives
May 2023
|