Ka ardh Makbethi, ka ardh Makbethi! ushton jehona, ndër teatërdashësit tanë. Nga Kleidi Kapexhiu. Makbethi, një ndër personazhet e spikatur të Shekspirit të madh, që edhe rikthen trillet e fatthënies e edhe ngërthen ato që janë njeriu. Pikërisht kur pati më shumë, Makbethi deshi më shumë, e për një ëndërr shtrigash nëpër natë preu në besë mikun mbret.
Në fillim na duhet t’ja thurim lavdet që i duhen Shekspirit se përndryshe na e lëshon gjëmën. Makbethi duhet pranuar se ndër vepra të Shekspirit gjallon prej veprimit të vet, ka egzekutimin e një fëmije në skenë, megjithëse jepen dënime të ngjashme. Në skenë vritet edhe gruaja e Makdafit.Vritet Dunkani, Banko. Kurorëzime, dyluftime, kokëprerje. Darka. Makbethi dhe e shoqja u çmendën. Zonja Makbeth e obsesionuar pas një njolle gjaku që imagjinonte se kishte në duar vrau veten ditën që i shoqi do vritej në betejë. Edhe shumë më vonë, Kadareja do të dëshmonte se sapuni për duart e saj nuk ishte gjetur akoma. I biri i Bethit[1] shihte fantazma i vetëm. E jo si Hamleti që e thërritën shokët të fliste me fantazmën që shfaqej në mure përnatë. Edhe Mbreti Lir kur u çmënd, më shumë si nga halli e kishte. Kurse Makbethin tonë e shtiu e pandërgjegjshmja e vet në siklet e i dilnin fantazma viktimat e veta. Në fjalë fundit ai ja hedh fajin besimit të gabuar në magjistrica. Shfaqja tani. Dashuria ime për thellësitë e skenës së Teatrit Kombëtar sërish gjen shprehje tek ajo alamet skenografie me thellësi e lartësi të bollshme. Bosh. Kufizuar në anë prej nja pesë kolonash boll të larta e me gjerësi ndonjë metër e ca. Pa ngjyrë që të konsumojë ndonjëfarë kureshtje.Me një fund që zbardhëllon. Nëpër bosh lëvizin personazhet e dramës. Shtrigat, një risi. Tre shtrigat janë veshur hijshëm si në ndonjë film gazmor hollivudian dhe ecin anash duke përparuar me këmbën e djathtë.Dhe këndojnë në një melodi gati optimiste planin e tyre shtazarak, për ta nxitur Makbethin ta vrasi Dunkanin mik në shtëpi të vet ku mbreti e kish e nderuar me vizitë. Skenografia fort e pëlqyeshme e eklipsonte fare sallën. Muzika pastaj. Një muzikë gati industriale tingujsh që përsëriten ritmikë ose krejtësisht të çregullt diçka si hekurat e një menteshe që fërkohet me zhurmë. Ndonjë violinçel ishte diku. Tensionuese dhe e tensionuar, por gjithsesi, e pranueshme. Ndriçimi, në koncepte për mendimin tim, ishte korrekt, por në masën e dritës skenave të caktuara unë mund të merrja guximin e të bëja si kompetent. Ndërkohë që driçimi i mesit të sallës na qe ajo zilja që dëgjohej dikur para fillimit të shfaqjes. Pastaj na tregoi edhe fundin. Për më tepër kemi edhe maskat dhe kostumografinë, fort të spikatura. Vetë Makbethi ka një kostum të kuq në një prerje moderne. Duket gati i hijshëm në kuqëlim. Fytyrat gjithashtu janë ngjyer në funksion të karaktereve të tyre. Kontraste të theksuara, shkëlqim e bollëk. Këtu direkt na duhet të rikthehemi tek regjizori që shpërndan peshat e shfaqjes në një qasje disi të re. Llojet e lëvizjes janë identifikuese për personazhet. Luftëtari i fillimit që informon Dunkanin ecën çalamançe, me njërën këmbë të keqvendosur a të shtrembëruar që e çon përpara ngadalë. Këtë tik e ruan edhe kur luan një personazh tjetër, atë të tre vrasësve. Edhe fisniku lajmëtar e luftëtar ecën çuditshëm. Sikur vrapon po i ngadaltë. Makbethi ecën me dorën e shtrirë përpara sikur kërkon të ngërthejë diçka. Si ai ecën edhe Banko, miku e bashkëkomandanti i Makbethit, e që mbështetet tek Makbethi ndërkohë që tërheq nga pas një bir ndoshta tetë a dhjetë vjeçar e që profetizohet prej shtrigave të bëhet mbret dikur[3]. Natyrisht ka një mori lëvizjesh të tjera, por edhe ato janë sa më eksplicite të të mundet. Lëvizja është e ritualizuar në masën 65.4%, (mos qofsha ngatërru te ai pjestimi i fundit). Por më shumë se kaq, te fjala. Një theksim i fjalës së shqiptuar kundrejt aktrimit, ritmit, tensionit e joshjes, argëtimit a bastisjes për gajasje. Për të cilat ka rastisur të ankohemi në herë të kaluara. Me një simbolikë të thjeshtë personazhet përparojnë. Duke i qëndruar me njëfarë këmbëngulje vendimit për përdorim të gjuhës së Nolit. Sjellja e dramës nëpër kohë është realizuar në ekuilibër. Si nga kostumografia. Mbulimi i fytyrës me ngjyra sa për një maskë të plotë. Një maskë që është primitive në shenja. Gojë të liga, sy të errësuar, përgjakje, meitëri, dyzim janë përcjellë me ngjyra të thjeshta e fine. Maska që ka mijëra vjet që është art nuk mund të mos ofrojë sërish. Dhe maskat janë shumë në krijim të karakterit të personazheve. Vetëm mbreti shpëtoi prej tyre. Ngjyrat e karaktereve të personazheve janë bashkëkohore, përdorimi i zërit prej tyre për ndërtimin e këtyre karakteve është bashkëkohore, megjithëse fjalët janë po ato të 1606-ës apo në shqipe të Nolit. Ky është një kontrast me përdorim të përhapur, por gjëja ndonjëherë kënaq e ndonjëherë acaron. Në këtë rast është bërë me finesë dhe bukur. Makbethi është i dominuar nga poshtërsia më fort se Makbethi që mund të njihet në lexim. Ajo e tkurr këtë hero të luftës në përmasa njerzore në shfaqjen tonë. Indrit Çobani në realizimin e personazhit është fort i qëndrueshëm. Çdo zanore e teksit sëllohet dyshe nga goja e tij. Ledi Makbeth prej Luli Bitrit sikur nuk dominohej prej ndonjë tipari i karakerit, ajo mw shumw se tw gjithw mbeti nw fjalw. Banko (Genti Deçka) më ndjekës e i pwrkorw, Rosi (Neritan Liçaj) më i ngadaltë e i munduar prej lëvizjes por në vrapim të pandalur. Malkolmi (Suela Bako), biri i mbretit të vrarë është i rrëmbyer e nervoz, dhe nën maskë ka një femër, ndërkohë që vetë mbreti (Arben Derhemi) është edhe garip edhe babaxhan edhe administrativ. Makdafi (Laert Vasili) më burokratik. Dhe tre vrasës e dy ushtarë mblidhen në vrasësin e vetëm të shfaqjes (Xhino Musollari), që solli edhe ca epsh dhe ca përulësi servile nëpër vrasje me koditje tw pwrswritur e kontakt tw gjerw (ky e vrau të shoqen e Mekdafit mu në skenë, megjithëse Shekspiri i tha vetëm ta ndiqte nga pas jashtë skenës ku fati i saj të mbetej i panjohur për momentin.Ndërkohë që lanë pa sjellë në skenë kokën e Makbethit.) Por, pjesa për fat të keq nuk na përthithi. Megjithëse gjithë ata burra me kama nëpër duar lëviznin nëpër skenë e gjithë kohën intrigat ja zinin vendin intrigave, haluçiacioneve a tërbimeve, gjykimi im ishte se situata mbeti e ftohtë ndër spektatorë. Unë si përgjues i zhvillimeve në sallë e ndjeva edhe qetësinë po edhe ndonjë kapitje aty këtu se fraza është e gjatë. Mos vallë donim më shumë aktorin? Ata mbetën atje prapa maskave, me lëvizje të koreografuar prej minimalistësh shenjadhënës. Vetëm me zërin për të mbushur detyrën e përçimit. Në një hapsirë më të madhe të skenës për tu mbushur se zakonisht. Megjithëse në një rresht të afërt, u ndjeva largë skenës. Skenë e madhe i bënteaktorët si më të vegjël. Zëri si më i pakët. Në një shfaqje me peshë të shtuar për ngjyr e tingull e fjalë këto ndikojnë. Por nuk po them se aktorët nuk janë aty shprehës e krijues të personazheve komplekse. Por diçka diku më le si botanist. Duhet të jetë ndonjë vidë diku. Për shembull, ndonjë skenë ja del me vështirësi të bëhet pjesë e së tërës. Është pa forcë, zgjat, lodh për ç’vazhdon më tej. Sikur nuk na ngopin me ngarkesën e vet kuptimore dhe emocionale.Nëpër të ka të çara që lejojnë të shpërqëndrohemi dhe rikthjellojmë hetimin e pjesës. Përpunimi i tektit për mendimin tim do ta kish dashur një kujdes më të madh. Ndonjëherë, konteksti i fjalës së rëndë mes personazheve sikur tretej dhe dialogjet shpërndahen andej këndej dhe bëhen lodhës për shkak të kapërcimit.Ndonjëherë skena të gjata përfundojnë në episodiken e largët. Në një moment mua mu duk se një pjesëz skene kish ngatërruar rradhë e kish dalë para shkakut të vet. Dhe pjesa, ndoshta, thjeshtë donte një ngjeshje më të madhe. Këto mjete teatrore kërkojnë largimin të shpejtë. Se ti nuk rri e bën muhabet me mjete shprehëse kaq të drejtpërdrejta. Në një farë mënyre kemi një spektakël. Jo ndonjë ngjeshje të shumë, por sa për ta rritur disi vibrimin. Unë vetë, më parë, e thashë se fjala kish fituar vlerë të veçantë në shfaqje prej shkrirjes së personazheve në pak vija të trasha falë ngjyrosjes së fytyrës dhe lëvizjeve të pakta e me domethënie të zgjatur shumë. Por edhe e kundërta qëndron andej këndej nëpër pjesë. Zoti Kapexhiu na gëzon me shijen dhe finesën e vet dhe të bashkëpunëtorëve. Shpresojmë që ai të ketë mundësi e dëshirë të na tregojë prap. [1] Në shënimet e informuara të Nolit sqarohej edhe që Mak i thokën birit. [2] E zgjodha këtë varg dhe për të plotësuar disi pjesën që këtë skenë sikur nuk na e nguliti në kujtesë dhe për larminë e madhe të argëtimeve letrare që sjell. E jo vetëm. Shëndeti mendor dhe diagnostikimi i tij është aty. A është kurimi prej brerjes së ndërgjegjes kompetencë e mjekut a priftit? Kurimi i obsesionit sot padyshim që është çështje e shëndetit mendor, por aty është edhe lezeti i ndërgjegjes, që supozohet të mbetet gjithsesi racionale. [3] Dhe Fleanci na paska themeluar familjen e Stjuartëve që i dhuruan mbretërisë shtatë a tetë mbretër
0 Comments
Gishti, nga Doruntina Basha, e paska këtë titull pse nusja e tendosur nën stres çan veten me thikë në gisht. Kjo gjakosje bëhet shkak që vjerra të ulë presionin dhe të krijojë hapsira për komunikim për kohë të mjaftueshme sa të kemi një dramë. Një gisht tjetër që përmendet në pjesë është ai i nënës së vjehrrës që dikur në të kaluarën kishte prerë fare gishtin duke gatuar. E vetë vjehrrës i ra barra të kujdeset për familjen kur nëna u sëmur. Një nga këta dy gishta i dha titullin kësaj pjese tragjike. Ose të dy ata gishta dhe plot të tjerë. Gishti, kjo shqisë e prekjes, megjithëse adresë jo fort dinjitoze e gjeografisë trupore, trup mbetet. Historia është e Kosovës si dhe autorja. Historia është e tillë: Dikur, ulen për të ngrënë bukë. Dëgjohen zhurma jashtë. Babai urdhëron birin njëzet vjeçar që të dalë e të shohë. Djali vesh këpucët e të atit për kollaj e del. Aty ka ushtarë që i rrëmbejnë e i hipin në kamion. Del edhe baba i nervozuar pse djali ja veshi këpucët, e rrëmbejnë edhe atë. Dhe tani një nënë e brishtë në thyerje për dhjetë vjet i pret përditë. Krijon ato shenjat e veta për mbërritjen. I pret në mars, i pret kur ka stuhi, i pret gjithmonë. Dhe nusja rri me të. Herë duke besu edhe vetë, herë duke e dit shumë mirë. Ndër fqinj njerëzit që ishin rrëmbyer ishin kthyer tashmë të mbyllur nëpër qese plasmasi të zeza. Ndër ato mijëra që janë të humbur në Kosovë padyshim që kjo histori është e vërtetë. Dhe vjerra bën shtrigën me nusen që rrezikon t’ja marrë dashurinë e të birit. I mbrohet përçarjes në marrëdhënien familjare dhe e bën zap e e ngarkon me detyra. Fillimisht shfaqja i mëshon situatës së vjehrrës e nuses dhe e le disi në plan të dytë rrëmbimin e zhdukjen e të zhdukurve që edhe në narrativë bëhen pjesë e komunikimit diku nga fundi. Dhe kjo ndarje e të gjallëve me të gjallët jep konkretësinë e nevojshme për tu përfshirë. Dhe aktoret e nisin shfaqjen me përsëritje të këtij komunikimi ritual. E kujdeset për cantat, e gjërat e tij e gjellërat për të, e bëhen gati të ikin diku. Nusja do iki fare te nëna e vet. Dhe nëna e saj shahet. E soji i saj. Dhe plaka është e egër e dhunshme, autoritare përçmonjëse. Dhe në këtë komunikimin ritual të kësaj përditmërie, ishte gjaku ai që siguron qetësinë për pak, dhe kjo vazhdon. Pra është e qartë se barra emocionale që duhet të përcillet është e madhe. Regjizore Bojana Laziç e dramatizuse Olga Dimitrijeviç. Me aktoret Rozi Kostani dhe Ina Morinaj. Regjisorja ka vendosur që disa mesazhe të përcillen prej gjuhe trupore e lëvizje intensive, apo fjalës së përsëritur. Përdorimi i simbolit është i shtuar nëpër pjesë, e megjithëse ai është i spikatur e i përzgjedhur që të përcjellë ngarkesën e përgjithshme, është ky përdorim që e përmban disi tragjizmin, na mban pranë idesë së teatrit e shfaqjes e na lehtëson kapërdirjen e rrëfimit. Kjo qasje krijon gjithë komoditetin e nevojshëm për aktoret që ta mbajnë vëmendjen te vetja e të mbeten të natyrshme, megjithëse u duhet të jenë përcjellëse të emocioneve e brenda situatave që kondensojnë periudha e ndjesi që tejkalojnë rrethanoren. Të sigurta që notat e larta nuk do të bien në falsitet, prej natyrës së pjesës, të dyja aktoret kanë lirshmërinë e nevojshme për të mbledh simpati e për të impresionuar. Edhe Kostani edhe Morina janë të këndshme e në lartësinë e detyrës. Pjesa duket se ka nevojë për njëfarë familjariteti prej sallës e spektatorit dhe e kishte. Personazhet lëvizin brenda një banaku katror, me brinjë diku tek katër metrat e pa dalje, që vetë është i vendosur në mes të sallës Gëte, të Teatrit Eksperimental. Vizita ime e parë aty. Dru ngado. Muret me dërrasa, karriket e mira, largësia e rreshtave e duhura. Ndriçimi i mirë. Ngrohtë. Me dyer nga të katër anët. Me një të hapur kurioze atje lartë. (Shtojcë e palidhur) Një sallë kaq e bukur e që na gëzon e që na çon mendjen mu në debat të ndërhyrjes tek Teatri Kombëtar, që së fundi përfshin edhe Eksperimentalin. Shokët e Bashkisë, a kush po i rregullon letrat për këtë zhvillim, mund ta kishin marrë mundimin e ta njoftonin menaxhmentin e Eksperimentalit për idetë e tyre e ta kursenin investimin që u bë. Nga ana tjetër, diskutimi për teatrin implikohet në një zhvillim arkitekturor e urbanistik të qytetit që tejkalon diskutimin për teatrin dhe rikoncepton zhvillimet në një zonë që dikur kryeministri e pati menduar si një zonë pedonale me tre postat e ndërlidhjes me hyjnoren nëpër skaje e me një zonë që ta lëvrojnë këmbësorët përmidis. Por situata ndryshoi. Ne e dimë se presioni prej zhvilluesve është i madh dhe ata i kanë karakteristikat që fjala të mos i shkojë kot, po qyteti po hapet gjithandej, pse prap këtu? Në bllokun e ndryshuar tashmë kanë mbet parcela, a ndonjë vilë e së kaluarës së keqe që mund të shkulet. Hajt, gjejani diçka tjetër atij zotnisë që do me patjetër trullin aty! |
Categories
All
Archives
November 2023
|