Gjiri femëror, i majtë, në posterin që promovon pjesën “Nëna dhe fëmija” të autorit Jon Fose, me regji të Dino Mustafićit, është i Ema Andreas. Në poster është edhe aktori i ri Matia Llupa, që zgjat gojën poshtë si për të pirë diçka. Një simbolikë shpuese. Në skenën e shfaqjes nga ku është marrë ideja për këtë foto, Llupa është në mes të dy gjinjve dhe dendet nëpër dallgë qumështi të bardhë që vetë e derdh mes gjinjve të femrës. E kjo dallgë ka një mbytje po edhe ngopjen e një ndjesie të cilën seksualiteti e ndot. Femra që nuk ishte e pranishme atëherë në foshnjëri kur atij i duhej një qumësht i mirë nëpër në thimthën e një gjiri të shëndetshëm nëne, tani është e arritshme. Por kush është ajo?
Një nënë shumë nervoze e ndonjë shoqërie që e ka gjetur autori norvegjez. Në fëmijëri të parë, nga ku nis pjesa, ky fëmija thosh "o ma!”, e kjo ja kthente veç në gjuhën e burokracisë me ‘dosje’, ‘dokument’, ‘klient’, ‘shtetëror’. Pastaj në një kapërcim të shpejtë në kohë mbërrihet në vizitën e djalit në shtëpinë e nënës, në kryeqytet, që është edhe trupi i shfaqjes. Vizita e passhumëkohëshme e një biri, të rritur nga gjyshërit, tek një nënë që i është dhënë me zell të madh karrierës, që është edhe sfida që i jep kuptim jetës së saj. Dhe nënë e bir flasin. Ata hetojnë kufirin e largët deri ku kjo marrëdhënie shteron konvencionalitetin shoqëror. Çfarë ka përtej? Pjesa ngre e ul tensionin në formë ciklike. Pesë fjalë në komunikim të zakonshëm tensionesh, vëshirësishë të secilit, e pastaj ngrihet në një nivel simptomatik devijance. Një dalldi e pandërgjeshme incestuale përsëritet herë herë, si shkreptimë, nëpër ngjarje. Frojdi po ngërdheshej dikah nëpër hijet e brendshme të Tullës. Biri ka studiuar jashtë për letërsi e filozofi. Ai ka një mal me probleme nëpër një jetë që e lodh, megjithëse muskuloz, dhe pa ndonjë turp të theksuar. E ëma mendonte se ai ishte gej, por ai doli ndoshta pak sadist, e ëma u qetësua, se edhe ajo ndonjëherë për veten mendonte se ishte disi sadiste në seks. Ndoshta jo, vetëm shaka? Ajo kish tentuar ta abortojë fëmijën. Dëshira e theksuar për të çarë, për të qenë dikush në kryeqytet, është një nga damarët e mëdhenj të pjesës. Tani është shumë nervoze dhe megjithëse e parealizuar vazhdon të shfaqë besim në të njëjtat gjëra si dikur. Në një sukses. Djali mbeti në atë qytetin e bregut perëndimor, diku largë. Marrëdhënia e nënës me nënën e vet. Vdekja e gjyshes. E njëjta shishe që shërbeu si ikona kryqi për të përqeshur devotshmërinë e nënës në Krisht u bë imitues i një organi seksual mashkullor me të cilin u parodizuan penetrime në të paktën tre destinacione. Pjesa pati edhe goxha lëvizje dhe këngë. Nën drejtim të Gjergj Pervazit lëvizja merr rol të shtuar për secilin ngjyrim të personazhit e ndodhisë. Në skenën ku u derdh ai qumështi i dallgës, që thamë, dy protagonistët tanë kryen një kërcim të shtrirë. Rrëshkitshëm fiu fiu, shtyu afrohu. Edhe më herët lëvizën e u shkuluvarën, shtyu afrohu. Pastaj marrëdhënia me babain e djalit. Dhe mami i nënës. Seksualiteti gjithandej. Para fillimit të pjesës dy aktorët venin poshtë e lartë nëpër një territor shenjuar me bojë të bardhë e rrjedhash ilustruar me vija prej boje të errët ose ndonjë gjë e tillë. Një hapsirë e kuruar prej Klod Dedes si skenograf i pjesës. Në dy, a aty rrotull, metra gjerësi e një gjatësi prej ndoshta dhjetë a pesëmbëdhjetë metrash. Territori i shenjuar me shishe ndahej më dysh për një hekuri tek që mbahej për një strukturë të gjerë nëpër tokë ku dy aktorët herë pas here masnin hapin. Dhe përfundonte në një skenë ku Ilir Bajri i binte pianos. E karriget përreth. Shpalosja emocionale, nëpër gjeste mimika e lëvizje, zë e theks, e situatës është kompetenca e regjizorit që përcakton ngjyra e drita përtej autorit. Një femër disi e dalë binarësh komunikon me djalin e vet. Sa e dalë binarësh, tani? Sa vendimtare është distanca për formësimin e një marrëdhënieje. Nënë e fëmijë pa kontakt a janë dy të huaj? A ka një ndodhi të përhapur sociale që po komentojmë, apo gjthçka shkoi shumë keq vetëm për këtë të gjorën që u ndje provokuar nga një nënë thellësisht besimtare dhe nëpër dalldi mbeti shtatzënë, dhe krijoi një pasion të pafre për të atë që mendonte se ishte liria, kuptimi i jetës. Një shenjtërim i marrëdhënies mes nënës e fëmijës që zoti Mustafiç me siguri e ndan me ne shqiptarët. (Për fat të keq nuk dimë shumë për pjesën e zotit Fose në tekst, zonja Melisa Udovičič Pleŝtina është pjesë e trinitetit të njëmendtë të shfaqjes, përkrah Mustafiçit e Andreas.) Fose, i cili nga çfarë zbulova prej internetit qenka i ftuar të jetojë në rezidencë të përjetshme prej mbretit të Norvegjisë. Ky ka një shtëpi në krye të atij bulevardit të madh. Më dymijëedhjetën, fiton çmimin "Ibsen", që ka mirënjohje të bukurshprehur. Ndaj tentojmë ta shohim më afër rrjedhës së madhe artistike. Por ndodhia jonë bëhet gati mitologjike. Meqenëse shkeli shenjtërinë e marrëdhënies nënë – fëmijë, kjo grua doli nga mbrojtja e zotave dhe ata e hodhën në tendosje ekstreme që ja dëmtoi shëndetin mendor. Erotika e saj është një devijancë, përkushtimi i saj për punën është obsesion, egoizmi i saj është një simptomë. Një mjek psikiatër aty do kish dalluar patjetër një dorë të mirë diagnozash. Edhe një i paditur i lëmit si puna ime do merrte guximin të përmendte çrregullim bipolar të humorit, delire e manira. Është kjo një nisje a një mbërritje? Rregulli a përjashtimi? Mendoj se zoti Mustafiç këtu është dashur të na jepte një orientim më të qartë. Në fakt ai na ka treguar, por meqenëse notat e larta duket se janë prej shfaqjes, e të ultat prej tekstit, ne e shtojmë atë distancën prej pjesës. Dhe shfaqja ngren një trup solid, që na le aty jashtë. Unë do ta doja ndonjë copë më domethënëse normalitet diku, sa për ti hedhur sytë brenda grykës së vullkanit. Zonja Andrea me natyrshmërinë e saj, me lehtësinë për tu shkrirë brenda të tillë personazhesh, me lehtësinë për të arritur skajet e një emocioni që vibron thekshëm ofron një kapital performativ që e fton shpalljen dramatike emocionmadhe. Andrea, gjithsesi është një aktore që nuk ta lehtëson qëndrimin pranë. Çdo personazh i saj hyn në një marrëdhënie intime me spektatorin, ajo i ndanë kufijtë vet. Spektatorëve të brumit tonë, personazhe të tilla ja prishin qetësinë, shijimi stërpiket me ngarkesa psikologjike social-personale. Kontributi i saj i madh në vizualizime të modernitetit prej kolektivit teatërdashës ndër shqiptar u rrit akoma. Edhe Llupa i ndihur prej një paraqitje miqësore, me shtatin e hijshëm e me njëfarë ‘sikleti’ nëpër veprim e shprehje është i pëlqyeshëm. Ai harmonizohet me partneren, me pjesën. Në larmi e theksim të mbresave pjesa padyshim që shënon një delikatesë të sillës teatrore në vjeshtën shqiptare të 2017-ës.
0 Comments
“50 shades of Gray”, një libër ku kënaqësia seksuale dhe nevoja për tu nënshtruar mpleksen keq, i dhuron titullin shfaqjes së trupës së Qendrës Multimediale të Prishtinës, që e bën atë “50 shades of Gay”. Një shfaqje provokative sa desh me atë deklamim (megjithëse nga Kosova nuk më tërhoqi vëmendjen ndonjë reagim për mbarëvajtjen e popullaritetin e saj.)
Shfaqja ndodh në një masë të madhe nëpër zyrat e bashkisë së Tashanikut, një qytet imagjinar që ka në emër "tashin" si bashkëkohësi, e ‘ikun’ familjar të fjalformimeve për toponime si tek Kaçaniku, Leskoviku, Shebeniku, Cerriku, etj. Aty tërbohen fort me njollosjen që i vjen komunitetit prej homoseksualitetit të birit të vet. Pjesa vjen e ndarë në 54 a 56 pjesëza për të cilat vështirë të ruash rend në kujtesë. Një progres i rrëmujshëm. Dy homoseksualët në nevojë për tu pranuar në martesë, që e ofron kushtetuta kosovare, tentojnë ta realizojnë ëndrrën. Akti i parë përcillet me Hikmeten që është narratore e pastaj punonjësja e komunës. Flet edhe makina e saj e shkrimit në zërin e një zëri. Pastaj bëhet një lëmsh në organzimin hierarkik politik, administrativ e demostratriv. Dëshmi prej një peme. Babai pësoi infrakt. Nëna dogji gojën me fasule sa nuk ka folur akoma, ndërkohë që fjalët e saj të fundit i drejtohen të birit e i thojnë “si munde?” Dhe pastaj kënduan Himnin Kombëtar, që na shkroi Asdrenit me muzikë të atij rumunit Porumbesku, por tani, pak a shumë, me fjalët: "Nënë po shkoj në luftë i qetë shprirtërisht deri në vdekje se tashmë kam puthur buzët e Hysenit dhe kam përkëdhelur mollaqet e tij." Presidenti Hashimi Thaçi ishte i pranishëm në pjesë me tre letra. Ndërkohë që personazhi i tij i në vizitën që bëri në Tashanik për të mbështetur komunën e komunitetin u gostit me shërbime seksuale që punonjëset e administratës lokale i ofrojnë pa komplekse e me dëshirë nën kërkesën e kryekomunarit. Një herë në vend të organit seksual mashkullor kishin vën një organ seksual të shëndetshëm dhe një tufë pubike. Gjithashtu veproi EU. EU-ja pa ju dridh dora ja dha njëmiion euro italianit për një projekt që zbavit dhe rehaton atë vetë që është edhe drejtor i Don Boskos. Italiani edhe po ndërtonte një fabrikë prezervativësh, që do të punësonte diku tek 200 punonjës. Vizitat e përfaqësueses së BE në komunë janë një ekspoze e abuzimit, inferioritetit, prapambetjes. Korespondentë nga Tirana, Beogradi, Lezbosi në Greqi dhe Podgorica e të tjera, gjithashtu raportuan për atë që ndodhte në kontekst të homoseksualitetit përqark. Qyteti tërbohet, të gjorin djalë e pështyjnë. Granata hedhësi komunal vret gabueshëm poshtë e lartë në kërkim të hakmarrjes për të shenjtin moral lokal e prestigj. Në përfundim e vret edhe shqiptarin nuse. Një personazh si zonja e nderuar Merkel, ndërkohë që shprehka ndonjë qëndrim opozitar ndaj martesës ndërmeshkuj apo ndërfemra, ngrika një përshëndetje naziste. Neziraj veten e kish shtuar në një listë intelektualësh që kundërshtonin të drejtën e martesës mes njerëzve të të njëjtit seks që niste me bacin Adem Demaçi, kishte dhe do emra të tjerë të njohur e recitohej zëlartë, por një artikulim të ngjashëm prej Merkelit e kishte gjetur nazeskin. Mos zbulohet një tendencë e tij që në rendje e sipër të shfrytëzojë çdo mundësi për provokacion xhestikulativ kërshëringjallës për publikun e gjallë që nuk eka pse vret mendjen për çka thuhet? Qasja tij ndaj ndodhisë është ngarkuar me nevojë për tu shprehur qendrorçe edhe për të gjitha tematikat, siç janë të lidhura. Mentalitet, besim radikal fetar në videon e mullave të shkëlqyer që i rrijnë Kosovës si yjet plot shkëqim në youtube dhe realitet, nacionalizëm, angazhim në kriminalitet kolektiv, prapambetje dhënie në devijancë në qeverisje, marrëdhënie. Por në fund duket se në pjesë një lidhje i mungon. Ndoshta një teprim edhe si paragjykim në ndjenja të përkatësisë kombëtare që përjetohen në meshkuj (apo femra) që e duan ndonjë nga meshkujt (apo femrat) e tjerë, (ose po qenë ca më të përdalë edhe më shumë.) Dakort ndoshta, homoseksualët nuk kanë nge me u përzi me tematika kombëtare se janë vetëm e të izoluar në atë ndodhi, ndoshta biologjike, sa kur gjejnë një dorë që u shtrihet i pështillen përqark si ndonjë skllav prej Satirikonit. Por pse himni? Ekzaltim i situatës së homoseksualit për të krijuar mbështetje teatrale për denoncimet që i nevojiten shoqërisë? Atëherë pse mbështetet kaq fort në veprimin seksual? Homoseksual. Seks homseksual i përsëritur, puthje homoseksuale plot, meshkujsh e femrash, proteza organesh gjenitale, ta qifsha e ta bëfsha pa hesap. Kur mesazhi është për politikën, shfrytëzimin e njeriut nën punësim, mungesën e dinjitetit para ndërkombëtarit, hapsirën e tepërt për periferiken devijante që e bën qendrore thjeshtë nje rrjet rastësor ndërkombëtar dhe frika e çuditshme e një shoqërie të prapambetur prej identifikimit me të përveçmin. Apo një ndjekje e trillit? Apo, një revoltë intelektuale për arbitraritetin që është në gjendje të ushtrojë shoqëria e të shtrembërojë njeriun e fatin e tij? Apo një tallje me homoseksualët dhe përpjekjen e tyre për një vëmendje publike ndërkohë që hallet e vërteta janë gjithandej? Një mësymje për popullaritet prej autorëve? Ndërkohë që lëshon rrufetë prej qielli, zoti Neziraj lëviz. E hedh rrufenë prej së larti e vrapon poshtë me shpresë që po ajo rrufe ta martirizojë. Ai ka qëndrimin e zakonshëm të qytetarit të pakënaqur kosovar, me paragjykimet e turbullimet e veta, por ai ka një trupë artistike efikase e fleksibël në dispozicion.dhe këtu e amnistojmë. Me këtë aktrim e energji, rrëmuja e opinioneve social-politike të zotit Neziraj kapërdihet. Siç thonin për vlerat kulinare të gjalpit andej nga anët e mija “me tylyn katunari hangu edhe qeleshen (plisin) e vet”. Kështu edhe pjesa. Me këngë, parodi, batutë, lëvizje gjithandej, pjesa kapërdihet. Aktori po mban shumë në këtë traditë regjizoriale ngadhnjimtare në prapadramë. Në zotërim të një trupe simpatike energjike skena kosovare na ngroh. Ajo ka mundësinë të na ofrojë ilustrim të ndodhisë nëpër bashkë komunikim natyrshëm. Veç Shengyl Islamajt edhe Tristan Halilaj është një emër që një ndjekës i për-rrallshëm i teatrit kosovar në vizitat në Tiranë e njeh. Në shfaqje që të dy na gëzojnë e na e rrëmbejnë simpatinë. Edhe gjithë pjesa tjetër e grupit i ofron personazhit revoltën e shthurur, nervin, që i nevojitet, pa hezitim. Një duartrokitje për ta unë e jap më të shëndetshme se ajo që i dhashë shfaqjes në sallë. Ps. Teatri Kombëtar duhet patjetër ti bëj vend trupave kosovare shumë më tepër. Ne kemi ne vojë për këtë energji provokative që i krijon më shumë hapsirë kumtimit e veprimit në skenë. Zoti kryeministër kam një ide. Gjithë kompleksit teatror kombëtar e eksperimental ti hiqet çatia si dhe ca dyer e dritare, dhe dëshira e shqiptarit për një rrënojë teatrore parahistorike të përmbushet. Dhe gjithçka të futet brenda një kupole të qelqtë me elemente metali që ai bukur duken gjithandej. Mos ja fusni kot që doni me ndërtu në teatër kombëtar! Hajt ka tokë sa të dush gjithandej. Po qe ndonjë biznesmen shumë bindës, jepi sheshin mbrapa Skënderbeut aty afër te sheshi Skënderbe. Aty Skëderbeu nuk e sheh dhe vlerën me siguri që e ka më të lartë. Dhe ngri një teatër modern si rrënojë brenda një strukture xhami. Me anën e larboratorit kërkimor tek eksperimentali për inovacion akut e testim e selektim. Me sallën shtatlartë jubilare që ka qiellin si tavan. Me pishinën për kërcim bashkëkohor. Ambjente shërbimesh. Oborri i brendshëm mbuluar prej xhamit e i organizuar prej predesh që gjarpërojnë në tavanin qiell. Aman. Shoku kryeministër! Shoku kryeministër! Do të lejmë të bësh muralen në të djathtën e hyrjes qendrore, aty ku sot varen shpalljet teatrore. Kur të keshë kohë. Kur të dalësh në pension, ska gajle. Deri sa të përdorësh ti aty do ketë vetëm postera. Me vërte e kam. Ky është një projekt më i bukur se i Gruevskit. Një dhuratë për miletin që po e rrit interesin për teatrin, megjithëse jo pikërisht për ksoj pjesësh. Po për të gjitha. Jashtë dere, prej Wolfgang Borchert, me regji prej Stefan Çapalikut erdhi në mbrëmjen e 11 tetorit në skenën e Teatrit Eksperimental. Drama e ushtarit gjerman që në mbarim të Luftës së Dytë Botërore kthehet në jetën që kish lënë, por ajo derë ish mbyllur. Me kupën e gjurit të humbur e me çrregullimin pastraumatik prej stresit ai rikthehet në jetën e vet si për të sjellë trupin. Vjen me fiksimet për të mbajtur syze antigaz dhe për tu vetvrarë, por jo pa një përpjekje të fundit për jetë. Ushtar Bekmani vjen nga makthi një mijë netësh i Stalingradit me dimrin dominues. Duhej dhe një natë më shumë për larminë e merituar të fateve. Ai gjen gruan në krahët e një tjetër burri. Pastaj bie në krahët e një gruaje që gjithashtu mendon se burri i ka humbur nëpër njëmijë netët e Siberisë. Gruaja e ëmbël e thërret peshk protagonistin tonë. Pastaj burri fanepset. Ky i shoqi që kishte qenë i pranishëm edhe më herët, si i korit dhe si i pranishëm i padukshëm përgjues.
Nga aty direkt e te shpija e kolonelit, që dikur gjatë luftës dëndej me kaviar, e tani darkon me të shoqen dhe vajzën duke ruajtur gjithsesi distancën e duhur nga tmerri. Epshin e jetës që e thamë nëpër mbijetesë. Dhe rrëfimi i ëndrrës me ksilofonin gjigand prej kafkash e kockash e djerse gjaku. vetë Koloneli, që dikur e kish nisur nëpër ngricë për zbulimin ku më shumë se gjysma e grupit lanë jetën e rekomandon tek një drejtor estrade që prezanton teori e qëndrime në profesion e punësim e popullaritet. Gruaja që ka zaptuar apartamentin e prindërve të vetvrarë , ku spikat baba nazist antisemitist, në fjalën e saj thotë se gazi nuk ka pse shpërdorohet në veprime të tilla. Zaptuesja, koloneli, drejtori dhe secili prej tyre dalldisen me joheroin tonë. Por në rrëfim shfajsimdashës janë racionalë dhe qëndrimet, disi, janë të kolektivit. Cinizmi. Ushtrimi mizor i pushtetit që rrëmbehet. Etërit, eprorët, krishtërimi, zaptuesit e shtëpisë, shokët e humbur që ta sulmojnë ndërgjegjen dhe viktimat e veprimit tënd nxisin vetvrasjen. E ai vetvritet sërish në Elbën e ftohtë ashtu si dhe një tjetër ushtar. Ky vetë vetvritet dy herë. Të parën pa sukses të dytën me sukses. Pra pjesa është aty dhe çdokush është i lehtësuar të imagjinojë një damar minerali nëpër malin e minierës që duhet ca punë për ta llogaritur e zbuluar, matur e kërkuar. Jam dakort që më mirë të mos përzihem hiç me mjeshtrinë e autorit njëzet e pak vjeçar që vetë ishte në luftë, në dimër e vuajtje. Dhe ka sjellë dëshpërim për jetë që nuk do të jenë më kurrë. Në fakt shfaqja rëndon në terma të përputhjes së ritmit të shfaqjes e kohës që nuk i kalon një orë e pak. Zhvendosur prej narrativës drejt performancës shfaqja bëhet e lodhshme me atë mori sinjalesh, situatash, përjetimesh që kërkon harmoninë në sa më shumë ndodhi. Por, shfaqja fillon me një kor, ku katër aktorët tanë, Vlashi, Ferketa, Smaja, Emiri, vijnë si solistët anonimë të një kori që rrëfen mbërritjen e ushtarit që derdhur bregut të lumit i rreckosur e drobitur dergjet në fund të hapit të dytë prej buzës së skenës. Në të errët. Nën maska. Në atë mori personazhesh që do ndërtojnë të gjorët aktorë zgjedhin për të parë atë të solistit në një kor anonimiteti përgjithësues që hap e mbyll shfaqjen. Pastaj, ky zgjohet për tu mbytur prap. Rafael Hoxha një prurje e re në vëmendje spektatoriale kishte energjinë e virilitetin për të mbajtur një ushtar që gjithsesi është zotëruar prej natyrës së vet rinore. Ai i ve secilës skenë një mori muskujsh e pune, nervi, në dispozicion. Edhe shokët e tjerë demostruan elastikë dhe nerv. Simbolikë e qartë. Një kryq i krishterë përthyer në krahë të shkurtuar zvastike, mbartet me mundim prej ushtarëve që gjendur jashtë jetës së vet, pas gjymtimesh mendore e trupore, vdesin e i fanepsen njëri tjetrit e ne të tjerëve. Kryqe në deriçka që krijojnë qivur-kthina rrëfimi që hapen dhe sjellin lakuriqsi. Një kryq me skaje të epërme që shkrijnë në kujtime naziste? Vetë ati i shenjtë do ti dalë në ëndërr zot Zotit Çapaliku dhe do ti thotë. “Po ti pse, Stefan!?” Lëre pastaj shtrati dashuror ku gruaja e tjetrit e fton, pasi e veta e kish përcjellë në valët e Elbës së akullt, është veçse një tavolinë metali e denjë vetëm për morgje. Apo është e tillë? Mos o zot! Në fakt personazhi zot i mirë vjen aty, por për ti krijuar mundësinë për të na shtyrë në mbrojtje të syve me ulje të kokës. Pjesa ka lëvizje të koreografuar në disa raste. Kërcenjkërcimore. Që ishte nga qëndrimet që i kontribuoi theksimit të ritualistikës aktrimtare. Zoti Çapaliku në regjinë e vet gjithmonë tenton provokimin prej veprimit skenik, skenografisë, muzikës dhe i trembet vetes së vetes shkruese. duke i njohur krjuesit mendoj se ai skërmitet ndër veten pak më të thellë për mungesën e luksit artistiko-financiar, megjithëse tetori gjerman për të ashtu si për të gjithë ne është një fllad që mirëpritet, ndaj ja valvisim duart plot zell të sinqertë, sa herë që shfaqet. Por edhe në rast të luksit unë do shtoja ca më shumë dritë për fjalën. Por ne ngatërrohemi nëpër mbajtje të tingullueshmërisë së fjalës në muzikalitet thuajse shkëmbor të metropolitanizmit ekspansiv të unifikuar. Ai shqiptim e vishte shpesh tekstin me një ritualistikë aktorllëku që në prezantimet e para merr një vëmendje të shtuar, e që mbetet si një hobi në gjurmimet në viset e pastajme të pjesës, kur përfshirja emocionale e spektatorit ka arritur nivele qartësisht më të larta, për të shkaktuar prap humbje të pjesëzës së kohës ndër fjalët dytrekatërnotëshe. Unë jam dakort me të, ngjyrimet e ojnat e tepërta ngatërrohen në përmbushje të funksioneve të nevojitura për atmosferën e dramës, por këto janë hallet e tij. Kur folën përpara, përpjekjen ja dedikuan përkthyes zotit Afrim Koçi, që vetëm pak kohë më herët u nda nga kjo jetë. Unë për përkthyesin nuk di shumë. Unë këtu jam pak i paqartë se ritmi ishte i lartë. Fjala vinte pak si mesazh. Borcharti siç tha zonja ambasadore, dhe mund të kontrollohet gjithandej, qenka shkruajtur për radio. Por shpejt e përvetësoi skena gjithandej. Lëvizje, deklamim, kor, video. |
Categories
All
Archives
November 2023
|