E enjtja e 29 shtatorit 2016 kishte brenda mbrëmjen e katërt të sfilatës së dramës ballkanike në Tiranë. Dy shfaqje. “Burka e Medeas” prej grekut Andreas Fluraqis dhe “Fasule” nga bullgari Elin Rahnev. Medea është një figurë intriguese e mitologjisë greke. Ajo ndihmoi Jasonin dhe argonautët që të merrnin bashkën e artë, apo si thonë i thonë ndryshe lëkurës së artë të dashit që ndillte pushtet, duke tradhëtuar familjen e saj e pastaj duke vrarë vëllanë e vet. Shumë më vonë kur jetonte me Jasonin në Greqinë e tij ajo vrau edhe djemtë për tu hakmarrë ose për ti mbrojtur nga ndonjë e keqe më e madhe që mund të pasonte pas braktisjes që Jasoni i bëri për të marrë një grua më të re, të cilën e vrau gjithashtu. Dhe linja e narracionit është e njëjtë si në mitologji, ikja nga babai me rrëfim të dashurisë e guximit rinor, mbërritja e vështirësitë e integrimit në dheun e Jasonit dhe pastaj tradhëtia e tij e shpagimi. Medea jonë ka një burkë. Mbulesën e debatueshme të myslimaneve me bashkëshortë jashtëzakonisht të devotshëm ndaj Allahut të madh. Një burkë që e sjell atë në bashkëkohësi. Dhe teksti që dëgjuam të performuar prej Eriona Kakelit në hapsirën e pishinës së zbrazur në oborr të teatrit kombëtar shkrinte bashkë këto dy rrjedha duke mundësuar përfshirje në shqetësime sociale të mprehta dhe tension të lartë. Ikja prej Kolkisë së saj në krahët e dashurisë tani është një emigrim. Dhe nëpër vargjet plot pathos që lejon mitologjia na hyjnë ndodhira moderne, si pasaportat, kalimi i kufirit, përçmimi për të ndryshmen që ajo është në vendin e mbërritjes, blatimet për zotat e lashtë tani ftojnë përmendje të të krishterëve. Tregohet vështirësia që i sjell burka për tu integruar në vendin e ri dhe si kjo e bën atë për të të huajt një magjistricë a shtrigë dhe si ajo burkë përzihet në psikologjinë e saj dhe herë i bëhet ndihmë e identitet, kujtim i një zoti që ndoshta e mbron dhe ajo nuk e braktis. Burkë që në fund ajo e gjykon si një shkaktare të mundshme të fatkeqsive që ajo vetë ja ka ftuar vetes. Për të theksuar shtyllën e rëndësishme të argumentit feminist, që kryesisht ka lidhje me vendin e saj të origjinës ku baba mbret preferonte qartësisht vëllanë që ajo pastaj e vrau, edhe djemtë e Jasonit janë bërë vajza. Teze Circja, që mbante me zor dashnorin Odise në ishull të saj, gjithashtu është një personazh që sjell referenca për jetën dhe plakjen e gruas beqare. Për të dialoguar me Medean në këtë modramë jemi ne. Jemi ne që duhet ti themi ndonjëfjalë vëllavrases e bijëmbytëses që ka një argument pasionant për gjithçka. Po ç’ti thuash të shkretës? Shyqyr që hoqi burkën dhe iku mes turmës që nuk mund ta njihte. Performanca e kuruar nga Ema Andrea kish gjithë elementët e një shfaqje të mirfilltë,skenografi, lëvizje, kostume. Gjithçka veç kohës së bollshme për tu përgatitur, ndoshta. Leximi përçoi emocionet që Medea i shpërndan me bollëk prej dy mijë e kusur vjetësh. Për darkë, Fasule. Madje jo. Edhe për mëngjes edhe për darkë fasule. Madje dhe për drekë. Për 40 vjet. Në tavan fasule, në dyqan fasule, në tenxhere, libra me fasule. Lloj lloj varieteti nga gjithë bota. Dhe një çift të moshuarish që tregojnë e komentojnë këtë jetë mes fasulesh. Natyrisht diskutimi i shkëputur për ne është pikërisht atëherë kur ajo do ti tregojë atij edhe ca sekrete plot dramaticitet dhe ai do ti ritregojë asaj pëlqime e besime e qëndrime. Neritan Liçaj ishte një fasulefil. Ai na tregon për martesën e tij me një grua prej një shtrese paksa më të lartë që kish pranuar atë jetë dhe i gatuante atij fasulet prej shumë vitesh. Ema Andrea. Ai feston shtatëdhjetedy vjetorin. Pëlqen Çehovin dhe është në një dashuri të sëmurë me njërin prej personazheve të novelave të Çehovit. Kanë dy fëijë që i kanë i harruar diku nëpër botë. Ajo ka bërë kompromis me këtë jetë monotone ku ka bërë ca hapsirë për vete. Ca hapsirë që siç na rrëfen se e ka përdorur për të futur burra të ndryshëm herë pas here. Ai inatoset po edhe ai ka bërë atë kompromis. Aty vjen edhe një pjanist, i përmendur më herët , që dikur kish pasur barseta dhe, që kish qenë më i qëndrueshmi i të dashurve të saj. Madje ishte edhe babai biologjik i fëmijëve të tyre. Ky ishte Lulzim Zeqja. Mbushur me fasule e me të tilla ndodhira pjesa përparon e ngadaltë, por përparon. Manirat e burrit, ndodhirat e gruas, dhe simbolika e bolleku i fasules e mbajnë pjesën plot. Leximi është me ritëm të lartë, me monologje pragpoetike e me një situatë që ndjell kalamendje thuajse gazmore. Rovena Lule Kuka është kujdesur për ardhjen mes shqiptarësh energjikë e të lëvizshëm të këtij teksti.
0 Comments
Po japim lajmet.
Ta nisim na fundi. Serbi Filip Vujosheviç ishte autor i tekstit që u lexua në mbyllje të natës së tretë. Në ora nëntë, kur njerëzia e pakët ishte shpërndarë shumë, ky serbi kishte vënë në skenë si personazhe tre aktorë serbë të një kategorie të pikëpyetur në një jokryeqytet serb dikur pas luftrave të vona të anëve tona. Dhe si një pjesë e diskutimit, në tavan projektoheshin emrat e tetë mijë të vrarëve në masakrën e Serbrenicës. Dhe tre aktorë fillhumbur krijojnë e zbatojnë një projekt komunikativ gati spontan. “Jeta s’luan vendit, jeta vazhon,” e kishte titullin. Dhe këta kanë sjell me vete nga një objekt që tu shërbejë si qëllim për të folur. I bëjnë pyetje kot e më kot njëri tjetrit. Hajde flasim, hajde flasim sa të kalojë ora. Vjen edhe një violinist. Një violinist që di përmendësh rezolutën 1244 që flet për një status të padeterminuar të Kosovës. Kopje të saj edhe u shpërndanë ndër ne, që të parët e njohëm pavarësinë e Kosovës, që vetë serbët e kishin pranuar më herët dhe mohuar gjithmonë. Ndërkohë në tavan tetë mijë të vrarët. Aktori i parë ishte njëri në pragplakje që shqetësohej mbi të gjitha prej humbjes së gruas që kishte dominuar jetën e tij në njëfarë periudhe dhe ishte e pranishme në ëndrrat e tij me kuçedra. Dremiste i gjori. E lexonte Gert Ferra. Aktorja, një 42 vjeçare e pamartuar që kish qëlluar kurioze në seksualitet e që shpik një kancer në mushkëri sa për muhabet dhe për ti dhënë tjetrit një mësim për praktikat e vrazhda në sjellje dhe seksizim e vet harbut lexohej nga Rovena Lule Kuka. Ky tjetri që përmendëm lexohej nga Gent Hazizi. Ky kishte edhe detyrën të bezdisej nga fotot që për të vërtiteshin lart pakuptim, megjithëse edhe e pranonte rëndësinë e lekut dhe nënkuptonte cinikun urban disi periferik në çdo qëndrim. Ky lexonte edhe ca pyetje që i kishin parapërgatitur, të tipit fjala jote e preferuar, emri, mosha, sa besnikërisht e ndjek suksesin e tenistit Xhokoviç. E kështu me radhë. Violinisti ishte Helidon Fino. Pasi aktori i parë që e thërrisnin edhe maestro iku, violinisti u ftua të ishte pjesë e përpjekjes për ta zgjatur muhabetin sa të mbushej koha dhe ai pati këtë recitimin shumë të shkathët e zëpakë që niste me datat e miratimit të rezolutës 1244 dhe atyre referimeve nëpër rezoluta të tjera dhe vazhdonte nëpër të. Ky ishte i gatshëm të mësonte edhe marrveshjen e Brukselit po t’ja jepnin. Pjesa ishte e gjallë dhe grimca humori mund të qarkullonin nëpër të, por çështjet që ngrinte ishin fort të mprehta dhe qëndrimet fort cinike megjithëse të shpëtuara prej faktit që janë emancipuese me praninë e vet. Diku nëpër të ngatërrohesh, por spektatori ideal ka atdhe vendin, e kohë kohën, ku vendoset skena ku luhet pjesa dhe kështu vetndërgjegjësohen të g jithë që ekspozohen ndaj veprës. Dhe që aty panorma është shumë largë të qenit e pëlqyeshme dhe ka gjithë ato kujtime të këqija e manira kolektive. Dhe këtu gjejmë rastin të vetduartrokitemi se spektatori i mirë është jetik për shfaqjen. Më herët pastaj ishte pjesa “5 djelmoshat si” prej autores sllovene Simona Semeniç. Eventi kulmor i mbrëmjes. Nën pishat e reja e të shëndetëshme të lëndinës bri teatrit kombëtar u rehatuan Neritan Liçaj, Lulëzim Zeqja, Gert Ferra, Genti Deçka dhe Igli Zarka. Edhe u futën në rolet e ca djelmoshave. 5 djelmoshave 11 vjeçar nga Sllovenia, që bëhen bashkë për të luajtur steriotipet e shoqërisë ku jetojnë. Eksperincave që jetojnë. Lojrave që luajnë. Fjalorit që përdorin. Hierarkive që mbajnë. Sfidave që i shpallin njëri - tjetrit. Me një mani për dramaturgji të pesë djelmoshat, por edhe aktorë goxha të rritur dhe shumë mirë të kultivuar siç edhe mund ta shikonim. Kurimi nga Heidon Fino, si edhe në rastin e pjesës serbe më lartë. I futën në fillim një luftë mes ajronmenit dhe supermenit dhe nja shtatë a tetë të tjerëve dhe bënë një zallamahi harmonike zëlartë. Fort e pëlqyeshme. Pastaj lujtën mami babi dhe tre kalamajt, dhe këtu brenda edhe dhunë dhe përkushtim ndaj të parëlindurit mashkull, dhe dhunë seksuale, brenda familjes dhe abuzimit edhe të motrës prej babit të dehur dhe pastaj neonazistët gjejnë dy homoseksualët e rinj teksa bëjnë dashuri në park. Dhe i hyjnë e i shajnë e i rrahin e pastaj vjen polici që nuk ndërhyn aq shumë pastaj luajnë një lojë tjetër. Plot me përdorim të karakterit akustik të komunikimit. Pasthirrma, thirrma kryesisht e kërkojnë vëmendjen e tjetrit përmes një ofendimi. Ritëm i lartë gjithë kohën. Bam bam bam. Ptshuu ptau. Argëtim. Një pjesë vërtetë moderne për nga larmia e teknikave për mbajtjen e spektatorit të interesuar e të englendisur. Edhe një rrëfim për fatin që do kenë nëpër jetë, sa për ta mbyll, siç ishte hapur me një prezantim në fillim. Dhe shumë mirë. Më pëlqen veçanërisht që aktorët i shpërfillën plotësisht zërat e harruar që thonin dikur se leximi duhet të mos tentojë aktrimin. Sa më afër shfaqjes së vërtetë, për ne aq më mirë është. Më herët akoma kishte qenë monodrama “Atdhe i dashur atdhe”. Shkruar nga Teuta Kasoruho. Një rrëfim i qetë e intelektual (mos themi mikroborgjez) për ndodhira herë urbane e herë shoqërore e herë familjare e personale. Jo ndonjë tragjizëm i madh. Pakënaqësi prej mos të kuptuarit në kohë të nevojës për të ikur prej këtij vendi. Pastaj ca ndodhira të ditëve të sotme si importi i plehrave, ca të ditëve të shkuara. Gjithçka në një rrëfim gati poetik-prozaik. I rrëfyer shumë natyrshëm prej Aneta Malajt, që e shfaq se i vjen pas midesë ajo histori ndodhishë me grindje me burrin për shkak të punës së madhe që bën në lëm të pikturës, prej angazhimeve familjare, prej ritmit të ngeshëm të përfshirjes në vorbullat e shoqërisë që ndryshon. Ndërkohë që protagonistja, prozatore, është nën barrën e gatimit dhe pastaj të përkujdesit të shtëpisë. Një shoqe psikologe i tregon se Lakani ka argumentuar vërtetësinë e pamundësisë për të komunikuar mes njerëzve. Pallati shkarravitur me shprehje komunikimi banal. Shtrëngesë ekonomike. Babi profesor. Ndërtesë pa leje. Protestat, emigrimi. E kështu me radhë. Dita e dytë mungon në pasqyrimet e mija për dy arsye. Në shfaqjen e parë nuk arrita të jem i pranishëm që në fillim, por arrita me një vonesë të pacipë dhe mezi u lidha me rrjedhën e veprës. Nga sa mund të hamendësoj njëri ka gjetur mundësinë e importit të robot - kompjuterit që ofron të dashurin perfekt dhe është si real. Këtu përfshihet me gëzim të madh prej zbulimit një vajzë, që pastaj është edhe pjesë e një lidhje jashtëmartesore me këtë importuesin që e përzë gruaja. Pjesa me titullin "Romancë më 2024"-n ishte nga Erand Sojli dhe kishte një zhvillim shumë të shpejtë të këtyre akteve të fundit. Nuk di nëse ishte e përfunduar. Pastaj, dramaturgu Jeton Neziraj vendos ti bashkëngjitet eventit me një shfaqje. Një shfaqje me titull të gjatë që ironizon zhvillimet politiko sociale në Kosovë. Megjithëse në mosaprovim të pjesmarrrjes me një tjetër nivel komunikimi prej zotit Neziraj jam fort i çuditur për mënyrën se si rrjedhin ngjarjet. Kiço Londo e ofroi skenën e teatrit eksperimental ku do të zhvillohej shfaqja më tetë për rregullim vetëm në pesëpasdite, kurse këtyre u nevojitej që në tre, që ti bënin punët si duhet. Ky Neziraj pastaj u acaru aq fort sa e la fare shfaqjen dhe e quajti Kiço London gomar. Në fakt ai tha edhe që Londo më herët i ishte hakërryer deri në ofendim e kërcënim. Pak e besueshme meqenëse Kiçua është drejtor. E pse të acarohet kaq shumë një drejtor? Sidomos duke kujtuar edhe shëndetin, moshën dhe rehatin që imagjonihet se shoqëron pozitën e tij. Vetë Kiço nuk na tregoi tamam ç’po ndodhte në sallë (ndoshta prova?,) por tha që – “salla ja ku është, le ta marrë kush të dojë. Kishim pak punë, po tjetër herë vetëm mos kemi punë pa prishur mos qoftë.” Ja këto ishin nata e dytë e e tretë. Emri im është Ballkan. Ky është titulli i aktivitetit që po sjell të lexuara drama prej autorëve nga gjithë vendet e ballkanit në Teatër Kombëtar dhe atë Eksperimental. Netët e dramës ballkanike kanë serbë e malazezë e maqedonë, bullgarë e sllovenë, e rumunë, e kroatë, e boshnjakë, e grekë, e shqiptar e kosovar.
Ema Andrea është mikpritësja, për ne, në krye të ekipit të ngritur prej Fondacionit per Art Bashkëkohor M.A.M. brëmë u lexuan dy pjesë. Prej Giana Carbunariu pjesa “Mihaela, tigresha e qytetit tonë”. Një si biçim absurdi i realizmit pas-socialist. Në fakt absurd jo aq thellë, se temat janë tejet sociale dhe gjithë konfuzioni është vetëm në titullime e emërtime. Një galeri të tipave të personazheve nën mbuloja kafshësh ose me fytyrat e vërteta. Ka një personazh kryesor që është tigër, por që hyn normalisht në komunikime njerëzore. Mihaela, tigresha e një kopshti zoologjik, në një qytet jo fort dinamik rumun, arratiset. Dhe merr taksi e pastaj me lëkurën e vet i fshin xhamat e makinës që nuk kishte pasur ta paguante, edhe dritat. Kështu tregoi shoferi, që na tregoi gjerë e gjatë si kishte qenë e mbushur me fjalë koha që kishte kaluar pranë tigreshës. Pastaj nja dy pijanecë që e vejnë tigreshën në shërbimin e vet për tu fotografuar me turistë, që përgjithësisht bëjnë një figurë të keqe se janë të shumtë (mah?!) madje edhe njerëz e qen të ardhur rishtazi nëpër qytet shfaqen si problematikë. Edhe kështu me radhë shqetësime e përvoja na parakalojnë në dokumentimin me intervista të njerëzve që në ndonjëfarë mënyre u bënë dëshmitar të kësaj arratie. Pëllumbat sorrat dhe harabelët na sollën tre profile. Ata që urtë e butë përfitojnë nga mercenarizmi i përulur, ata që luftojnë ballazi dhe janë cinikë e hileqarë në krenarinë e vet. Dhe ata të parëndësishmit, harabelat, ishin edhe të vetmet viktima të konfirmuara të tigreshës që kishte ngrënë nja 20 a 40. Pastaj një xhaxha pensionist që kishte njohur Mihaelën e cila përhir të tij kish luftuar me turmën e vagabondëve që kishin pushtuar hapsirën para pallatit të xhaxhit që bëhej qesharak nën komandat e një xhambazi të mediumit viziv tek tregonte se i kishin thyer televizorin dhe i kishin goditur pallatin me mut. Pastaj tiresha përfundon tek një sadist urban që ja shkul thonjë duke mbajtur të kërcënuar me tytën e kallashnikovit në gojë. Pastaj i duhet një kredi dhe le lëkurën peng, por pastaj e vret gjuetari një cast pasi veterineri e kishte qetësuar, siç treguan kafshë të tjera dhe rojtari që gjithashtu treguan se asaj ja morën këlyshin dhe e shkëmbyen me një çift kangurësh në shtutgart . Që gjithashtu sollën tipa nga galeria që thamë. Dhe mbaroi. Lulzim Zeqja, Gent Hazizi dhe Rovena Lule Kuka janë tre aktorët që lexojnë nga disa personazhe. Gjithçka mund edhe të shihej pas kamerës në projektim aty në anë të skenës. Kamera, lëvizja e aktorëve krijojnë idenë e shfaqjes dhe kjo lehtëson ndjekjen e leximit. Një vepër me ndjeshmëri për femrën. Rreziqet që ja bëjnë jetën në Rumaninë evropiane ku dëgjohen edhe thirrje për kthimin e Çausheskut. Përmendet edhe bashkimi evropian, alkolizmi e vandalizmi, abuzimi, grykësia kapitaliste, tërbimi e maçoizmi, madje edhe vuajtja e varfëria janë të pranishme. Nuk e kam idenë si e mendon vënien në skenë autorja. Me një vashëz, një kostum apo një tigër të vërtetë? Por gjithsesi teksti rridhte dhe krijonte mundësi për humor, për dëshmi, ndërmjetësim e ndërgjejësim e kështu me radhë. Pak moraliste po mirë. Një tjetër kredhje në rrjedhën e madhe të teatrit politikisht korrekt dhe aspirant inovator. Pjesa e dytë, “Një zjarrfikës në oborrin e teatrit” prej Stefan Çapalikut. Një dramë për teatrin në dy udhë. Një aktore e plakur që rron në kujtime lavdie dhe lezeti nga karriera e saj e gjatë e suksesshme, që asistuar prej shërbëtorit të vet sjell copa dramaturgjie antike greke, don kishot, hamletin, Eva Braunin e Hitlerit, dhe ndonjë tjetër dhe natyrisht edhe veten e vet si qejflie që pranonte shumë afër vetes drejtorë e dashnorë. Pastaj një grup artistësh që janë të pakënaqur se duhet të shesin zërin dhe dinë e flasin vetëm ato që lexojnë nëpër dokumentarë dhe nuk u pëlqen ajo që bëjnë dhe ndjehen të harruar prej shoqërisë edhe shtetit dhe diskutojnë ta djegin teatrin, meqenëse kanë dëgjuar se ashtu u bënë me teatër të ri edhe aktorët e një vendi fqinj. Një aksion disi i rrëmbyer e i papritur prej atij grupi të pamotivuar e të zhgënjyer e ndoshta pak injorant, por që gjithsesi aktiv. Aty hyn dhe zjarrëfikësi që mund të mos e fikë zjarrin në shenjë simpatie që ndoshta ka prej njërën prej aktoreve. Një qen që e hipin në skenë prish një copë shfaqje që duket se zhvillohet aty lartë ndërkohë që aktorët në kafenenë polshtë shfryjnë lëngatën e vet intelektualo-moralo-ekonomike. Vepra ka referenca në njerëz e ngjarje konkrete të teatrit shqiptar. Çështja e kontratave vjetore që atë botë trazoi aktorët dhe diskutimi për afërsinë mes teatrit dhe ministrisë së brendëshme dhe domethënieve të mundshme ishin pjesë e dialogjeve ku merrte pjesë aktorja, aktori, aktori i ri dhe tekniku i skenës, që ndërkohë flet dhe në telefon e gënjen për vonesat e veta kulturalisht kronike, dhe grimjerja. Neritan Liçaj, Anila Bisha, Lulzim Zeqja, Eglantina Cenomeri, Guljem Kotorri dhe Erjona Kakeli, lexuan tekstin nën kurimin e kësaj të fundit. Një lexim lexim që nuk na përfshin shumë, por që gjithsesi na tregon gjithçka. Një vepër e mbingarkuar me detyra konkrete prej autorit. Pjesë të dialogjeve kishin edhe adresën e marrësit të gjykimit artistik. Edhe ky roli i aktores zonjë ka paralele, ndoshta, megjithëse ajo është ngarkuar me detyrën e himnizimit të mediumit teatër. Megjithëse kriza e saj egzistenciale në fund të pjesës dhe vdekja e saj e nxituar na shtojnë dramaticitet përtej eksperiencave tona familjare. Ky është një shqetësim i vazhduar i zotit Çapaliku, i cili indiferencën për intelektualët e artistët shqiptarë e ka bërë temë qëndrore edhe në vepra të tjera si “Fausti prej Tirane”, etj., apo edhe komunikime të tjera publike që ka. Natyrisht ky shqetësim i tij është i drejtë, pavarësisht se shoqëria me morinë e halleve që prodhon ka aftësinë të relativizojë gjithçka. Edhe aftësia teatrit që me profesionalizmin e delirin e vet ti mbijetojë zhvillimeve të reja shoqërore ka hisen e vet, (siç vrullshëm autori prezanton në tekst) ndaj marrëdhënia e ngushtë që vepra e tij krijon me shqetësimet e realitetit tonë bashkëkohor mund të jetë problematike. Kërkohet vëmendje për dikë që ndoshta as nuk e meriton. Një kontradiktë në deklarata. Shumë prej nesh pjesa i fton në biseda që mbajnë më shumë se një këndvështrim e kjo na përfshin me pjesën në një nivel komunikimi që nuk e ndihmon lartimin e saj. Ndoshta pjesa do mundet që në të ardhmen, kur të jenë harruar emra e zhvillime, të zbulojë hire që janë të mbuluara, po ne rrezikojmë të mos kemi fatin t’ja shijojmë. Dhe kjo problematikë na kthen tek vëmendja që mori aktiviteti prej komunitetit artistik, qytetarëve, mediave e kështu me radhë. Ajo që mund të thuhet që në fillim është se nuk ishte e bollshme. Sa përfaqësues janë autorët e zgjedhur prej ekipit organizator të festivalit për dramën ballkanike dhe sa ishte ky një faktor në indiferencën që infektoi artistë e dashamirës të artit teatror kjo do të na mbetet një mister. Ëndrra jonë për të parë xhaxhi akademikun që ngjitet me vrull në skenë e na thotë, po pse more stërnipër kjo është drama rumune, po jo more se Filan Fistëku me veprat e veta tre hije dhe dy këngë është ai që i ndrin kurorës jo vetëm ballkanike dhe evropiane por edhe planetare. Le pastaj regjizorë që kërkojnë repertor dhe kërkojnë me insistim të këndohet edhe një herë Kënga e Kongresit apo këngën Jare moj dil ke dera. Po mirë ngjarja po ndodh. Leximi skenik ndoshta nuk është një ndër eksperiencat më mahnitëse që ofron teatri dhe kjo amniston profesionistët që shijojnë mes shtrojesh të ngrohta tekstin që e zgjedhin vetë. Gjithsesi, sonte do të ketë shfaqje. Do lexohet edhe një pjesë e imja të shtunën prandaj nëse shijoni idhësi a ëmbëlsi të pajustifikuar tani e dini arsyen Ndjese per mungesen e redaktimit, po koha :) Një jetë me ty. Oh, ky titull na përpëlit që në fillim. E reja, e reja na tërheq në teatër. Një jetë me ty, që në fillim ,na vë si fjali në gojën e orakullit që nuk ka të re. Se në qoftë se ka një jetë me ty si mund të jetë e re. Dhe pastaj gruaja dhe burri. Dhe historia e një çifti që prej njohjes dhe deri në ballafaqimin me një krizë ku këtij të shkretit ju krijua mundësia dhe një joshje e madhe e zgjoi prej rrokullisjes së topitur të fillimeve të martesës, që nganjëherë nuk dihet si të merr. Karakteri i veçantë i veprës lind prej kohës e vendit ku vendoset veprimi dhe karakterit të personazheve, se pastaj vetë ngjarja nuk do ti mbijetonte dot rivalitetit që ka shumëllojshmëria e bollshme në llojin e vet. Në këto autori ka vitet nëndhjetë (a fillimvitet dymijë, ndoshta) në Shqipëri dhe të zgjedhur, si protagonist, një redaktor që dikur kish shkruar poezi dhe pastaj nuk i mbajnë mirë nervat përballë një gruaje që nuk na tregon për profesionin e vet, por bëhet nënë. Dy herë, dhe bëhet komplet nervoze pasi me arsye vuan prej xhelozisë. Dhe për ti shtirë një dorë familjaritet, Romir Zalla dhe e shoqja, Suela Bako, luajnë redaktorin dhe të shoqen. Zalla rolit të një bashkëshorti i ka bredhur kryq e tërthor me një personazh të famshëm në Portokalli. Por drama ka një personazh të vetin padyshim. Ky redaktori, që hyn fillimisht si një shok i ynë, e ajo si një shoqe, dhe na tregojnë se si mund të jetë martesa. Madje jo, si është martesa. Prezantimi i të rinjve është skena e parë, ai vetë protagonist, ajo vetë. Secili me kujtimet e veta deri diku stereotipike, të paktën në ato gjëra që i dallojnë mes tyre. Një rrugë e shkurtër. Poezitë që ai shkruan herë për dashurin e herë për vdekjen janë bërë pa ndonjë kujdes të veçantë. Sa për të krijuar humorin. Një difekt që nuk na shqitet kollaj. Martesa. Skena e dytë ishte propozimi për martesë martesa. Ai kish ardhur krejt i dehur sipas asaj dhe një poet ëndrrimtar dhe jashtëzakonisht i shkujdesur sipas atij. Pastaj, në fillim lind xhelozia për ishët. Ai pëlqen futbollin. Ka një të dashur të cilës ja përmend emrin në gjumë dhe kjo e acaron atë, pastaj edhe ai zbulon gjëra. Pastaj kështu me radhë derisa mbërrin ajo. Vilma Hodo si vajza e fotokopjes që i merr maksimumin formave të veta epshndjellëse në marrëdhënien me shefin e vet që është redaktori ynë shef. Mbas gruas që me sa po kujtoj tani ndoshta punonte në një bankë vajza e fotokopjes është një tjetër reduktim profesional e i femrës që ndjell keq për vete. Folën më shumë format e saj. Një tjetër gjetje tejet familjare. Një batutë e ndjerë në sallë që ngjalli një humor disi të pacipë në terma të pavarsisë nga shfaqja ishte kur një spektatore aty rizbuloi në skenën e pestë a të gjashtë se gjithçka po përsëritej dy herë, një herë nga ai e një herë nga ajo, me këndvështrime të ndryshme. Edhe kjo ideja e këndvështrime nuk mund të themi se shquhet për ndonjë origjinalitet të veçantë e ndonjëherë vinte disi rrëmujshëm. Një vakt me pak gjëra prej Erion Kames, autor i pjesës dhe regjizor i shfaqjes. Humor që i paraprin tekstit. Vetë teksti është kërkim të etur të batutës, përndryshe nuk ka ndonjë ndonjë dashuri të madhe për fjalën. Një jetë nga shumë largë. Vija të trasha. Theksim i atyre ngjarjeve dhe tipareve që tashmë janë testuar për simpatinë që rrëmbejnë prej publikut. Por që edhe nuk kanë ç’japin shumë. Shfaqja u shfaq në Teatrin e Kukullave. Një skenografi e thjeshtë. Ca skelete shtretërish që përdoren për të krijuar një ballkon, një shtrat, një ambjent pune, një dhomë ndenje. Hajt, mirë. Kujtesa e ujit ishte përmbledhja në një titull konçiz për një fill të kërkimit shkencor që tregon se uji ruan gjurmë të përzjerjeve ku bën pjesë edhe shumë kohë mbrapa, kur çdo gjurmë e përbërësve të tjerë është zhdukur. Në përmendjen në pjesën me këtë titull prej autores britanike Shelagah Stephenson, referenca është për ujra që bëjnë njeriun, qoftë edhe gjatë shtatëzanisë kur nëna na mban e na bën me ujë, se ne jemi dhe mbetemi nja 70 a 80 përqind ujë.
Një fill domethënës për morinë e ndodhirave që popullojnë dramën e vendosur në një shtëpi ku bijat janë mbledhur për të përcjellë prej kësaj jete nënën e vet. Rajmonda Bulku si nëna fantazmë, çel shfaqjen. Monologu i saj është zëpakët dhe poetik. Një e vdekur që vuajti çorganizimin e lejuar për spektatorët tanë, që si zakonisht nuk dinë të mbërrijnë. Dëgjimi ende i pa-mprehur, vëmendja ende në testim dhe nëna shfaqet krejt papritur pikërisht aty, në dhomën ku njëra prej bijave fle në shtrat të saj. Në rishfaqjet e mëvonshme Bulku do të rifitojë qendërsinë që e karakterizon si personazh dhe si aktore. Pastaj zgjohet kjo dhe në dhomë mbërrin motra e madhe. Deri në fund të pjesës do të merret vesh se: Kjo motra e madhe (luajtur nga Olta Daku) sjell përkushtimin e saj ndaj familjes, ndaj nënës. Lodhjen nervore që i shkakton ky përkushtim tashmë i ngulitur brenda saj dhe revoltën kundër tij. Ajo ndjek burime deformimesh të marrëdhënies familjare dhe është e vendosur e guximtrare dhe ka probleme me alkolin. E martuar me një burrë të zakonshëm që e ka gjetur përmes njoftimesh në gazetë ajo kishte qenë njeriu i afërt i nënës në mbartjen e barrës familjare dhe fitoi kështu disa nga ato shprehitë që kultivojnë burrat. Ajo ka trashëguar biznesin e famijes dhe tregton ushqime bio e kurative. Bija e dytë, Violeta Trebicka, prej një shtatzanie të padëshiruar në adoleshencën e vet të hershme distancohet prej marrëdhënies me nënën të cilën e dënon edhe për largimin e fëmijës së vet. Por ajo është e fortë, e aftë, dhe tashmë një mjeke, megjithëse në marrëdhënie jashtëmartesore me një burrë që ka një grua, ndoshta të sëmurë. Dhe që ëndërron të ketë fëmijë, por që në këtë ditë të zisë merr vesh se dashnori ilegjitim paska bërë vazektomi, ç’ka zhduk gëzimin e zbulimit të një shtatëzanie të dyshuar e ëndërruar dhe pastaj mëson edhe që fëmija që ja kishin rrëmbyer paskërkësh vdekur. E vogla, Jonida Vokshi, kursyer disi prej dramës familjare që tashmë ka ecur shumë përpara që ti ofrojë ndonjë rol protagonizmi, rritet disi e lehtë, egocentrike, bukuroshe. Ajo bën bar dhe shoping dhe, sipas rrëfimeve të saj, jepet ndër meshkuj me mirëbesim të tepruar e pa përtim, por ndoshta edhe dashuron nëpër rrëmujën emocionale ku strehoet. Motrat tregojnë se kanë kultivuar aftësinë për të mbajtur pajtueshmërinë mes tyre edhe në grindjen pa mbarim. Të mbytyra në vështirësi përditësie i janë përkushtuar burrave dhe punës. Edhe wikipedia, faqja e gjithdishme e internetit, në anglisht, thotë që kjo ishte komedi. Një habi. Për dreq, pranë meje personi më reaksionar i mundshëm i sallës. Një grua diku tek të 60-tat e vona që çuditej si mund të qeshnin aty. Po këto debilat pse qeshin thonte nën zë për ndonjë mbesë të vetën pak më tutje, dhe për mua, sigurisht. Ju acaruan nervat komplet. Por, besoj se edhe asaj ca buzëqeshje e qeshje të sinqerta i shpëtuan në atë panair dramash familjare aspak gazmore. Një komedi në një funeral. ‘I huaji’ i Albert Kamysë i ngopur me copëza të ironisë ciniko-humoristike britanike për tu bërë një gogol qesharak në postmodernitetin individual pa narrativat e mëdha që i mbajnë njerëzit e kohës sonë afër njëri - tjetrit. Shfaqja Ishte mirë. Publiku u kompaktësua. Qeshën vuajtën. Një pjesë e mirë. Dhe interpretimi ishte lezetshëm. Jo me ndonjë manjakalitet perfeksioni apo delir rrënqethës, po mirë. Daku dhe Vokshi mbajnë humorin thuajse spontanisht. Njëra me përfshirjen e plotë në ngjarje e tjetra me mospërfshirjen.. Neritan Liçaj si dashnori ilegjitim i motrës së dytë si dhe Marin Orhanasi si burri rastësor dhe profesionalisht normal i motrës së madhe gjithashtu ushqejnë atmosferën me batuta si ata fëmijët që ushqejnë pata në liqen. Batutat e tyre vjedhin qeshjen e përgjithshme që ja acaroi nervat fqinjës. Ekseperiencat e secilit që mund të referohen nëpër ndodhi i shërbejnë shfaqjes. Duket se skicimi i personazheve prej Stephenson mbulon një pjesë të mirë të karakteristikave psikologjikë që jeta familjare kultivon tek shumica e njerëzve të shoqërisë urbane. Në dramë të ekzaltuara dhe të shpërndara nëpër personazhe në mënyrë të atillë që ta ruajnë dominancën, por secili spektator mund ti shquajë e t’ja referojë njohjeve të veta. Në këtë vazhdë mund të thuhet se është krijuar mirë hapsira që secili aktor të rehatojë brenda rolit bagazhet e veta profesionale. Natyrisht kjo zhvendos rëndesë nga lavdia për tek suskesi, po fundja ku të jetë leverdia. Regjizorja Rozi Kostani është aty për të vendosur gjëra. Vetë pjesa është një zgjedhje e mirë. Në fakt rezultati i “ndeshjes” mes tekstit dhe shfaqjes për merita në suksesin e veprës mbetet i fshehur. Fryma e ekipit është e mirë. |
Categories
All
Archives
August 2023
|