![]() Të shtunën e parafundit të tetorit, te salla e madh e ArtTurbinës, u shfaq një produksion i Teatrit Kombëtar, që edhe çeli sezonin e ri për këtë teatër. Xhelatët e kishte emrin. Nga një irlandez që e jeton jetën artistike shumë pranë Londrës, por që është edhe skenarist e producent filmash të suksesshëm në kinematografinë angloamerikane, Martin Mcdonagh. Kurse regjia ishte nga Qëndrim Rijani. Regjisor? Jo vetëm. Unë do të thoja edhe bashkëautor. Drama ishte edhe e tija. Ngjyra e qëndrime politike specifikisht të Rijanit e aspak të irlandezit angloamerikan. E kaluara komuniste e popullit tonë ishin pjesë e përzieres fort të larmishme që Rijani kishte mbledhur e që padyshim nuk ishte e Mekdonaghut. Por, të mos merrem fort me thashetheme, e të kthehem direkt tek shfaqja. Megjithëse, prit! Të premten e parafundit të po atij muaji që përmenda më lartë, unë kisha bërë përpjekjen e parë për ta parë shfaqjen. Kur do ti, m’u në mes të paraskenës çmëndet një nga ato tymueset dhe e mbush të gjithën sallën, gjë që qe jo fort e injorueshme në përmasat e veta. Vetë regjisori me fikëse zjarri hyri në xhepin nëndysheme, por nuk ia doli ta ndalte. Patën kohë deri sa u var në litar personazhi që e sillte vetë drejtori i Teatrit, dhe gjithçka mbaroi. Një sulm kimik jomalinj, të cilit nuk ia njohim prapavijën astrologjiko-ideologjike, por i ndodhur. Një njeri ekzekutohet pse ai është gjetur fajtor nga gjykata për përdhunimin e vrasjen e një vajze të re. Por, ai këmbëngul që është i pafajshëm e në dëshpërimin e asaj padaljesie shan, shfryn e qahet dhe përpiqet t’i japë vetes shpresë. Është kjo skenë me tonet e larta, me gjallërinë e lëvizjes, me ritmin e saj që na tregon se çdo të ndodhë. Dhe menjëherë kritiku si puna ime demoralizohet. Ai menjëherë mendon se nuk ka më shpresë për surpriza. Por jo, surpriza ka. Përveçse rriten tonet dhe gjallëria e lëvizjes kemi edhe qëndrime ndaj historisë sonë të afërt. Drama historike e disi psikologjike e Mekdonagut, me ekzekutuesin e dytë më të famshëm të Anglisë del nga binarët jetikë të personales dhe vendoset në rradhën e kërkuesve të katarsisit shoqëror shqiptar. Drama e ekzekutuesit Harri Vade nis me një vrasje, e përfundon me një vrasje. Një cikël normal për një ekzekutues, i cili është disi i thirrur në atë nevojë për vdekjen në jetën e tij. Por drama e tij ndërpritet nga interlude të së kaluarës shqiptare, me tortura të burgosurish si ajo e lidhjes në fund të një litari të tendosur prej organi gjenital apo për duarsh e këmbësh lidhur kurriz më kurriz me një të dënuar tjetër, deri në sfilitje e dhimbje, por kryelartë, pse është parë nëëndërr udhëheqësime dhëmbët të prishur.Një interlud me një kamp pune si këta të përqëndrimeve a burgosjeve ku një musliman zëlartë, një hebre dhe një piktor, e të tjerë dhunohen, tremben, e zhduken nga dy njerëz me shami të kuqe pionieri që mund të përdorej edhe për maskimin e fytyrës deri tek sytë. Këtë shami të pionerit kishin edhe torturuesit e interludit të parë. Pastaj në një interlud tjetër një gazetar ka bërë të njohura në shkrim ca ekzekutime, po ato nuk kanë ndodhur ende, natyrshëm ndodhin aty para nesh. Një i mbijetuar lutet ta vrasin. Dhe interludi që mbyll pjesën është një monolog i gjatë, nga pas vdekjes, prej një të ekzekutuare shqiptare, në rini e me fatkeqësi të madhe. Dhe si mund ta ndalte regjisori tërheqjen shkulëse që këto interlude do t’i bënin gjithë dramës së vogël e personale të ekgzekutuesit profesionist? Xhelati thjeshtë ekzekuton si pjesë e shërbimeve që ofron për shtetin në shkëmbim të pagesës. Kjo është puna e tij me kohë të pjesëshme, përndryshe bashkë me të shoqen menaxhon një lokal. Do ti pas ca kohe një shok i vjetër i atij të vrarit të parë, vjen dhe i merr vajzën ekzekutuesit e i luan një reng? Ky i llahtarisur nga ideja e humbjes së vajzës e për ta trembur që të tregojë e merr atë rrëmbyesin e e ve në litar, e ai në një aksident lëvizjesh mbetet i varur. Vajza si përfundim nuk kish qenë e rrëmbyer, por thjesht e mashtruar dhe përdorur, dhe kthehet.Drama e këtij punonjësi, që mund të kish qenë edhe postier, por qëllon disi kokëfortë e xhambaz, ndoshta disi gangster, por gjithsesi një punonjës i shtetit anglez nga fundi i luftës së dytë botërore e deri në fund të viteve 50-të kur britanikët e ndaluan dënimin me vdekje. Ai ka edhe një opinion për ligjin, ka një grua, ka dhe një vajzë 15 vjeçare, për të cilën ankohet se rri turivarur, me miqtë e tij, me të cilën kalon kohën në pub. Por ja, vjen diktatura komuniste shqiptare dhe ky xhelat, apo përkthyer fjalë për fjalë ky njeri që var njerëzit, na bëhet një gangster i dalë mendsh. Ai abuzon me këta miq në lokal si të ishin lecka, sillet me njerëzit si një kapadai sadist, të gjithë i tremben, por si përfundim jo dhe aq. Ankesa e tij për vajzën që rri turivarurtingëllon kaq jashtë konteksti në atë zallamahi të sharash, ku ky qartësisht ishte abuzues. Por jo, klientët kanë marrëdhënie të mirë me njërin tjetrin, me gruan e xhelatit, me vajzën e tij, shqetësohen për fatet e njëri-tjetrit, kanë simpatira e krenarira prej njëri tjetrit, por hyn ky dhe gjithçka degjeneron. Sharje ofendime, bam e bum. Dakort ne mund të gjejmë një lidhje mes një xhelati që psikopatia e vet e bën themel për një diktaturë, por regjisorialisht kjo është shumë e vështirë. Bashkëjetesa e një veçanësie e brishtësie si jeta e xhelatit anglez në mes të shekullit XX me atëdramës së një kombi në veriun e Mesdheut në të njëjtën kohë ka qenë barrë shtesë që regjisori Rijani ia ka vënë vetes, në realizimin e kësaj pjese. E kjo barrë ka qëlluar e randë fort, e në atë ecje në peshë unë nuk besoj se Rijani e ka çuar ngarkesën aty ku ka menduar. Drama e xhelatit nuk e mban mirë dramën e kombit. Zoti Rijani nuk mund të kritikohet pse skenat e tij s’kishin intensitet ndjenje a lëvizja, a pse ngacmues të tjerë mungonin. Pjesa tentoi tre orët në zgjatje të vet dhe nuk pati ndonjë lodhje të veçantë ndër spektatorë. Fizikaliteti ishte i shtuar. Ndërkohë që gjuha kishte liri të re për skenën tonë, si në ofendim me ngjyrim seksual ashtu edhe në marrje pushimi nga detyra e përcjelljes së kuptimeve të ngarkuara. Nja dy a tre këngë anglo-amerikane tëviteve ‘90, ndoshta 2000. Nirvana, “Njeriu që shiti botën,” ai tha se 28000 dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore ndoshta janë të vrarët e diktaturës komuniste, ndërkohë që dihet mirë se janë edhe ata. Ai tha edhe gjëra të tjera plot. Lulzim Zeqja si protagonist duket që nuk është kursyer, por protagonizmi i tij është i larguar, si edhe çdo rol tjetër i mbrëmjes. Flor Agalliu, Muça, Derhemi, Cerga, Fuga, Çuli, e të gjithë janë të pakursyer, por në një tablo të larguar prej një tabloje tjetër të mbivendosur dhe që ta arrijnë sipërfaqen u duhet të presin nëpër hapësirën dydimensionale. Të njëjtët aktorë lëvizin në të dy realitetet. e nuk rrisin dot personazhe kushedi sa të shëndetshëm. Për dramën e Mekdoughut ata janë të tërhequr prej nevojës për t’i shërbyer gjykimit të historisë së tyre, e mënyrat se si një rol imponohet mbi aktorin dhe thith prej tij energjinë që i nevojitet janë tinëzare.
0 Comments
PËR VETëVENDOSJEN, SI GJITHË MILETI
Me një rezultat të ngjashëm me atë të zgjedhjeve katër vite më parë, Vetëvendosja ka dalë në skenë të politikës qeverisëse si koalicion kryesuese dhe pas të gjitha gjasave do të qeverisë. Dhe të mendosh se Vetëvendosja në këto katër vjet ka qenë në maturim të elektoratit të saj, pra me pak energji të shtuara prej aksionit intensiv politik, madje edhe i mbijetoi një përçarjeje që largoi nga jeta poltike e partisë, kryetarin, sekretarë, liderë në lokalitete dhe përfaqësues në parlament. Por jo, partia vinte në zgjedhje bindëse dhe e bindur tek fitorja, madje në disa raste edhe e zhgënjyer prej epërsisë së pamjaftueshme, megjithëse shpallte synimin e lartë, deri në abstraksion, që ta sjellë idealin në jetën e përditshme të secilit kosovar, e secilit shqiptar, madje. Albin Kurti është lider i madh i partisë. Atëherë kur ndodhi përçarja që përmendëm, ai ishte tërhequr nga detyra e kryetarit dhe kishte investuar njërin prej të sinqertëve dashamirë si kryetar dhe pastaj një mjedis i tërë kish hedhur rrënjë në trupin e lëvizjes. Dhe kishin kontroll mbi burime e promovime. Të paktën në terma organizativë të udhëheqjes përçarja ishte kuptimplotë, megjithëse ishte në kundërshti me rrjedhën praktike e teorike që nis tek lideri dhe është arsyeja e mobilizimit të bazës, megjithëse secili e sheh veten jo pak te ai. Shumica e atyre që përpiqen të mpakin vlerën e Lëvizjes përpiqen ta rikthejnë vëmendjen tek ajo ngjarje, por unë megjithëse besoj dhe uroj që Lëvizja të jetë sa më e suksesshme në qeverisje, mendoj se ka një vlerë praktike kthimi tek kjo histori, pikërisht në aspektet administrative e organizative të partisë. Ne, si popull mbipolitik që jemi, na duhet të bëjmë edhe hesape shkencore, (për aq sa mund të jetë shkencor një diskutim për shoqëroren që na ka servirur historia dhe të ngremë parashikimin vetpërmbushës.) Fakti që Lëvizja nuk pësoi asgjë me domethënie prej asaj ngjarje, na tregon se Kurti, megjithëse me këtë mantelin e njeriut që frymon e punon për idealin, është fort i vetëm me gjithë atë pushtet organizativ në duar. Në rast se kishte një grupim rival, me atë 20-shen a ku di unë që lanë rradhët e drejtimit të partisë, pse ishte ai kaq pak me ndikim në emërimet e drejtimit? Apo, kjo do të thotë se Partisë i mungojnë grupime që kanë interesa e ndikime të shprehura prej përfaqësimit në organet drejtuese qendore? (Pse, preferojnë të mos përfshihen në drejtim, apo të gjithë anëtarët kanë karakter lokal dhe eventualist. Ose që u mungojnë kualifikimet e nevojshme? Ose që partia u infiltrua nga një grup armiqësor që e kontrolloi aparatin organizativ për nja dhjetë vjet? Gjithësesi, partia më e madhe në parlamentin kosovar vjen me një vullnet të madh për t’u sprovuar në qeverisje. VV ka gjithë thjeshtësinë e nevojshme në divulgim të mesazhit të vet prandaj dhe unë s’kam si mos me e marr. Pak a shumë ata thonë se: Kosova ka tokë pjellore dhe nëntokë të lakmueshme. Frenimi i makutërisë individuale dhe një sitje tjetër në drejtësi e gjithandej dhe mbushja e hapësirës që krijohet me idealizëm e arsye të shëndoshë do të jenë me rezultat të menjëhershëm. Do të ftojnë diasporën e suksesshme të sjellëi fonde dhe ekspertizë. Edhe të rinj që po shkollohen gjithandej kemi plot, edhe kjo qeverisje nuk duket ndonjë punë kushedi sa e vështirë. Dhe do të ketë një përmirësim të shpejtë. Një marrëdhënie më e mirë me shtetin amë dhe një syndërsyshmëri krenare me serbët, shoqëruar me aleanca rajonale me kroatët dhe pastaj me gjermanikët do të lehtësojnë këtë shqetësim, thonë ata. Dhe mos me u përzi fort me islamizëm, por edhe pse e largojmë allkun nuk kemi pse. Ja prit pak. Edhe lista e kandidatëve është e shëndetshme, edhe sallat u mbushën me pjesëmarrës gjatë gjithë fushatës. Diaspora po i pëlqen fort. Dhe mbi të gjitha kryeson në rezultat. Por prapë, ne mbetemi para nesh me dyshim për mënyrat se si do të menaxhohet nga ana partiake qeverisja? Do të kemi një centralizim të shtuar, apo një shpërndarje më të madhe të pushtetit ngaqë teli i komunikimit kalon nëpër rrugën që po ndërtohet? Si do të derdhet ky entuziazëm e energji në vagonin me shpejtësi inercike të administratës publike, që gjithashtu e ka idealin, edhe profesionalizmin, pjesë madhore të legjitimimit të vetes për angazhim politik? A është veçanërisht e rrezikuar Vetëvendosja në ushtrimin e qeverisjes së saj prej diversionit terrorist dhe shtetëror apo edhe rrugaçëror të huaj e vendas? Vetëm dje në kohën kur vëmendja e madhe e botës ishte mbi fitoren e diplomatikisht të të ashprit Kurti, zarfe helmues mbërritën si votë e postuar nga Serbia. Një deklaratë fort e qartë, nëse kujtojmë edhe helmime nëpër shkolla e shtëpi që kanë qenë një praktikë e qeverisjes në kohët e paraluftës. Ndoshta dhe sipas shumicës së gjasave një bllof, por kjo kartë e kërcënimit e shton peshën kur kujton jetën politike kosovare. Vetëvendosja e akuzon presidentin e vendit, kryetarin legjendar të partisë që lindi në krah politik të UÇK-së si një feudal arkaik që rrëmben çdo gjë që mundet me tërbim dhe le copa nga vatani nëpër bixhozet e vet me pushtet. Kurse kryetari që e pasoi për PDK-në dhe kandidati për kryeministër i mosvarur zoti Veseli ka qenë kryetar i ShIK-ut për shumicën e karrierës së tij politike dhe është aq i fuqizuar nga kjo detyrë sa nuk pati rival në trashëgimin e partisë. Infiltrimi udbash i vendit është i madh, dhe dikur ka pasur kushtet të rrisë mundësitë për zë në shoqëri. Edhe simpatinë ndër perëndimorë serbët e kanë të mirë. Hapësira për sabotim nga jashtë dhe bllokim nga brenda ekziston. Por hesape të tilla konsiderohen kryesisht disfatiste dhe në fakt gjeopolitika nuk është fort keqazi e vendosur. Serbët u ndaluan në gjenocidin e tyre vetëm pasi Beogradi u bombardua prej një aleance qytetërimore. Në Bosnjë nuk ndaluan fare. Pavarësisht se është e çuditshme se si serbët ja hedhin më lehtë se gjermanët në sigurim të hapësirës jetike, prap një skenar agjenturoro-luftarak nuk ka pse është i pashmangshëm. Por ajo është histori e harruar. Aspirata kryesore e serbëve është integrimi evropian. Edhe NATO vazhdon të jetë garantues i paqes dhe integritetit në Kosovë. Mekanizmat institucionalë vënë në dispozicion të serbëve të Kosovës për të ndikuar në funksionimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave të tyre. Kostoja për serbë tani mund të mos jetë e leverdisshme, por një lexim i gjerë i politikave nuk është për t’u nënvlerësuar. Zoti Rama m’u në mes të këtyre zhvillimeve heroike vete e takon zotin Vucic dhe sëbashku bëjnë një deklaratë paqeje e mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të shtuar. Një shengen. A duan ata thjeshtë të na qetësojnë nga një trembje që qenka? Si është bëhet përmbushja e kësaj trembje? Gjysma e komentatorëve thanë se takimi nuk bën veçse dublon gëzimin e një marrëveshje që është arritur më herët dhe pastaj që është gëzuar një herë. Kurse gjysma tjetër thanë se vendimi mund të ketë jehona në pozicionimin qindravjeçar të shqiptarëve nëpër histori. Euforizmi mediatik, ndryshe nga zakonisht, gati bezdisës në shumësi. Ne shqiptarët e këtejit nëpër mazhorancat tona e konsiderojmë veten aq të rritur sa dyshojmë çdo mundësi të ndryshimit të shpejtë dhe pavarësisht të gjithave e vendosim veten në një kontekstualitet relativisht të mjaftueshëm. Në Shqipëri, Partia Socialiste huazoi, pak a shumë, si ekspertizë të jashtme për udhëheqje ekzekutive dhe miklim elektoral Edi Ramën. Dhjetra zotërinj që dikur kishin qenë shokë, e si atëherë akoma me pushtet organizativ në Parti dhe shihnin ëndrra me djalin e vet, ngritën foton e Ramës kur u desh një lider të përballonte Salën, se Nano, që ishte ndër bij dhe kish marrë detyrën e udhëheqjes në një kongres të Partisë së Punës, (e mbiquajtura nëna Parti,) u dha mbas shpërqëndrimit hedonik dhe humbi detyrën. Rama, megjithëse pas një kohe të gjatë në krye të opozitës dhe qeverisje të kryeqytetit për llogari të socialistëve, u përfol për katapultimin në drejtim të qeverisjes ekzekutive të njerëzve që më herët nuk ishin investuar brenda partisë për të përfituar ata avancim. Edhe sot vazhdojnë zërat se Rilindja po rritet në shtat të socialistëve si e huaj. Por, dora në zemër, Rama e adresoi këtë problem nga njëra anë duke shpërblyer me pushtet njerëz nga partia e nga ana tjetër duke rinovuar ose forcuar rrjetin, çka është etiketuar dhe pjesërisht ka rezultuar si akses i shtuar në pushtet për njerëz që kanë pushtet në komunitet prej burimesh jo politike duke nisur nga paraja e deri tek kriminaliteti. Në rastin e Vetëvendosjes kemi një gjallesë që në vend që të ajo që i bashkohet gjallesës së madhe për tu ushqyer në të është gjallesa e madhe ku shkon grabitqari i vogël. Gjithësesi çifti kërcimtar në tërësinë e vet ka ravijëzime të ngjashme. Centralizimi i parave dhe pushtetit, gatishmëria për spastrim të rradhëve (politikë, drejtësi, polici, etj) dhe kontroll i shtuar janë karakteristika që mund ti vejmë re edhe te socialistët. Dhe ngut për të përfunduar e nxitur procese. Një energji e re nga mulliri i vjetër, por energjia nuk është e mirë apo e keqe, ajo është thjeshtë energji, ndaj me të mund të bësh edhe të mirë edhe të keqe. Vetëvendosja do të sjellë ndryshim, por realiteti nuk do jetë ndryshe. Për më tepër, lideri i Vetëvendosjes në një prej intervistave të tij e nënvizoi faktin se bërja pjesë në të njëjtën familje partishë politike europiane ishte ndër krijues të mundësive të tij për komunikime me Ramën dhe nëpër familje gjithnjë merren vesh ose të paktën ndonjëherë. P.S. Më falni të marr një minutë e të përkujtoj lindjen e xhaxhit Enver. Ndër vepra që shiteshin sot atje në krah të urës mbi Lanë ku shiten libra, ishte një bllok me dhurime në para që ishin bërë për muzeun e Enver Hoxhës. Dikush që e merr mundimin me siguri mund ta sigurojë. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 10 000 dollarë secili edhe nga 2 000 e nga pesëqind. Edhe një shok me mbiemrin Camaj ishin ndër donatorë. Tani po më vjen keq që nuk e bleva. |
Categories
All
Archives
November 2023
|