E në të tillë klimë, prejardhja e krishterë e objekteve myslimane të kultit është një bosht qendror i filmit. Një praktikë e njohur kjo, e në dokumentar kam parë se edhe të krishterët patën shfrytëzuar tempuj paganë për të nisur aktivitetin. Gjithmonë feja vendin e fesë ka zënë. Të gjitha kanë qenë jashtëzakonisht të vërteta dhe pastaj jashtëzakonisht efikase si i vetmi organizim i këtillë pas ushtrisë.
Protagonisti i filmit, (interpretuar prej profesionistit Arben Bajraktaraj,) një njeri i devotshëm mes idhtarëve të Muhametit, kish shkuar në xhami edhe atë ditë, kur, se si u frymëzua nga një vullnet i kushediçfartë dhe gërvishi horasanin a suvanë, apo si i thonë atyre shtresave të bojës a suvatimit që i vihen murit ndër vite për ta veshur. Ngrihet ky e i heq peta suvatimit që mbulon ikonën murale në faqen e brendshme të xhamisë.
E shkon heroi e njofton në drejtori të monumenteve të kulturës, të cilët çojnë një çupkë lozonjare ta risjellë për publikun atë vizatim aq të vjetër e domethënës për kulturën identitare kombëtare e pastaj ta merrte në mbrojtje prej shtetit e ta shpallte monument e trashëgimi. Se si përfundon ky shteg nuk e dimë, por ajo e josh protagonistin në mbrëmjen e një eskursioni të bukur komunikimi njerëzor a ku di unë çfarë, (pak pa shku në përmasën e atij murgut të at Sergejit tëTolstoit, që dashuria e parealizuar e bëri të gjente shpërqendrues radikalë.)
Heroin tonë, baba komunist e kish ndaluar dikur të martohet me vajzën që donte pse ishte prej familje të përndjekur politikisht dhe është një mbesë që e rrëfen.
Pastaj, një zhvillim në familjen e heroit: vëllai kthehet prej emigrimit në Greqi, bashkë me gruan e dy fëmijët. Në shtëpinë ku po vendosej familja e parë, që dëshmon edhe kthimet e emigrantëve që prezantoi kriza greke. Ata vinë të rrinë. Por, aty vjen edhe motra, me tre fëmijë, edhe ajo me shpresë me jetu në shtëpi të babës. Ajo në një familje thellësisht myslimane. Madje disi radikale. Burri nga veshja e mjekra duket i brezave të rinj të myslimanëve, që janë në periferitë e salafizmës a ku di unë çfarë. Mbërthyer në shami. Fatmirësisht pjesa tjetër e komunitetit praktikonte myslimanizmën autoktono-zogiste, jo fort të dhënë pas veshjes e dukës si në familje të motrës.
E pastaj heroi ynë ia vë vetes si detyrë që edhe katolikët ta shfrytëzojnë kishën. Në fakt, vetë mëmë e tij kish qenë katolike. E kështu katolikët si përfundim e bëjnë një meshë në atë xhami a kishë. E gjthçka nis e shkon drejt vendit të vet.
Megjithëse regjizori Robert Budina në detyrën e skenaristit të filmit ka mbledhur një numër tematikash me interes dhe gjithë relevancë sociale, filmi ofron pak ndihmë në zbulimin e përgjigjeve të jetës.
Dhe siç tha Elona, me të cilën ndamë eksperiencën e filmit, skenari krijon ndjesinë e ecjes në një rrugë ku zifti i trashë ka shkrirë prej nxehtësisë. Dhe, ajo tha edhe: dikur. Që na çon dikur, kur shtresat e trasha të ziftit të kujtonin vullkanin me flluskat e tyre të qeta. Unë kam djegur duart në to.
Pse njësia e filmit i mbetet besnike tërësisë? Dhe nëse po, pse është aty një racionalitet i gjithandejshëm që i dobëson aftësitë depërtuese të veprës?
Më duhet edhe një herë ta tregoj se pranoj se secila prej tematikave është domethënëse dhe fotografia është e bukur ndoshta dhe muzika,(tani nuk jam shumë i sgurtë nëse e mbaj mend, por kompozitori i saj ish rumun.)
Por unë mendoj se protagonisti mbetet i paplotë me përkorësinë e tij të urtë. Të gjitha dallgët e tij janë te bregu ranor. Mik i fëmijëve dhe kujdestar i dhive, por i thyer në një traumë dashurie m’u mbi kurdhën e vullnetit atëror.
Ai jeton në territore kufitare të shëndetit mendor. Disi i izoluar. Dhe i lidhur fort meautoritetin e babës. E prap kaq i qetë, e në paqe me skenografinë, me gjithçka. Problemet rreth tij qetësohen.
Në mes të një furtune zhvillimesh fetare në vend. Kur socialistët, bijtë e atyre që e shkulën me sakrifica besimin e tëpërt fetar prej gjirit të njeriut shqiptar, mbretërojnë kohën e një bumi fetar. Kur besimtarët myslimanë lenë xhamitë private të lagjeve dhe vijnë e falin bajramin në sheshin Skënderbe, m’u para kampionit të katoliçizmës. Me mijëra sosh. Sa për një protestë madhështore. Ose një referendum. Gjithësesi një deklaratë e gjatë sa një lutje.
Për një revistë kinematografike europiano-lindore zoti Budina kish treguar se besimtarë myslimanë nga Kosova fqinje ishin ngjitur në fshat dhe i kishin kërkuar ta linte punën pse besonin që ajo e dëmtonte islamin, (por, falë zotit, banorët vendas ia kishin dalë t’i mbronin.)
Në mes të këtyre zhvillimeve, artistin e tërheq e bukura, e mira. Ajo ikonë, që tregon historinë e një muri suvatuar shumë herë, gjen vend. Edhe myslimanët dhe katolikët e gjejnë të përbashktën. Edhe vëllai, që kish qenë greqishtëzuar ortodoksisht, e bëri një vend në shpi të babës. Edhe motra me besimin në rrënjët e islamit bëri pak vend në oborr të babës.
Gjithçka vendosur në një fotografi të mirë të një pejsazhi të mrekullueshëm. Marius Panduru kish qenë drejtori i fotografisë, a si i thojkën inglisht, kinematografit. Dhe një meritë e madhe për vlerat e filmit i shkon atij.
Por, ne, e mira sikur nuk na englendis aq fort. Sidomos kur nuk ka me qeshë, veçse pak.
Megjithëse në krye të protestës për mbrojtjen e ndërtesës së teatrit kombëtar prej shumë muajsh, Budina pak ka lejuar nga rebeli i brendshëm të ngatërrohet me filmin, e si rezultat filmi mbetet i tërhequr, nga largësia e zakonshme, me teknikën e duhur. Lëmshet në gjirin socialin shmblidhen e mbli.dhen nga pak. Me ritmin trokaik trokotrok, lento, ma no tropo, në blu të bolltë. Megjithëse, ndoshta, i mirëpozicionuar ndër shoq.