“Marta” ishte pjesa e dytë e Erand Sojlit në tematikën e jetës pas rëndesës shtypëse të totalitarizmit shqiptaro-komunist. Kjo rëndesë është përzjerë nëpër marrëdhënien familjare dhe mbijeton rënien e regjimit për të vazhduar si inerci e një rrokullisje dyzet vjeçare. Tek “Radio Iliria,” pjesa e parë e kësaj vazhde, kishte dramën e një të përndjekuri, që si hije e ndjek vazhdimin e jetës së vet që u ndërpre prej përndjekjes, ndërsa Marta mbetet në jetën e vet dhe mbetet ta vuajë atë, të pandërprerë.
Tematika e përndjekjes vazhdon të mbetet intriguese ndër ne, meqenëse shfrytëzimi i saj për narrativa teatrore mbetet i pakët (si për shumë tematika të tjera, jam dakort) dhe një diskutim shoqëror mbi këtë pjesë të së kaluarës sonë të përbashkët vazhdon të jetë relevant në kontekste politike e më gjerë. Ngjarja fillon në ditën e vdekjes, ose ditën e dytë pas vdekjes të komandantit ushtarak, hetuesit a udhëheqësit lokal të partisë që kishte bërë të vetën personazhin tonë kryesor, Martën. Ashtu si edhe tek Radio Iliria mekanizmi është i njëjtë: Mbërrin liria tek njeriu i shkatërruar prej përndjekjes diktatoriale dhe e gjen, sic edhe pritej, të shkatërruar. E kaluara është aty për të tentuar një rilidhje me të sotmen, po pastaj kuptohet se ajo është veç një barrë që duhet hequr qafe shpejt, sa pa u bërë një sëmundje e rëndë e shëndetit mendor. Dhe përpëlitja e dallëdia është pjesa. Pjesa nis si epilog i një martese të palumtur, pa fëmijë e pa dashuri. Reale. Përflitet pak hipokrizia e marrëdhenies njerëzore të ditëve tona. Denoncohet shpëtimtari i keq, autoritar e ndoshta ca dashamirës. Pastaj ndërgjegjësimi për lirinë që është fituar dhe ja ku mbërrin e kaluara. Marta mban, në shtëpi, në dy fuçi të mëdha, nga ato metaliket, veten e re dhe të dashurin, që ajo pati braktisur kur ky i dënuar me burg desh e mori me vete edhe atë, të vëllezërit, e ndoshta gjithë fisin e saj. Pse janë në fuçi të mëdha metalike, në fundin e dhomës së vet të ndenjes, nuk do ta merrnim vesh deri në fundin e shfaqjes, por përdorimi skenik i fuçive duket i qartë. Aty del tym dhe vetja e re dhe i dashurin ikin e vinë. Një vend i fshehtë. Fuçi ka pas edhe Diogjeni edhe Hakëlbërri Fini. Ashtu si tek “Radio Iliria” pjesa përpiqet të sjellë një kuadër sa më të plotë të përndjekjes. Faji politik i Martës duket se është vetëm dashuria për Markun, ajo kalon ca kohë në burg ku bëhet objekt i abuzimit seksual i kujt pati mundësi aty brenda, pastaj ky hetuesi që vdiq në fillim vendos ta marrë për grua. Ajo nuk pranon fillimisht, por mes të tjerëve vjen edhe baba që i tregon se qëndresa e saj do të dëmtojë edhe shumë të tjerë. E dikur ajo jepet. Vetja e re nuk e ka falur kurrë këtë tradhëti. Sapo del prej fuçie ajo ikën prej shtëpie. Por realiteti i ri i shoqërisë sonë sot e kthejnë në shtëpinë ku ajo dhe Marta duhet të luftojnë për dashurinëkujtim, për të dashurin që ka dalë prej fuçie dhe si prej një gjumi letargjik dhe nuk di hiç për asgjë. Dashuria e secilës me Markun, rivaliteti i veteve, kujtimi i përndjekjeve, vdekja e foshnjës që sapo lindi, njëfarë idili me erërat e këqija të kujtimeve të këqija dhe parfumet mendjengushëlluese (që na i mundësuan edhe ne falë bujarisë së vetes së re) që na sjellin në kohën tonë edhe kur jemi në kohë të tjera, janë pjesa. Ashtu si dhe në pjesë të tjera të kësaj qasje, ku arrihet një intensitet i lartë emocional që në fillim e pastaj ruhet një njëjtrajtësi në lartësi, është e nevojshme që të ketë një furnizim të madh me elementë e gjetje që dëfrejnë a intrigojnë, pamorçe a tingullisht. Këtu teksti me misionin e vet për një dëshmim historik shtyn në ngut dhe zhytja në risi nuk bëhet si duhet. Ndarja në copa që duhet të përcjellin dijeninë për fate që i kanë ndodhur shumëve vështirëson ruajtjen e interesit për vetë ngjarjen duke rritur ndjesinë e kohës, ndërkohë që, megjithë tundimin, regjia e pjesës nuk tenton ndonjë çuditje. Edhe replikimi i strukturës së pjesës së mëparshme edhe zgjedhja e personazheve e ndodhive ftojnë në familjaritet. Sidomos për interesantet çupka të dashuruara dhe pak shtatzëna që sapo bëhen nëna që fati i përcëllon me të keq dhe ndjeshmëri të lartë ndaj aromave. Vallë është miqësia me autorët që i nxit këta të fundit ti kenë këto të parat shpesh në qendër të vëmendjes? Apo është edhe fakti se ato janë objekt lakmimi për ushtarët dhe hetuesit ndaj më shpesh rrëfejnë për pushtet. (Dhe nga shokë të tjerë fundja, se shoqëritë e dominuara prej virilitetesh mashkullore i kanë këto pabarazi.) E stolisur me një Yllka Mujo në një rol që i shkon, shfaqja kompenson marrëdhënien e ngushtë që mban me pjesën paraprirëse apo tematika të popullarizuara. Përfshirja e saj në përcjelljen e emocionit në një numër rastesh i dha pjesës një mbrojtje prej gojës së ligë. Kastriot Shehi dhe Eglantina Cenomeri përkrah Mujos janë treshja që vërtit muhabetet. Mujo dhe Shehi veç vetes janë edhe të tjerë. Ajo gardiane e mamí e ai babë, shitës parfumesh, mjek e ndonjë tjetër, nga unë i pafiksuar. Shehi një figurë e panjohur për mua, por i çlirët në skenë dhe i arsyeshëm në tentime.
0 Comments
Opera për tre grosh prej Vaslav Havelit. Një pjesë që mos me të shku mendja që nuk e ka shkrujt ndonjë neoviktorian angloamerikan për kriminalitetin londinez. Havel çeku po bënte një parodi për si rrugaçë kapitalistë shfaqeshin në realitetin dramatik? Çfarë ka dashur Haveli të thotë me këtë? Pse u përzi Haveli ky dizident me një ndodhi me karakter kapitalist ku dy sipërmarrës londinezë në krim rivalizojnë për kontroll në fillim të shekullit 20-të, ndoshta dhe 18-të, por ç’rëndësi ka? Pikërisht kjo lirshmëri e të qenit tjetërkohë e tjetërkah ja jep dyshimngjalljen e nevojshme?
A duhet të hulumtojmë neve nëpër internet për të gjetur fillet politiko eksperimentore që e lidhin dramaturgun në fjalë me këtë rrethanë në aksh vënd?Mos vallë ai mendon se kjo metaforë gjithësesi ja vlen çdo situate të betejës për pushtet kriminal mbi shoqërinë? Si ta përcjelli regjizori këtë? Në fillim një kriminel në detyrë. Një njeri jashtë personazhit të vet kriminal dhe gruaja e tij. Ky krimineli ka bijën e vet, që ngarkuar nga i ati për tu përfshirë në një marrëdhënie me kryetarin e grupit kriminal rival, bie në dashuri me të. Dhe pastaj direkt e ky kryetari i grupit tjetër vjen si një guru i praktikës së joshjes për dy ndihmësit e vet, që rrinë me gishtin tek këmbëza e pistoletave të shumta që kanë nëpër brez. Pastaj kronologjikisht gjithçka u bë më e errët prej ikjes së dritave. Dhe pastaj vazhdoi leksioni mbi mënyrën se si të jesh i sukseshëm me çupkat sa më shumë që të jetë e mundur e të nxjerrësh gjithë përfitimet e mundshme pa ju trembur rreziqeve. Dhe se si nuk ke nevojë të jeshë shumë i bukur për ta bërë këtë. Dhe në rrëfim e sipër një femër e bukur joshur prej policisë e josh këtë vetë në një parapërdhunim dhe e ngec brenda në burg. Dhe kjo situatë përsëritet. Ka edhe një bordello të qytetit ku shkon gjithë banda e dytë. Dhe një vjedhës, xhepist, besnik e idealist në ekstrem. Policia në përfundim shtrin kontrollin e vet mbi të gjithë. Një komedi. Një koment? Nën drejtimin e regjizorit Mehmet Xhelili pëparon drejt nesh ky bllok. ShfaqjaNë fillim një parodi, pastaj një stend up komedi mbi seksualitetin e një kohe të caktuar që është pak a shumë si kjo e jona, pastaj një arrestim, një ekzekutim, një negocim, një riarrestim, një varje, gjithçka me pak eros para dhe mbrapa në kohë, dhe kaq? Jo, ka akoma. Janë dy bashkëshortet dhe dy bashkëshortet e vogla që në fund të fundit i endin fijet që tëhiqen e lëshohen. Dhe një bordell patjetër me kujdestaren e vet gazetareske dhe çupkat. Pra pasuria është e madhe. Siç i thonë në gjuhën teatrore ‘milet i madh’. Tre çifte (njëri poligam,) gjashtshtatë policë, tre prostituta, dy gangstera dhe një hajdut dy bija fluturake, kujdestarja e bordellos, nja dy punëtore seksi, inventar xhepash dhe plot. Posi posi. Pasuria qenkërkësh shumë e madhe. Edhe trupa e Teatrit Kombëtar qenkërkësh angazhuar masivisht. Erosi u ndoq me guxim dhe bollëk si në botë të ideve si në sipërfaqe për lakmim. Humori me rrezikun e vet për t’kaluar nga rruga e vjetër, gjithsesi i pranishëm. Dhe thrilli u vol deri tek arsyetimet e detajuara të kryepolicit. Një qokë e endur me kujdes. Po pse vallë një famijaritet i bezdisshëm lind? Profesionalë dhe me dëshirë, por vazhdim i një tradite të gjatë në përzgjedhjet e tematikave dhe qasjeve në Teatër Kombëtar. Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami qenkërkën personazhet e dorës së parë. Krimineli që ka dhe seksualitetin në njërin krah dhe rrezikshmërinë djaloshare, Derhemi, është disi më i parë ndër të barabartë. Krimineli i zhytur në përkorësi moshe dhe intelektualizmi, Trebicka. Polici babaxhanokriminal i ftohtë e llogaritar, Lami. Hiq përkorësinë e Trebickës, që mu duk një ngjyrim delikat e lezetshëm, që nuk ja kisha parë më herët, gjithçka tjetër është një ecje në trase të shtruar. Personazhet realizohen, detyrat adresohen. Por, punë punë punë. Aktorët kanë mundësi të jenë korrektë por pa mundësi për ti shtuar fjalorit teatror shqiptar ndonjë mall. Një pjesë që nuk përzihet fort në interpretime të veprës dhe pastaj ndërtime mbi atë interpretim. Koha dhe vendi janë ato që ka thënë autori. Kostumet punojnë për këtë (ushtarët kanë ca si uniforma të ushtrisë austrohungareze të luftës së parë botërore, por atomatikët janë nga ato të gjermanit të luftës së dytë botërore.) (Makiazhi me një tendencë të papërmbushur për tejkalim përfundon me një deklaratë në shërbim të humorit dhe fshihet.) Ndriçimi i prapambetur i TK-së nuk ndihmon hiç. Skenografia ka në mes një si fortifikatë, burg, me bedena, dhe shteg gjërpërues ngjitësozbritës, me dy dalje. Herë bordell e herë burg, stacion policie e shtëpi kryepolici. Dakort me disa plane për veprim e mundësi për nënndarje të skenës por jo fort novatore. Palëvizshmëria e skenës ngjesh akoma më shumë atë milet që popullon aty dhe i struk mësymjet e Derhemit mbi çupka edhe vajzat e bordellos mezi tentojnë dominimin e gjithë asaj skene. Përpjekja e regjizorit për ti krijuar ca hapsirë figuratives që kulmon me varjen e Lulzim Zeqës në litar në lartësitë e djathta, mbetet e kufizuar. Në tërësi pjesa shkakton ca lodhje. Regjizori Xhelili nuk ka dashur të rrezikojë fort ndaj mbresa nuk është e thellë. Fakti që pjesa qenka komedi vjen shpërndarë nëpër pjesëza të skenave. Nuk ka ndonjë një frymë gazmore që të ndjehet. Me tre krasistje pjesa bëhet dramë dhe me dy të tjera kushërirë tragjedie. |
Categories
All
Archives
May 2023
|