Ja kështu. Ngecur në pezullti vape opozita nuk i leh më hënës po kafshin bishtin për pleshta dhe qeverisja dremit e lëpihet e kafshon përzemërsisht shpatullën tjetër.
Edhe Rama e la fushatën elektorale, teknikën e tij të preferuar qeverisëse, dhe ushtrimin tjetër të preferuar: gjeopolitikën para pasqyrës, me drita të ulura, po jo shumë,’ dhe po pushon. Promovon turizëm. Prosperitet.
Ndërkohë, qeverisja po shkon relativisht mirë. Veç turizmit që furnizon me imazhe fotozhenike asnjë krizë madhore nuk buçet. Dashuria e Topit makiazhon sa mundet siluetën dhe kanalet e tjera nuk bëjnë dot aq zhurmë sa duhet.
Ish-krahu i djathtë i njëshit, vëllai i tij me emër Nr. N+1, sërish duhet prerë. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj përgatitet për gjykim pasi afera që nuk la njeri pa përlyer, atë e paska përlyer më shumë. Pasi bashkëpunëtorja e ngushtë e Ahmetajt u gjet me mijëra e qindra mijëra e më shumë euro nëpër zgëqet e tempullit familjar, që kulloi disa qindra mijëra të tjera deri te pastruesja e saj, e që pastaj u fol për hotele e jo për këtë e jo për atë e andej e këndej e një listë e stërgjatë me emra nga media qeveria e opozita e shoqnia civilushe e tërrci e vërrci. Vetë Lali Eri ndoshta e ka ngecuar gjuhën nëpër dokumenta të mbyllur nëpër dollapë, me çelës.
Si për dreq, vapa dalldisi edhe familjarët e një deputeti të lartë të socialistëve heroikë. Kjo parti, që gjithnjë e më qartë e zbulon idin e vet disi devijant, u plagos kur familjarët e deputetit Rrrahman Rraja u lëshuan të armatosur e të tërbuar në një bar për të rrahur vëndshe nja dy a tre viktima të gurores që deputeti me vllazni zotëron. Nga këtu sesi u arrit e mor vesh që komisariati i Krujës paska kohë që merr denoncime për dhunë e frikë e rrezik e nuk lëviz fare. Një herë ca kohë më herët njëri nga këta Rrajat pati dalë para medias pse pati dhunu një vajzë, por pastaj e bindi vajzën që ta bindte policin se dhuna që ajo kish përjetuar kish qenë një vanepsje nëpër vapë që asaj i kishte ardhur ngaqë kishte fjetur vonë një natë më përpara. Ministri i punëve të përmrenshme u hoq dhe në vend të tij kemi një ministër që i njeh mirë Rrajat pse kishte qenë vetë ky që e kishte pyetur atë gocën se në çfarë ore kishte fjetur një natë më përpara dhe i pati zbulu rrezikun që vjen prej fjetjes aq vonë. (Kjo është një garanci që çunat e Krujës nuk do ta rrëzojnë qeverinë Rama në një skenar që e frymëzon Berisha me kujtimin se një herë vakti shpallte se me çunat e mamurrasit qeverinë e Nanos e kalonte në egzil).
Pikërisht kur mileti englendisej në këto ndodhira del një parcelë e voçkël bari nga ai që trallis mend mu në një repart ushtarak diku nëpër Shqipëri të mesme. Lopa e komandantit kishte ngrënë 12 kallinj mariuane dhe ky rreshteri faqezi që kishte gjetë një parcelë bosh te reparti diku atje pas hurmave ishte inatos dhe kishte shku te komandanti dhe i kishte thënë “o të qifsha lopën,” ky komandanti pastaj e kishte marr ters dhe për ta heq qafe e kishte lajmëru policinë, e mqenëse një shoqe e kunatës punon te televizioni i kishte thënë edhe asaj, se ndoshta kishte shokë që i duhej ndonjë lajm atë ditë dhe e morëm vesh edhe ne.
Pikërisht kur erdhi koha për të korrur, ky lopqimi lajmëron policin. Shyqyr që nuk e mbajmë mend se kë kemi ministër mbrojtje se do ta kishim kritikuar keqazi.
Ndërkohë që upuzita ka lajme. I pahequri e i pavëni Lulzim Basha u rizgjodh në krye të PD-së që ka vulë e seli e pak parti.
Berisha, berisha!!!
Por ka edhe të reja prej kyltyrës.
Një artikull shkencor botuar në revistën ‘Science’ e gjen shqipen e sotme vazhdë ndër tre gjuhët e para që kanë i shërbyer popujve të merren vesh e të bajnë përpara. Por ky gëzim presitigjoz nuk gjeneron harenëe e duhur pse një limontie ndëretnore përzier me entuziastë të metodave të shkencave natyrore në distilim rekrutuesi patriotik që edhe amplifikohen ndër mjete moderne të tjerrjes urbane vendore.
Edhe gjetja kaq interesante në Lin pak u lejua të kremtohej e nuk është shpallur ende një destinacion turistik që thërret vizitorë nga gjithë bota e i mban në tryeza peshku e vere ku debatohet gjetja e një vendbanimi kaq të lashtë sa nuk ka shoq mu këtu ku mbarojnë gjymtyrët e Mesdheut. Buzë një liqeni që plot hijeshi i shkon kodrës përqark e ngre një vend të tërë ku shpirtrat e gjyshërve na tregojnë përralla me mister që duhet ti ruajmë të fshehta nën të njëjtët gurë.
Por vendit ja zënë grykën dëshira të pahijshme njerëzish pak të njohur.
Ja për shembull, njëfarë teqje, një vend i shenjtë i ndjekësve të Haxhi Bektashit, që e hidhte një këmbë në Sarisalltik e një në Tomorr, mu aty mbas operës e baletit, ku i bie Moxarti fyellit të tij magjik, do lerë vendin, se ngrejnë përpjetë në hava një kullë që do ta grisi qiellin mu aty ku qielli kishte deriçkën për pasuesit e Bektashit prej Persisë së poshtme.
Por blesfemitë nuk mbarojnë me kaq. Rama mu në mes të Podgoricës, a Ulqinit, a diku në tokat që i kan zaptu shkijet në Dalmacinë e jugut, që mbjell përmallim, na thotë emrin e Oso Kukës si me shpoti.
Oso Kukoviç na e thërret heroin e Lahutës së Malcisë, trimin shqiptar që me gjak të vet e të bijve e të nipave e mbrojti tokën që e kishte bashkë me ne, e na ruajti nga prishja e turpnimi prej hasmit. Rama ky zog i lirisë që e gëzojmë edhe sot e tha kte batutë tek mundohej të shtensiononte situatën që vlonte në Veriun e Kosovës. Rama nuk i njohu zgjedhjet e veriut të Kosovës ku kandidatë shqiptarë me shumica jodomethënëse votash u zgjodhën kryetarë e u mbyllën brenda ndërtesave të bashkisë të rrethuara me protestuasë serbë që në atë dalldi që i zuri i bënë për spital ca dhjetëra ushtarë të Natõõ-së e policë kosovarë.
E Rama nga sikleti nuk takoi, si e patën lanë fjalën, qeverinë e Kosovës, e atëherë Albin Kurti nuk e priti Raman kur ky po ftonte miqasin ballkanase për një takim me Europianë në Tiranë. E Rama prej Prishtine fill e në Podgoricë e ti tregojë ksaj shkinës se pse nuk e pat taku Albini na i thotë Oso Kukës, që nana e pat rrit trim e të gjallë, Oso Kukoviç. "A keni edhe ju ktej ndonji Oso Kukoviç?,"- i thotë kësaj ky Për me e ftillue për sjellje të Kurtit dhe kryetarëve shqiptarë të bashkive me shumicë serbe.
E ky muhabeti i Kosovës, do ma i gjatë, vazhdon, por diqysh aty osht ku ka qenë gjithmonë.
Pastaj në një mënyrë disi të paqartë e të artikuluar si brendësi të një reagimi, reagim ndaj rrëmbimit të policëve kosovarë u zhbë iniciativa e Ballkanit të hapur. Rama me nismën e Ballkanit të hapur ka pozicionuar disi shtetin shqiptar, që gjithnjë ka pas fytyrën e udhëhqësit, e përtej fytyrës nuk ka shumë.
Po mos kishte pru Bill Klintonin për të kulluar diamante pjekurie në sheshin para kryeministrisë e gjithë kjo ndodhi nuk do meritonte ma shumë në ditë të gjykimit.
Ohhhh! Kur do fillojë fushata se po më pushon zemra.