Shqiptarët e Shqipërisë më herët në mënyrë të përsëritur kanë tentuar eksode me të tilla pamje si këto të këtyre netëve. Rënia e regjimit komunist, me tre valët e veta të eksodit, sjell vërshimin e atyre, që të lodhur nën mundim e mungesë shprese, ikin sapo ikja duket e mundur.
Ikja shqiptare mendoj se ruajti njëfarë normaliteti. Varfëri e tejzgjatur, izolim i tejzgjatur, ndrydhje e tejzgjatur, ekonomi pa ofertë për punësimin. Politika ndoqi stilin e terapisë së ‘shokut’, në kuptimin e hutimit që shkakton aksioni i rrafshimit ekonomik industrial të vendit për një rifillim të shëndetshëm nën diktatin e unit personal. Keqmenaxhim i decentralizuar me dëme të përmbajtura. Pyje e kshu gjanash që rinovohen për 30 vjet. Ndonji minierë, por asgjë humbja e së cilës të konsiderohet kaq e madhe për shoqërinë (përvec vetë shoqërisë.) Rrugacët ishin që përpara. Që përpara ishin edhe pranimi i autoritetit qeverisës nëpër shembuj absolutizmi dhe praktika e msymjes klanore. Do iki robi se një jetë ka.
Pastaj 97-ta. Një aksion largimi nën kushte më akute. Rrezikimi i jetës në një shtet të mposhtur prej rrugacësh dhe skemash piramidale, solli braktisje të vendit ne shkall deri diku masive, e vrullshme dhe me emocione të larta.
Pastaj edhe kriza të tjera politike kanë pasur kovergim me rritje të emigracionit.
Pra kuptimi i situatës kosovare mund të shfrytëzojë modelin e dy llojeve të ikjeve, që përfitohet prej vëzhgimesh të zhvillimit në Shqipëri. (1)Emigracion masiv i shtrirë në kohë, i padukshëm në publik, përvecse prej bollëkut të diturive personale, dhe me emocione të përmbajtura dhe (2) emigracion masiv, i vrullshëm, emocional e mediatik nxitur prej ngjarjes gjëmore.
Kosova ka njohur ritme të larta emigrimi, të këtij modelit të parë, prej shumë kohe. Kjo nga njëra anë krijuar një urë për të vazhduar lëvizjen emigruese, e nga ana tjetër ka ndihmuar që lëvizja megjithëse e lartë të ishte e përthithur prej normalitetit publik.
Ikjet e fundit kanë karakter që deri më tani nuk ka qenë i pranishëm. Ato janë të llojit të dytë, llojit që ka nevojë për një situatë shkaktare më imediate, një gjëmë, sic kishte qenë 97-ta në Shqipëri.
Çfarë ka ndodhur? Mos vallë, qeveria e re dhe protesta kundër ndalesave në shtetëzim të Trepcës dhe provokim të Jabllanovicit, apo …?
Qeveria e re. Cfarë ka qeveria e re? Asnji mut. LDK dhe PDK sërish në qeverisje. Dy partitë e mëdha. Klane të mëdha, rrjete shpërndarje. Centralizim të mjaftueshëm. LDK në prag të dekompozimit, mbijeton. PDK e anemuar prej situatës dhe qeverisjes së vet merr pak kohë për të tretur vaktin dhe për tu rimodelu për qeverisje rrethanash të reja.
Pas gjashtë muajsh pa qeveri dhe disa dhjetra muajsh me keqqeveri, keqqeverisja nuk ka pse të jetë nxitës për një ngut emigrimi. Nuk jemi në dijeni të ndonjë njohurie të fituar së fundi mbi situatën e dëshpëruar ekonomike të vendit, apo jo? Rrokullsija teposhtë e ekonomisë kosovare vazhdon e pashqetësuar prej një kohe të gjatë tashmë.
Paaftësia me qeverisë është identifiku prej faktorit ndërkombëtar që mban aty goxha struktura që harxhojnë gjithë ato pare për kontribute modeste. Edhe normale është që pa një traditë institucionale, pa një komunitet të edukuar në vazhdimësi për këtë qëllim të ketë rrëshkitje. Shqipëria komuniste kishte nisur kalimin e stafetës në qeverisje prej baballarëve tek bijtë në prag të rënies së komunizmit dhe, prap se prap, pas ndërrimit u bë komplet lëmsh e mezi po mbahet gryksia e robit edhe sot, imagjino Kosovën ku stafeta e qeverisjes ishte vecse një shkarpë e ndezur prej serbit e hedhur mbi cati që ta djegi shtëpinë.
Protestat. Protestat trembën? Një grup jo maxhoritar proteston shumë fort? Hiqet ministri serb në protesta, nuhatet si një përcues më efektiv mesazhesh që mund të zbatohet më me tëpëri në të ardhmen? Vetëvendosja? Destabilitet?
Vetvendosja me pranimet paraelektorale të zgjedhjeve të fundit qartësisht ka zbutur karakterin e vet revolucionar. (Lëre pastaj përpjekjet për koalicion me LDK, AAK dhe Nismën se çfarë treguesi janë.) Kompaktësia e organizatës është qartësisht e mpakur dhe mendoj se më shumë se një ‘lëvizje’ tashmë kemi një ‘parti’, që nga ana e vet nënkupton lloj lloj lëvizjesh në lloj lloj drejtimi. Protestat vërtetë ishin të ndezura e pati gurë, por për tu shpallur anormalitet në Kosovë, Vetvendosja e ka rrugën shumë të gjatë. Dhe nuk po shkon andej hic.
Trepca është një aset shumë i madh që ngre peshë kaq rrënjësisht? A shënon humbja e Trebcës një situatë kaq tragjikisht të përkeqësuar për Kosovën? Kontributi i saj në ekonominë e deritanishme të vendit ka qenë kaq i rëndësishëm sa vonesa në përcjelljen e projektligjit që e shtetëzon alarmon qytetarin e thjeshtë dhe e bën të marri arratinë?
Gërrneta qeveritare përflasin grupe mafjozësh që artificialisht rrisin panikun dhe nxjerrin miliona; mediat mund të kenë nxitur një efekt ‘ortek’, që nënkupton rritje të masës teksa përparon; zbulimi dhe popullarizimi i një kanali për të ik që mban masivitet, si ky i kufirit hungarez mund të jetë një tjetër shkak. Por nuk po bindemi "pse tani?"megjithë angazhimin e numrit të madh të analistëve që po i hyjnë këtij problemi. Një teori konspirative bindëse akoma nuk na ka mbërrit. Deri atëherë ky mbetet anormalitet.