Për njerëz që politika u pëlqen kryesisht brenda partiake, si puna ime, vetëm tani ka pak interes.
Në dy fjalë për metodologjinë e shkrimit duhet të them se unë e konsideroj veten si mbledhës i tingujve më të fundit që depërtojnë guvën e thellë. Ca si dridhje të gjata bashtingëlloresh që kanë humbur mesazhet për të cilat u krijuan. Unë mendoj se ato mund të jenë me interes. Në njëfarë lloj recete për përgatitje etydesh letraro politike ofrohet: ‘politika shqiptare në errësirë.’ Në vitin, e thellë e të harruar, të kaluar.
Si fillim, përshëndesim vllezërit nga Kosova. Dhe më afër oxhakut, thojnë zgjedhjet e fundit, duhet me u ul shoku Albin, si kryetar i i Vetvendosjes, lëvizjes me ma së shumti vota e për ma tepër me zhvillime brenda partiake. Këtu, ca heronj që jo shumë më herët, bashkë me njëri tjetrin bllokuan kuvendimin nëpër parlament me lotsjellës, gjuajtën me antitank, e mbajnë një lëvizje që si rrallë kush ka të rinjë të përkushtuar që nuk druhen të bëhen dëshmorë e që me vetdije i kundërvihen dhunës së legjitimuar e me siguri edhe të palegjitimuar. Por, kandidat-martirët lejnë grupin, për dominancë të tepërt të komandantit fuqiplotë, që e mbush kupën e nektarit direkt e te masa.
Një tentativë për marrje të lidershipit, në kushtet e pabarazisë përmasore prej individësh që shpresonin të bënin një grup e që si grup të peshonin diçka diku. Por shiko pak si rrodhi ngjarja:
Një drejtuese e lartë e fort domethënëse e Vetvendosjes me emrin Aida Dërguti, një e përkushtuar prej shumë kohësh, në një komunikim intim shfaq mospëlqim, ma së paku, për liderin e partisë.
I tha ‘mut’ shokut Albin, në një mesazh që paskësh qenë për një rreth njerëzish që ajo ndoshta nuk e dinte që e merrte mesazhin. Dhe pastaj në vend që të izolohet shoqja e të ftohet në autokritikë, një grup ekzpozohet aty edhe thojnë: ne po ikim fare. Kryetar, nënkryetar, sekretari i përgjitshëm a organizativ, deputetë e figura publike tërhiqen prej funksioneve në organizatën vetvendosje.
Natyrshëm pritej që radikaliteti i përcjellë kahmoti nga këta shokë do të shoqërohej me një këmbëngulje më të madhe, se luftëtarë të ngjashëm, për bindje të vetat, do ta kishin ftuar për darkë Albinin dhe do ta kishin gjuajtur si të ishte ndonjë albino i Afrikës që ka humbur rrugën në një lagje të keqe nëpër Tanzaninë[1] e largët, por jo.
Grupi që mori pjesë në formatimin e organizatës u ndje jashtëzakonisht i fyer prej gjuhës vulgare dhe ofensive prej individësh që aderojnë në lëvizje dhe ndoshta i interpretojnë shenjat me zell të tepërt. Presioni publik brenda organizatës, kryesisht në facebook, i lëndoi këta shpirtra të çiltër dhe ikën. Një parti aktivistësh që zgjedhjet e fundit kishte çel portat për lloj lloj t’kultìvumi vetëm e vetëm me kuru imazhin e vet qeverisës, humbet gjithë lidershipin në fillim të legjislaturës?
Në një kohë që një parti alternative nuk është fort shpresëdhënëse dhe kur nga leverdia politike e donte që kryetari ti kishte kalu nja dy tre muaj rehat në një qeli me nxemje, ku me lexu ndonjë libër e mbledh simpati për partinë që ti ketë për zgjedhjet e ardhshme, mëtonjësit shthuren. Në vend se me u mshehë dikah e me negociu pamundësimin e pjesmarrjes së shokut Albin në zgjedhjet e ardhshme të partisë, e me i shkaktuar dëme të karakterit aparatçik, na dalin e ekspozohen kot e m’kot nëpër natë me fjalën mut pa një lider, pa një mut, me shoqen Dërguti që dënonte veten nëpër ndonjë lot për pakujdesinë. Domosdo që baza i hodhi përtokë.
Ca, me siguri që pyesin se ku e gjen gjithë këtë fat shoku Albin? Kushedi?
Vetvendosja përmes pavarësisë në funksionim të njësive të vogla organizative që u mjafton një lider as nuk e rrujti fare për një tërmet organizativo-institucional, por zëvendësimi i rradhëve të lidershipit do të jetë një sfidë eksituese.
Kryetari i ri Kurti do duhet të zëvendësojë aq rradhë në lidershipin e partisë sa nuk kanë as vreshtat e Rahovecit. Megjithëse po flisnim për decentralizm atje te njësitë e vogla, qendra më shumë se kurrë ka vëmendjen e bazës. Të gjithë janë me sy nga lidershipi i ri dhe kjo e rrit vulnerabilitetin. Partia po ndryshon strukturë e natyrë. Nëse ndiqet me vëmendje disi tendencioze videoja e leximit të letrës së Albinit në mbledhjen e kryesisë mund të vihet re që masa e partisë mund të çohet lehtësisht në hutim, (gëzimi për faljen e shoqes Dërguti për shembull ishte tregues i humoreve fillhumbura brenda kryesisë, megjithëse nëpër ezofagjet e fryra kalonte plot ajër për thirrjet “Albin Albin.”)
Kjo ka rrezikun ta uli fortësinë e ndjenjës, megjithëse jo domosdoshmërishtë. Le ti zgjedhi vetë baza! Po kë?! Apo nuk është aq e rëndësishme. Këto muhabetet me shokun Shpend, që domosdo e pëlqen fluturimin tregojnë se situata nuk është fort optimiste.
Zoti Kurti si zakonisht ka përqark (a) teorikët e përzier me dinakë lozonjarë, (l) zelltarët fort energjikë që nuk e ndajnë mirë atdheun nga vetja, dhe (r) ambicjozët popullorë të nënpërgatitur në tekniko-teorikishten e lashtë dhe (B) njerëzit e aftë e të ndershëm. Duhet patjetër të zgjidhen këta të fundit! Të aftët e të ndershmit e tjerë nuk e marrin përsipër të udhëheqin. Por e mira e do, të shtohet nga një masë edhe prej të tjerëve gjithashtu. Po baza e di vetë.
Prej zotit Kurti ëndërrojmë të nxjerrim një diktator. Një njeri që e kap shoqërinë prej rreckash dhe e shtyn forcë andej ka shpresohet të jetë përpara.
Ramushi ndërkohë po bëhet probatin me 742 konaqe nga ma të parat në gjithë Kosovën, kurse Hashimi nëpër botë përpiqet me qitë diçka për vete e për miqësinë. Kurse LDK ka kryetarin e me grip. Si zakonisht.
Por ngjarjet e vërteta ndodhin në mëmëdhen e afërt fare.
Duke mbetur gjithnjë në brendapartiaken e dashur, ku është e vetmja mundësi që të të gjejmë pak intrigë në këtë bajatí të ushtrimit të pushtetit kur je objekt (dhe pak subjekt) i ushtrimit të pushtetit, është hardhojmë sytë e të shikojmë në opozitë.
Në thellësitë e shpellës bashtingëlloret dridhjemadhe të bashkuara nuk mund të na flasin veçse për opozitën që zëmekur ja rrit peshën heshtjes së vet. Lulzim Basha nuk ka asgjë ku të kapet për të pluskuar dhe reforma në drejtësi duket se mund të ngecë edhe pa të, megjithëse ai nuk ka pse mos kontribuojë. Megjithëse filxhani sheh leverdi të papritura dhe diçka mund të përmbahet.
Ai e di.Në rinovim të lidershipit ai zgjodhi shumë ndryshim dhe pak kompromise me të dyshuarit për besnikë të tjetërkahut. Dhe domosdo i shtoi kostot për forcën politike ngordhalaqe që ish Partia Demokratike pas tërqjes së liderit Berishian, Sali Berishës, dhe zëvendësimit me shokun Basha që megjithëse ishte hisedar dinjitoz nuk mund ta pretendonte shumë seriozisht fronin ku qëndronte e qëndron deri sot.
Por ai tani është dikush. Basha bën pazar po ja desh nevoja, po ky Rama paska qenë armik. Si mor u lika opozita me vujt kaq keq për një copë lider? Shpresojmë që mos zbulohet se Rama ka ndonjë dobësi për Berishën.
Berisha doli prej thellësisë e tha se protestat e së shtunës do ti vejnë dërrmën këtij pushteti thëllësisht të inkriminuar dhe grykës që aman aman.
Bashkë me LSI-në, që vepron në diktatin e organizatores së përgjithshme, e të specializuar për njësi më pak të përgjithshme, zonjës Monika Kryemadhi, PD-ja ka për ta dridh të voglin në bark të nanës, të shtunën, që në mëngjes. Kaq herët në legjislaturë, prap, nuk na pëlqen, por edhe pak kohë duhet.
Pa një lider u mor vesh që nuk bëhet kjo punë. Më mirë një lider pa parti se një parti pa Lider. Po ku ta gjejmë.
E kuptove mor zoti Berisha që Argita Berisha duhet të kishte qenë nënkryetare e njësisë numër katër, Durrësit, Tiranës, dhe e gjithë Shqipërisë, që me kohë, dhe kur të ishte vakti, i gjthë polemi t’ja brohoriste emrin. Pse kot e kishin ata grekët nga tre katër breza kryetar partie? U bane ti, tropojan, me lanë sarajet ndër jabanxhij?
Shiko ku na çoi. Të kishte fut Argitën në parti, Berisha nuk kishte pas as nevojë me vjedh aq shumë. Dhe detyrën e kishte ba ma me qejf. Na mori në qafë të gjithëve me këtë modesti e komplekse.
Ku ta gjeshim ne një gocë si Argita, që është edhe goca e tij mbi të gjitha?
Imagjino ti tani. Mediu, ka dyshime për koalicionin, Dule nuk ka thënë ndonjë gjë. Çamt u bënë prap çamë. Çunat e Mamurrsit, që kishte Berisha për të marrë qeverinë shpejt e shpejt po ti tekej, kanë zbrit vetë në Pazar që dy zgjedhje përpara, megjithëse ndonjë petrit mund të ketë mbetur. LSI, radikali i diskretituar me ëndrra gjalla për llokma pushteti shtrohet në sofrën e koalicionit gati me forcë, pa u mbush akoma viti nga zgjedhjet e fundit.
Dhe duket se nga këto pozita rikthimi në qeverisje është largët dhe nuk jep njeri veresi. Si zakonisht.
Ndërkohë protesta e shtunës na duhet nevrastenike. Shumë nevrastenike. Po si? A do dali vetë Berisha në protestë? Shpresojmë që po. Edhe për Bashën po ashtu shpresojmë. Fjalimet e tyre me zjarr sikur na e freskojnë zjarrminë.
Ndërkohë qeverisja dihet. Qeverisja na pëlqen gjithmonë. Reforma është ilaç. Në drejtësi pastaj!?. Me lloj lloj ambasadori nëpër të.
Ekonomia avash avash, ajo dihet. Po edhe shpejt, ama. Pabarazia nuk ka pse adresohet këtë vit. Njëfarë ndryshimi mund të ndodhi diku. Turizmi mori një dorë. Bujqësia po bëhet gati për fazën e eksperimentimeve me karakter social, ndërkohë që ndryshime po synohen në arsim, sport. Qeverisja vendore e do ndonjë riparim të parë, se nuk lihen gjithë ai fshatar vetëm me komisarë televiziv, po edhe kjo punë pret.
Ndonjë lek do rrëshkasi diku, se përndryshe reforma në drejtësi ëshë e pamëshirshme, po me karar. Ose edhe kur teprohet dihet që bëhet fjalë thjeshtë për gabim.
Me grekun flitet në Korcë me ditë me rradhë, ministër me ministër. Kryeministri u taku edhe me serbët. U vra Oliver Ivanoviçi e një gomë makine nuk u dogj, askund. Dakort serbët ndër vete, po prap ca sinjale me tym ata duhet tja kishin nis qiellit, simbas rregullit Ata u tërhoqën prej negociatave në BE, dhe prap një gomë nuk e dogjën?! Po ja; janë marrë vesh njerëzit. Evropa më afër. Po s’na mori ne, qoftë edhe vetëm Serbët me marrë shumë mirë është. Ne presim.
Rusit i thamë që nuk e ulim kokën, megjithëse i lamë kohë ta kthejnë kokën nga ana tjetër.
[1] Albinot janë afrikanë që për shkak të mungesës së pigmentit në lëkurë kanë një pamje kaq të ndryshme sa kanë nxitur fantazitë e bashkëqyetarëve që i shohin të ndjellës fatkeqësishë, ndaj i shpesh i rrëmbejnë dhe i coptojnë, sepse në copa të vogla ndjellin fatin e mirë, dhe shamanët i përdorin për ilaç.