Dhe siç e do rasti pashë një ëndërr. Se ëndrra është interesante. Pashë sikur rrija varur në parvazin e pallatit ku jetoj dhe sikur prej resë së tymit të bardhë, që ngrihet nga ai parkimi i paasfaltuar në mes të bllokut të banimit ku banoj e që vesh me një tis të bardhë e jo aq të hollë pluhuri të gjitha mobiljet e apartamenteve përqark e që është karakteristika kryesore e atij ekosistemit jetëmbajtës, dolën ca njerëz. Ca njerëz me letra nëpër duar. Kur ja ra dhe dera ime. E hapa unë.
Kur, shiko ç’më tregojnë.
Reforma ndodhi. Prokuroria e qytetit kishte shpallur çeljen e procesit hetimor ndaj 97,000 banorëve të qytetit. Lloj lloj shkelje. Hedhje plehrash jo në vendin e caktuar, korrupsion, përdorim të pronës publike pa ndjeshmëritë kolektive korresponduese, shkelje të të drejtave të fëmijëve, të moshuarve, njerëzve në nevojë, etj, larmi e theksuar e jetës në vendin e punës, lejim ravijëzimi trajtash të theksuara problematike në larminë e përgjithshme të jetës, shqetësim me shikim me ngjyrim seksual i kalimtarëve tërësisht të panjohur ose pak të njohur, shqetësim me shikim pa ngjyrim. Shfrytëzim i aksesit në mediat sociale për çorientim të popullatës nga problemet reale të popullatës. Ndikim në devijim të financimeve publike përmes theksimit të problematikave me karakter personal në komunikime ndërpersonale të paorientuara ose me orientim të tjetërkahshëm. Pengim i legalizimit delegjitim akut procedurial. Zjarrvënie. Përjetim hipersensitiv i rrezikut shëndetësor nga trajtimi mjeksor joadekuat. Mos me ta marr mendja. Por unë shyqyr nuk isha mes tyre. Mua dhe teta Myzejenin na kishin thirrur për vullentarë të drejtësisë. Na kishin sjellë një krah dosje ti shikonim e të vendosnim si ti vente halli protagonistëve të ngjarjeve që tregoheshin. Se drejtësia tani do bëhej me juri. 17,000 banorë ishin thirrur të qenë anëtarë jurishë. Të gjithë me honorare. Për 5 ditë 72 dosje të dilte shpirti, por lavdia që të priste qenka sa e Halilit, vëllait të Mujit, që piu qumësht zanash dhe ngriti një gur të madh sa një gur shumë i madh dhe e hodhi andej matanë. Edhe pagesa ishte disi.
Unë u bëra gati të them jo, por ajo vajza që i mbante ato letrat që i kisha parë nga lartë prej shkallës dinte të ishte bindëse. Meqë nuk ishte një ëndërr tjetër dhe unë i thashë mirë. Ashtu i tha dhe teta Myzejeni, që banon te dera nga ana tjetër. Por teta Myzejeni nuk kishte syzet me numrin që i duheshin, ato që i kishte blerë te ura i kishte me një numër më të madh ose më të vogël dhe i jepnin një dhimbje koke të lehtë, prandaj u lodh shpejt.
Me një frymë plotësova pyetësorë për 34 raste. Firma që ishte kontraktu për të asistu prokurorinë e shtetit kishte detyrën e mbledhjes së opinioneve prej 2,300 të anketuarish për çdo çështje me karakter penal dhe 2,028 për ato me karakter civil.
Kur fap, ra prap dera. Këtë radhë jo në në ëndërr. Unë i turpëruar nga gjithë ajo befasi e lagështi nëpër turi vrapoj ta hap shumë i kuriozuar nëse vërtetë mund të vinte dikush për të marrë përgjigje për 72 dosjet për bashkëgjykim. Por jo, megjthëse prap ishte kolektivi. Do zgjidhnim kryetarin e përfaqësisë së hyrjes së pallatit që do punësojë administratorin që pastaj do kontribuojë si të jetë më e mira. Edhe hiç më pak se si në ëdërr unë u zgjodha kryetar. (Në fakt me pak parregullsi për shkak të ndonjë fqinji që mungonte dhe na e anemizonte kuorimin e nevojshëm, po fqinja e katit të katërt ishte gati të firmoste, vetëm se nuk zbriste dot për një situatë shëndetësore që e njohim.)
Dhe në ëndërr e realitet bashkë na ngrihen pyetje të vlerës që kolektiviteti i informuar aktiv ka për shoqërinë tonë këto ditë të nxehta, kur zjarrëvënës e zjarrfikës përzhiten shpateve të nxehta zjarrmbajtëse.
Vetë zoti kryeministër po i shqetëson ditët e veta, që duhen mbushur me det e diell, me takime me qytetarë gjithandej vendit. Një fushatë që ndonjëherë nëpër lumin social që rrjedh në virtualitet është etiketuar si populiste, e pasinqertë, e frymëzuar prej kujtimesh me fletrrufe, etikisht e pakonsoliduar dhe ndoshta pa radikalitetin e duhur.
Po pse po e bën zoti kryeministër këtë tur të gjatë e të mërzitshëm nëpër vapë për të mbledhur të dhëna që dihen, që mund të mblidheshin prej studentësh me një pyetësor në dorë, që mund të lexoheshin në shtypin e shkruar, tv, mbledhje me kandidatë, drejtues të partisë në rreth, punonjës të sektorit përkatës, raporte sektorialë ecurie, kafe me çunat ose mund të zbuloheshin me ndonjëfarë alogaritmi që shumëzon e pjeston mallkime e urime virtuale, etj.?
Mos vallë për mbledhje legjitimimi që mund të shfrytëzohet për konsolidimin e republikës së re të re? Apo mos vallë për një alibi që ta përdorë kur të ndodhi apokalipsi reformator administrativ sektorialo-territorial, Ky të thotë na vjen keq që po ju linçojmë vëllezër burokratë e të tjerë, por kjo është kërkesë plebishitare? Apo një tonifikim i partisë në kushtet e funksionimit me një opozite që e shkulën me rrënjë e do ta mbjellin te lulishtja e brendshme e Muzeut Kombëtar, e urinimi i trungut të së cilës do të jetë jashtëzakonisht i ndaluar? Apo krijim i një marrëdhënie politike që anashkalon organizatat e partisë në bazë dhe e lidh kryetarin me individin dhe kulti i ri do jetë gjithë shnet? Apo po ngjizet një frymë e re kolektivizimi ndër qytetarë shqiptarë që tani e shohin se fjala e tyre kërkohet e dëgjohet dhe lidershipi do ta shkrijë për të farkëtuar busullën e re të ndryshimit social që aman aman? Apo thjeshtë fushata elektorale që shkoi na pëlqeu aq shumë sa u krijua njëfarë varësie psikologjike si ato të drogërave që nuk ja kanë gjetur ilaçin akoma? Apo mos do kërkojë zgjedhje të parakohshme në emër të një partie tjetër që do ta krijojë pasnesër nga dreka? Apo largë qoftë do thotë tani që kam takuar kaq shumë prej jush u binda përfundimisht se jeni një pis milet dhe do iki në Australi si njëri, që këndon shumë bukur? Apo të gjitha bashkë? Apo e treta e katërta e gjysma e së parës?
Kjo nuk është fare e rëndësishme. Si zakonisht unë simpatizoj sipërmarrjet e qeverisë. Ky angazhim për të mbajtur gjallë aktivitetin politik vendor, megjithëse, tashmë, mund t’ja kishte lënë vendin verës e paramenaxhimit ekzekutiv, është i pëlqyeshëm.
Megjithëse, braktisi idera si ajo e angazhimit të pensionistëve për të mbajtur një sy hapur në jetën shoqërore që zhvillohet në ambjente të përbashkëta, zoti Rama kurrë nuk ka lënë idenë për përfshirje të kolektivit mos në vendimmarrje në mendimdhënie. Komunikimi i tij në media sociale, ku i jep xhevap lloj lloj qytetari, prania e tij në sheshe për shpërndarje çertifikatash legalizimi që para para fushatës, fushata, dhe tani aleanca me qytetarin, janë të gjithë përrenj që derdhin uj në të njëjtin lumë. Ky lumë do ta pastrojë detin.
Evropi na do. Turizmi mirë. Ndonjë lek andej këndej çoku po rrjedh. Kriza ndër evropianë do mbarojë. Greku po na fik zjarret. Serbi teston diskurse me marrje qëndrimi për Kosovën. Lulishtet po i rregullojmë prap. Shiu dikur do vijë gjithsesi. Mashallah. Të zejmë të tërë hundën me dorë.