Blushi, tani, i bashkon këtyre temave edhe vizitën e sëkëlldisur të At Erdoganit dhe bën qepaze të ngarkuarit me detyrën e kollondrisjes së marrëdhënieve me jashtë.
Pasi diskretiton për imoralitet pemën që ai si një rrënjë e ushqen, ai na tregon për politikën e jashtme.
Politika jonë e jashtme, thotë, në vazhdimësi (pra parasocialiste dhe paraparasocialsite) ka qënë tinzare dhe ne kemi fshehur dhëmbët që nuk i kishim dhe kjo na ka bërë të dukemi sikur qeshim edhe kur qajmë. Thotë.
Dhe politika e jashtme socialiste mund të jetë e përzier me komplekse individuale. Madje jo se nuk e paskëm menduar mirë, por komplekset tona individuale qenkan shtetërore dhe tregokan se ne gjithnjë e kemi vuajtur faktin që jemi të vegjël dhe të tjerët janë më të mëdhenj dhe më mirë.
Ne paskemi lejuar që babaxhani Erdogan të na fyejë duke e lejuar të na rekomandojë, me bindje, mbylljen e ca universiteteve të xhaxhi Gylenit. Po ne vetë në fillim të vitit mbyllëm nja kushedi sa universitete të lloj lloj xhaxhi tjetër. Për këtë Gylenin llafe ka plot. Pse do u ofendokemi ne kaq shumë se fortlumturia e tij Erdogani na tha që ti celim sytë e të mos ja humbim mesazhin për nja dy universitete. Turku i keq mund të jetë i dobishëm, dhe unë mendoj që sapo të sigurohemi që ky Gyleni nuk na rrezikon interesat disi, t’ja mbyllim shkollën dhe interesat vendorë të zhvendosen sipas nevojave në fronte të tjera pune.
Dhe pastaj, nja tre katër paragrafë të tjerë, Blushi i shqetësuar për pavarësinë tonë të kërcënuar prej një presidenti turk që vjen dhe na mbyll të vyerat shkolla. Lirik, pedant me referenca të mirë në fjalorin historik dhe letrar. Aman aman. Na fton që si vend i vogël të themi të vërtetën se kjo do na japë kuptim për qenien tonë në terma fillozofik, kupton ti apo jo?
“Ndershmëria e një vendi të vogël vlen më shumë se dominimi i një vendi të madh”.Edhe një mur do ishte në hall të zbukurohej me një të tillë parrullë. Edhe sapo na mësoi se individi dhe shteti ndryshojnë sic ndryshonte edhe diplomacia nga etika. Cfarë do të thotë ndershmëri e një vendi të vogël, zoti Blushi?
Me Greqinë konflikti ynë po përshkëndijka nëpër një “kontrast ideologjik”. Kapitalizmi, më evropian, grek po u shihka si përcjellës i një forme kapitalizmi që ja acaroka nervat kaptalizmit, gati afrikan, shqiptar që nxit shtetin tonë në izolim prej fqinjit jugor. Tamam tamam modeli i qeverisë greke mund të kalojë kufirin dhe të shkelmojë përjashta metodat tona primitive dhe gjakatare dhe kjo padyshim acaron dikushin. Diskutimi për toka e ujra dhe të drejta dhe neps e epsh nuk gjente vend në këto rradhë të iluminuara. Na foli portreti i Leonardo Da Vincit te bufeja, (me vërte e kam.)
Një mace që i mburret qenit, jemi ne, që dimë të fshihemi në shishe. Thotë. Kështu vazhdojnë pastaj paragrafët varg. Një anije kineze që shkarkon kontenierë në port.
Maqedonia. Shteti ynë paska bërë gabim të madh që i paska kërcënuar veton për hyrjen në nato (ndërkohë që një veto e tillë është e pavlerë meqenëse grekët po ja vështirësojnë jetën më tepër për hall të madh të emrit, por që gjithsesi ishte një kruajtje fyti deri diku e nevojshme.) Megjithëse jo për këtë, por për shkak se nuk bllokohet biznesi për një licencë. Zoti blushi ka të drejtë në faktin se përfaqësimi i shqiptarëve të maqedonisë nuk tingëllon keq në përmasa, pavarësisht se paaftësia e grykësia në qeverisje krijon mungesë në shfrytëzim të potencialit. Po këtu flitet për konflikte të paqarta që u përmendën më lartë dhe një veto brenda aleancës sate ushtarake është një thirrje e afërmendshme ër të tërhequr vëmendje. Le të pyetet si ishte puna, se nëse ky ishte një provokacion që mobilizon etnikisht ne jemi nga ajo etnia.
Nëse dikush tjetër do të na e kishte bërë këtë, do kishim përfunduar keq, thotë zoti Blushi. Mos e thuaj këtë zoti Blushi. Edhe pastaj anija vazhdon të shkarkojë kontenierë me lloj lloj flladi poetik, lirik dhe pak distrofik. Asgjë tjetër.
Cfarë na tregon ky artikull? Natyrisht asgjë me ndonje copë vlere për politikë jashtme, por për Blushin dhe partinë e tij duhet të tregojë diçka. A është real rreziku që brenda partisë socialiste të shfaqet një fllad që mund të na ftohë shokët e partisë tek djersisin në diskutime legjendare? Po prindi, pse e lejoi prindi zotin Blushi të dalldisë në të tillë altruizma ndër shtetërorë, kur ne nuk dimë akoma se nga i kemi të vdekurit nëpër skaje të skamnuar? Një e tillë deklaratë patjetër që çon në një ndarje të zotit Blushi prej atyre që thojnë gjërat. Në kohë të fushatës. Kohë e mirë për carje. Përqark ka të pakënaqur. Zgjedhjet lokale do sjellin konsolidim të partisë akoma më poshtë, nëpër rrënjë.
Zoti Blushi do ketë mbështetje ndërkombëtare për iniciativën e vet, qoftë ajo parti, ojq apo revistë psikokulturore.
Ndërkohë për politikën e jashtme i vetmi diskutim është ai për matjen e mirë të forcave në këto angazhime. Momenti për të negociuar ndarjen e tokave dhe detit me grekun nuk duket i keq. Ndarja do të ndodhë ndërkohë që një listë akoma më e gjatë pret. Të cakorduar në menaxhimin jashtë, të situatës që kanë brenda, grekët ka gjasa të bëjnë një pazar disi më të pranueshëm për ne, për atë që ja kanë vënë syrin dhe që i ndriçuari Sal ja dha një herë. Presioni politik duke na dhunuar emigrantët e shumtë që kemi andej siç bënin rëndom me operacionet Fshesa dhe abuzimet policore ka gjasa të jenë më të përmbajtura. Gjermanët ka gjasa të mos jenë shumë dashamirës me kauzën greke, italianët ndoshta po zgjohen në një rigjallërim rajonal. Turku i dashur Erdogan na ka qëllu nevrik dhe po ëndërron një rikthim nëpër tribuna lajmesh rajonale. Amerikanët nuk e rruajnë të jenë fort të vëmendshëm. Ndoshta ndoshta, ndoshta ndoshta.
Maqedonët. Ca po bëjnë maqedonët? Gjithë ajo zallamahi. Një operacion arrestimi që sheshoi një lagje, me 22 luftëtarë të vdekur. Pa rrëfime zyrtare. Moska në mbështetje të një skenari??? Nesër do vijë të na flasë Vuçiçi!
Ballkani ka pas dhe vazhdon të ketë trazira, zoti Blushi. Le ti lutemi zotit që të na e mbajë largë sikletin, megjithëse ju sikur e keni thënë lutjen tuaj zoti Blushi.