Komisionet hetimore të parlamentit në vazhdimësi kanë qenë arenë e debatit në jetën politike në Shqipëri. Edhe mohimi i tyre prej maxhorancës socialiste gjatë vitit të kaluar ishte një rrëfyes domethënës i zhvillimeve. Ndikimi i tyre në zgejdhje ndodhi.
Opozita megjithëse e ngriti zërin për qasjen jodemokratike që u përdor në miratimin e ndryshimeve në këtë ligj duhet të kish harxhuar ca më shumë energji për të qartësuar mënyrën si artikulohen e ku qëndrojnë problematikat që e shoqërojnë atë.
Në momentet e një kakofonie mediatike që thith gjithkënd në vorbullën e vet; të një qasje gjithnjë e më populiste në legjitimimin e qeverisjes, kudo; në momentet e një interesi të paksuar ndaj politikës e rënies së besimit tek secili që mund të kontribuojë në ndryshimin e diçkaje, është e nevojshme që të adresohet ajo tërësi qytetarësh të interesuar që kanë aftësitë intelektuale për të peshuar e marrë qëndrime ndaj zhvillimeve politike në vend.
Nëse opozita vazhdon me besimin se do të tërheqë vëmendjen vetëm me aksione të zhurmshme e ngjyrashume ka pak gjasa të ndryshojë diçka. Opozita duhet të kuptojë se ka pak gjasa të fitojë një betejë me një rival që ka një kontroll shumëfish më të madh mbi mediet e mjetet e komunikimit dhe mbi fatet e jetët e qytetarëve.
Çfarë ndryshimesh pësoi ligji?
Në 9 nenet e veta, ligji parashikon një sërë ndryshimesh që kanë të bëjnë me prezantim të kuptimeve të terminologjisë së përdorur, të drejtave që gëzojnë të përfshirët në zbatimin e këtij ligji dhe natyrisht mënyrave se si do të veprohet për zbatimin e tij.
Meqenëse shumica e ndërhyrjeve janë të një karakteri procedurial e hamendësoj se pak i interesojnë lexuesit të këtij shkrimi, ndaj po i kthehem tematikave që kanë një karakter disi politik e që duket se kanë qenë shkas i rezistencës së opozitës.
I. Pas një ndryshimi në përkufizimin e vetë termit “komision hetimor’, që tashmë përmban edhe faktin se ngrihet sipas pikës 2 të nenit 77 të Kushtetutës[2] prezantohet një prej ndryshimeve që duket se janë në qendër të debatit. Përfshirja e një sqarimi se për çfarë bëhet fjalë kur themi “Çështje e veçantë”. Në ligjin e pandryshuar të 2002-it mungon një sqarim për çfarë konsiderohet “çështje e veçantë” megjithëse pika 1 e nenit 3 të atij ligji, që sqaronte se cila ishte fusha e veprimtarisë së komisioneve cilëson pikërisht hetimin e “çështjeve të veçanta”, krahas atyre për hetimin e zyrtarëve me imunitet apo argumentimin e shkarkimeve të zyrtarëve të lartë, si aktivitet parësor.
Çfarë është një “çështje e veçantë”?
“Çështje e veçantë” është ajo çështje që hetohet në aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve, të njohjes dhe verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje apo veprimtarie dhe që nxit iniciativa për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.”
- hetohet në aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve, të njohjes dhe verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje apo veprimtarie
- nxit iniciativa për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale
Megjithëse më duhet të pranoj se njohjet e mija në fushë të gjuhës juridike nuk janë mjaftueshëm të ushqyera, nuk mund të mos nuhas se gjuha ka një ngërç në përcjellje të kuptimeve. Kontrollohet (1) zbatimi i ligjit, apo (2)hetohet se si është kontrolluar zbatimi i ligjit, apo (3) kontrollohet vetë ligji se po ecën zbatimi i tij pas miratimit e identifikohet nevoja për ndryshim të tij?
Interesimi i mëtutjeshëm i përkufizimit në njohje verifikim të fenomeneve, ngharjeve apo veprimtarive, si dhe angazhimi për nxitje të iniciativave, amendimeve e miratimeve, na orienton të besojmë se kemi të bëjmë me pikën tre të shtjellimit të mësipërm, pra që komisionet hetimore marrin edhe njëfarë atributi akademik në qasjen e tyre, por besoj se opozita dhe shumica parlamentare duhet ende të prononcohen për këtë interpretim.
Në të njëjtën vazhdë është edhe neni dy i ligjit për rishikim që prek nenin 3 të ligjit për organizmin dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Në pikën e vet të parë ligji i 2002-it sqaronte që “Komisionet hetimore të Kuvendit krijohen për të hetuar çështje të veçanta, sipas nenit 77 pika 2 të Kushtetutës.” Tani, ky nen do të jetë i rishkruar i tillë:
“1. Komisionet hetimore të Kuvendit krijohen për të hetuar çështje të veçanta sipas pikës 2 të nenit 77 të Kushtetutës. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit e të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit.”
Edhe në këtë nen duket se kemi një sqarim që nuk sqaron mjaftueshëm. “Hapsira kontrolluese e parlamentit”, për më tepër “e lidhur në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit,” na trazon. “Hapsirë kontrolluese” është një koncept i rrëshkitshëm. Kushtetuta e vendit në pikën e tretë të nenit 80-të ofron njëfarë ideje se çfarë mund të jetë “hapsirë kontrolluese” kur thotë se “Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre për sa e lejon ligji.”, por një lidhje funksionale me pushtetin e ligjvënësit” nuk dimë në e kufizon këtë të drejtë kushtetuese të komisioneve hetimore, apo e le aty ku ishte.
Pushtet i ligjvënësit? Duhet një dorë e sprovuar të na hartojë një udhërrëfyes për këto saktësime që ofron rishikimi, por për të na ndihmuar disi kemi një tjetër ndryshim që ofrohet në këtë rishikim të ligjit, ajo është pika e parë e nenit të katërt të ligjit të 2002, që përcakton parimet e përgjithshme të ligjit. Në pikën e parë të këtij neni dikur shkruhej: “Komisioni krijohet me kërkesë të 35 deputetëve. Grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit.“
Në ligjin e rishikuar kjo fjali e tretë e pikës, plotësohet me sqarimet si më poshtë:
“Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e komisionit kur objekti i hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese si më poshtë:
a) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit;
b) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete;
c) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.”
Fakti që çështja u dashka të jetë në lidhje me funksionin ligjvënës apo funksione të tjera të kuvendit është pa mëdyshje kufizues në veprimtarinë e komisioneve hetimore parlamentare. Subjekte konkrete? Indicie e mjaftueshme?
Gjithësesi, në përfundim, këtu secili mund të bëjë interpretimet e veta.
Ajo që mund të themi është se elokuenca e gjuhës së përdorur nuk na entuziazmon fare. Zoti Rama kur ulet shtjellon këto formulime me specialistët duhet të mos neglizhojë këtë armë që ka pasur një goxha kontribut në mbërritjen e tij në majat ku ndodhet.
Në përfundim, fakti që Kuvendi i Shqipërisë po privohet nga mekanizma për të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike e të drejtësisë në vend është padyshim një sinjal i keq. (Një sinjal i keq tek rruga për në dreq.)
Megjithatë, për të vazhduar argumentin e ngritur në hyrje të këtij shkrimi, mendoj se humbja e një tribune si ajo e komisioneve hetimore parlamentare nuk ka ndonjë domethënie aq jetike për opozitën. Mendoj se me profesionalizëm e kreativitet mund të kapërcehet edhe kjo pengesë.
E rëndësishme është që të ulen pak tonet e ti jepet kohë publikut të përtypë atë informacion që zotëron. Tashmë në qarkullim ka informacion, të konfirmuar prej institucionesh kompetente, të mjaftueshëm për të rrëzuar të paktën 10 qeveri, për të kaluar socialistët shqiptarë në një parti opozitare gjysëm ilegale që ka si synim të parë sigurimin e ndonjëfarë amnistie, prej së cilës, fatmirësisht, do të mund të përfitojë edhe doktori.
[1] https://www.qbz.gov.al/eli/fz/2024/13/1e0a3c07-3ef2-4074-b7fb-555d4ca7ecda
[2] 2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.