Në vend të parë në këtë shkrim renditet politika e jashtme. Megjithëse me njëfarë ciklizmi jo të rregullt, politika e jashtme sistematikisht del në skenë të politikës shqiptare e së fundi me një seri suksesesh të lavdërueshme.
Vizita e sekretarit Bliken, që para se të ndodhte solli një bum shkrimesh e leximesh prej komentatorësh, që nuk i shtuan shumë njohjes së përgjithshme. Ca thanë që ishte gjendja në rajon (me tensionet në kufirin verior të Kosovës, që mban farën e një përshkallëzimi, që ndoshta mund të shfrytëzohet prej rusëve për të çorientuar më tej perëndimorët që e gjetën veten të teleportuar në një luftë në Ukrainë dhe në kushtet e aktivizmit dekorativ në gjenocidin që po ndodh në Palestinë,) arsyeja që e solli mikun e çmuar në një vizitë që me mungesën e një qëllimi shpallur shpallte një mbështetje të hapur. Ca të tjerë hamendësuan se kjo vizitë ishte një tjetër arritje e lobizmit të qeverisë që me ftesat për investime në lumenj e përrenj, dete e male, male në det, e ku di unë ja doli të arrinte qiellin e ndërkombëtarizmës gjeostrategjike. Shto këtu edhe një mirënjohje të xhaxha Semit për bashkëpendëmbajtjen në Këshill të Sigurimit, mbështetje të ukrainasve, pritje të afganëve, qetësi në negocimin kosovaro-serb, e me rradhë.
Mendoj se këtu duhet shtuar edhe teoria se tam-tami i një Lufte të Ftohtë II, do të rindajë sërish Europën e pas rënies së demokracive popullore më 90-tën, që riformatoi Jaltën, i nxit perëndimorët të rekrutojnë në kampin e tyre vendet kufitare si mëmëdheu ynë që sic dihet rri mu mes lindjes e perëndimit.
Ballkani i hapur, me pakuptimësinë e tij strategjike për shqiptarët do të fitonte një kontekst të ri në këtë interpretim duke u bërë një skenar të prerë hollë kërcënimin se i bashkohemi shkijeve e Rusisë e kapërdijmë edhe byrazerët kosovarë të copës që na takon me të drejtë e i alarmon europianët e amerikanët. Gjithësesi (në rast të një fije vërtetësie në këtë skenar zbavitës) duhet të falenderojmë hyjin që Rama vendosi ta luajë këtë lojë duke përdorur shkjaun e nuk luajti me ndonjë kredi madhore kineze, që edhe perëndimorin do ta kish tremb tamam edhe ne mund të na kishte ngul ndonjë gjë të keqe nga ku nuk e hiqnim dot.
Për të vazhduar sagën e xhaxhave që lyejnë qiellin me ngjyrë trëndafili, shkëlqesia e tij Kryeministri bëri edhe një goxha vizitë në Ankara, ku takoi Erdogan efendiun dhe mori fjalë të mira e përkujdesje plot.
Pastaj në Tiranë u organizua një samit në mbështetje të Ukrainës. Në përfundim u morën vesh që të punohet për prodhimin e municionit apo armatimit në vend. Në bashkëpunim me partnerët do të punohet për të rivënë në funksionim industrinë, dikur në lulëzim, të luftës. U çel edhe aeroporti luftarak i NATOs e hya.
Pastaj u organizua një tjetër samit i rëndësishëm për bashkëveprimin me BE-në për të përshpejtuar përfshirjen e Ballkanit perëndimor në Europën e Bashkuar. 6 miliard Euro janë në tavolinën e bashkëpunimit e do të shpërndahen tek më i afti.
Pastaj Rama dhe një pjesë e qeverisë udhëtoi drejt Azerbajxhanit për zhvillimet energjitiko-gjeopolitike.
Edhe beteja për dënimin e gurit të Himarës, Bejlerit, po shenjon njëfarë fitorje. Në Athinë është raportuar të jenë dëgjuar zëra që thojnë ‘lëre Ramën rehat, për momentin, se ka shoqëri të gjerë . E takime e zhvillime kah mos.
Vëmendja për këtë veprimtari duket edhe në kujdesin e shtuar të televizionit të pushtetit TC e mediave të tjera dashamire që të pasqyrojnë aktivitetin, edhe dekorativ, të ministrit të evropës dhe jashtësisë, zotit Hasani. Megjithëse, na duhet të pranojmë se kontribut në këto arritje janë frute të qasjes së vetë Ramës me karakterin e tij ngjyrashumë shpalosur nëpër takime e pozime, prap suksesi është sukses dhe duhet hequr kapelja prej atyre që e mbajnë. Megjithatë ende na duhet të kuptojmë skemën e madhe që të kuptojmë masën e vërtetë të këtyre arritjeve.
Mu në ditën e takimit të Ramës me Erdoganin ndodhi edhe ngjarja e rëndësishme; protesta e opozitës. E para protestë e opozitës në aksionin e nisur për mosbindje, e që do të kulmojë me zgjedhjet e 2025-ës, u realizua më 20 shkurt duke përkujtuar me këtë rast edhe rënien e monumentit të bronxtë të zotit Hoxha prej pediestalit ku ishte në sheshin Skënderbej.
Protesta nuk ishte jo-domethënëse. Pati njerëz mjaftueshëm, ndezën edhe zjarre efemere në oborr të kryeministrisë, u bënë thirrje për mosbindje civile e u vëllazëruan të gjithë opozitarët, me ca përjashtime. Por modestia nuk mungoi gjithandej.
Më e qarta modesti ishte kur një grup civilësh nga ana e forcave të rendit penetruan turmën dhe arrestuan mu aty ku ishte të paktën njërin ndër ata që i ndezën zjarret. Një ndodhi me domethënie të veçantë e që ja zbehu profilinin luftarak të protestuesve e protestës. Mu në mes të ekstazës liridashëse, kur nën efektin e humbjes së vetes në turmë liridashësi hedh tej cdo identiet e bëhet mjet, vijnë ca çuna me kapuça e ngrejnë për leckash dhe e hedhin matanë gardhi dhe mjetet e tjera përqark e harrojnë ekstazën dhe bëhen dëshmitarë e spektatorë. Një aksion psikologjik me vlerë të paçmuar.
Tregimi i forcës është një ndër elementet më domethënëse të protestave e pamundësia për të mbrojtur bashkëprotestuesin prej turmës demokrate ishte një shenjë fort njollosëse. Legjitimiteti që i buron politikës prej çunave mbeti i mangët për shokët opozitarë. E në fakt ky ogur fatkeq nuk vonoi të pasohet prej ligështimit atje lartë. Ndërkohë që ishim në pritje të njoftimit për datën e protestës së dytë dhe një eskalim të mëtutjeshëm mbërriu haberi që po diskutohet paqja në kryesi të grupit parlamentar.
‘Tobejarevi’ kur thojnë vëllezërit myslimanë për ta mbajtur largë shejtanin e keq.
Pa nisur akoma muaji i madhërueshëm i Ramazanit, PD, me nënkryetarë të sapozgjedhur vete e diskuton e pranon që të ketë dy komisione hetimore parlamentare në shkëmbim të braktisjes së mosbindjes civile.
Që Doktori i hyri këtij pazari qesharak pako ditë para se SPAK të marrë përsipër të vendosë drejtësi për çështje të 21 janarit është një ekuacion pa të panjohura po prapë. Gjithësesi duket se Demokratët janë në rrugë të drejtë për drejtësinë e do të mbështetsin ligjin për amnistinë që paska nevojë për ca vota më shumë nga sa kanë socialistët. (Apo po krijohet një qetësi para stuhie nga ku me mbështje kufitare e trazi botërore e rajonale, qameti do të shpërthejë me shpejtësi e efikasitet e do të arrijë frute si në vitet e fundit të mijëvjeçarit që shkoi.)
Në përfundim na duhet të rikujtojmë prapë se Partia Demokratike e Rithemelimit, që zë akoma kaq e aq minuta në fjalët e kryministrit në asambletë e shumta të kësaj periudhe, në edicionet e lajmeve në TV kombëtare e lokale e rajonale e është një humor, që po ti shtosh edhe skeçin e Partisë Demokratike të Vulës duhet të shitej si trajtim për kurimin e depresionit. Kjo është e qartë, por që nuk po shitet si e tillë është po aq e qartë.
Por për fat SPAK balancoi situatën duke i shtuar ngjyrat e errëta në këtë ëmbëlsi pamore duke vënë në pranga Drejtorin e ARRSH, zotin Berberi. Një njeri i afërt i zv-kryeministres Balluku. Ndërkohë edhe Veliaj i Bashkisë pat humbur më herët një koleg të ngjashëm, zotin Taulant Tusha. Mediu, Beqja, Berisha e Malltezi e ca shokë të tjerë paraqiten rregullisht para shokëve hetues për ngrënie te pjata e tjetrit.
Por, Por. Socialistët po shtojnë rradhët e për çdo kokë që bie andej lartë këndej poshtë shpërndahen 3333 tesera. Vetëm në Asamblenë e fundit Rama tha se gati 30 mijë anëtarë i janë shtuar partisë që nisi me vetëm 200 petrita.
Ndërkohë vendi zien. Përditë po vriten. E vrau, u vra, e shtypi, u shtyp. Kënga që e këndonte edhe Rama, ‘krimi krimi droga droga’ vazhdon e jehon jehonën e vet si jet e mot e ne nuk kemi si mos pëshpërisim në zë lutjen ‘o zot jepi atij që rri kot.’
Një lutje që sipas gjasave do të na plotësohet falë përparimit të madh që po ndodh në inteligjencë artificiale.