Dionis Bubani e paska imagjinuar për ne një situatë të tillë:
Avokati Mentar Mentari ka një gocë pë të martuar, dhe një grua, dhe një qeraxhi. Kunatin, një kushëri të vetin që është si bicim kleptomani batakci dhe tre kandidaturat për martesë që janë fashisti i ri me emrin Benjamin, nazisti shqiptar Zenun Zenuni, dhe agjenti i anglezëve njëkohësisht qeraxhi Eduarti. Dhe një i parë që kish dalë partizan pasi ishte zhdukur prej shtëpisë ku rrinte si qiraxhi, Zafiri, zgjedhja e parë e preferuar prej mamasë.
Avokati qenka i vetmi i diplomuar jashtë me medalje të artë në qytet, por edukimi buroi nëpër gjinjtë e gruas dhe ai është qesharak në ambicjen e burrërinë e vet të provincës nëpër dallgët e luftës së dytë botërore. Gruaja që tregon se është martuar kur ka qenë vetëm 15 vjeç dhe ka gjinj sa për të buruar edukimin e burrit. Bija, Flutura e re, por zënë në hall se po mbetet pa martuar ndjek trillet nga e ngatërron babi. Deri sa vjen partizani Zafir që në fakt, nuk do Fluturën por t’ëmën.
Hiq këtë gjetjen e fundit, që domosdo shkaktoi humor në sallë e që kemi të gjitha arsyet të mendojmë se e ka shtuar regjisorja Sonila Kapidani në një akt që na troshit pak në rrugëtimin tonë për interpretim, pjesa tjetër është plotësisht konform kallëpit të farkëtuar ideologjikisht të realizmit socialist.
Mentari, borgjezi shpirtvogël dhe i paparimtë, që për arrvizmin e vet nuk e ka për gjë ta kolovisë çupën nga të jetë leverdia, ëndërron të zhvendoset në Tiranën fashistonaziste ku mund të shërbejë në gjithçka, nga shërbimi në Ministri të Brendshme e deri ku të jetë. Gruaja dhe vajza, janë llastica interesaxhie, gjysmë injorante e gjysmë viktima të modelit patriarkal që dominon gjithandej. Daj Dudumi çifligar meskin e i pasur që do ta martojë mbesën sipas interesave e bindjeve të veta me nazistin Zenun Zenuni, që është një hajvan fanatik dhe gjakatar. Shkesi Xhevahir, kushëri e makut e kleptoman siç edhe thamë, është gjithashtu i kthjellët dhe spikatës. Benjamini, i biri i ministrit Abdurrahman, është gagaç e ca i leshtë. Anglofili Eduart është më i kthjellti i grupit por edhe ai duket sa si shumë i kthjellët e duargjatë. Personazhi i vejanit të pasur që kërkon gjithashtu ta marrë çupën për nuse dhe që është pjesë e çdo komedie të tillë që mbaj mend, vetëm sa përmendet dhe nuk erdhi.
Bubani në prezantimin prej wikipedias (anglisht) cilësohet si një ndër dramaturgët e parë profesionistë në Shqipëri. Dhe nëse marrim në konsideratë se i ati Gjergj Bubani, një publicist Shqiptar që paska nxjerrë më 1930-tat në Bukuresht gazetën Kosova sipas ëikipedias shqip e atë Drita sipas asaj anglisht, qenka nga viktimat e gjyqeve famkeqe të Koçi Xoxes, kuptojmë se çdo të thotë profesionist.
Krejt spontanisht shfaqja bëhet pjesë e rigjallërimit të kësaj tematike që vetë Presidenti i Republikës e çeli kur dekoroi një grup luftarak ballistësh që humbi jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nuhatje që artit nuk kemi si ja mohojmë, nëse marrim në konsideratë se përgatitjet për shfaqjen kanë filluar para se presidenti të shpallte vullnetit e vet prej të pari të vendit.
Megjithëse na duhet të mendojmë edhe për mëdyshjet e të profesionistit Bubani, për interesimin që fiton kjo pjesëz e krijimtarisë së tij në këtë kontekst të ri social politik në Shqipërinë. Këtu duhet pasur parasysh që pjesa nuk kurrfarë arsye për të spikatur në tollovinë e prurjeve të dramaturgjisë të realsocializmit. Karnavalet e Korçës, të Çomorrës janë një paraardhës i afërt, e të tjerë prodhime të ngjashme të asaj kohe ka plot. Profesionisti Bubani me ëndrrën e ndonjë leje krijuese në kokë dhe frikën e një qarkullimi në zemër mund të ti bënte si kjo, sa të doje, me siguri. Edhe i ka bërë.
Shfaqja.
Zonja Kapidani duket se është familjare me nevojat e publikut të sotëm, ndaj shfaqja ka ritëm. Zëra të lartë. Të mprehtë. Gjithë kohën. Au iu. Aksion nëpër skenë, megjithëse bëhet fjalë kryesisht për vizita në familje dhe kryerje të një shkesie. Aktorët lëvizin pa pushim. Të rrëmbyer.
Gëzim Rudi si Mentari, Pjerin Vlashi si daj Dudumi, Shkëlzen Berisha si Xhevahiri e e gjithë trupa me rradhë i kontribuojnë aksionit. Të tre dhëndurët, të dyja zonjat. Çdo veprim është me ritëm të lartë. Edhe skena është e ngushtë e ngushtë edhe spektatorët janë afër, ndaj dhe gjithçka ndihon këtë intensifikim, megjithëse duhet pranuar se bëhet fjalë për një gjetje regjisoriale disi të shpejtë dhe komune në këto kohë.
Konflikti me lopata. Dhe konflikti të krijon hapsirë për humor sa të duash. Mentari dhe daja zihen për rivalitete të karakterit mashkullor me njëri tjetrin. Paratë e Dudumit dhe suksesi profesional i Mentarit i bëjnë rivalë. Të tre dhënurët domosdo që grinden dhe meqenëse nuk kanë ndonjë shtrirje të madhe të rolit lejohen të spikasin fort me cenet, manirat, energjinë e tyre. Femrat e kanë të lehtë se me pak gjuhë trupore dhe fap e bëjnë një personazh të plotë e të plotë, rrumbullak. Një estradë e mirë (siç paska pasur në karakter të vet që në realizimet para-pasdiktatoriale shfaqja).
Publiku, relativisht i ri, u shkri së qeshuri. Steriotipet e realizmit socialist që me siguri enden si hije nëpër pavetëdijen estetike të bijve të njeriut të ri socialist garantojnë sukses. Shto këtu edhe ca moskokçarje injorante për debate politike të kësaj natyre ndër popullin tonë gjithmonë të ri dhe duartrokitjet burojnë natyrshëm.
Vetë verëbërësi Dionis e di se pastaj ky Mentari, që gjithsesi paska qenë i vetmi jurist me medalje të artë në provincën ku me siguri 90 e kusur përqind e popullsisë ka qenë analfabete, i dorëzoi ata florinjtë e fshehur në oborr, që u përmendën tek shfaqja, pasi e varën prej koqesh prej tavanit për ndonjë javë me radhë dhe pastaj udhëtoi burgjesh e kampesh duke tharë këneta ca muaj e vite. Doli s’doli nuk e dimë. Gruaja e tij me emrin mysliman pasi gëzoi ca ditë partizanin Zafir të gjetjes regjisoriale, shkoi të gëzonte ndonjë brigadier bashkë me të bijën Fluturën, që zor të jetë martuar edhe për ca kohë. Dajë çifligari gjthashtu do t’ja ketë vënë koqet në dorë ndonjë xhahili kurioz, që interesohej për verdhushka të gjakpirësve të popullit dhe kushedi ku do i ketë lënë kockat. Dhëndurët kolaboracionistë po nuk i pati korrur dyfeku partizan që ato ditët e para do kenë vajtur pas Fluturës në ndonjë arë ku mezi nxirreshin 60 kuintal misër për hektar.
Nevoja që ka shfaqja për tu hequr prej gjithë konteksteve reale për tu shijuar si komedi na trazon. Ka një mungesë qëndrimi politik dhe thjeshtë një sprovë për një tekst të vjetër në duar të reja siç thotë zoti Josif Papagjoni në kritikën e vet për shfaqjen tek gazeta Shekulli, apo fille të majtizmit shqiptar, që zgjaten të pandërprera që prej luftës partizane për liri e deri tek teatri ynë bashkiak, kërkojnë të tërheqin shikimet nga tablo të caktuara?
Dionis Bubani me historinë e vet dhe të babës Gjergj, që i njohu brohoritjet popullore të gjykatës komuniste me veshë të vet, i shtohet komedisë së vet. Në këtë aspekt kjo lehtësi në rrokjen e një teksti të vjetër për një engledisje bashkëkohore nuk na rrëshket kollaj nëpër gurmaz. Një estradë dakort, por përfshirja në një debat kaq të mprehtë social e historik, (dakort të deformuar prej nevojash ditore të një politike të paskrupullt,) prej një mediumi kaq ekskluziv e lluksoz sa teatri prej një pozite që refuzon të angazhohet me domethëniet aktuale të pjesës nuk na entuziazmon.
Apo jo? Ka angazhim dhe në fakt ky humori i fundit, që thamë, me partizanin Zafir që në vend të vajzës Flutur dëshiron mami Sanien nuk na qorrolleps komplet, por na tregon shtegun e kuptmeve politiko-filozofike të qasjes regjisoriale? Me prurjen e saj regjizorja Kapidani dëshiron që edhe partizani Zafir të zbresë në një nivel me dhëndurët e tjerë, apo do të na qerthullojë me një metaforë që medemek ai do ti qijë t’ëmën asaj dhe ndoshta të gjithëve ku janë e ku s’janë? Nuk e mora vesh. Po çi qi t’ëmën.